Hyrje > Historia e shqiptarëve, Identiteti islam shqiptar, Identiteti shqiptar > Beqarët e Tironës, rojë në Pazarin e Vjetër

Beqarët e Tironës, rojë në Pazarin e Vjetër

Rezarta DELISULA

 

BEQARËT E TIRONËS, ROJË NË PAZARIN E VJETËR

Rezarta Delisula

Rezarta Delisula

Feja kundër beqarisë. Në Berat, xhamia e të pamartuarve veçmas

Të jesh beqar në këto kohëra, edhe pse në moshë të madhe, është normale. Vajza që kanë një punë të mirë, të pavarura ekonomikisht, vendosin të martohen kur të njohin të duhurin. Djem që deri afro të 40-ave ia nxjerrin zinë qejfeve dhe më pas marrin hapin drejt altarit. Dikur të ishe beqar kishte kosto shumë të lartë.
Kthehemi në Tiranën e shekullit XIX, por edhe në shumë qytete të tjera, ku të pamartuarit shiheshin me përçmim. Beqarët e Tiranës kishin detyrë të punonin roje në pazarin e vjetër. Deri në fillim të shekullit të XX në pazar nuk kishte roje me pagesë. Këtë detyrë e kryenin beqarët e të gjitha zejeve. Ata gatuanin e hanin bashkë, ndërsa natën e kalonin në pjesën e dyqanit që shërbente për fjetje. Sipas studimit të bërë nga Armanda Hysa, referuar dhe shumë studiuesve të tjerë, beqarët liroheshin nga detyra e rojës vetëm në momentin kur martoheshin. Situata e beqarëve ndryshoi në fillim të shekullit XX, kur esnafet vendosën të marrin roje me pagesë që quheshin “pasvanë”.

Feja dhe beqarët
Profeti Muhamed thotë se gjysma e besimit të njeriut është martesa. Referuar kësaj, myslimanët e devotshëm nuk kishin si të konsideronin pjesë të tyren beqarët. Edhe në besimin e krishterë martesa konsiderohet e shenjtë. Në Bibël thuhet (Mateu 19:5): “Zoti krijoi mashkullin dhe femrën. Për këtë arsye njeriu do ta lërë babanë dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e tij dhe të dy do të jenë një mish i vetëm”. Në besimin hebre babai është i detyruar të martojë djalin e tij. Në të gjitha fetë beqaria nuk ka mbështetje, pasi rruga më e drejtë që duhet të zgjedhë njeriu, referuar po librave të shenjtë, është martesa. Sot e kësaj dite, në buzë të rrugës kryesore në Berat ndodhet xhamia e Beqarëve. Shekuj më parë beqarët e qytetit 2400-vjeçar nuk lejoheshin të kryenin ritet fetare në xhami me burrat e tjerë. Ndërtimi i xhamisë vetëm për këtë kategori në një fare mënyre i poshtëronte. Beqarët mund të shkonin në xhamitë e tjera të qytetit, vetëm nëse martoheshin. Edhe në kohën e socializmit beqarët shiheshin me sy jo të mirë nga regjimi. Gjithnjë ata i çonin në punët më të vështira dhe të rënda, mundësisht i jepnin shërbime të shpeshta. Por në këndvështrimin e asaj kohe, shumë larg Zotit, beqarët ishin elementë që mund të krijonin situata jo të favorshme për pushtetin, si krijimin e grupeve kundërshtare, tentativa arratisjeje…

Esnafët vendimmarrës
Pazari i famshëm i Tiranës, i cili ndodhej në vendin ku sot është ndërtuar Pallati i Kulturës dhe lulishtja pas, ka qenë ndër më të famshmit në vend. Dyqane të vegjël dhe ngjitur me njëri-tjetrin krijonin rrugicat interesante të pazarit, të ndara në disa zeje. Tironsit dhe voskopojarët. Këto ishin dy bashkësitë që bashkëjetuan në mënyrë perfekte. Gjatë periudhës së grindjeve feudale, kur qyteti u sulmua nga ushtria e Kurt Pashës, ortodoksit morën pjesë aktive në mbrojtjen e Tiranës dhe në këtë mënyrë fituan simpatinë e të gjithë qytetarëve dhe në Pazar iu la një vend për të ndërtuar dyqanet. Bashkimi i dy komuniteteve solli një zhvillim shumë të madh në qytet dhe tregu u pasurua me zanate të reja. Tirana kishte 17 esnafe, 5 prej të cilëve ishin ortodoksë. Esnaf quhej organizimi i një apo disa zejeve të përafërta. Funksioni kryesor i tij ishte ekonomik. Esnafi merrej me përcaktimin e çmimeve, ndarjen e punës midis zejtarëve, përgatitjen e nxënësve të kualifikuar, ndalonte konkurrencën e zejtarëve të fshatrave apo qyteteve të tjerë. Esnafi kishte një pleqësi drejtuese të quajtur Llonxha, një përgjegjës të përgjithshëm të quajtur Qehaja, si dhe drejtuesit e tjerë të arkës, beqarëve, lajmëtarëve. Përveç rolit ekonomik, esnafi dhe pleqësia merreshin me organizimin e jetës shoqërore dhe politike të qytetit. Nga pikëpamja ligjore, esnafet kishin të drejtën e gjykimit dhe të marrjes së masave ligjore ndaj anëtarëve.

Ortodoksët

Vllahët kishin ekskluzivitetin e kujunxhinjve (argjendarë), kazanxhinjve, mejhanexhinjve (pijetore), kallajxhinjve dhe ustallarëve, të cilët sot quhen punëtorët e ndërtimit. 12 esnafet e tjera ishin myslimane. Sistemi i esnafëve u shua përfundimisht në fillim të shekullit XX. Esnafi kryesor si edhe në qytete të tjera ishte dhe udhëheqësi i qytetit. Tirana ka pasur kryeesnaf atë nga zeja e tabakëve (lëkurëpunues), kjo sepse nga ana ekonomike ato ishin shumë më të pasur. Edhe sot e kësaj dite ekziston lagjja e “Tabakëve”, e cila është përballë urës që mban të njëjtin emër. Të gjithë urdhrat i jepte kryeesnafi dhe të tërë i bindeshin. Shpesh Toptanasit janë përpjekur për të mundur Tabakët por s’ia kanë dalë. Shekulli XIX nuk ishte aq i mbarë për Tiranën, pas krizës së përgjithshme që pushtoi perandorinë osmane. Mallrat e importit nisën të futen në shumë dyqane të pazarit karakteristik dhe sistemi i esnafëve ishte jashtë kushteve të tregut. Rikonstruksioni i fundit i pazarit u bë në vitin 1905. Në vitet ’30, të huajve që mbërrinin në Tiranë i kthehej në mend e shkuara teksa shihnin pazarin e vjetër, madje në planin urbanistik të bërë pre italianëve u vendos moscenimi i pazarit. “Pazari i Vjetër (që për mendimin tim duhet të rrijë ashtu siç është, për t’i dhënë qytetit një tipar karakteristik) po pasurohet gjithnjë e më me tepër mallra. Dyqanet po zbukurohen dita ditës…”, shënon Asais në librin “Nella kapitale d’un giovane regno” (Në kryeqytetin e një mbretërie të re). Pazari i vjetër u shemb më 1960.

Hani i Elbasanllinjve

Nga pikëpamja arkitektonike dyqanet e pazarit të vjetër pjesën ballore e kishin më të dukshme, ndërsa pas kishin vendin për fjetje, ku bënin roje beqarët. Këtë fakt e pohon dhe Emin Riza në studimin “Qyteti dhe banesa shqiptare e mesjetës së vonë”. Dyqanet mbylleshin me dy dërrasa të mëdha si kapakë, që më pas u zëvendësuan nga “tarabat”, që më vonë krijuan “tartabenat”, mindere të lartë gjysmë metri që nxirreshin në rrugë deri në një metër e gjysmë jashtë dyqanit. Ky sistem i tartabenave bllokoi disi shumë kalimin në rrugë, por rriti komunikimin mes dyqanxhinjve e sipas të vjetërve, tregtarët edhe urimet e ngushëllimet i prisnin në dyqan. Kafenetë, pijetoret dhe hanet gjendeshin kudo në pazarin e vjetër. Mejhanet që menaxhoheshin nga esnafët vllahë ditët e pazarit, të enjteve e të dielave, mbusheshin plot, referuar sërish Asais. Gjatë ditëve të tjera të javës kamerierët ua çonin kafetë pronarëve nëpër dyqane. Në pazar ishte dhe një han i madh që quhej Hani i Elbasanllinjve. I ndërtuar në një sipërfaqe të madhe, fasadë me harqe e shumë dhoma, Hani i Elbasanllinjëve priste udhëtarët e largët. Një tjetër han ndodhej përbri sahatit dhe ndryshe nga ai i pazarit ishte dy katesh në formë L-je. Asaisi përshkruan në librin e tij për mbretërinë e re se dhomat ishin shumë të thjeshta, një karrige dhe një shtrat. Në bazë të studimit të Hysës, ne sollëm një histori ndryshe, mbushur me detaje të reja për Pazarin e Vjetër, një nga pazaret, shembja e të cilit u konsiderua krim urbanistik.

* 727 dyqane
Mueller në librin e botuar për shqiptarët më 1844 shkruan, se në fund të shekullit XVIII Tirana numëronte 1000 shtëpi dhe 727 dyqane.
* 200 dyqane
Referuar Osman Myderizit, në shekullin XVIII Tirana numëronte rreth 500 familje dhe 150-200 dyqane. Shkak për rënien e pazarit u bënë luftërat.

Feudali i parë
Në shekullin XVIII aristokracia feudale në Tiranë ishte krijuar dhe forcuar, ndërsa ata kishin lidhje krushqie me familjet më të mëdha feudale të kohës. Ibrahim Beu mbahet si feudali i parë i Tiranës. I biri, Ahmed Beu, ishte dhëndër i Ibrahim Pashë Bushatlliut. Krushqia me ta bëri që tiranasit dhe shkodranët të ndihmonin njëri-tjetrin. Në atë kohë familja Bushati ishte në krye të qytetit të rëndësishëm veri-perëndimor. Pas lidhjeve familjare, tiranasit përkrahnin Bushatllinjtë në interesat politike e ekonomike, ndërsa Kurt Pasha i Beratit kërkonte po aleancën e tyre, aleancën e Shqipërisë së Mesme.

Familja e Toptanasve
Shembullin e rritjes dhe zhvillimit të Tiranës e shpjegon fare qartë shpërngulja e familjes së madhe Toptani. Sundimtarët e Krujës lakmuan të vinin si sundimtarë në Tiranë, gjë që e realizuan në shekullin XVIII. Si historia e famshme e kalit të Trojës, Toptanasit martuan djemtë në Tiranë duke dashur të marrin pozitat drejtuese të qytetit, të cilat në ato kohëra i menaxhonte familja Mulleti. Fanatikë të qytetit, tiranasit nuk mund të pranonin jabanxhinjtë t’i drejtonin dhe lufta për pushtet vazhdoi për rreth 30 vjet, deri sa Toptanasit dolën fitimtarë.


Ç’ndodhte në Tiranë në shekullin XIX
Dita e enjte, veshjet karakteristike dhe kulmi i shitjeve në pazar

Pazari i Tiranës ka qenë i përqendruar në dy zona. Pazari i Vjetër pas Pallatit të Kulturës, i cili u prish në fund të viteve ’60 dhe vendi që sot quhet Pazari i Ri, ku me një vendim të mbretit u bë ndarja e fruta-perimeve dhe gjetheve me artizanin. Fshatarët ngarkonin kafshët e punës me mallrat dhe niseshin në drejtim të qytetit. Frutat dhe perimet futeshin në kaçilet e kashtës për të ruajtur freskinë. Shumica e shitësve mbanin kostumin e trevës së Shqipërisë së Mesme. Qeleshe apo shall të lidhur në kokë, brez dhe xhokë (jelek pa mëngë), kurse gratë, veç veshjes karakteristike, mbanin edhe merhaman (shami) të bardhë në kokë. Pazari i grave ka qenë sheshi pranë kullës së sahatit dhe ka qenë veçmas nga pjesa tjetër. Pazari më i madh bëhej ditëve të enjte, kur të gjithë njerëzit dilnin për të blerë e shitur. E njëjta traditë ka mbetur edhe sot, kur dita më e nxehtë e pazarit është sërish ajo e enjte. Në Pazarin e Vjetër të Tiranës tregtia zhvillohej në dyqane, që sipas dokumenteve të kohës dhe udhëtarëve të huaj në Shqipëri kanë qenë rreth 700. Zhvillimi dhe rritja e këtij tregu ndodhi në fillim të shekullit XX, për të pasur një ulje në Luftën e Parë Botërore. Në Pazarin e Ri tregtia zhvillohej në tezga apo në tokë. Sot nga Pazari i Vjetër me 700 dyqane nuk ka mbetur asgjë.

Gazeta Panorama, 2007

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: