Mbi funksionet e persishtes në administratën dhe kulturën osmane

Dr. Dritan EGRO

 

MBI FUNKSIONET E PERSISHTES NË ADMINISTRATËN DHE KULTURËN OSMANE*

Dr. Dritan Egro

Dr. Dritan Egro

Irani dhe Turqia, edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë dy komponentë kryesorë të botës islame. Prej më se 1000 vjetësh janë fqinjë me njëri-tjetrin dhe, çka është më e rëndësishmja, kanë afro 300 vjet (qysh prej viteve 30 të shek. XVIII) që nuk kanë luftuar kundër njëri-tjetrit; për rrjedhojë edhe kufijtë e tyre janë më se historikë dhe nuk kanë ndryshuar qysh prej kësaj kohe.

Ndikimet, marrjet dhe dhëniet mes Iranit dhe Turqisë osmane janë sa historike aq dhe të ndërsjella, ndërkohë që përdorimi i gjuhës perse në Perandorinë Osmane, siç do të përpiqemi ta shtjellojmë edhe më poshtë, është i lidhur me dimensionin kulturor dhe me atë administrativ. Përdorimi i gjerë i persishtes dhe i arabishtes përbënin një element të fuqishëm për konsiderimin e Perandorisë Osmane një shtet oriental/islamik. Me fjalë të tjera, Shteti Osman ishte turk në thelb, pasi dinastia drejtuese ishte me origjinë turke dhe gjuha zyrtare ishte turqishtja osmane, por shkalla e lartë e përdorimit të dy gjuhëve të mëdha të fesë dhe të kulturës islame i dhanë asaj një karakter të fortë oriental.

Në këtë shkrim do të ndalem vetëm në dy aspekte kryesore: së pari, në faktin se si Shahnameja shërbeu si model për historishkrimin e shekujve të parë të historisë osmane dhe së dyti, se si persishtja së bashku me arabishten ishin pjesë përbërëse e formimit teknik dhe kulturor-letrar të nëpunësve të lartë të Shtetit Osman.

Pushtimi osman i Konstantinopojës në vitin 1453 shënoi hapin vendimtar në shndërrimin e Shtetit Osman në një formacion politik me interesa botërore. E padyshim një shteti që rritej dhe zgjerohej vazhdimisht do t’i duhej që edhe ta legjitimonte veten e tij me vepra të shkruara ku të himnizohej historia e dinastisë osmane. Gjatë viteve të sundimit të sulltan Mehmetit II në viset osmane lulëzoi ai zhanër i letërsisë i cili njihet me emrin Shahname. Në këtë kontekst historiko-letrar, aty nga viti 1456, një poet pers i quajtur Kashifi shkroi një vepër që e titulloi Gazavatname-i Rum (Lufta dhe heroizmi në viset ish-bizantine), një vepër persisht në vargje sipas modelit të Shahname-së, e cila glorifikonte sukseset ushtarake të sulltan Mehmetit II.[1]

Po gjatë viteve të sundimit të këtij sulltani, Stambolli u invadua nga një numër i konsiderueshëm poetësh persë, të cilët kryeqytetin e ri osman e shihnin si vendin më të përshtatshëm për të nxjerrë në pah dhuntitë e tyre letrare. Konkurrenca u shfaq jo vetëm mes poetëve persë dhe poetëve osmanë, por edhe mes vetë poetëve persianë me ambicien se cili prej tyre do të tërhiqte më shumë vëmendjen dhe interesimin e sulltan Mehmetit II. Kashifi, Hamidi, Muali dhe Shehdi janë vetëm disa prej tyre.

Falë kontributit të tyre sot mund të thuhet pa ndrojtje që modeli i Shahname-së si një formë e hershme e historiografisë osmane të oborrit u instalua aty nga mesi i shek. XV.[2]

Por persishtja dhe stili i Shahname-së janë të pranishme edhe në dokumente të tjera të rëndësishme osmane, siç janë fetihname. Dokumentet që i lajmëronin botës islame rënien e Selanikut në vitin 1430 dhe atë të Krujës në vitin 1478 u përpiluan po në gjuhën perse.[3]

Të njëjtin interesim, pra që mbretërimi i dinastisë osmane të vihej mbi baza të forta historike, e vazhdoi sulltan Bajaziti II. Madje, ai shkoi edhe më tej, kur urdhëroi dy prej burokratëve dhe dijetarëve më të mëdhenj të kohës, respektivisht Idrisi Bitlisi dhe Kemal Pashazade, që të shkruanin nga një histori të dinastisë osmane, respektivisht në persisht dhe në turqishten osmane.

Idrisi Bitlisi shkroi atë vepër e cila sot është e mirënjohur në qarqet osmanistike me emrin Hesht Bihist. Kjo vepër përfaqëson modelin më të sofistikuar të historishkrimit pers. Këtë e dëshmon edhe vetë autori kur shkruan se në atë kohë, pra në gjysmën e dytë të shek. XV, kishte disa vepra të shkruara turqisht për dinastinë osmane, por atyre u mungonte eleganca në stilin e të shkruarit.[4]

Si për të plotësuar këtë mangësi të literaturës historiko-letrare, që shkruhej sipas modelit pers, në shek. XVI në strukturat e Shtetit Osman u krijua një zyrë e veçantë: zyra e şahnamexhiut. Ky pozicion në strukturat e Shtetit Osman u krijua nga sulltan Sulejmani i Madh në mes të viteve 1550. Detyra e tij ishte të kompozonte vepra legjendaro-historike në stilin e Shahname-së. Progresi i vërejtur në kompozimin letrar të këtij zhanri, sidomos nga poeti osman Arif, bëri që Sulejmani i Madh të ndërmerrte hapin konkret për institucionalizimin e zyrës së shahnamexhiut dhe ta emëronte atë në këtë pozicion.[5]

Vetëm se duke iu drejtuar fundit të shek. XVI, ndonëse kjo zyrë mbante të njëjtin emër, gradualisht vendin e persishtes filloi ta zërë turqishtja osmane, pasi vendin e përshkrimeve të fitoreve triumfatore osmane, tashmë e zunë përshkrimet e personaliteteve historike të kohës, zakonet dhe traditat. Një fenomen i tillë u shoqërua edhe me zëvendësimin e vargëzimit me shkrimin në prozë. Megjithatë, këtu duhet theksuar se merita e traditës letrare perse në poezisë epike ishte fondamentale edhe për letërsinë turke të këtij zhanri (Hüsrev ve Şirin), pasi turqishtja e shek. XV nuk gëzonte elegancën dhe shkallën e sofistikimit që kërkonte gjuha letrare e një shteti që po korrte fitore “epike”. Madje edhe huazimi i lidhjes gramatikore gjinore nga persishtja në turqishten osmane është një tregues i qartë i realitetit që shprehëm më sipër.

Si në Lindje ashtu edhe në Perëndim kur bëhet fjalë për formacione shtetërore jetëgjata, menjëherë mendja të shkon te roli dhe pesha që kanë mbajtur burokratët dhe dijetarët në zgjatjen e jetës së tyre. Në Perandorinë Osmane një figurë e rëndësishme ishte katibi. Ai përgatitej si i tillë pasi kalonte në një proces të gjatë që fillonte, së pari, me studimin e Kuranit dhe të haditheve të Profetit Muhamet dhe, së dyti, me mësimin e gjuhës arabe dhe perse, dhe mundësisht me përdorimin e tyre për qëllime ligjërimi. Këto dije plotësoheshin me njohuri nga historia islame dhe letërsia perse e arabe.

Katibët kishin edhe gjasat më të mëdha, që për shkak të shkallës së lakmueshme të dijes që zotëronin, të ishin edhe burokratët-teknicienë të cilët mbanin korrespondencën zyrtare të Shtetit Osman. Këta zyrtarë, që njiheshin me emrin mynshi (münşi), ishin përpiluesit e të gjitha tipeve të dokumenteve zyrtare, njohës të përkryer të elementeve përbërëse diplomatike të tyre, ku veçanërisht duhej të njihnin formulat standarde që përdoreshin për titujt. Për të arritur në këto nivele mynshitë osmanë shfrytëzuan materialet metodike në arabisht, persisht, në gjuhën urdu, si dhe modelet selçuke të kësaj fushe.

Në mes katipit dhe mynshiut ekzistonte një lidhje e fortë, e cila bazën e kishte te dija islame dhe praktikat burokratike në administrimin e shtetit. Këtu nuk duhet të kalojmë pa vënë në dukje kontributin fondamental të Perandorisë Sasanide, e cila në momentin kur ra në duart e ushtrisë myslimane arabe konsiderohej si vendi i katibëve/mynshi dhe i kaligrafëve.[6] Këtë avantazh Irani i kësaj kohe e gëzonte për faktin se kjo Perandori përbënte një model të avancuar për kohën në nivel shtetformues e burokratik.

Tashmë është një fakt i njohur historik që kryeministri selçuk Fahreddin Ali përdorte persishten në vend të arabishtes si gjuhë të shkrimit të dokumentacionit zyrtar të shtetit. Pra, burokratët ishin mjeshtrit e artit të kompozimit të dokumentacionit shtetëror osman. Ka shumë gjasë që praktika e kompozimit të dokumenteve dhe hartimi i formulave diplomatike perse nëpërmjet selçukëve të kenë kaluar edhe tek osmanët.

Nga ky kontingjent nëpunësish të lartë teknicienë dhe të mirarsimuar dolën edhe figura të njohura të administratës së lartë osmane, si nishanxhi(nişancı) dhe reisylkyttap (reisülküttab), të cilët shpalosën aftësitë e tyre jo vetëm në kompozimin e dokumenteve zyrtare, por edhe në shkrimin e divaneve dhe në lëvrimin e zhanreve të ndryshme të letërsisë orientale të kohës.

Prej kontingjentit të katibëve/mynshi dolën edhe ata që njiheshin me emrin tahrir katibi, (regjistrues kadastral), të cilët kishin për detyrë që në çdo qendër të banuar të një sanxhaku të kryenin regjistrimin e kryefamiljarëve dhe të pronave. Praktika kadastrale osmane i detyrohet shumë praktikave perse dhe një fakt i tillë dëshmohet lehtë edhe nga terminologjia e përdorur nga osmanët gjatë këtij procesi, për shembull termat hane (shtëpi), bive (e ve), mürde (i vdekur).

Është shumë interesant fakti që qysh te defterët më të hershëm osmanë, që kanë mundur të mbërrijnë deri në ditët tona, në ata të gjysmës II të shek. XV, hasim fjali-kompozita në persisht të cilat në trajtën e tyre klishe janë shoqëruar me kompozita turqisht.[7] Madje, në shek. XVI gjuha e defterëve kadastralë osmanë, merr trajta të mirëfillta të një gjuhe finance me kodin e saj të shprehjes. Këtu fjala është për një gjuhë mikse mes persishtes dhe turqishtes osmane, por që sot është lehtësisht e kuptueshme për specialistët osmanistë, pasi mbizotërojnë klishetë dhe falë këtij realiteti sot nga studiuesit e fushës kjo gjuhë njihet me emrin specifik gjuha osmane e financës.

Në përfundim do të thoshim se gjatë periudhës osmane marrjet dhe dhëniet mes Perandorisë Osmane dhe Iranit kanë qenë intensive, porse stili i poezisë epike perse u konsiderua nga osmanët një model i cili i shkonte mjaft mirë ambicieve të tyre botërore.


* Ky shkrim është botuar në revistën kulturore-shkencore “PERLA”, Viti IX, 2009, Nr. 1.
[1] H. Inalcik, “The Rise of Ottoman Historiography”, From Empire to Republic (Essays on Ottoman and Turkish Social History), The Isis Press, 1995, f. 11.
[2] Ibid.
[3] Lufta shqiptaro-turke në shekullin XV – burime osmane, përgatitur nga Selami Pulaha, Universiteti Shtetëror i Tiranës – Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë, Tiranë 1968.
[4] H. Inalcik, “The Rise of Ottoman Historiography”, f. 14.
[5] Ch. Woodhead, “From Scribe to Litterateur: the Career of a 16th century Ottoman Katib”, Bulletin (British Society for Middle Eastern Studies), vol. 9, no. 1 (1982), p. 64.
[6] Ibid., p. 67.
[7] Suret-i Defter-i Vilayet-i Gorice ve Premedi ve Konice, Arkivi i Kryeministrisë – Stamboll, (“Maliyye’den Müdevver” collection), nr. 231; H. Inalcik, Hicri 835 tarihli Suret-i Defter-i Sancak-i Arvanid, TTK, Ankara 1954.
Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: