Hyrje > Islamologji > Radikalizëm islam, apo injorancë radikale ndaj Islamit?!

Radikalizëm islam, apo injorancë radikale ndaj Islamit?!

Enklid PELARI

 

RADIKALIZËM ISLAM, APO INJORANCË RADIKALE NDAJ ISLAMIT?!

Enklid Pelari

Enklid Pelari

Kohët e fundit po vëmë re një fushatë intensive (nuk po e quajmë kryqëzatë) ndaj “islamit dhe islamizmave”, por fatkeqësisht jo nga njerëz kompetentë. Pra, jo siç ndodh në botën perëndimore ku fjala bie njerëz të përkrahur nga shteti, por jo vetëm, studiojnë për orientalizëm dhe pas studimeve informojnë opinionin publik për “të mirat” dhe “të këqijat” e kulturës orientale. Këta studiues njihen me emërtimin orientalist. Ajo që bie në sy tek ta janë dy karakteristika esenciale: e para është dituria e thellë rreth kulturës orientale dhe e dyta është etika dhe gjuha e kuruar që ata përdorin kur flasin rreth kulturës orientale në përgjithësi dhe islamit në veçanti. Për këtë gjë në perëndim nëpër mediume te ndryshme bëhen debate të hapura dhe dialogje të ndryshme. Kjo gjë promovon bashkëpunimin dhe tolerancën ndërfetare.

Nga ana tjetër shohim se në Ballkan ata që bëjnë kompetentin e fushës jo vetëm që fatkeqësisht nuk e kanë haberin e kulturës orientale dhe islamit, por dhe gjuha e përdorur prej tyre nuk ndryshon nga ajo e një njeriu të pastudiuar. Pra mesazhi i vetëm që përcillet ndër rreshta është sharja dhe ofendimi i drejtpërdrejtë pa etikë dhe estetikë, se për argumente as që bëhet fjalë. Meqë ‘’analistët” që e kanë marrë tagrin dhe kompetencën për të baltosur “orientalizmat” e kanë të vështirë të gjejnë argumente të mirëfilltë për para-gjykimin e tyre, atëherë kam menduar t’i vijë në ndihmë me disa teza të hedhura nga homologët e tyre në vende të tjera të globit. Disa prej këtyre tezave kanë mbërritur edhe në vendin tonë. Ajo që bie në sy në këto teza janë difektet logjike të qëllimshme ose jo që në shkrimin akademik njihen me nocionin “tatëpjetë e rrëshqitshme”. Unë po mjaftohem me përmendjen e më të spikaturave prej tyre:

XHIHADI SI NOCION TERRORIST I ISLAMIT – Është e vërtetë që xhihadi (apo lufta e shenjtë) evidentohet në Kur’an, por nuk duhet të harrojmë se Kur’ani është një kushtetutë, ku si çdo kushtetutë tjetër në botë evidentohet edhe lufta si “mburojë” e sigurisë kombëtare. Përndryshe në suren Teube thuhet: “Paqja është më e mirë se lufta.”

ISLAMI SI SIMOTËR E DEMOKRACISË – Trendi i analistëve në botë është që ta paraqesin Islamin si një fe “reaksionare” ndaj demokracisë. Faktikisht ata që merren me hulumtimin e feve e dinë shumë mirë se kjo fe përkon pothuajse totalisht me parimet demokratike, si: “Votimi, kolegjialiteti dhe delegimi i kompetencave në vendimarrje, e drejta e pronës private, e drejta e sipërmarrjes, liria e tregut dhe ndershmëria e tij, lufta ndaj monopolit etj.”. Prandaj dhe e përditshmja prestigjoze “New York Times” pas fillimit të pranverës arabe e hapte gazetën me artikullin: “Partitë islame që po e kuptojnë demokracinë më mirë se partitë demokratike”.

SUBJEKTIVIZIMI I ISLAMIT – Islami si çdo fe tjetër në botë është një sistem moral dhe një kod etik që përkthehet dhe subjektivizohet tek çdo individ në bazë të temperamentit, formimit apo kulturës së tij. Në këtë kontekst çdo musliman quhet i mangët apo i plotë në bazë të zbatimit të fesë dhe nuk mund të emërtohet “mangësia apo ekstremizmi i tij” si përfaqësues i Islamit.

ISLAMI SI FENOMEN DHE JO POLITIKËBËRJE – Përhapja e Islamit në botë është një fenomen që lind natyrshëm dhe nuk është një lëvizje politike e nxitur nga ndihma apo investime të dyshimta shtetare, celulash terroriste apo ideologjish ekstremiste. Që në kohën e qeverisë “Nano” kur u zbatua për herë të parë operacioni “fshesa” ndaj organizatave islame arabe – dhe mirë bëri – shohim se ndikimi i Islamit në vend është rritur jo vetëm në dimensionin sasior por edhe në atë kualitativ.

ISLAMI SI “FE” E TË MARGJINALIZUARVE – Nuk është e vërtetë që Islami gjen zbatim vetëm tek shtresat më të margjinalizuara sociale. Sot kemi praktikues të kësaj feje duke filluar nga zyrtarët më të lartë tek akademikë, pedagogë, doktorantë, e deri tek specialistë të fushave të ndryshme si mjekësi, ekonomi, inxhinieri dhe shumë e shumë fusha të tjera që kontribuojnë si pjesë integrale dhe e pandashme e organizimit tonë kolektiv.

TENTATIVA E KAMUFLIMIT – Sot po tentohet që Islamit t’i jepet identikiti i një feje të karakterizuar nga injoranca, varfëria apo inferioriteti. Kjo shihet qartë tek disa media kur për aktivitete fetare mjaftohen me intervistimin e disa njerëzve të moshuar, që nuk do të ishte habi që përveç intelektit të kenë humbur edhe memorien. Kjo situatë do të ishte analoge sikur media në tentativë për t’i prezantuar opinionit publik një subjekt politik “PD, PS, LSI etj.” të merrte në intervistë një misërpjekës, këpucëllustrues apo bananeshitës. Pra t’i jepte ngjyrim gjithë subjektit politik me një pjesë tepër minoritare të saj dhe jo adekuate për një prezantim dinjitoz.

TERRORIZMI SI QEVERI E LEGALIZUAR – Nëse do të ishte e vërtetë teza se muslimanët janë radikalë xhihadistë që propagandojnë ende luftën e shenjtë atëherë qytetarët do të ngrenin një pyetje ndaj jush: “Pse kur partitë islame në botë qeverisin vende të fuqishme si Turqia, Egjipti etj., nuk i shpallin “xhihad” botës perëndimore? Madje kanë marrëdhënie diplomatike edhe ndaj armiqve të tyre tradicionalë si Izraeli. A mos ndoshta dhe Islami është një fe që e pranon edhe luftën, edhe paqen, edhe marrëveshjen, edhe diplomacinë si çdo shtet, qeveri apo parti normale në botë?

ISLAMI SI MBROJTËS MORAL – Shoqëria shqiptare ka një “hemoragji” të theksuar në ruajtjen e moralit të rinisë nga virtytet dhe veset e këqija si droga, bixhozi, imoraliteti, krimi etj. Shumë njerëz të rinj në mungesë të alternativës gjejnë prehje në fetë që veprojnë në vend. Nëse kjo xhelozon këdo në shoqëri atëherë le të vijë me platforma më të pranueshme dhe të integruara në mënyrë që të plotësojmë ato boshllëqe që nuk i kemi plotësuar deri më sot si shoqëri.

ISLAMI SI I HUAJ POZITIV – Ekzistenca e fesë në shoqëri sjell për të përfitime të dobishme jashtë mekanizmave të tregut. Një njeri fetar ka prirje më të dobëta dhe gjasa më të ulta për të vjellur, mashtruar, gënjyer etj. Kjo bën që shoqëria të përfitojë nga këto sjellje të ekuilibruara, të cilat në aspekt afatgjatë sjellin stabilitet në mekanizmat socio-ekonomike të vendit.

Me sa shohim pra Islami është një pjesë e pandashme e shoqërisë globale. Ajo vepron normalisht si çdo lëvizje, organizim, fe apo ideologji e ligjëruar dhe e pranuar gjerësisht në botë. Ekstremizmat dhe radikalizmat ekzistojne në çdo fe dhe në çdo ideologji. Madje dhe në sistemet demokratike ka parti të djathta apo të majta ekstreme që propagandojnë dhe nxisin për luftë. Mos të shkojmë më larg se e majta ekstreme e fqinjëve tanë grekë, apo e djathta ekstreme në Itali. Ajo që e përfaqëson një organizim kolektiv është kryerja afatgjatë dhe jo shmangia e individëve të caktuar apo rastet e izoluara sporadike. Prandaj Islami nuk ka qenë dhe nuk do të jetë një kërcënim apo rrezik kombëtar. Nuk duhet harruar se që nga Lidhja e Prizrenit, tek Fetvaja e Haxhi Vehbi Dibrës, e deri tek themelimi i UÇK-së, ata kanë qenë një nga faktorët më përcaktues për sjelljen e pavarësisë në viset tona dhe për asnjë arsye apo motiv nuk do të konvertoheshin në një kundërndikim për interesat e shenjta kombëtare.

Sot muslimanët i kanë të gjithë potencialet akademike, administrative, financiare, madje kanë dhe kuorumin e nevojshëm për të themeluar një parti që do të ishte faktor në politikëbërjen e vendit. Nëse analistët nuk e dinë këtë gjë, atë e dinë shumë mirë politikanët që mundohen t’i përcjellin ata me muhabete kafenesh dhe ndërtime xhamish. Fakti që sot muslimanët nuk kanë ambicie dhe nuk tentojnë për të themeluar parti është argumenti më i fortë se ata ndjehen të përfaqësuar nga partitë politike që bëjnë ligjet dhe qeverisin në vend. Pra janë demokracidashës dhe të përshtatshëm me të.

Në doktrinat historike ka një parim që mësohet: “Cilësi e lëvizjeve ekstremiste është dritëshkurtësia dhe nxitimi në vendimet politike, çka gjithmonë i çon këto lëvizje në dështim dhe sjellje radikale.”[1]

 


[1] Idetë e shprehura në këtë artikull janë personale të autorit dhe nuk shprehin qëndrimin e ndonjë institucioni.

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: