Kreu > Iranologji > “Rubairat çelësa” – një vështrim perëndimor për origjinalitetin e veprës së Khajamit

“Rubairat çelësa” – një vështrim perëndimor për origjinalitetin e veprës së Khajamit

Abdurrahman AL-ALAVI

 

“RUBAIRAT ÇELËSA” – NJË VËSHTRIM PERËNDIMOR PËR ORIGJINALITETIN E VEPRËS SË KHAJAMIT

Rubaijjati Umer Khajjamit

Omar Al-Khajami është i njohur jashtë Iranit më tepër si poet se sa si një shkencëtar matematicien, astrolog dhe filozof, në një kohë kur vëmendja e tij shkencore ia kalonte shumë më tepër kujdesit për letërsinë dhe poezinë. Sipas disa burimeve, ai i përkushtohej hartimit të poezive atëherë kur ndjente lodhje dhe vështirësi nga puna e tepërt shkencore. Me një fjalë, ai merrej me poezi si një mjet për t’u qetësuar dhe për t’u larguar nga andrrallat jetësore, nëpërmjet fluturimit në horizontet e imagjinatës, të fjalës së ëmbël dhe të shprehjeve të bukura.Omar Al-Khajam An-Nishapuri, Hoxha Al-Hak Al-Hakim Abu Al-Fatah (Abuhafs) Omar Bin Ibrahim, sikurse njihet me emrin e tij të plotë, ishte filozof, matematicien, astrolog dhe poet iranian, që jetoi nga fundi i shekullit të pestë dhe fillimi i shekullit të gjashtë të hixhrit. Fama e tij e gjerë në botë ka ardhur kryesisht për shkak të poezive të tij të quajtuara rubaira (“katërshe”, apo “katrore”). Me një fjalë, ai u bë i njohur jashtë Iranit më tepër si poet se sa si shkencëtar matematicien, astrolog dhe filozof, në një kohë që përkushtimi dhe kujdesi i tij për shkencën ia kalonte përkushtimit ndaj letërsisë dhe poezisë. Ai e kishte hartimin e poezive si mjet çlodhjeje dhe në këtë mënyrë mundohej të haronte përplasjet dhe vështirësitë jetësore, duke u ngjitur drejt horizonteve të imagjinatës. Fjalët dhe shprehjet e bukura e të gjetura artistikisht i jepnin atij kënaqësi… Ky poet i madh la pas vetes vepra të rëndësishme shkencore, si “Algjebrën dhe barazimet”, që u përkthye në gjuhën angleze qysh në vitin 1851, si dhe dy disertacione: njërin me pikëpamje e mendime rreth librit të Iklidosit dhe tjetrin lidhur me mashtrimet që krijohen në vlerat e arit dhe argjendit në trupat e përzier, si dhe veprën “Nevojat e vendeve” etj.

Përmendëm se Omar Al-khajami konsiderohet si poeti iranian më i njohur jashtë vendit. Kjo sepse ndoshta perëndimorët gjetën tek rubairat që krijoi ky poet atë që harmonizohej dhe u përshtatej më tepër shijeve dhe ndjenjave të tyre, ose ndoshta sepse ato përbënin një gjetje të re përsa i përket formës dhe rimës, që u pëlqente të interesuarve për poezinë dhe kritikëve europianë.

Në vitin 1859 poeti anglez Fitxherald i përktheu këto rubaira, duke i përshtatur. Në vitin 1867 ato u përkthyen edhe në frëngjisht nga konsulli francez në qytetin Rasht të Iranit. Këto përkthime patën një jehonë të gjerë në Perëndim dhe tërhoqën vëmendjen e studiuesve perëndimorë, sidomos pas redaktimit të botimit të dytë në gjuhën angleze në vitin 1868.

Orientalisti rus Minorski shkruan se i pari që u mor me kritikën e rubairave ka qenë kritiku dhe studiuesi Xhorkovski në shkrimin e tij me titull “Rubairat dehëse”, që e botoi në vitin 1897. Në fakt ky konkluzion nuk është i ri përsa u përket rubairave të Omar Al-Khajamit, sepse për këtë ka pasur shenja edhe në të kaluarën, por ato nuk kanë qenë të formuluara. Xhorkovski i konsumoi ato duke i paraqitur nën titullin “Muhamed”. Problemi për të përfundon me vënin prej tij në dyshim të autorësisë së 82 rubairave nga gjithë rubairat e Al-Khajamit. Ky dyshim bazohet në faktin që ato gjenden edhe në “Divanet” e disa poetëve të tjerë, veç Al-Khajamit.

Në vitin 1904 në Majdelburg u botua një libër me titull: “Studim mbi rubairat e Al-Khajamit”, i studiuesit danez Arthur Kristin San. Ai e paraqiti problemin e rubairave në një platëformë tjetër, duke thënë se vetëm 14 prej tyre ishin origjinale dhe se të tjerat i ishin atribuar Al-Khajamit padrejtësisht, pasi ato nuk ishin të tijat, por të poetëve të tjerë. Origjinalitetin e 14 rubairave e provoi me atë që në 12 prej tyre përmendet emri i Al-Khajamit në mënyrë të qartë, ndërkohë që dy rubairat e tjera janë të Omar Al-Khajamit bazuar në librin e Nexhmedin Ar-Razit me titull “Kujdesi për adhurimin”. Ky studiues, i interesuar për çështjet iraniane, parashtroi pikëpamje të tjera lidhur me këto rubaira, që mund të konsiderohen një zhvillim i pikëpamjeve të tij të mëpashme. Sipas këtyre pikëpamjeve të reja, 121 rubaira nga të Omar Al-Khajamit janë të tijat dhe jo të të tjerëve. Këto pikëpamje ai i shtjelloi në librin “Studime kritike rreth rubairave të Al-Khajamit”, që u botua në vitin 1927 në Kopenhagë.

Pikëpamjet kontradiktore lidhur me origjinalitetin e rubairave te Al-Khajamit dhe numrin e saktë të rubairave origjinale dhe të atyre të përbashkëta mes tij dhe poetëve të tjerë si dhe lidhur me rrugën e drejtë për të dalluar rubairat origjinale nga ato jo origjinale, por që i atribuohen atij, vazhduan për një kohë të gjatë. Në kulmin e kësaj kontradikte u zbulua dorëshkrimi “Gëzimi i të lirëve në momentet e frymëzimit poetik” i Muhamed Bin Badër Al-Zhazharmit, i shkruar në vitin 741 të hixhrit. Ky dorëshkrim, midis të tjerash, përfshin në një kapitull më vete 13 rubaira të Al-Khajamit me emrin e tij. Kjo i bëri studiusit që t’i konsideronin pa asnjë mëdyshje këto 13 rubaira si origjinale të Al-Khajamit. Ndërkohë studiues të tjerë, midis të cilëve edhe Frederih Rouxhen, i konsideruan këto 13 rubaira si dhe dy rubairat e sjella në librin “Kujdesi për adhurimin”, si rubaira bazë të Al-Khajamit, ose si çelësa për të hapur drynin e rubairave të tjera, që i atribuohen atij, për të verifikuar origjinalitetin e tyre ose të kundërtën.

Me këtë studim të ri, që u kristalizua në pjesën e parë të shekullit të njezetë, lufta lidhur me origjinalitetin ose jo të rubairave të Omar Al-Khajamit hyri në një etapë të re dhe u ashpërsua së tepërmi. U shfaqën dy krahë: njëri krah mbronte Al-Khajamin me fanatizëm dhe përpiqej t’ia atribuonte atij të gjitha rubairat e regjistruara me emrin e tij, dhe krahut tjetër, që përpiqej që t’i trajtonte rubairat me objektivizëm dhe të cilit nuk i interesonte ndarja e shumë prej tyre nga emri i Al-Khajamit nëse për këtë ekzistonin prova të padiskutueshme dhe objektive që ishin hartuar prej të tjerëve.

Jehona e pikëpamjeve të studiueseve perëndimorë është reflektuar qartazi edhe në pikëpamjet e studiuesëve iranianë. Fillimet e kësaj jehone i shohim në “Komentet” e Muhamed Al-Kazvinit në lidhje më veprën “E vërteta e një artikulli” te An-Nizami Al-Arudi Al-Samarkandi, komente që fare mirë mund të konsiderohen si konkluzione të marra nga libri “Histroria iraniane” e Eduard Braunit.

Shkrimtari iranian Sadik Hidajet (1902-1951) konsiderohet i pari studiues vendës që u kushtoi vëmendje të madhe rubairave të Omar Al-Khajamit dhe ndoshta është i pari që përdori një metodë të re lidhur me studimin e tyre. Hidajeti, në shkrimet e tij, jo vetëm anonte nga Al-Khajami, por ishte partizan dhe mbrojtës i flaktë i tij dhe, në mënyrë të veçantë, i rubairave të tij, sa që është e vështirë t’i fshihet lexuesit. Gjatë studimeve të tij në Francë ai u njoh me ato që kishin shkruar studiuesit perëndimorë rreth Al-Khajamit dhe me pikëpamjet e tyre rreth rubairave. Pra, ai ishte më shumë në kontakt me këto studime dhe pikëpamje sesa shumë prej studiueseve dhe kritikëve të tjerë iranianë që jetonin brenda vendit. Mbi këtë bazë, në vitin 1924 ai filloi të shkruante një vepër të veçantë për rubairat, së cilës i vuri titullin “Hyrje në rubairat”, që në fakt ishte një përmbledhje e pikëpamjeve të Eduard Braunit, të shprehura në veprën e tij “Historia e letërsisë iraniane” dhe në të gjitha studimet e tjera perëndimore të kësaj fushe. Nga kjo pikëpamje mund të themi se ai nuk solli ndonjë gjë të re, vetëm se pasqyroi pikëpamjet perëndimore, pa iu referuar kësaj pikëpamjeje direct. Ai i paraqiti rubairat në librin e tij (gjithësej 1195) në bazë të rimës së tyre.

Njëzet vjet pas botimit të këtij libri, ai u rishkrua dhe u ribotua me një emër të ri dhe, në një farë mase, edhe me përmbajtje e ndryshime themelore. Këtë herë libri doli me titullin “Këngët e Al-Khajamit”. Në parathënie ai ka tre kapituj dhe pikërisht: “Al-Khajami filozof”, “Al-Khajami poet” dhe “Rubairat e Al-Khajamit”, ku këtë herë përfshihen 143 rubaira, për të cilat thotë se janë origjinale të Al-Khajamit, të shpërndara në tetë kapituj kryesorë.

Hidajeti vë në dukje në hyrjen e tij se rubairat, që i atribuohen Omar Al-Khajamit, kalojnë mbi 1200 dhe se shumë prej tyre e kanë humbur konstruktin, harmoninë dhe domethënien e tyre. Ai mendon se sasia e madhe e rubairave që ia atribuohen Al-Khajamit nuk janë tjetër veçse një mozaik i pikëpamjeve kontradiktore dhe abuzive. Sikur dikush të kishte mundësi të jetonte një qind vjet dhe të ndërronte fenë dhe pikëpamjet e tij çdo vit, ai nuk do të kishte mundësi të sillte këtë numër kaq të madh pikëpamjesh kontradiktore. Ai mendon gjithashtu se kjo anomali mund të vërehet edhe në përmbledhjet më të vjetra të rubairave që i atribuohen Al-Khajamit, domethënë, rubairave që gjenden në bibliotekën Badilian të Oksfordit dhe që mbajnë si datë vitin 865 të hixhrit.

Hidajeti ishte këmbëngulës dhe mendonte se midis këtyre rubairave ekzistonin rubaira origjinale nga dora dhe pena e vet Al-Khajamit, veçse duhej patjetër të gjendej rruga për t’i zbuluar e nxjerrë ato dhe për t’ia paraqitur lexuesit… Me qëllim që të jepte një pamje sa më të qartë dhe të plotë të Al-Khajamit, ai gërmoi në shumë dokumente të vjetra perse dhe arabe, përfshirë edhe librin si “Xhihar makala” (“E vërteta e një artikulli”) të An-Nizami Al-Arudiut, “Tatima Sauan Ak-Hikma” (“Shtojcë e thesarit të dijes) të Ali Al-Hasan Al-Bihaki dhe të Nexhmedin Ar-Razit si dhe “Muennes Al-Ahrar” (“Gëzimi i të lirëve”) të Muhamed Bin Bandar Al-Xhaxharmit.

Hidajeti zgjodhi 14 rubaira nga ato që përmbante libri “Mirsad Al-Ibada” dhe në “Muennes Al-ahrar”, të cilat i konsideroi si rubaira origjinale dhe bazë. Për këtë ai u mbështet tek Nexhmudin Ar-Razi, hartuesi i “Mirsad Al-Ibada”, i cili e njihte më mirë Al-Khajamin, pikëpamjet, mendimet dhe ndikimin e tij, për shkak se pati jetuar në një kohë të afërt me të Al-Khajamit. Po ashtu rubairat e përfshira në librin “Muennes Al-Ahrar” konsiderohen si rubaira relativisht të vjetra dhe më në harmoni me frymën e Al-Khajamit, të filozofisë dhe të mënyrës së tij të të menduarit dhe shkruarit. Për Hidajetin nuk ka asnjë dyshim se ai që i ka hartuar këto 14 rubaira, shquhet për një filozofi e veçantë, nga një mënyrë mendimi e veçantë dhe nga një metodë pune e përcaktuar.

Mbi bazën e kësaj bindjeje personale, ai theksoi se “me siguri se këto rubaira janë të të njëjtit autor”. Po kështu ai parashtroi mendimin për “rubairat çelësa”, që në vetvete ishte një ide e hedhur më parë edhe nga studiuesit perëndimorë. Hidajeti jo vetëm e aprovoi metodën e “rubairave çelësa”, por u bë edhe një nga entuziastët e kësaj metode, sepse, sipas tij, vetëm mbi bazën e tyre, mund të bëhej anatomia e të gjitha rubairave të tjera, duke pranuar ato që përputhen me çelësin dhe duke hedhur tej ato që nuk përputheshin me to. Ai u mbështet në këto 14 rubaira për të hedhur poshtë të gjitha rubairat e tjera, që kishin karakter sufist. Bile i quajti sufiste edhe ato rubaira ku përmendej qoftë edhe vetëm një fjalë e vetme e karakterit sufist, duke u bërë kështu pre e mentalitetit dhe e shijeve të veta. Megjithëse kjo pikëpamje, siç e pamë, u hodh në qarkullim për herë të parë nga studiusi gjerman Roxhen, Hidajeti asnjëherë nuk përmendi se ajo ishte e Roxhen-it dhe nuk tha kurrë se këtë mendim e kishte nga të tjerë. Përkundrazi, e hidhte këtë ide sikur të ishte e tija dhe iu përmbajt asaj në tërë veprimtarinë e vet, pavarësisht se vetë Roxheni nuk e zbatoi këtë metodë për rubairat e Omar Al-Khajamit, por thjesht e parashtroi atë si një mendim dhe propozim, pa ngulur këmbë dhe mbrojtur atë.

Kjo metodë e mbështetur nga Hidajeti pati aprovimin dhe miratimin edhe të disa studiuesve të tjerë iranianë, si të Muhamed Ali Farugit, i cili iu vu punës për të kërkuar burime të reja për ta bërë atë më të besueshme e më bindëse. Ai zbuloi një grup të ri rubairash me titull ” Nez’hatu Al-Mexhelis” (“Shëtitja e kuvendit”) në një dorëshkrim të botuar në vitin 1933, të zbuluar nga Helmut Ritër. Këto rubaira, gjithësej 31, iu shtuan atyre të Al-Khajamit. Po ashtu u zbuluan dy dorëshkrime të tjera me rubaira, që i përkisnin shekullit të 8-të të hixhrit, të cilat gjithashtu iu atribuan Al-Khajamit. Kështu, numri i përgjithshëm i rubairave të vjetra e të reja që iu veshën Al-khajamit shkoi në 66. Farugi i mori këto rubaira si çelësa për të arritur tek rubairat e tjera të Al-Khajamit nga ai numër shumë i madh rubairash që i atribuoheshin atij. Ai, në bazë të kësaj metode, arriti të zbulojë 113 rubaira të tjera të Al-Khajamit, të cilat i botoi në vitin 1941 me titullin “Rubairat e Al-Khajamit”.

Shembullin e Farugit e ndoqën edhe kërkues të tjerë, si Ali Deshti, Rushdi Jasem Muhsin Ferzani, Hasan Danshafer dhe Muhamed Rushan. Natyrisht, kishte edhe kundërshtarë të kësaj metode për përzgjedhjen e rubairave të Al-Khajamit, që ngriheshin mbi bazën e dëshirave, siç ishte Xhelaledin Hamai, i cili, në parathënien e librit të tij “Tarab Khana”, paraqet një kritikë të ashpër, duke thënë se “nuk mohonte ekzistencën e rubairave të Omar Al-khajamit në grupin e 66 rubairave, të cilat Farugi i mori si çelës, porse ishte i sigurtë se midis tyre kishte edhe rubaira të të tjerëve, që nuk i përkisnin Al-Khajamit”.

Si përfundim mund të thuhet se ka rubaira që mund të merren si çelësa për të zbuluar rubairat origjinale të Al-Khajamit, por ato nuk mund të vlejnë për të hedhur poshtë origjinalitetin e rubairave të tjera dhe as për të dalluar matematikisht ndryshimin midis rubairave të Al-Khajamit dhe të atyre të ngjashme me to. Për këtë shkak, nuk mund të mbështetemi vetëm në këtë metodë, sepse, me siguri, ka edhe metoda të tjera për të shkuar tek e vërteta apo për të gjetur prova të tjera të përafërta me të vërtetën. Një ndër këto metoda është edhe ristudimi i burimeve të vjetra, që nuk janë të pakta, dhe përcaktimi i rubairave të ngjajshme, që me kalimin e kohës iu atribuan Al-Khajamit, për shkak të një numri të madh faktorësh, përfshirë këtu lehtësinë e kopjimit, mungesën e korrektesës, mospërmendjen e hartuesit apo të krijuesit të tyre të vërtetë etj.

 

Marrë nga revista Al-Uhda, Nr. 229

Përktheu nga gjuha arabe: Sulejman TOMÇINI

Ky artikull është botuar në revistën “PERLA”, Viti XI 2006 Nr. 2 (41) f. 76-82.

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: