Kreu > Pavarësia e Shqipërisë > Hajredin Cakrani: Shpallja e Pavarësisë – Kuvendi dhe mbrojtja e Janinës

Hajredin Cakrani: Shpallja e Pavarësisë – Kuvendi dhe mbrojtja e Janinës

Blerina GOCE

 

HAJREDIN CAKRANI: SHPALLJA E PAVARËSISË – KUVENDI DHE MBROJTJA E JANINËS

Firmosja e deklaratës së Pavarësisë dhe ngjarjet e kësaj periudhe, ku flitet veç të tjerash edhe për marrëdhëniet e vëllezërve Cakrani me Ismail Qemalin, janë padyshim ndër pjesët më të rëndësishme të ditarit të Hajredin Cakranit. Në vijim të prezantimit të kujtimeve të shkruara prej tij, po sjellim disa prej ngjarjeve të fokusuara në këtë hark kohor. Konkretisht, në këtë pjesë të shënimeve të mundësuara nga nipi i firmëtarit të pavarësisë Hajredin Cakranit, Kujtim Cakrani, disa prej të cilave të prezantuara në numrin parardhës e disa të tjera të prezantuara në këtë numër, flitet veç të tjerash për përgatitjen e Kuvendi të Pavarësisë, shpalljen e Pavarësisë, firmosjen nga Hajredin Beu, guvernën dhe Pleqësinë, rrugëtimin nëpër Myzeqe e mbërritjen në Vlorë, Kuvendin dhe kanunin në Mallakastër etj.

Një pjesë të batalionit e lashë që në Panaja e këtej, për nonjë paudhësi. Po shyqyr që n’a e bëri të mbarë i madhi Zot, e jam në ethe akoma, – ja bëri Bektash Beu dhe shkoi me vrap te sarajet e Sharrajve se i folnë e Hasan Agai i kishte mbëledhur e do t’u flit Ismail Beu (Qemali), pa unë u bëra për kafe. Te Sharrajt Ismail Beu, ishte ç’mallur e kish pyetur këta që ishën në komisjonë, si punë kryesije, se si e qysh kishën vajtur punët, si do që ish marrë vesh më të shmën e herëve me telegrafë. Duhej të shihnin mandatet e delegatëve e të cakëtonin nga të gjithë kazatë, do qè e mira, pa që mungojnë dihet, se vaporët e grekërve nga deti e Vjosa që kish dale, e kishën lënë Vlorënë, në një lak të math. Grekërit përposh, e sërbtë që erth gjer më Durrës, n’a i bënë më të nxirë, s’a më s’bëhej. Ndaj plaku, u ngut të ujdisnim mandatet, si do që udhës ishën plot të tjerë që i prit të vijën, të bënim bekllaratën sa më parë. U bënë hazër e më 27 allafrënga, miqtë tanë nga Vlora i hapnë dyert, që nga Hamza Agai (Isai) që muar Mehmet Pashën nga dera e Drrallave të Kosovësë, një ushtarak i zoti e i saktë, në urdhërat që jepte e që do t’a kisha chef (shef-frëngj) më prapa, me Imer Agane (Radhima) e Brahim Effendinë (Abdullahu) e të tërë. Më thanë se, si më i math do të firmosja unë dekllaratën, po unë thashë -se ti mbive në Vlorë e u trete e unë të firmos. Jo s’vete këjo punë, do t’i them Ismail Beut vetë, po im vëlla Bektashi, më qeshi si axhami. Mua më ngrinë nervat,- të firmosëm të dy pastaj, për të dy Mallakastrat -i them unë, se në të vërtetë, që ky që ra theror, nukë do. Abdi Bej Toptani kaloi aty ku ishëm dhe tha;- nukë u ç’mallët akoma ju cakranjotët, dhe atë çast Bektashi mbylli sytë dhe tundi kokën, shënjë këjo që s’e këthente mëndjen kurrë, e të bëhej kiameti. Më të nesërmen, kur s’kishte ç’prisnim më, vamë tek sarajet e Xhemil Beut dhe u mbëluadhë njerzit, si mizë lisi. Në odë ishëm ne, që n’a i kishën kërkuar t’ë firmosëm dekllaratën e mëvetësisë, e që i thoshëm pamvarësi. Si sot, të mbyllë sytë e më kujtonet, që nga deti vaporët e luftës së grekërve, pa kishën zbritur e në Himarë e haberet n’a thoshën, që në Durrës hyjnë sërbtë, në një kohë më të ligë që s’e bën dot, nè, ca njers të besës, vendosmë që të bënim Shqipëri, me mëndjen top që këjo ishte zgjidhja e vetëme, që n’a foli vatani, pa të dalë ku të dalë. Të gjithë n’a kishte rënë një çere, se si ai sahat i hairit s’munt të vij nonjëherë, e nashti që kish ardhur, nukë doja të largonej më. Të gjithëve, mua më dukej s’e po n’a shkonte nëpër mënt, i njëjti mejtim e mëpër shpyrt po ndjenim, të njëjtën gjë. Ismail Beu po n’a i thosh këto punë, fill e për pe dhe se bënej këjo punë, o sot, o n’a muar lumi pergjithënjë. Dëgjoja me veshë po dhe mejtoja tim im vëlla, që mbiu këtu u tret, po dhe sa e sa të tjerë për këtë ditë. Të gjithë miqtë t’onë vlonjatë, nuk donin të firmosnin, se nukë do firmos gjithë Vlora dè, na duhën gjithë kazatë ti e di, -më thosh të më qetësojë im vëlla. Zoti Luigj Gurakuqi e shkruajti dekllaratën dhe filluam t’a firëmosmë. Nuk harruam që ato rradhë t’i shkronim edhe më osmanisht, se të partë duhej t’a mirr vesh ish Stambollië që s’jemi më tok e i kishëm lënë shëndenë, si n’a i kish punuar më kohë të Lidhjes, me Abdyl Benë (Frashëri) që n’a shiti atë çast a na dha badjava më Shën Stefan. Edhe mua më erth’ radha e firmova nën Zini Aganë, të bir e Abas Nurit, që kish hapur sefte shoqërinë për gjuhë shqipe, ishën miqtë tanë nga Kanina e që e shkroi dhe e firmosi, as tri mësonjës s’e bëjnë, dot të rrij gjith’ dita e gjith’ nata. Si do që e shtroi të madhe e që s’kish harruar t’a bëjë emër e t’ë tet, me dy bëra (bb), si shkruhet nga e ka vëndë ai ëmër, arabisht, kisha meraknë me kaq firma të mëdha, nuk do dil karta. Pa Murat Beu, i hollë e që e ndjeu sahatnë si nè, a mos më, për të mbajtur vehten, e shtrëngoi aqë fort, sa u hap boja në kartë dhe e ngjjyeu penën përsëri. Habitesha herë herë, si të gjithë këta njersëz, që në më të shumën i njihja, që kur s’mbahej mënt e kishëm kuvënduar, pa dhe lëftuar kaq herë, n’a pru sahati tok përsëri. Ismail Benë po e po, por dhe zotin Luigj Gurakuqnë, e kishëm njohur e pritur më sarajet tona e të tim vëllai Bektashit më Cakran, Jorgji Karbunarën, që e thoshën Babë Duda në Berat, e njohja qëkur dhe e kisha marrë, kur hapmë shkollnë, Thanas Floqnë korçarnë e kishëm marrë nga Vlora dhe drejtonej shkollnë tënë,e me të punonim qindin, pa bënte vetë programet e shkolësë, hiq gjuhët e huaja, turqishten e gjuhën frënga që më pikoi, po lamë gjuhën tënë, pa e bëri Korçë fare me Mandolina nga çilimiqtë e gjer te të mëdhenjtë, pa lejen për shkollë se muarrmë nonjëherë, Murat Benë (Toptani), e doemos të vëllanë Amit Benë, që ish ushtarak se Toptanasit të gjithë kështu qenë, e që e njohja qëkur, Xhelal Bej Skraparnë po, do t’a njohja e të lëftoj me të më prapa, Qemal Bej Elbasanë, që cakëtoji Azis Pasha (Vrioni), e që u bënte udhë Ismail Beut (Qemali), me gjithë këta Dhimitrëtë (Dh. Berati, Zografi e Mborja), të kollonisë së Bukureshtit, që vijën nga udhët si pasqyrë, me maqina të dynjasë ,po që atë ditë i muarç nëpër baltërat e kënetës Karavastasë, të pataksur, Mit’hat Benë, të bir e Abdyl Beut të Frashërit ,që më i math atëdhetar nuk munt’ të gjëndet, e ne këtu që n’a pruri sahati jemi çiliminj para atij, e që e kisha parë më kongres të Manastirit më 908, pa dhe ata që ishën ç’kulur nga Gjakova e Kosova, e që më të ujdisur nukë bënej, me mandate e me të tëra, si do që u habinë një çikë, me atë rrëmullën t’onë, mor me priftë katolikë të Durrësit, Vebi Effendi Dibrën, pa sa të tjerë nukë erdhë dot, e që e kishën vëndë aty, e ishën aq atdhetarë të mëdhenj e që kishnë lëftuar për vatanë, qëkur. Edhe sot më dridhet mishtë, që ai sahat n’a foli nè dhe atë çast të treteshe për vatanë, s’të vinte keq për vete më. Ishëm shumë të gëzuarë, sa të rrënqethej mishtë, kur mileti i mbëledhur para shtëpisë së Xhemil Beut dhe gjithë ai kallaballëk i math nëpër oda, shkallë e avlli, si mizë lisi. Pa në ballkon të shtëpisë së Xhemil Beut, varnë një flamur, që se ku e gjeti Ismail Beu, po që ish dhe konaku ku kish lerë dhe përjashta u mbëluadh populli, nga të gjithë kazatë, shihje aty me qylafë, fshaçe, me guna, allafrënga. Të tërë britnin, rroftë, rroftë, për flamurë a për plakun, doemos, se tërvit (disa vjet përpara), kur erth’ më Vlorë, vlonjatë j’a hoqnë kuat e j’a ngrinë karrocën më krahë. Mileti ishën mizëri dhe bëhin muhabet të gëzuarë, kush e kush duhet të ish i parë, në të reat që vinin, se sa telegrame u dërguan. Të gëzuarë ishëm ato ditë, sa s’rrëfehet dot, po unë kesh hallnë se u fjalosa më pas me Mehmet Pashnë (Drralla), për të vajtur me të në Skrapar, se grekërit po bëhin kërdinë e mënxyra, nëpër fshatëra e kishte vajtur me kohë edhe zëvëndësi i tijë, Xhelal Skrapari. Isha futur në këtë lloi (mendim), e desh u përpuaq me Murat Benë dhe Abdi Benë, nga Toptanajt Në mes të atij mejtimi, që e quajtën të përkohëshme, thënë ç’koqur, s’po na njihnin guvernën,si ç’i thosh Ismail Beu, që nga ç’pallja e indipendencës, Murat Beu (Toptani),kishte ngè për qesëndi. Abdi Beu (Toptani),me të ish më ngè e I thashë se më e nderçme do qè, të këmbeheshe me Amit Benë (Toptanin), të vëllanë, se ti Murat, u mbyte me limodhetë (gravatë) dhe desh t’u thye pena në dekllaratë. Ti dhe Amit Beu i bije të hidhni firmën me bajonetë, se mos dini punë tjatër, po nga këto që më the, ikëm se u bëmë për kafe. Amit Benë (Toptanin) e njohë që ç’pejt dhe ushtarak më trim e fjalëlidhur, nukë bënej. Ai i priti në Durrës, Ismail Benë e Luigj Gurakuqnë, se me gjithë ushtërinë që kish e me ato që e shtrëngon mytesarifi, të qè ndonjë tjatër, as nami e as nishani nukë do j’u qè gjëndur atyre, që më Durrës, pa foli me gjithë tá në telegrafanë, me gjithë delegatë, që duhej të nisen për Vlorë se s’bën. Po tani halli i vatanit kërkonej që nga dyfeku, po dhe mejtimi e pena, pa duhej se s’bën dhe dhipllomacia.

 

Kuvendi dhe kanuni në Mallakastër. Të lihen mënjanë grindjet dhe mëritë. Të mbrojmë Janinën me ç’do kusht!

 

Nukë kishja shpresë, se munt të n’a njinin guvernën. Në të hyrë të 913, komiteti “Mbrojtja Kombëtare” në Berat , i dërgon telegram guvernës a qeverisë, që më Skraparë e tutje, grekërit po vrisin, digjin e shkretonin vëndë e fshatëra, ndaj qeverija duhet t’i dil përpara kësaj hataje, e të bjerë këtu Bektash Benë, me ndonjë tjatër, se Xhelal Skrapari ësht’ aty e po lëfton dhe o burra ne me treqint a katërqint shpyrt , e në Skrapar, më krah të Xhelal Skraparit. Nga muaji shkurt, do bënim një kuvënt të math, me parësinë e gjithë Mallakastrën, se vetë guverna a qeveria, po dhe vetë Ismail Beu, kishën vendosur që të bëhin të gjallë si ligjë më vëndë, Kanunë të Xhurisë që si e do zakonë kur zaptuesi kanos vëndë, të liren më një anë, mëritë e të zënurit, për një kullotë e një merá, t’i linim tabiatet (zakonet) e vjetra, që n’a prishën punë dhe këtë radhë, i vura përpara të dy chefs (shefat-frëngj) e mij, Vehbi Effendinë (Dibra) e pleqësisë dhe ministrin tim Mehmet Pashën e tok me Jan Mingën, mbi kuaj për në Cakran. Udhës Mehmet Pasha, më tha shyqyr Hajredin Bej, që do bëjmë një kuvënd të mbarë e të fjalosemë për paqë. E ke gabim Mehmet Pashë – i thashë -nga do që të dridhemi, udha jonë në lutë të nxjerr. Ujdisi festen dhe pelerinën, që i binte në vithe të kalit dhe më pa i mejtuar. Do ujdisëm zakonet me plaknë Vehbi Effendinë, pa po këto thonë që, kur zaptia, kush do qoftë, të ka zënë vatër e vëndë, liren më një anë, mëritë e sherret e tani, fillon puna jonë. Të mbëledhëm aq e kaq njerëz, për të vajtur e lëftuar më Janinë a ku ësht’ halli vatanit, e ku të jetë këjo punë, që mua më duket, se s’mbaron ndonjëherë. Ti më thua, që t’a nis Vehbi Effendiu (Dibra) dhe nè, më këtë kohë të lloisemi (mendohemi), se sa shpyrt do bëjmë për në Janinë -tha me të qeshur Mehmet Pasha. Po të qè kështu, Vehbi Effendiu nukë mbaron, për dy tri ditë fjalnë, -tha Jan Minga prapa nevej, aq shumë ka për të thënë. Thashë se do të prehemi një ditë të shkretën , e shtyti muhabenë e më trazon mua Mehmet Pasha. Me që jam më vëndë tim Mehmet Pashë, vetëm rri aty ti, se fjalos unë për ty, me gjithë që më kanë dëgjuar, kaqë herë. Mehmet Pasha që qesh rrallë, tha duke qeshur, se i bie që kot më muarrtë, vetëm të kini një të qeverisë me vete, për numër. -Në qarr je Pasha, -i thashë ,se do flaç me zëmër, pa u shtrënguar të vihësh në lloi (mendim), të japësh mëndje a urdhëra. Ishëm vërtet në lloi, se ishte bërë në jetë, në qeveri dhe unë ndaj i mora, që të dëgjonin paria e të tjerë, që do mbëlidheshin, se duheshin bërë ca gjëra ndryshe, e jo si gjer më sot. U ulëm dhe më t’iu futur deftereve, me kalem në dorë, këtë t’a thotë Vehbi Effendiu, po dale mor të uruar, – ja bënte ai, -mirë ti zoti Jani, ke kaq vite mësonjës dhe varda shkro në defter. Unë u gëzuaç, që e kishën marrë me të ngulur këmbë dhe si do që e dij dhe s’ma thotë dot njeri dhe sot, se ç’rëndësi ka Mallakastra, bëhesha mal, që e begenisnin këta njerëz të ç’quar dhë e dëftonin kazanë më të besës, sa s’ka. Vehbi Effendiu (Dibra), u foli atyre që u mbëlodhë, nja pesëdhjetë e ca shpyrt ,me Cakran, fshatërat vërdallë dhe nga e gjithë kazaja dhe mbemë në llafnë që ç’do sherr, hasmëri a mëri të lirej se s’bën, më një anë, nja tri vjete, po e po. Pastaj u tha për të mbëledhur, njerëz, për mbrojtjen e Janinës e poshtë më jugë, fshatërave, që i mirr i çkretojnë, i shkrumbojnë grekërit , vrasën e djegën, si në vënt pa zot. Mehmet Pasha i fjalosi burrat, me një çere të vrarë, si më një hall të math dhe aty, po dhe më përpara, ky njeri, që ish kaq i zoti për punët e luftës, j’a që paskej patur dhe shpyrt të math dhe e doj vatanë, mbase më shumë se ne, po të bëjmë hesap, se më vënt të tij, digjej e ç’kretohej ç’do gjë, si këto që po flit, nga sërbtë, në mos më keq.

 

Marrë nga faqja: http://www.gazetametropol.com/hajredin-cakrani-shpallja-e-pavaresise-kuvendi-dhe-mbrojtja-e-janines/

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: