Shkenca, qytetërimi iranian dhe Islami

Dr. Alibeman Eghbali ZARCH

 

SHKENCA, QYTETËRIMI IRANIAN DHE ISLAMI*

Dr. Alibeman Eghbali Zarch

Dr. Alibeman Eghbali Zarch

Pa dyshim që përparimi, progresi dhe zhvillimi në çdo shoqëri dhe në çdo vend është në vartësi të faktorëve dhe kushteve të ndryshme, nga të cilët më të rëndësishëm janë shkenca dhe dituria. Kur’ani e vlerëson lart rolin e dijes dhe dijetarit, saqë në Suren Anamë, Allahu (xh.sh) fenë islame e konsideron të mbështetur te mendja dhe dituria. Irani si një shtet me një qytetërim mbi 7 mijëvjeçar ka pasur gjithmonë një rol të rëndësishëm në krijimin e  qytetërimeve dhe progresin shkencor.

Studimet e  arkeologëve në tempullin Zigurat Çanga Zanbil në jug të Iranit ose struktura e pushtetit në periudhën e dinastisë Khahameneshi, sistemi ndërlidhës i njohur me emrin e famshëm Rruga e Mëndafshit, veprat artistike në qytetin Esfehan, qyteti i djegur në Xhiroft, rrjeti i kanaleve vaditëse prej dhjetëra kilometrash që përshkonin shkretëtirën iraniane si dhe qindra shembuj të tjerë konfirmojnë nivelin e lartë shkencor të iranianëve dhe rëndësinë që ata i kushtonin shkencës dhe teknologjisë përgjatë shekujve të ndryshëm.

Studimet e  shkencëtarëve francezë gjatë viteve 1950-1962 në Çaga Zanbil kanë zbuluar me dhjetëra novacione shkencore të përdorura në këtë ndërtesë e cila është ndërtuar 1200 vjet p.e.s. Tre prej këtyre novacioneve janë:

1 – Përdorimi për herë të parë i qeramikës.

2 – Shfrytëzimi i sistemit të distilimit të ujit dhe furnizimi me ujë i kateve të larta të ndërtesave.

3 – Përdorimi për herë të parë i xhamit në ndërtim.

Irani i ka dhuruar shkencëtarë të mëdhenj njerëzimit, shërbimet e të cilëve kanë ndikuar ndjeshëm në përparimin  dhe zhvillimin e botës. Muhamed Ibn Zekerija er-Razi ishte një nga mjekët më të mëdhenj të kohës sidomos në mjekësinë e kontrollit dhe vizitës së të sëmurit. Ai ishte profesor i mjekësisë të parashikimit të procesit të sëmundjes dhe psikosomatikës dhe është i pari mjek i cili identifikoi sëmundjen e lisë si dhe shpiku alkoolin të cilin e përdori si dezifektues dhe zhivën e përdori si purgativ. Libri i tij “Al-Havi” është vepra më e madhe në mjekësinë islame, dhe pas tij mjeku më i madh musliman është Ibn Sina (Avicena) i cili mjekësinë islame e përsosi me kryeveprën mjekësore të tij me titull “Kanun” që është libri më i famshëm mjekësor që njeh historia.

Jo më kot Dionport në librin e tij “Muhamedi (a.s.) dhe Kur’ani” shkruan: “Shkencat ekzakte, natyrore dhe filozofia europiane në shekullin 16 buronin nga islami dhe për këtë arsye Europa duhet t’i jetë borxhlie shkencëtarëve muslimanë.”

Perëndimorët Raziun e njohin si referent  të mjekësisë ndërsa Ibn Sinën (Avicenën) si princin e mjekësisë.

Pas mjekësisë, iranianët ishin të parët edhe në fushën e informatikës dhe telekomunikacionit.

Ledhet e dheut si dhe kullat të cilat ishin ndërtuar në vende jashtë fushës, shërbenin si një linjë telegrafike dhe një rrjet informativ prej disa mijëra kilometrash. Në burimet e lashta greke ky sistem informativ drite përshkruhet kështu: Zjarri ndizej që në fund të territorit iranian dhe ndizej njëri pas tjetrit në qytetet Shush, Ekbatan dhe ky sistem ishte kaq shumë funksional saqë mbreti Dari informohej brenda ditës lidhur me çdo ngjarje që kishte ndodhur në Azi. Këtë teknikë grekët e lashtë e quajtën Pyrestique.

Xhamitë “Xhame” në qytetet Isfahan dhe Jazd janë si një Enciklopedi arkitekturore e artit islam iranian me një përvojë një mijë vjeçare në fushën e arkitekturës dhe formave të ndryshme të ndërtimit. Këto dy ndërtesa në aspektin arkitekturor dhe veshjes me pllaka  konsiderohen si kryevepra artistike. Sigurisht nëse duam të tregojmë shembuj të tillë të iranianëve gjatë historisë në fushat e shkencës dhe teknologjisë do të shikojmë se ka me mijëra shembuj të jashtëzakonshëm.

Një tjetër shpikje e iranianëve është dhe sistemi nëntokësor i vaditjes i njohur ndryshe me emrin “Kanalet”.

Nuk është i paktë numri i kanaleve të ndërtuara nga iranianët në shkretëtirë rreth 2200 vjet më parë dhe disa prej tyre janë të gjatë deri në 70 km ndërsa disa prej të cilëve janë funksionalë edhe sot.

Këtu bëhet fjalë për lidhjen midis Iranit, islamit dhe shkencës. Studiuesit kanë vërtetuar se iranianët e kanë përqafuar në formë të lirë dhe krejt të vetëdijshëm islamin dhe jo nga frika e shpatës apo dhunës ushtarake.

Ata e gjetën shpëtimin e tyre nga dhuna politike dhe diskriminimi klasor që ekzistonte në regjimin e perandorisë Sasane, në ligjet dhe rregullat e kësaj feje çlirimtare, fe e cila i kushton vëmendje thelbësore bujarisë dhe zemërgjerësisë humane dhe drejtësisë sociale. Ky fakt vërtetohet edhe nga njerëzit e shkolluar, politikanët dhe mistikët e periudhës të qytetërimit islam ku shumica e tyre janë iranianë. Profesor Mutahari e pranon të njëjtin shkak që i çoi iranianët të pranojnë islamin.

Dëshmitë dhe faktet e lidhjes midis Iranit dhe Islamit janë të shumta. Një nga dëshmitë më të spikatura është edhe i urti Ebu El-Ghasem Firdeusi dhe vepra e përjetshme e tij Shah-name në të cilën shprehet kaq bukur:

Sa bukur foli i fismi Firdeus

Që dritë i pastë shpirti në varr.

Mos e nga milingonën që mbart kokrra drithi

Sepse ka shpirt, dhe shpirti është i ëmbël dhe i dhembshur.

Ata që kanë njohuri mbi historinë islame të Iranit e dinë se feja islame dhe mendimi i pavarur politik ka përcaktuar rrugën dhe traditën e pjesës dërrmuese të popullit iranian në shekujt e fundit. Më shkoqur duhet të themi se revolta e familjes Safavite në fillim të shekullit të 10-të hixhri, rezistenca e popullit iranian kundër agresioneve të osmanëve, Khanëve Uzbekë, Carëve rusë dhe atyre anglezë dhe në kohët e sotme lëvizja e zgjimit islam që u kurorëzua me fitoren e  revolucionit islamik, të gjitha këto janë dëshmi të shpirtit moral, dashurisë ndaj islamit dhe pavarësisë politike të popullit iranian.

Irani jo vetëm që gëzon një vend të rëndësishëm nga pikëpamja e qytetërimit dhe identitetit, por ai ka burime të pasura natyrore dhe gëzon një pozitë mjaft të favorshme dhe strategjike gjeografike në Lindjen e Mesme. Në veri Irani shtrihet në detin Kaspik, ndërsa në jug ka dalje në gjirin Persik dhe detin e Omanit. Irani është fqinj me 15 vende të Azisë së Mesme, Azisë Perëndimore dhe Gjirit Persik. Turqia e ka shndërruar Iranin në kryqëzim ndërlidhës në rajonin e Euroazisë. Irani është vendi i dytë në botë pas Rusisë që ka rezervat më të mëdha të gazit natyror dhe vendi i pestë me rezervat më të mëdha në botë të naftës. Irani ka luajtar gjithnjë një rol të rëndësishëm për sigurimin e energjisë botërore dhe sidomos asaj europiane.

Populli iranian me anë të revolucionit të vet islamik e ka bërë të qartë vendimin dhe qëllimin  e tij dhe me zell e këmbëngulje dhe progres shkencor hedh i sigurt hapat e tij drejt këtij qëllimi duke fituar kështu një tregues të ri të identitetit të vet. Populli iranian nëpërmjet fenomenit të pashoq të fundshekullit të 20-të, pra, revolucionit islamik iranian vendosi lidhje të forta midis identitetit kombëtar dhe besimit fetar. Populli iranian shprehu në këtë mënyrë vendimin e tij për të kapluar majat e larta të dijes dhe shkencës dhe teknologjisë për t’u renditur në një ndër dhjetë vendet më të zhvilluara të botës, në fusha të rëndësishme të shkencës si në hapësirën kozmike, energjinë bërthamore, nanoteknologjinë, transplantimin e qelizave dhe teknologji.

Shoqëria e sotme iraniane prej 70 milion banorësh, shumica të rinj, duke u mbështetur në hadithin e famshëm të profetit “Kërkojeni diturinë nga djepi deri në varr” po përpiqet që të fitojë trofe të reja dhe të shtie në dorë teknologjinë paqësore bërthamore, hapësirën kozmike duke i shënuar këto si arritje në veçanti për popullin iranian dhe në përgjithësi për botës islame.

Sidoqoftë, Irani në periudhën e re të identitetit, po ndërton një histori të re dhe jo më kot babai i historisë Herodoti studimin e tij të historisë e fillon dhe e mbyll me Iranin. Identiteti iranian shpaloset më tepër se kushdo nga kjo poezi e Hoxhë Shemsudin Muhamed Hafiz Shirazi:

Zemrën s’e kam më në dorë, o zotërues zemrash

Sa keq që e fshehta në shesh do të dalë

Për ne varkëthyesit, fry o erë e mbarë

Bëje të mundur që mikun ta shohim përsëri

Si ëndërr është kjo botë kalimtare

Për miqtë bëj të mira, mos e lerë rastin të shkojë

Ti që ke bujarinë, shpërbleje mirësinë

Ndihmoje një ditë dervishin fukara

Që prehje në këtë e atë botë të kesh

Duhet, me mikun zemërgjerë, me armikun zemërbutë, të jesh.

Autori ka qenë ish-ambasador i Iranit në Tiranë.

/Orientalizmi Shqiptar/


* Ky artikull është botuar në revistën “URA”, nr. 3, Vjeshtë-Dimër, Tiranë 2009, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: