Berat, rrezikojnë degradimin 490 monumente kulture

Abedin KAJA

 

BERAT, RREZIKOJNË DEGRADIMIN 490 MONUMENTE KULTURE

Abedin Kaja

Abedin Kaja

Qyteti i Beratit që prej katër vitesh është shpallur pasuri e mbarë njerëzimit dhe renditet në 157 vendet anëtare të botës që ka përzgjedhur UNESCO. Sipas kryebashkiakut Fadil Nasufi, gjatë kësaj periudhe janë realizuar disa projekte të rëndësishme. Bëhet fjalë për përfundimin e Planit të Përgjithshëm të Zhvillimit të Territorit, hartimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Turizmin, ndërsa po zhvillohen projekte për studime sizmike dhe të mbrojtjes. Ndërkaq, ka nisur puna për rehabilitimin e kalasë që financohet nga KE në shumën 1 milion euro. Ndërkaq, kreu i Bashkisë së Beratit thotë në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, se 4 vjet pas pranimit në UNESCO, rrezikojnë të zhduken vlerat historike e kulturore në qytetin-muze. Ai bën me dije se rrezikojnë degradimin, 107 monumente kulture të kategorisë së parë dhe 383 monumente të kategorisë së dytë; 83 shtëpi të braktisura në qendrën historike dhe muret bizantine në kalanë shekullore. Sipas Nasufit, mbi 400 ikona dhe monumente të hershme janë në gjendje dëshpëruese dhe presin burimet e financimit.

Sot (dje) mbushen 4 vjet nga dita kur qyteti-muze i Beratit është pjesë e UNESCO-s; kush janë disa nga përparësitë e qenies së tij në Organizatën Botërore të Kulturës dhe Trashëgimisë Botërore?

Kjo periudhë 4-vjeçare, ka dëshmuar përparësitë dhe avantazhet e regjistrimit të Beratit në UNESCO, dhe ka orientuar e fokusuar programet e zhvillimit të qytetit nën këtë përgjegjësi dhe status. Sot evidentohet qartë se ne jemi pjesë dhe pasuri e komunitetit ndërkombëtar. Nuk është pak të përzgjidhesh dhe të jesh midis 962 pasurive kulturore dhe natyrore të globit, ose të jesh një qytet i shpallur pasuri e mbarë njerëzimit, i rreshtuar në 157 vendet anëtare të botës që ka përzgjedhur UNESCO. Nominimi i Beratit në UNESCO, ka ndikuar në rritjen e përgjegjësive ligjore dhe të angazhimit të pushteteve dhe institucioneve për të plotësuar detyrimet dhe standardet e statusit në UNESCO. Ne sot konstatojmë një ndjeshmëri të lartë publike, një ndërgjegjësim dhe sensibilizim të komunitetit dhe qytetarëve për t’u përfaqësuar denjësisht përballë detyrimit, si qytet me vlera shumëdimensionale që i takon trashëgimisë botërore.

Cilat janë disa nga produktet e 4 viteve të qenies në UNESCO?

Në këto 4 vjet, ka produkte të shumta pune dhe arritje që i dedikohen statusit të Beratit në UNESCO. Ka përfunduar Plani i Përgjithshëm i Zhvillimit të Territorit, u hartua Strategjia dhe Plani i Veprimit për Turizmin, po zhvillohen projekte për studime sizmike dhe të mbrojtjes, ndërsa ka filluar puna për rehabilitimin e kalasë që financohet nga KE në shumën 1 milion euro. Jemi në axhendën e financimit nga fondi shqiptaro-amerikan, i cili do të vazhdojë ndërhyrjen në infrastrukturën e Qendrës Historike. Po kështu, ka filluar puna për studimin e fizibilitetit dhe hartimin e projektit për Unazën e Qytetit dhe sistemimin e lumit “Osum”. Banka Botërore do të financojë projektin “Ruajtja e Qendrës Historike dhe rigjenerimi urban”. “TIKA”, po financon rikonstruksionin e objekteve të kultit mysliman. Është hartuar studimi dhe projekti për mbrojtjen e Qendrës Historike nga rrëshqitjet dhe rreziqet natyrore, si dhe kanë filluar projektet e rehabilitimit për infrastrukturën në zonën tampon dhe qendrën e qytetit, është rritur interesi dhe oferta nga kompani të huaja për të bashkëpunuar me Bashkinë Berat, etj.

Si ka ndikuar pranimi i Beratit në UNESCO, sidomos në drejtim të rritjes së numrit të turistëve që vizitojnë vlerat kulturore e historike të qytetit?

Numri i turistëve të huaj që vizitojnë Beratin, nga viti në vit vjen në rritje. Për periudhën janar-qershor 2012 qytetin e kanë vizituar 10.400 vizitorë të huaj ose 45% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2011. Aktualisht kemi 18 njësi akomoduese, me një total prej 348 shtretërish dhe 175 dhomash, dhe ka oferta dhe projekte nga sipërmarrësit privatë për të investuar në fushën e turizmit.

Ndërkohë që paraqitët një panoramë optimiste të punës, shpeshherë thuhet se Berati është lënë në harresë. Kush janë disa nga problemet në këto 4 vite të regjistrimit të qytetit në UNESCO?

Nuk mund ta fsheh dhe të mos ngre zërin për disa shqetësime, rrisqe dhe kërcënime që u rrinë mbi kokë vlerave dhe pasurive të qytetit të Beratit. Janë 107 monumente kulture të kategorisë së parë dhe 383 monumente të kategorisë së dytë që presin me vite fonde për trajtime sipas kritereve të konservimit dhe marketimit, por me burime kaq simbolike të buxheteve të sotme ato rrezikojnë degradimin. Janë 83 shtëpi të braktisura në qendrën historike, të cilat japin sinjalin e harresës dhe të asgjësimit, jo thjesht si banesa individuale, por si ansambël arkitekturor i Qendrës Historike. Muret bizantine në Kalanë e Beratit kanë rënë dhe disa afreske të kishave po humbasin gjurmët e origjinës. Janë mbi 400 ikona dhe monumente të hershme që janë në gjendje dëshpëruese dhe që s’kanë më kohë të presin pamundësinë e gjetjes së burimeve të financimit. Tranzicioni ka krijuar jo pak probleme me ndërtimet pa leje dhe deformimet urbane të shfaqura jo aq problematike në qendrat historike, por tepër kërcënuese në zonën tampon, ku aktualisht janë mbi 42 ndërtime që nuk i plotësojnë kriteret sipas ligjit dhe rregullores. Po kështu, rreziqet e rënies së gurëve nga shpatet e kalasë dhe Gorica, si dhe rreziku i rënies së zjarreve dhe mungesa e hidranteve janë refren që përsëritet, ndërkohë që zgjidhja me financim projektesh në këtë fushë duket e largët dhe jo shpresëdhënëse. Veç të tjerash, dëshmi e harresës, e izolimit dhe e lënies në periferi të programeve të zhvillimit të Beratit në këto vite, është edhe rruga nacionale Berat-Lushnje dhe ajo Berat-Fier. Këto dy akse rrugore të shkatërruara plotësisht dhe të shoqëruara me indiferencë dhe mungesë vëmendjeje për financim nga ana e Qeverisë, janë imazhi më i qartë sesi vlerësohet realisht kultura dhe turizmi.

Doni të thoni se ka munguar vëmendja e qeverisë qendrore për Beratin, në përmirësimin e gjendjes?

Mungesa e investimeve kapitale prej vitesh, është një privim dhe kosto e padrejtë që rëndon mbi qytetarët dhe taksapaguesit e Beratit, të cilët janë kontribues të rëndësishëm në fushën e turizmit, në agro-biznes dhe në përfaqësimin e vlerave kulturore dhe historike si kryeqytet i kulturës kombëtare dhe si shtëpi kombëtare e mikpritjes dhe turizmit. Në dy vitet e fundit financimet e buxhetit të shtetit janë tkurrur dhe janë pothuajse inekzistente për bashkinë e Beratit. Këto mungesa fondesh nuk janë thjesht për arsye të krizës dhe të vështirësive, me të cilat përballet buxheti i shtetit, por janë produkt i politikave klienteliste të qeverisë dhe i paaftësisë së përfaqësuesve të zgjedhur të Beratit që nuk lobojnë dhe nuk bashkëpunojnë për zgjidhjen e sfidave dhe mbështetjen e projekteve për Beratin dhe qarkun tonë.

Cili është apeli juaj në 4-vjetorin e pranimit të qytetit në UNESCO?

Sot (dje), është edhe dita e apelit publik dhe e shfaqjes së përgjegjësive të përbashkëta për të bërë ndryshime të mëdha dhe për të financuar projekte madhore për Beratin, si qytet i regjistruar në UNESCO. Në emër të qytetarëve beratas, i kërkoj qeverisë qendrore që të kthejë kokën nga Berati dhe të financojë projektet tona, projekte që do të ruanin dhe rivitalizonin vlerat e papërsëritshme të qytetit. Nga këto financime nuk fiton vetëm Berati, por gjithë Shqipëria, pasi produkti dhe investimi është i rikthyeshëm dhe i shumëshpërblyer për atë çka përfaqëson Berati.

Marrë nga faqja: http://www.balkanweb.com/gazetav5/artikull.php?id=118574

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: