Kreu > Historia e shqiptarëve > Pse duhet rishkruar historia

Pse duhet rishkruar historia

Shefqet DELIALLISI

 

PSE DUHET RISHKRUAR HISTORIA

Shefqet Deliallisi

Shefqet Deliallisi

Ditët e fundit u rihap diskutimi për rishkrim të historisë. Sapo problemi u ringrit, përfaqësuesit e historisë komuniste dhe pasuesit e tyre u hodhën përpjetë: “Me këtë problem duhet të merren historianët…”. Sigurisht që me historinë do të merren historianët, por kur?  Sa do të duhet të presim? Problemi është se vitet kalojnë dhe brezat rriten duke mësuar një histori të deformuar deri në paturpësi.
Në dokumentet e trashëguara nga gjyshi im, Ymer Deliallisi, nënshkrues i Aktit të Pavarësisë në Vlorë më 1912-n si përfaqësues i Shijakut, më tërhoqi vëmendjen një shkresë e gushtit 1937 e Komisionit të ngritur në Shijak me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë, nëpërmjet të cilit emërtohen disa shkolla në nënprefekturën e Shijakut.
Citoj nga dokumenti (vendimi nr.1, datë 28.8.1937):
Komisjoni i ceremonisë së 25-vjetorit të këtushëm, i mbledhun sod nën kryesinë e Kryetarit të Komunës,  z. Kurt Shqytit, me anëtarë z. Mexhid Begteshi, drejtori i shkollës, z. Ymer Deliallisi, z. Abaz Deliallisi e z. Bajram Matalla, mori në bisedim veprat në fushën kombtare të të ndjemvet….. pasi studjoji jetshkrimet e tyne…. tue marrë parasysh veprat qi kanë ba në fushën Kombtare, u vendos njohja e tyne si veteran dhe: pagzimi i shkollës së Qendrës në emnin e Hamid Toptanit, e shkollës së Ishmit me emnin Haki Begteshi, e shkollës së Prezës me emnin Masar Deliallisi, e shkollës së Marikës me emnin Aqif Pashë Elbasani, e shkollës Matallaj Rodonik me emnin Dervish Hima, e shkollës së Strazës me emnin Don Nikoll Kaçorri, dhe e shkollës së Koxhasit me emnin Meleq Frashëri….”.  Emërtime për t’u pasur zili.
Dy fakte tërheqin vëmendjen. Fakti i parë: përzgjedhja tepër serioze, figurat dinjitoze, përzgjedhja pa asnjë frymë lokalizmi apo ndasie fetare. Fakti i dytë: pas ardhjes së komunistëve në pushtet, asnjë prej shkollave nuk mbajti më emrin e figurave të nderuara, madje as të Aqif Pashë Elbasanit apo Dom Nikollë Kaçorrit….
Emërtimi i rrugëve dhe institucioneve të një qyteti pasqyron historinë e tij, por a ndodh në të vërtetë kështu?
Elbasani është një nga qytetet më të lashta të Shqipërisë. Nga të dhënat historike rezulton rreth 2000-vjeçar. Më parë le të bëjmë më të kuptueshme lashtësinë 2000-vjeçare të qytetit në raport me periudhat e ndryshme historike. Nëse për një moment, shtrirjen kohore 2000-vjeçare do ta imagjinonim sikur të ishte 24 orë, atëherë periudha nga viti 1912 deri më 1939-n do të ishte 20 minuta, periudha e Luftës së Dytë Botërore vetëm 1.5 minuta, periudha e diktaturës komuniste 32 minuta, ndërsa periudha e demokracisë, pas vitit 1990, diku te 12 minuta. Të gjitha së bashku pak më shumë se një orë, ndërsa pjesa tjetër e historisë së qytetit plot 22 orë.
Si pasqyrohen këto periudha në emërtimet e rrugëve dhe të institucioneve?
Ka një glorifikim deri në absurd të luftës antifashiste dhe një injorim pothuajse total të periudhave të tjera të historisë. Janë shumë pak 1,5 minuta në 24 orë apo 2 vjet në 2000 vjet histori. Historia nuk fillon në vitin 1943. Është e papranueshme që 99% e emërtimeve i  përkasin periudhës se luftës më pak se dyvjeçare, që për hir të së vërtetës historike, përfundoi në luftë civile dhe 1% gjithë periudhës tjetër. Por, ç’është më e keqja, një pjesë e konsiderueshme e emrave të rrugëve janë persona anonimë, të panjohur, madje jo vetëm për qytetarët e sotëm të Elbasanit. Biografinë e tyre nuk e gjen askund. Sa për ilustrim, m’u desh të pyesja shumë njerëz, për ditë me radhë, për të gjetur kush ishte dhe çfarë kishte bërë Koço Brisku, emrin e të cilit mban një nga rrugët kryesore dhe më e gjata e qytetit, që kalon pikërisht përpara shtëpive të patriotëve Fuat Bicaku e Thanas Floqi. Koço Brisku nga fshatrat e Beratit, paskësh qenë kryetar i Degës së Punëve të  Brendshme të qytetit, simbolit më famëkeq të diktaturës, i cili, në vitin 1951, në përpjekje për të eliminuar fizikisht një familje nacionalistësh antikomunistë, në një fshat pranë qytetit është vrarë. Janë vrarë dhe 4 pjesëtarë të familjes antikomuniste…. Sigurisht që Lufta Antifashiste është e rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Sigurisht që dëshmorët e kësaj lufte duhet të nderohen për sakrificën e tyre, por jo vetëm ata. Në radhë të parë jam për Lef Nosin, Qemal Karaosmanin, Thanas Floqin, Shefqet Daiun, Dervish Biçakun, nënshkrues të Aktit të Pavarësisë e të tjerë. Jam që t’i jepet vendi që meriton edhe punëtorit 18-vjeçar që u vra në luftë, por jo para patriotit që ngriti flamurin në Vlorë apo patriotit që kryesoi Kongresin e Elbasanit, që hodhi themelet e arsimit shqiptar. Aq më keq kur emrat e këtyre djelmoshave përsëriten vend e pavend në sheshe, rrugë, shkolla dhe askush nuk guxon t’i prekë. Luftë kundër fashizmit është bërë kudo në Europë, madje në disa vende shumë më tepër se te ne. Shumë kanë dhënë jetën në këtë luftë, madje shumë më tepër se te ne, por emërtimet e rrugëve dhe institucioneve në qytete nuk janë uzurpuar në këtë mënyrë. Kjo besoj se nuk ndodh as në qytetet e ish-Bashkimit Sovjetik, se në vendet e Europës Perëndimore jo e jo. Ka ardhur koha, madje ka kaluar, për korrigjim, për t’i vendosur gjërat në vendin e tyre, që brezat e ardhshëm të mos qeshin me ne. Që të mos rrimë si guhakë para fëmijëve tanë kur na pyesin kush është dhe çfarë ka bërë filani që mban emrin shkolla apo rruga jonë. Pse nuk është bërë më parë? Çfarë pengese ka pasur?
Nuk është bërë më parë dhe vazhdon të mos bëhet se ekziston një glorifikim deri në absurd dhe një politizimi i tejskajshëm i një periudhe më pak se dyvjeçare. Vazhdojnë të ekzistojnë reminishencat e luftës së klasave në vlerësimin e figurave të shquara, vazhdon tabuja se periudha e Luftës Antifashiste është më e lavdishmja, pa të ne nuk do të ekzistonim, se dëshmorët e luftës janë pronë vetëm e një force politike etj. Vazhdon të ekzistojë shqetësimi se mos mërziten veteranët, të cilët, nga ana e tyre, për karshillëk, i kanë mbushur Varrezat e Dëshmorëve të qytetit të Elbasanit me yjet e kuq, simbole të komunizmit, thuajse vetëm komunistët mund të jenë dëshmorë. Kjo stonon, aq më tepër kur Europa, anëtare e së cilës ne aspirojmë të bëhemi, ka vite që kërkon dënimin e krimeve monstruoze të komunizmit nga vendet ish-komuniste.
Me historinë të merren historianët. Dakord, po si t’ia bëjmë që ata nuk duan të zgjohen nga gjumi? Ka ardhur koha që ata të zgjohen, ta shkruajnë historinë ashtu siç në të vërtetë është. Ka ardhur, madje ka kaluar koha, që këta shkencëtarë, nëse janë vërtet të tillë, të çlirohen nga komplekset, që dijet e vërteta shkencore t’i rrezatojnë jashtë mureve të universitetit, jashtë sallave të konferencave, në qytet, në emërtimin e rrugëve, shesheve, institucioneve.
Historia duhet rishkruar. Vetëm kështu mund të drejtojmë atë që është deformuar, vetëm kështu mund t’ua kthejmë meritat e mohuara figurave të shquara, vetëm kështu mund të çlirojmë atë që padrejtësisht është uzurpuar. T’u japim të gjithëve atë që meritojnë. Në fund të fundit, duhet t’i kthejmë historinë Shqipërisë.

Marrë nga faqja: http://www.panorama.com.al/2012/07/10/pse-duhet-rishkruar-historia/

Advertisements
  1. senada
    19/11/2012 te 22:19

    Me fal po Z. Emin Beun ku e late. Emin Ahmet Deliallisi ka qene delegat ku ka firmos aktin e pavaresise, fotot e dala ne Itali bashke me Ismail Qemalin dhe kthimin e tyre ne atdhe them se nuk e disponon askush pervec familjes Deliallisi. Oborri i Delialliseve edhe sot e kesaj dite per te gjithe ata qe duan ta shohin edhe eshte ne te njeten gjendje sic e kane lene te paret tane. Bemat e EMIN BEUT kane qene me nam ne SHIJAK e …… Per te gjithe te interesuarit mund te paraqesim dhe foto per ta vertetuar, dhe vendin ku jane strehuar oborri i Delialliseve. Ju pershendes.

  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: