“Shah-name-ja” e Firdeusit dhe Shah-name-të e tjera

Abdurrahman AL-ALAVI

 

“SHAH-NAME-JA” E FIRDEUSIUT DHE SHAH-NAME-TË E TJERA

Shahname

Al-Hakim Abu Al-Kasim Al-Firdeusi – poeti më i madh i epopesë perse dhe njëri prej personaliteteve më të ndritur të letërsisë botërore, lindi në Tus të Iranit në një familje feudale. Sipas Al-Fatah Al-Bandarit, i cili në vitin 620 të hixhrit bëri përkthimin e Shah-Name-së në gjuhën arabe, emri i tij është Al-Mansur Bin Al-Hasan, ndërsa sipas disa burimeve të tjera, emri i tij është Al-Hasan Bin Ali apo Al-Hasan Bin Is’hak Bin Sherefshah… Por një gjë është e sigurtë: se Abu Al-Kasim ishte pseudonimi i tij, që përfundon me Al-Firdeusi.

Historianët kanë pikëpamje të ndryshme në lidhje me vitin e lindjes dhe të vdekjes së tij, por, nisur nga krahasimet, që përmenden në vetë poezitë e tij, rezulton se Firdeusi ka lindur aty midis viteve 324-329 të hixhrit dhe ka vdekur midis viteve 411-416 të hixhrit. Në shekullin e katërt të hixhrit shumica e feudalëve iranianë ishin nën influencën e dokeve dhe të zakoneve të vjetra, të trashëguara nga e kaluara kulturore e vet, pavarësisht nga përqafimi i fesë islame prej tyre. S’ka dyshim se kjo influencë përbënte rezultanten natyrore të një ndjenje, e cila diktonte shprehjen e respektimit për rregullat e paraardhësve dhe mburrjen e ngritjen lart të civilizimit të të parëve.

Para se sa Firdeusi të krijonte “Shah-Name-në”, si dhe gjatë shkrimit të saj, Irani dhe në veçanti Horosani ishin bërë dëshmitarë të ndryshimeve të dukshme politike, siç ishte dalja në dritë dhe pastaj rënia e dinastisë samanie, për të cilën historianët thonë se mbretërit e saj e kishin prejardhjen nga udhëheqësi sasani – Bahram Xhubini. Kjo dinasti nuk linte rast pa shprehur dëshirën e saj të madhe për të ringjallur traditat dhe kulturën e vjetër iraniane, duke pasur bindjes se ajo nuk binte ndesh me fenë islame, si një konfirmim i ringjalljes së trashëgimisë iraniane.

Këto ishin kushtet kur lindi Firdeusi dhe hapi sytë për të parë nga njëra anë Islamin dhe nga ana tjetër tendencën drejt tradicionales e kombëtares. Dhe nuk ka dyshim se këto kushte patën tek ai një ndikim të madh. Ato edukuan tek ai një dashuri të pafundme për civilizimin dhe kulturën e vjetër perse. Ato krijuan thellë në shpirtin e tij një ndjenjë që e shtynte të punonte për përjetësimin e trashëgimisë së vjetër nëpërmjet gjuhës së poezisë, të asaj gjuhe në pararojë të së cilës qëndronte.

Por Firdeusi, megjithëse mburrej me të kaluarën iraniane të para Islamit, ishte krenar gjithashtu me Islamin e tij dhe ushqente respektin më të madh për profetin Muhamet dhe për vlerat e shenjta të fesë islame. Krahas qenies së tij nga origjina iranian, ai ishte njëkohësisht një musliman i bindur dhe asnjëherë dhe për aspak nuk u largua nga parimet dhe ritet islame. Ai nuk krijoi asgjë që të vinte ndesh me besimin e fesë islame. Prandaj nuk ka asnjë bazë ajo çka është servirur për të kundërtën nga disa burime karmite, batinite, zaradishtase etj. Përkundrazi, ai vetë, në Shah-Name-në e tij, konfirmon me gojën e vet besimin tek Zoti dhe njësimin e këtij besimi, besimin tek Profeti, si dhe tek Islami, ashtu siç ka shprehur edhe krenarinë e tij për Qabenë dhe gjërat e tjera të shenjta islame.

Në burimet historike thuhet se aty nga fillimi i shekullit të shtatë të erës sonë, pak para hapjes së Iranit nga muslimanët, Hasru Perviz Al-Sasani kishte urdhëruar mbledhjen e legjendave të ndryshme iraniane. Për këtë, në kohen e nipit të tij Jazderixh Shahrijar, i cili sundoi Iranin nga viti 632 deri në vitin 651 të erës sonë, ishte bërë edhe një regjistrim.

Në epokën islame, dhe pikërisht gjatë periudhës 120-150 të hixhrit, filloi përkthimi në arabisht i librave që u referoheshin jetëshkrimeve të mbretërve dhe heronjve iranianë nga gjuhëtarë iranianë që zotëronin gjuhën arabe. Nga më të dëgjuarit prej tyre ishte Ibën Al-Mukafa, që u vra në vitin 142 të hixhrit. Ibn Mukafa përktheu jetëshkrimet e mbretërve iranianë dhe i përmblodhi në librin me titull “Biografia e Mbretërve”, por ky përkthim humbi më vonë, ashtu siç humbi edhe origjinali i tij në gjuhën perse.

I vetmi volum nga libri “Biografia e Mbretërve”, prej të cilit disponojmë të dhëna të qarta, është “Shah-Name-ja” e Abu Al-Muajad Al-Balkhit, shkrimtar dhe poet i njohur në fillim të shekullit të katërt të hixhrit. Ai vetë hartoi për herë të parë tregimin e njohur “Jusufi dhe Zelihaja”. Po ashtu ai hartoi një libër ku përmend çuditë e tokës dhe të detit. Kjo vepër njihet me emrin “Shah-Name-ja e Al-Muajadit”. Por edhe kjo vepër humbi pas shekullit të gjashtë të hixhrit. Një tjetër shahname, që përmendin burimet, është ajo që hartoi poeti Abu Ali Muhamed Bin Ahmed Al-Balkhi.

Në fillim të shekullit të katër të hixhrit jetoi poeti persian i quajtur Al-Mesudi Al-Maruzi. Ai hartoi një shahname, për të cilën Tahir Al-Magdasiu – hartuesi i veprës “Fillimi dhe historia” – ka thënë se gëzonte respektin dhe konsideratën e iranianëve, të cilët mbanin mend përmendësh vargje të tëra prej saj. Por deri në ditët tona prej saj kanë arritur vetëm 4 vargje nga lloji “bahër al-hazaxh” gjashtësh (lloj poezie persiane).

Shah-Name-ja më e rëndësishme për disa shekuj ishte ajo që qe njohur si “Shahnameja e Abu Mansurit” dhe që u krijua në mesin e shekullit të katërt të hixhrit me urdhër të Abu Mansur Muhamed Bin Abdurazak – komandant i ushtrisë së Horasanit.

Pak kohë pas shkrimit të kësaj shahnameje, në gjuhën perse u përkthyen nga arabishtja dy libra dhe pikërisht: “Shpjegimi i Al-Tabariut” dhe “Historia e Al-Tabariut”, ku përfshiheshin edhe disa të dhëna nga historia e vjetër e Iranit. “Historia e Al-Tabariut” u njoh me vonë si “Historia e Al-Belamiut”, sipas emrit të përkthyesit të saj Abu Ali Al-Belami – një ministër sasani. Por duhet thënë se ka një ndryshim të madh midis “Shahnamesë së Abu Mansurit” dhe “Historisë së Al-Tabariut”, sepse kjo e fundit ishte thjesht një histori e vendeve dhe e popujve të botës para Islamit, ndërkohë që “Shahnameja e Abu Mansurit” kufizohej vetëm me dhënien e historisë së mbretërve iranianë.

Aty rreth vitit 360 të hixhrit Shahnameja e Abu Mansurit dhe “Historia e Al-Tabariut” ishin bërë mjaft të njohura midis njerëzve. Një prej poetëve të pallatit sasani, i mbiquajtur si “Al-Dakiki”, mori përsipër hartimin e Shahnamesë së mësipërme, me qëllim përjetësimin e historisë së vjetër të Iranit. Por ai, ende pa mbaruar 990 vargje, u vra në vitin 368 të hixhrit, kur ishte në lulen e rinisë së tij. Atë që nuk e bëri dot Al-Dakiku, e mori përsipër ta çonte deri në fund Firdeusiu.

Shah-Name-ja e Firdeusiut është një nga mrekullitë e letërsisë dhe të artit në mbarë botën. Ajo përbën një divan të epopeve, legjendave, tregimeve, arteve letrare e filozofike, të urtësisë popullore, që u krijua për të mbetur histori e civilizimit dhe e kulturës të popullit të vjetër iranian. Ajo përshkruan anë të ndryshme të jetës së këtij populli gjatë historisë së tij të lashtë, aspiratat dhe shpresat, fitoret, sprovat, moralin, zakonet, traditat, besimet e tij, duke regjistruar të gjitha momentet heroike dhe epopetë e lashta iraniane, të shprehura në formën më të bukur dhe në mënyrën më të mrekullueshme.

Firdeusiu mblodhi në 60 mijë vargje legjendat më të rëndësishme iraniane të lashtësisë, duke i paraqitur ato në formë krijuese dhe me nje stil të mrekullueshëm, në një kuadër të habitshëm dhe nën një ritëm jashtëzakonisht tërheqës, saqë kjo vepër e madhe letrare u bë burim frymëzimi për një numër të madh poetësh e mendimtarësh ndër shekuj.

“Shah-Name-ja” e Firdeusiut nuk konsiderohet vetëm divani më i madh poetik dhe më i pasuri, i ardhur nga koha e samanëve, por është në fakt një nga dokumentet më të rëndësishëm të madhështisë së gjuhës perse dhe një ndër dëshmitarët më të mëdhenj që tregon lulëzimin e civilizimit të lashtë iranian.

Orientalisti anglez Cowell ka thënë lidhur me “Shah-Name-në”: “Perandori i Romës Augusti ka thënë se kur e mori në dorëzim Romën, ajo e gjitha ishte prej tullash dhe kur e dorëzoi e la të tërën të veshur në mermer. Firdeusi gjithashtu e gjeti vendin e vet afërsisht pa letërsi, por i dha “Shah-Name-në”, të cilën letrarët që e pasuan nuk qenë në gjendje veçse ta imitonin, pa patur mundësi asnjëri t’ia kalonte. Ajo është një epope e aftë të konkurrojë çdo trashëgimi dhe nuk ka në tërë Azinë diçka që mund të krahasohet apo t’i ngjasojë asaj, një lloj si epopetë e Homerit në Evropë”.

Ndërsa Rida Kalikhah Hidajet ka thënë në lidhje me të: “Ajo përbën një mesazh madhështor dhe një det plot perla. Është e vështirë të gjendet një libër tjetër i hartuar në këtë mënyrë dhe me këtë harmoni. Midis poetëve persë nuk mund të gjesh një libër të ngjajshëm me “Shah-Name-në” e Firdeusiut dhe “Masnavitë” e Mevlanas”.

Ibn Al-Ethiri nga ana e tij ka thënë: “Stërzgjatja është tipar i vjershëtarisë arabe, por kjo vjershëtari e humbet ëmbëlsinë e saj nëse do t’i kalonte dy apo treqind vargjet e krijuara për një objekt të vetëm. Ndryshe qëndron puna me iranianët. Këta ua kalojnë arabëve. Poeti iranian është në gjendje të hartojë një libër të tërë për një objekt të caktuar dhe të mos e humbasë për asnjë çast elokuencën dhe bukurinë e vet, ashtu siç ka bërë Firdeusiu në Shah-Name-në e tij. Ajo përbëhet prej 60 mijë vargjesh dhe megjithatë gjuhëtarët iranianë janë që të gjithë të mendimit se në veprat e tyre nuk ekziston diçka më e bukur dhe origjinale se sa tek Shah-Name-ja e Firdeusiut”.

Kurse studiuesi Rustem Aljufi është shprehur: “Shah-Name-ja është një enciklopedi, që flet për kulturën, urtësinë, artin dhe historine e lashtë të popullit të Iranit dhe neve na duhen vite të tëra studimi derisa të arrijmë të kuptojmë dhe të marrim vesh thellësinë e librit të madh”.

“Shah-Name-ja” nuk është vetëm një libër tregimesh, historie apo letërsie, por edhe një vepër filozofike e morale, që nxjerr në dritë urtësinë e popullit Iranian.Ajo nuk mjaftohet vetëm me pasqyrimin e një ane të vetme nga jeta, por, me ngjyrat më të bukura dhe fjalët më të mrekullueshme, na paraqet peizazhet dhe kulturën e vjetër iraniane, duke filluar nga martesa dhe besnikëria, nga ceremonitë e ndryshme, me pritjet e përcjelljet e bollshme, kulturën e mirësjelljes e të bashkëjetesës, kulturën e delegimit e deri ceremonitë e gjuetisë, përgatitjet dhe dredhitë në luftë, mënyrat e përdorimit të armëve dhe trajtimi i robërve, shkrimi i letrave dhe i mesazheve, lidhjet e popujve të lashtë me njëri-tjetrin dhe shume veprimtari të tjera jetësore. “Shah-Name-ja” jo vetëm ka lënë ndikimin e vet në letërsinë perse, por ka depërtuar edhe në letërsinë botërore, duke lënë gjurmët e veta në të. Ajo u përkthye në gjuhën arabe në fillimin e shekullit të shtatë të hixhrit (620-626 të hixhrit) nga Al-Fetah Bin Ali Al-Bandari dhe që nga shekulli i 18-të i erës sonë është përkthyer në shumë gjuhë të ndryshme të botës, si në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rusisht, italisht, hungarisht, danisht, turqisht, armenisht dhe në gjuhën gjeorgjane.

Nga “Shah-Name-ja” janë influencuar poetë të tillë si poeti gjerman Henri Hajne, poeti francez Viktor Hugo etj. Poeti dhe shkrimtari francez Lamartin (1790 -1869) ka bërë një shpjegim për tregimin e Rustemit, ndërkohë që edhe poeti gjerman Gëte e ka vlerësuar lart atë.

Firdeusiu filloi ta shkruajë “Shah-Name-në” vetëm dy vjet pas vdekjes së poetit Al-Dakiki, të cilin nuk e ndihmoi fati ta përfundonte veprën e tij, dhe pikërisht në vitin 370 të hixhrit, duke u mbështetur në “Shahnamenë e Abu Mansurit” dhe në gojëdhënat që bartnin njerëzit gojë më gojë. Ai punoi 30 vjet për hartimin e veprës. Sundimtar në atë kohë ishte Sajfudeula Mahmud Sebektaki Al-Gaznevi, i cili, në vitin 389 të hixhrit, i dha fund sundimit të dinastisë samani, që pati vazhduar për 110 vjet. Ministri iranian Abu Abbas Al-Fadel Bin Ahmed Al-Asfarani pranë oborrit të sulltan Mahmud Ali Al-Firdeusiut i propozoi Firdeusiut që t’i vinte librit të tij emrin e sulltanit. Ai pranoi dhe e paraqiti “Shah-Name-në” në pallatin e Al-Gaznevit në vitin 401 ose 402 të hixhrit. Por, fatkeqësisht, fati nuk u tregua aleat me të. Ministri i mësipërm u burgos dhe më vonë u ekzekutua, duke ia lënë vendin ministrit Al-Hasan Al-Majmandi, i cili nuk ushqente ndonjë simpati për gjuhën perse.

Disa studiues, si profesor Al-Minavi, kanë thënë se Firdeusiu i dërgoi një kopje të “Shah-Name-së” në 12 vëllime sulltan Mahmudit në Gaznin dhe nuk shkoi personalisht tek ai. Por shkoi apo nuk shkoi nuk dihet, për shkak se nuk ekzistojnë të dhëna që të mund ta vërtetojnë një gjë të tillë. Si ka mundësi që Firdeusiu t’ia dërgonte një libër kaq të rëndësishëm atij sulltani kapadai, të cilin poetët e pallatit e kishin ngritur në piedestalin e perëndisë, pa shkuar vetë tek ai bashkë me veprën e vet? A nuk kishte nevojë ai për të krijuar lidhje dhe për të marrë shpërblimin?

Në veprën “Historia e Sistanit”, që i përket një autori të panjohur, thuhet se Firdeusiu ia lexoi “Shah-Name-në” sulltan Mahmutid për disa ditë me radhë dhe, kur mbaroi, sulltani i tha: “Aty nuk ka asgjë, përveç tregimit të Rustemit. Në ushtrinë time kam një mijë veta si Rustemi”. Firdeusiu iu përgjigj: “Zoti ia shtoftë jetën sulltanit! Unë nuk e di se sa të ngjashëm me Rustemin ka ushtria jote, por ajo që di unë është se Perëndia i Madhërishëm nuk ka krijuar kurrë një njeri si Rustemi”. Atëherë sulltani i tha ministrit të tij: “Ky leckaman më bëri gënjeshtar”.

Thuhet se Firdeusiu mori një shpërblim të thjeshtë, që nuk krahasohej gjëkundi me vlerën e madhe të “Shah-Name-së”. Ai e shpërndau këtë shpërblim midis leprozëve dhe sifilitikëve, gjë që e zemëroi sulltan Mahmudin, i cili dha urdhër për vrasjen e tij. Firdeusiu u detyrua të ikte në Heart, ku u fsheh për gjashtë muaj në hanin e Ismail Al-Urakut. Pastaj shkoi në Tavi, ku mori një kopje tjetër të “Shah-Name-së”, dhe prej aty u nis për në Taberistan, ku i shtoi edhe njëqind vargje të tjerë në satirë për sulltan Mahmudin. Sipas An-Nizamit Al-Arudit, kjo satirë ka humbur më pastaj dhe prej saj nuk kanë mbetur veçse 6 vargje.

Orientalisti i njohur Nold mendon se kjo satirë nuk u botua sa qe gjallë Firdeusiu dhe nuk arriti në veshët e sulltan Mahmudit, ndryshe Firdeusiu nuk do t’i shpëtonte ndëshkimit.

Doktor Muhamed Emin Ar-Rijahi mohon disa konsiderata, sipas të cilave Firdeusiu e krijoi “Shah-Name-në” me kërkesën e sulltan Mahmudit. Sipas tij, këto konsiderata vinin për shkak së në “Shah-Name” përmendet shpesh emri Mahmud. Ai konfirmon se tashmë është provuar se Firdeusiu ishte vetë ai që e mendoi hartimin e veprës dhe kërkoi e gjeti edhe burimet, ndërkohë që bashkëpatriotët e tij e inkurajuan për këtë.

Por pse emri “Mahmud” përmendet në vepër 15 herë? Kësaj pyetjeje dr. Ar-Rijahi i përgjigjet duke thënë se emri i sulltan Mahmudit nuk përmendej në botimin e parë të “Shah-Name-së”. Atë Firdeusiu e shtoi gjatë botimit të dytë, kur edhe kishte vendosur që t’ia dhuronte atë sulltanit. Qëllimi i dhurimit ishte që libri të kishte një shpërndarje dhe përhapje sa më të gjerë me mbështetjen e një qeveritari të fuqishëm, siç ishte sulltan Mahmudi. Por, në kundërshtim me sa mendonte Firdeusiu, sulltani nuk i kushtoi asnjë vëmendje veprës.

Historianët përmendin një sërë shkaqesh për mokushtimin e vëmendjes nga ana e sulltan Mahmudit për epopenë. Nga këto shkaqe mund të përmenden: qenia e Firdeusiut i sektit fetar islam shiit, pikëpamjet e tij muatezilite (“muatezilia” ishte një shkollë filozofike, e cila i përmbahej mendimit se rruga për arritjen e njohurive dhe të dijeve kalonte nëpërmjet punës dhe studimeve teorike, duke vënë në bazë abstraktimin dhe arsyen), fakti që ai u këndonte lavde heronjve të Iranit të lashtë si dhe intrigat e pallatit të sulltanit ndaj tij.

Doktor Ar-Rijahi dhe të tjerë nuk mendojnë se shkaku i moskushtimit të vëmendjes kësaj vepre prej sulltan Mahmudit ishte për arsyen se Firdeusiu ishte i sektit musliman shiit, kurse sulltani i sektit sunit. Kjo, sipas tyre, sepse sulltani pati martuar njërën nga vajzat e tij me Manuxhahir Bin Kabusin – njëri prej princërve të dinastisë shiite Zijar. Po kështu sulltani mbante lidhje me poetin Al-Gadai Reazi nga Ganzana, i cili ishte shiit. Nga kjo kuptohet se nuk ka qenë shiizmi i Firdeusiut dhe as sunizmi i Mahmutid shkak për ftohtësinë e këtij të fundit ndaj Firdusit.

Që të gjithë personazhet që jep Firdeusiu në “Shah-Name” dallohen dhe cilësohen nga trimëria, morali i lartë, xhelozia, entuziazmi dhe dashuria për atdheun. Shumica e këtyre personazheve janë mbretër dhe perandorë, janë komandantë ushtarakë. Eshtë i përhapur një mendim se nuk ka ndonjë provë historike që të konfirmojë ekzistencën e këtyre personazheve, duke pasur këtu si ndihmë theksimet e vetë Firdeusiut në disa vargje, siç është thënia e tij: “Ajo s’ishte gjë tjetër veçse një legjendë e shkruar në prozë”. Disa historianë të tjerë janë përpjekur t’i lidhin ngjarjet e cituara në “Shah-Name” me ngjarje historike, të lidhura me rolin e Al-Hahamanshias, prandaj edhe i konfondojnë emrat e perandorëve të veprës me ata hahamanshi. Por disa të tjerë mendojnë se Xhemshidi, Feriduni, Gjave e të tjerë ishin personazhe legjendash të përbashkëta indo-iraniane dhe nuk kanë ekzistuar në të vërtetë asnjëherë.

Studiusi Muxhtebi Al-Minavi, lidhur me personazhet e “Shah-Name-së”, shtron pyetjen: “A janë këto personazhe perëndi apo gjysëmperëndi”? Dhe pastaj vazhdon: “Kur krahasojmë tregimet e saj me mitologjinë dhe legjendat indiane, kuptojmë se Xhamshidi, Feriduni, Gjave, Kej Khosrevi, s’ishin tjetër veçse hyjni dhe gjysmëhyjni mitologjike, që në “Shah-Name” paraqiten në formën e personazheve njerëzore”.

“Shah-Name-ja” përmbledh katër legjenda të gjata, plot me fatkeqësi dhe dhimbje, apo, siç quhen në ditët tona, tragjedira. Miti i Iraxhit, Rustemit dhe Suhrebit; miti i Rustemi dhe Isfandjarit, miti i Sijavushit dhe shumë tregime të tjera, si Feriduni dhe Dahhaku, Zali dhe Rudabeja, Bixhani dhe Menixha, janë shprehje e gjallë dramaciteti.

Sipas “Shah-Name-së”, gjëja e pare që krijoi Zoti i Madh ishte një burrë e një grua dhe pikërisht Mashian dhe Mishjanën. Pastaj, pas shumë brezash, lindi perandori i parë në botë, i quajtur “Kjumarth”.

“Shah-Name-ja” tregon për një personazh me emrin Xhemshid, i cili i ftonte njerëzit t’i faleshin Zotit, por një sundues mizor me emrin Dahhak e kapi atë dhe e vrau. Djalli i puthi këtij sundimtari dy supet, nga të cilat lindën dy gjarpërinj, ushqimi i të cilëve ishte truri i njerëzve. Kështu sundimtari filloi të vriste çdo ditë dy veta për ushqimin e gjarpërinjve me trurin e tyre. Midis atyre që vrau ky sundimtar ishte edhe një person me emrin Athbin, i cili kishte prejardhje mbretërore. Gruaja dhe djali i tij u detyruan t’ia mbathnin nga frika e dhunës së këtij mizori, duke u fshehur në malin Elburz. Në këtë mal jetonte një farkëtar me emrin Gjave, i cili kishte 18 fëmijë, nga të cilët 17 ia kishte vrarë Dahhaku. Ai kishte ngritur krye kundër sundimtarit dhe ftonte edhe njerëzit e tjerë të bashkoheshin me të kundër tij. Me të u bashkuan shumë prej gjindjes, të cilët drejtoheshin nga mali Elburz. Këta zgjodhën për udhëheqës Feridunin, i cili mundi t’i jepte fund sundimit të Dahhakut dhe të merrte në dorë frenat e vendit, duke u vënë në vendin e tij.

Nga fundi i sundimit të tij, Feriduni e ndau mbretërinë e vet midis tre djemëve të tij. Irani, që përbënte pjesën më të madhe dhe më të preferuar të mbretërisë, i takoi djalit më të vogël Iraxhit, gjë që ngjalli zilinë dhe pakënaqësinë e dy vëllezërve të tjerë: Salam dhe Tura, të cilët u ngritën kundër tij dhe e vranë.

Bashkëshortja e Iraxhit kishte qëlluar në këtë kohë me barrë. Ajo lindi një vajzë, e cila u rrit dhe u martua. Vajza, nga ana e saj, lindi një djalë, të cilit i vuri emrin Menuçihr, të cilin e rriti dhe e edukoi Feriduni, me qëllim që të merrte hakun e të atit Iraxh. Dhe në fakt ai mundi t’i vrasë Salamin dhe Turanin. Por ky akt u pasua me ndezjen e luftërave të përgjakshme midis Iranit dhe Turanit.

Garshasabi ose Sami, i cili ishte hero i botës në kohën e Menuçihrit, lindi një djalë me emrin Destan, që u mbiquajt me merin Zal, sepse kur lindi i kishte flokët e bardha. Destani u martua me një vajzë nga familja e Dahhakut me emrin Rudabe, e cila lindi Rustemin.

Në kohën e Rustemit sundonte një perandor nga dinastia Al-Kijaniaja me emrin Kej Kavus, i cili një herë ishte zënë rob në Mazinderan. Rustemi vajti atje dhe e çliroi atë nga robëria, duke kryer një heroizëm luftarak të pashembullt. Gjatë një udhëtimi në Barbaristan dhe Hamaveran u zu rob Kania, por edhe atë shkoi dhe e çliroi Rustemi. Kejkavusi u martua me Sudabenë, vajzën e sulltanit të Hamaveranit, të cilën e solli në Iran.

Në këtë kohë zhvillohen gjithashtu ngjarjet e tregimit të Suhrebit: Rustemi martohet në krahinën e Semanxhanit me një vajzë të quajtur Tahmina, që ishte e bija e perandorit, por ai kaloi me të vetëm një natë dhe u kthye në Iran. Tahmina lindi një djalë, të cilit i vuri emrin Suhreb. Me kalimin e kohës Suhrebi u bë një trim me fletë. Ai u bë komandant i ushtrisë së Afrosiabit – perandorit të Turanit. Ky e dërgoi atë në krye të ushtrisë kundër Iranit. Babai Rustem dhe djali i tij Suhreb ndeshen në një duel shumë të ashpër dhe të çuditshëm, pa e njohur njëri-tjetrin, megjithëse Suhrebi e dinte se babai i tij e kishte emrin Rustem. Në fund të dyluftimit babai e vret të birin. Një goditje e madhe i ra babait kur mësoi se kishte vrarë të birin. Po ashtu ai u nevrikos shumë me perandorin Kej Kavus, i cili, megjithëse e dinte, nuk e kishte njoftuar se Suhrebi ishte i biri. Në këto kushte Ristemi e braktis Iranin dhe drejtohet për në Sistan. Kej Kavusi kishte një djalë shumë simpatik me merin Sijavush, me të cilin ra në dashuri Sudabeja, që ishte gruaja e babait të tij. Ajo i kërkoi atij lidhje seksi, por Sijavushi refuzoi. Atëherë ajo e paditi atë tek mbreti, të cilit ai iu betua për pafajësi. I ati i besoi, por, pavarësisht nga kjo, Sijavushi vendosi të linte Iranin dhe shkoi e u vendos në Turan, ku u martua me Franzhisin – vajzën e mbretit Afrasiab. Por Afrasiabi pas ca kohësh e vrau Sijavushin. Ky la pas dy djem: Afrudin, i cili gjithashtu u vra, si dhe Kej Hasrun, i cili u kthye në Iran, ku u bë sundimtar. Në kohën e tij shpërthyen luftëra të ashpra me krahinën e Turanit, gjatë të cilave u vra edhe vetë Afrasiabi.

Kej Hasru pas një fare kohe abdikoi dhe në vend të tij, në fronin e Iranit, hipi Nahrasabi e më pas Gashtasabi. Në këtë kohë lindi zaradishtia, të cilën e përqafoi edhe mbreti Gashtasab si dhe Isfandiar Pahlevani. Isfandiari ndërmori një fushatë kundër Sistanit për të luftuar dhe kapur Rustemin, por ai u vra nga Rustemi.

Me humbjen e Darabit të tretë përballë Aleksandrit merr fund sundimi i dinastisë së Kijanisë dhe fillon koha e Aleksandrit dhe e pasuesve të tij, epoka e dinastisë Al-Ashkania. Por “Shah-Name-ja” mjaftohet vetëm me një numër vargjesh dhe vetëm me disa emra nga mbretërit e dinastisë Al-Ashkania. Ndoshta mbretërit sasani përvetësuan historinë e Al-Ashkani-së.

“Shah-Name-ja”, pas kësaj, domethënë duke filluar me Ardashir Babakan-in e deri në fundin e saj, merret me dinastinë sasani. Pavarësisht se edhe kjo pjesë përfshin shumë legjenda dhe tregime idilike e heroizmi, është e ngarkuar me shumicë me moralizime, porosira, udhëzime etj.

Përktheu nga gjuha arabe: Sulejman TOMÇINI

Ky artikull është botuar në revistën “PERLA”, Viti XI, 2006, Nr. 2 (41) f. 66-75.

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: