Hyrje > Historia e shqiptarëve, Mesele kombëtare > Dokumentet e panjohura austro-hungareze: Si u shpall Shqipëria e pavarur

Dokumentet e panjohura austro-hungareze: Si u shpall Shqipëria e pavarur

Afrim IMAJ

 

DOKUMENTET E PANJOHURA AUSTRO-HUNGAREZE: SI U SHPALL SHQIPËRIA E PAVARUR

Afrim Imaj

Afrim Imaj

Një kolanë e re me botime historike do t’i shtohet së shpejti bibliotekës shqiptare. Instituti i Historisë të Qendrës së Studimeve Albanologjike ka realizuar së fundi përgatitjen e korpusit të dokumenteve austro-hungareze dhe do t’i publikojë me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.
Dokumentet në fjalë janë produkt i korrespondencës dhe raporteve të ambasadave, konsullatave dhe Ministrisë së Jashtme të Perandorisë austro-hungareze të vitit 1912. Ato do të botohen në 5 vëllime me nga rreth 400 faqe secili, sipas kriterit kronologjik të ngjarjeve. Prof. Marenglen Verli, shef departamenti në Institutin e Historisë dhe ndër nismëtarët e këtij projekti, shpjegon për gazetën “Panorama” se dokumentet që do të zbardhen së shpejti, janë vetëm një pjesë e projekteve të Institutit për të publikuar korpuse dokumentesh të vitit të pavarësisë, të cilat në të ardhmen do të pasohen me një mori dokumentesh për periudha të tjera historike. Në vijim, studiuesi i njohur, duke u ndalur në përmbajtjen e këtyre materialeve autentike dhe rolin e veçantë të Austro-Hungarisë në ngjarjet e vitit 1912 përfshi shpalljen e pavarësisë, zbardh detaje të panjohura nga qëndrimi i Fuqive të Mëdha për çështjen shqiptare, synimet e fqinjëve, veprimet e elitës politike shqiptare të kohës, kontributet e atdhetarëve të shquar në radhët e saj, roli i diasporës shqiptare etj.

Profesor Verli! Ju jeni bashkautor i botimit të korpusit të dokumenteve diplomatike austro-hungareze, që është duke realizuar me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Instituti i Historisë i Qendrës së Studimeve Albanologjike. Cila është e veçanta e kësaj vepre dhe çfarë interesi paraqesin këto dokumente për të cilat më parë është folur shumë pak?

Studiues së Institutit të Historisë

 

Dokumentet që do të publikohen në kuadrin e këtij projekti të rëndësishëm, janë dokumente interesante dhe me informacion shumë të vlefshëm, sepse diplomacia austro-hungareze e fillimshekullit ishte nga më aktivet në rajon, madje në një hark kohor prej disa dhjetëvjeçarësh, që përfshin edhe periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare, madje edhe vitet pas shpalljes së pavarësisë deri në vitin 1918. E interesuar posaçërisht për Ballkanin, Perandoria Habsburge shikonte me vëmendje të veçantë zhvillimet në trevat shqiptare ende nën sundimin osman, të cilat lakmoheshin nga shtetet kombe të vogla ballkanike të krijuara përreth. Në këtë kuadër, Perandoria ishte e pranishme me përfaqësi të shumta diplomatike në këto treva. Përveç ambasadës në Stamboll, ajo kishte kryekonsullata në qendrat e katër vilajeteve shqiptare, përkatësisht Shkodër, Manastir, Janinë e Shkup dhe konsullata në shumë qytete të tjera. Në morinë e dokumenteve të prodhuara nga gjithë këto përfaqësi, natyrisht jo të gjitha janë shumë të rëndësishme, por një pjesë e tyre, që trajtojnë probleme kyçe, kanë një vlerë të veçantë, sepse na japin mundësinë të gjykojmë qoftë për zhvillimin e ngjarjeve të kohës, qoftë për këndvështrimin e Vjenës, por edhe të fuqive të tjera, për çështjen shqiptare në përgjithësi dhe problemet e ndryshme të saj. Dokumentet ndërkaq ndriçojnë jetën politike shqiptare, zhvillimet ekonomike, kulturore, veprimtarinë e personaliteteve të ndryshme etj. Ato, natyrisht, kanë edhe nota subjektivizmi, por përsëri informacioni që na përcjellin, është shumë i vyer, aq më tepër për arsye se diplomatët e Vjenës ishin njerëz të mirarsimuar, njohës të profesionit të vet, me shumë përvojë. Njëherësh ata kishin në dispozicion mjete të rëndësishme monetare, që u siguronin në terren njohje të gjera dhe informacione nga burime të rëndësishme vendëse. Në dokumentet në fjalë gjenden të dhëna deri për tiparet e shqiptarëve, për virtytet dhe veset e tyre, madje sipas krahinave të ndryshme, mandej të dhëna për numrin dhe shtrirjen e tyre në planin etnik, për arsimin, për botimin në gjuhën shqipe etj. Perandoria dualiste ishte e interesuar të kishte një informacion për gjithçka, madje dhe për politikën e shteteve ballkanike dhe të Fuqive të Mëdha me interesa në rajon, sepse mbi këtë bazë ndërtonte politikën e saj dhe mbronte interesat e saj gjeostragjetike.

Me zbardhjen e këtyre dokumenteve, cilat janë të dhënat e reja që i shtohen dokumentacionit autentik të periudhës së Pavarësisë që njohim deri më sot?

Ka risi në të dhënat e ngjarjeve të gjithë vitit 1912, që i prijnë datës së 28 nëntorit, ku vlejnë të theksohen përpjekjet dhe roli i Austro-Hungarisë që të pengohej copëtimi tërësor i trojeve shqiptare në kuadër të pasojave të luftës ballkanike dhe të mos lejohej krijimi i një shteti shqiptar në Ballkan. Nga ana tjetër, në dokumente evidentohet pozicioni i Portës së Lartë gjatë vitit 1912, e cila, pas disa vjet përpjekjesh për të shtypur kryengritjet shqiptare, përfshi edhe kryengritjen e madhe të vitit 1912, në momentet e fundit iu bashkua idesë së Austro-Hungarisë për krijimin e një shteti shqiptar autonom. Nga këto dokumente del edhe çdo veprim i Ismail Qemalit dhe një numri atdhetarësh të tjerë, në përpjekjet e tyre për të shpëtuar ç’të ishte e mundur, duke manovruar në një situatë tejet të vështirë, deri në realizimin e Kuvendit që shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Austro-Hungaria, siç del nga dokumentet, mbështeste idenë e krijimit të një njësie politike shqiptare autonome e, në këtë kuadër, punonte njëherësh përmes disa personalitetesh të politikës shqiptare sikurse ishte Syrja Vlora, kushëri i Ismail Qemalit, por edhe kundërshtari politik i tij, apo Dom Nikoll Kaçorri, që ishte figurë qendrore për zonën e Durrësit. Pikërisht në Durrës nënkonsulli i Vjenës, Rudnei, në vrullin e punëve për të mbështetur mbajtjen e një kuvendi kombëtar shqiptar dhe përballë frikës se ndoshta nuk do të arrihej organizimi i tij dhe ngritja e flamurit, u mbështet te Dom Nikoll Kaçorri për të organizuar disa delegatë të ndodhur në mesin e nëntorit në atë qytet që të hartonin dhe firmosnin një promemorie, përmes së cilës i kërkohej Vjenës të merrte nën mbrojtje aspiratat shqiptare dhe interesat e kombit shqiptar.

Çfarë ndriçojnë dokumentet austro-hungareze për qëndrimin e Serbisë ndaj Aktit të Shpalljes së Pavarësisë më 1912?

Në morinë e dokumenteve austro-hungareze, një vëllim të konsiderueshëm zënë të dhënat e detajuara për këmbënguljen e Serbisë për të siguruar një dalje në Adriatik përmes viseve shqiptare, kërkesat e Malit të Zi për Shkodrën etj. Në dokumente evidentohen edhe negociata e pazare të të gjitha natyrave, veçanërisht piruetat e Krajl Nikollës së Malit të Zi, shpesh tepër groteske dhe sillet me mjaft vërtetësi situata e kohës. Po kaq me interes janë edhe informatat në detaje për qëndrimin e Fuqive të Mëdha, hap pas hapi në zhvillimin e ngjarjeve, përkatësisht, përveç Austro-Hungarisë, qëndrimet e Gjermanisë dhe Italisë nga njëra anë, të Rusisë dhe Francës nga ana tjetër, si dhe qëndrimet specifike të Britanisë së Madhe, e cila luante politikën e ekuilibrit për të mbrojtur supermacinë dhe interesat e saj në Mesdhe. Në dokumente zbërthehet qëndrimi gjerman që, ndonëse i ftohtë ndaj çështjes shqiptare, ishte në krah të politikës së Vjenës në Ballkan, mandej qëndrimi i Italisë, e cila ishte e interesuar vetë për ekspansion në tokat shqiptare dhe paraqiste luhatje në lojën e saj në dukje për çështje prestigji etj. Konstatohet gjithashtu se kur vjen rasti, gjithkush lëvizte në qëndrimet e veta, mandej dhe cedonte për interesa të caktuara. Shihet kjo edhe në rastin kur diskutohej e ardhmja e Shkodrës, me ç’rast Austria ishte gati të toleronte përballë kërkesës së Malit të Zi nëse do t’i jepeshin grykat e qafat e Llofçenit mbi Kotor, ku ajo mbante flotën e saj dhe ku kishte interesa të qartë strategjikë. Të njëjtat luhatje në oferta e kërkesa vihen re në vise të tjera apo qytete të tjera, siç është p.sh. rasti i Vlorës që e vlerësonin dhe e donin si Italia dhe Austro-Hungaria. Për t’u përmendur, është edhe fakti se të familjarizuar me pikëpamjen se fitimtarët duheshin shpërblyer me territoret e të mundurit, d.m.th të Perandorisë Osmane, as Austro-Hungaria, e cila ishte në pozicionin më të favorshëm ndaj çështjes shqiptare, asnjëherë nuk diskutoi për të përfshirë në një shtet shqiptar të gjitha viset shqiptare. Në këtë mënyrë, ndër viset që sakrifikoheshin përballë kërkesave të fqinjëve, ishte edhe pjesa më e madhe e Kosovës.

Si përshkruhet në këto dokumente profili i Ismail Qemalit? 

Shumë nga raportet dhe telegrafët që shkëmbeheshin ndërmjet ambasadave, mbajnë shënimin sekret ose shumë sekret dhe ishin të shifruara. Ndër këto raportime, njoftime e udhëzime, përveç trajtimit të çështjeve politike ndërshtetërore, gjenden edhe vlerësimet që përmenda më sipër për personalitetet shqiptare të kohës. Në këto dokumente, Ismail Qemali vlerësohej si një diplomat i matur dhe i regjur karriere i formateve perandorake, por ai njëherësh nuk konsiderohej njeriu i besueshëm për të ndjekur verbërisht politikën e Vjenës. Gjithsesi, Ismail Qemali në atë përplasje të madhe interesash, kontradiktash, rivalitetesh të ndryshme etj. ia doli të organizonte në Vlorë Kuvendin Kombëtar dhe të shpallte pavarësinë e Shqipërisë. Dokumentacioni austro-hungarez diplomatik, që do të publikohet në 5 vëllime, jep informacion të vyer në çdo fushë. Aty gjenden të dhëna deri edhe për subvencionet që kishte dhënë e jepte Vjena për kulturën e arsimin shqip, të dhëna për raportet e saj me atdhetarë të njohur të kohës, të angazhuar në çështjet e arsimit dhe të kulturës, por edhe të politikës, si Konica, Dervish Hima, At Fishta etj.

Profesor! Ku kanë qenë të rezervuara dokumentet austro-hungareze dhe pse nuk janë publikuar më parë? 

Korpusi me dokumente austro-hungareze që disponon Instituti i Historisë, ka të dhëna se ka filluar të formohet që në vitet ’30, besoj me prurjet që synonin t’i shërbenin organizimit të festimeve të 25-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, por ato u shtuan në përmasat që i zotërojmë sot nën kujdesin e posaçëm të prof. Aleks Budës, duke krijuar një bazë të mirë dokumentare për një hark kohor gati shekullor. Ai është shfrytëzuar nga studiuesit sipas periudhave dhe problematikës që kanë pasur objekt të punës së tyre. Gjithsesi, edhe pse është punuar për përkthimin e tyre, publikimi ka qenë fare i pakët dhe krejt selektiv. Sot nuk ka më pengesa dhe ekziston mundësia që ato të publikohen integralisht, pa copëzime e ndërprerje, mbi kritere të qarta kronologjike e sigurisht sipas standardeve më të mira shkencore, që aplikohen për publikimet e kësaj gjinie.

Telegraf i ambasadorit austro-hungarez, Pallavicini nga Stambolli për Ministrinë e Jashtme në Vjenë, në lidhje me  qëndrimin e Perandorisë Osmane ndaj Shqipërisë Stamboll, më 25 nëntor 1912

….Për punën e Shqipërisë, Veziri i Madh më tha se Turqia do të ngulë këmbë për krijimin e një Shqipërie autonome me një princ nga dera e mbretërve turq…

Pallavicini
AIH. Vj. 22-25-2515
(HHSt.A.PA.A, Nr. 4610.
Nr. 651)

LETËR
Relacion i konsullit austro-hungarez në Durrës, dërguar MPJ 
Durrës, 26 korrik 1913 

Shumë i nderuar kont! 
Faik bej Konica, Fadil pashë Toptani dhe Dervish Hima i kanë bërë kritikë të ashpër veprimit të Ismail Qemal beut para meje dhe kolegut tim italian. Ata kritikojnë despotizmin e Ismail Qemalit, duke e konsideruar veprim ilegal (unë besoj të drejtë) akordimin e koncesioneve dhe sidomos qëllimin e tij për të shitur pasuritë vakëfnore në Myzeqe. Të gjitha këto ia kanë vështirësuar pozitën atij dhe ata besojnë se pakënaqësia e Toskërisë po merr nga dita në ditë përmasa më të mëdha. Unë nuk jam në gjendje të të jap një gjykim mbi këto pretendime, por mund të bëj konstatimin se dispozitat e qeverisë vihen në zbatim në veri të lumit të Shkumbinit, vetëm në sajë të ministrit të tij Esat Pashës dhe prandaj ai dhe nuk ka asnjë forcë për t’i bërë popullit dhe partisë esadiste veprime të papëlqyeshme. Në këtë parti që është antiqeveritare, bëjnë pjesë të gjithë bejlerët toptanas. Sikundër dihet, këta e kundërshtojnë një kandidaturë për fron të kushëririt të tyre (Esat Pashës), por duke qenë të pakënaqur me qeverinë provizore, ata janë bashkuar krejtësisht me të. Me rastin e një gostie te Murat Toptani, Faik Konica më tha se ai dhe Toptanët kanë për të rrëzuar Ismail Qemalin dhe se duan të bindin Esat Pashën për formimin e kabinetit. Ky plan për kabinetin austrofil u mbajt sekret përpara kolegut tim italian. Ky plan më duket i zbatueshëm. E pamohueshme është se në partinë esadiste gjenden ambicione të pakënaqura, si Fadil Pasha, por edhe emra të shquar e patriotë si Abdi Toptani, Faik Konica dhe Dervish Hima…

Botuar në gazetën “Panorama”, 12 Shkurt 2012.

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: