Vështrim në letërsinë turke qysh në fillimet e saj

Kopi KYÇYKU

 

VËSHTRIM NË LETËRSINË TURKE QYSH NË FILLIMET E SAJ

Kopi Kyçyku

Kopi Kyçyku

Shumëkush çapat e para të letërsisë turke i kërkon në periudhën e sundimit osman. Në të vërtetë agimet e saj zbardhin qysh në shekullin VIII të erës sonë.

Gjatë historisë së tyre mijëravjeçare turqit sunduan vende me qytetërim të lashtë, si Persia, Egjipti, Mesopotamia, Anadolli, Evropa Lindore etj dhe qytete të famshëm, si Buharaja, Ispahani, Delhi, Samarkanda, Tabrizi, Bagdadi, Jerusalemi, Moska, Konstandinopoja, Athina, Damasku, Budapesti etj.

Në kulturën shpirtërore të popullit turk dallohen tri periudha: paraislamike, islamike dhe moderne. Sidomos në periudhën e parë, për shkak të kontakteve të gjera me qytetërime të ndryshëm, letërsia turke gati-gati njësohet me përkthimin e veprave të krijuesve më në zë indianë, kinezë e persë.

Studiuesi i njohur turk, Fuat Këpryly, ka mundur të nxjerrë në pah raportin midis traditës, qoftë kombëtare apo e huaj dhe krijimtarisë individuale artistike dhe estetike. Burimet e shkruara flasin për legjenda etnike të turqve të lashtë, që të bëjnë të mendosh për vetëqënien e një letërsie, e cila ka pasqyruar trashëgiminë e miteve e të jetës endacake, me luftrat, gostitë, gjahun, ritet etj.

Letërsia turke islamike u shtri në një hapësirë të gjerë: nga Turkestani Lindor në Azinë e Vogël, në Evropën Lindore, në Ballkan e në Indi. Ajo mori fill me letërsinë didaktike e fetare, mjaft e thjeshtë e popullore.

Më pas, aty nga fundi i viteve ‘300, pason një finesë kulturore, gjithnjë sipas modelit persian; lulëzon poezia e artit oborrtar, ajo erotike e mistike, për të shënuar kulmet e veta qysh në vitet ‘400-‘500. Është koha kur vrrullon historiografia, e cila merret me himnizimin e arritjeve turke në lëmin ushtarak. Kjo njihet nën emrin periudha klasike. Letërsia vazhdon të ndikohet përherë e më dukshëm nga simotra persiane, e cila, njëherazi me pjekurinë në rrafsh stilistik-artistik, vazhdoi të mbetet pre e abstraktes.

Shekujt pasardhës, krahas zbehjes së trajtave klasike, sollën frymëzime më pranë temave të kapshme të jetës.

Arabishtja, gjuha e kuranit dhe e kulturës mbarëislamike, u përdor nga turqit në shkrimet teo;ogjike, filozofike, filologjike, juridike dhe shkencore. Letërsia neopersiane, që pat nisur të lëvrohej gjatë shekujve IX-X, për t’u ngjitur në maja në shekullin XI me Firdusin, vazhdoi ta ushqejë krijimtarinë letrare turke, sidomos përmes veprave të Omar Khajamit dhe Attarit (shekulli XII), Xhelahudinit dhe Saadiut (shekulli XIII), Hafizit (shekulli XIV) e Xhamiut (shekulli XV). Nga ana e vet, letërsia persiane i detyrohet jo pak asaj arabe. Prozodia arabo-persiane mbështetej në sasinë e zanoreve dhe kishte njësi matëse distikun, që përbëhej nga dy vargje, të cilët rimonin njëri me tjetrin. Turqit morën skemat tipike të kompozimit arabo-persian, ndër të cilat më të përmendura ishin gazeli, që zakonisht ndërtohet nga pesë deri dhjetë distikë; kasidi, një lloj ode, si rregull më e gjatë se gazeli dhe rubaitë apo katrenet. Kasidët, gazelët dhe krijime të tjera më të vogla, përmblidhen në të ashtuquajturit divane. Në përgjithësi, në fillim zinin vend kasidët, pastaj gazelët, që përbënin trungun e vëllimit e radhiteshin sipas gërmës fundore të rimës me renditje alfabetike, pra gjini strofike, katrene, fragmente, vargje të shkëputur.

Lirika e divaneve turke ishte kryesisht fetare, kasidët kishin karakter lavdërues, ndërsa në gazelët binte në sy përmbajtja erotiko-mistike. Disa divane përmbanin edhe disa poezi përqeshëse e satirike.

Proza nuk u përpunua në një shkallë me poezinë. Pjesën dërrmuese e rrokte historiografia. Këtu duhen shtuar shkrimet hagjiografike, anekdotike, novelistike, didaskalike, sidhe epistolarët, dokumentet zyrtare, shënimet e udhëtimit etj.

Persët dhe turqit idetë estetike i huazuan prej arabëve, të cilët i përmbaheshin formalizmit në art. Kjo i çoi në zhvillimin e teorisë së zbukurimit e në përputhjen e shkrirjen e poetikës me retorikën. Kësisoj u përftua “gjuha e lulëzuar”, qënkuptonte me “lule” zbukurimet artificiale të stilit të hijshëm. Kjo gjuhë abstrakte mishërohej, në pajtim me konceptin gjuhësor formal të shprehjes, në manualet e retorikës, të shkencës së ligjërimit. E ndarë në tri pjesë, e para shtjellonte përdorimin e gjuhës në kuptimin e mirëfilltë, ndërsa e dyta dhe e treta i përkushtoheshin “gjuhës së lulëzuar”, njëra gjuhës metaforike (përfshi sinekdokën e metoniminë), tjetra figurave të ndryshme retorike, të klasifikuara nga arabët, njëherazi me dyndjen e retorikës greke.

Turqit otomanë e çuan në ekstrem “sermo poeticus”, duke e vënë theksin në sajimet intelektualiste.

Njohja e “luleve” stilistike në veprat artistike është e domosdoshme për të përvehtësuar strukturën e letërsisë turke.

Në lidhje të ngushtë me mekanizmin e gjuhës së lulëzuar, është një anë tjetër e artit turk, në poezi e në prozë, pra prirja drejt tingëllimës. Metaforat, epitetet, figurat retorike, loja e fjalëve, shpesh të gërshetuara, përdoreshin tej mase. Në përsëritjen automatike fjalët e figurshme zbrazeshin nga çdo domethënie, për të jetuar vetëm nën veshjen e tyre “muzikore”.

Në shekullin XIV merr fill një lulëzim i vërtetë shkrimesh natyrash të ndryshme, të gjitha në gjuhën amtare. Rëndësi të posaçme, si qendra të kulturës e të letrave turke, morën qytetet Bursë dhe Edirne (Adrianopoja). Përkthimet nga persishtja dhe nga arabishtja vazhduan të kishin përparësi. Përmendim, ndër të tjera, “Librin e Kalilës e të Dimnës”, “Një mijë e një netët”, Historinë e Sinbad filozofit, e cila në redaktimin turk ka titullin “Historia e dyzet vezirëve”, “Marzuban-name”, sidhe vepra të plota të Attarit, Xhelahudinit, Rumiut e Saadiut. Përkthimet, me të cilat u morën edhe poetë të shquar, synonin njohjen e përvehtësimin e formave artistike më të larta.

Me marrjen e Konstandinopojës (1453), shteti osman shtiu në dorë prestigjin e historisë mijravjeçare të Bizantit të lashtë. Biografi grek Kritobuli, që shkruan sipas stilit të Tuqididit, ngre lart pasionin e turqve për njohjen e thellë të së kaluarës (ta panta palaion evidenai kalos). Megjithatë, qytetërimi i turqve osmanë mbeti islamik. Këta, nga lidhjet me Perëndimin mësuan shumë në kulturën materiale, në artin ushtarak e detar, në gjeografi, por ruajtën të paprekur fizionominë shpirtërore. Kryeqytet i një shteti të tejqendërzuar, Konstandinopoja u bë zemra e perandorisë otomane. Aty zunë vend vatrat e dijes e të letrave, institucionet kryesore akademike. Mjaft të themi se të katër sulltanët e asaj periudhe ishin poetë. Princa, vezirë të mëdhenj e funksionarë të lartë, ndoqën shembullin e tyre.

Klasicizmi otoman e shfaqi veten kryesisht në lirikën erotiko-mistike dhe në historiografi. Për këto janë shkruar dy vepra themelore: “History of Ottoman Poetry” (1904-1912) e Gibb-it dhe “ Geschichtsschreiber der Osmanen und ihre Werke” (1937) e Babinger-it, në bazë të të cilave mund të përvijohet një panoramë gjithëpërfshirëse e veprimtarisë historiko-letrare. Këtu nuk janë mënjanë as shkrimet didaskalike, moralizuese, hokatare, apo letërsia rrëfimtare, të përkthyera nga arabishtja ose persishtja. Për lirizmin e për prozën e përpunuar e të rimuar, u shqua me “Tazarru’at” Sinan Pashat (vdiq më 1486).

Me interes për marrëdhëniet me kulturën perëndimore është një përmbledhje me fabula të Ezopit dhe të disa autorëve italianë- Abstemius, Rinuccio d’Arezzo, Poggio Bracciolini, përkthyer nga Dekurdemanshi qysh më 1758 dhe botuar më 1892.

Lirika, në pjesën dërrmuese e pabotuar, njohu përfaqësues të shquar në penat e Ahmed Pashait, Nexhatit, Zatit, Qajalit e Bakiut. Në atë periudhë ishte në modë largimi nga gjuha letrare e ngritur dhe afrimi me gjuhën e folur; mënjanimi i ndërtimeve dhe i fjalëve të zgjedhura arabe e persiane dhe përdorimi i leksikut popullor.

Këprulu, në një monografi të posaçme, e quan këtë dukuri si shënjë domethënëse drejt kultivimit të kombëtares në fushë të gjuhës.

Tipar tjetër dallues ishte vënia në punë, nga disa autorë, në kazidët e në gazelët, e termave detare italiane e greke. Më fort, – por pa mundur të shënojë nivele artistike e shprehëse të lakmueshme, – kjo dukuri pasqyrohet në himnet luftarake, krijime të poetëve të mirëfilltë më shpesh, por edhe të autorëve popullorë.

Një faqe e re e kulturës otomane dhe e letërsisë në veçanti, u hap në fillimet e viteve ‘700. Poezia ruajti karakterin persianegjant dhe intonacionet erotiko-mistike. Vazhdoi të thellohej prirja për t’u marrë me jetën e përditshme: krijime autobiografike, përshkrime mjedisesh me nota humoristike, parapëlqim për shprehjet idiomatike turke e për vepra me thekse të spikatur popullorë. Kur në shekullin XIX shkolla e vjetër poetike “u mpi” dhe u mënjanua nga shpërthimi i formave evropiane, poezia otomane pat fituar një farë konkretësie në krahasim me akademizmin abstrakt të periudhës klasike dhe një fizionomi të theksuar lokale. Megjithatë nuk mund të thuhet se ajo ishte pjekur për një përtëritje “ab intus”. Për nga niveli artistik i ulët dhe tematika e rëndomtë e vulgare, nuk ia vlen të ndalemi në poezinë fetare “gjysmëintelektuale” e në atë dashurore të të ashtuquajturve “saz şairleri” (poetë të sazeve), që i interpretonin vargjete tyre të muzikuar në mjedise pijetoresh.

Në formën artistike më të lartë, romanin alegorik e hasim në pentologjinë e Nergisit (vdiq më 1635), shkruar sipas shëmbullit të stilit barok evropian.

Për qëllime thjesht argëtuese, përmbledhjet e gjera novelistike e anekdotike arabe e persiane sjellin gjithnjë lëndë të pashtershme. Veçanërisht interesante, në fund të shekullit XVIII, janë novelat e Aziz Efendiut, të përmbledhura nën titullin “ Mukhayyalat-i ledun-y ilahi” (fantazi të afrimit yjnor). Ndër veprat me kujtime, vlen të përmendet “Seyahatname” (Libri i udhëtimeve) i kronikanit Evlija Çelebi, që përshkruan, ndër të tjera, edhe bëmat e shqiptarëve në luftrat antiosmane.

Në periudhëne reformave të Tanzimatit (1939-1876), ndikimi i ideve të revolucionit francez u ndje më fort në mendimin politik e në përgjithësi në kulturë, por edhe në fushën e letërsisë. Fillimisht u shtua vëllimi i përkthimeve. Munif Pashai, më 1859, botoi me gërma të alfabetit armen, dialogje të nxjerra nga veprat e Fontënelit, të Fenelonit e të Volterit. Më 1862 pa dritën i pari libër i përkthyer i plotë, “Aventurat e Telemakut” i autorit Fenelon. Nga viti 1862 filloi përkthimi pjesë-pjesë i “Të mjerëve” i Viktor Hygoit. Dy vjet më vonë u përkthye nga arabishtja “Robinson Kruzoi”. Në vitet ’70 të shekullit të kaluar botimet u shtuan me shpejtësi. Ndër të tjera, panë dritën “Mikromegas” i Volterit, “Poli dhe Virgjinia” i Bernardin de Sën Pjerr, “Atala” i Shatobrianit, “Graciela” i Lamartinit, “Konti i Montekristos” dhe “Paulina” të A. Dyma (atit), “Burgjete mia” i Pelikos. Duhen përmendur veçmas përshtatjet e komedive të Molierit nga Ahmet Vevfik Pashai (1823-1891). Sa për poezinë, afro dhjetë vjet pas studimeve për këtë gjini nga Shinasiu (1826-1871), që u botuan më 1859, lexuesi turk mori në dorë lirikat e Viktor Hygoit dhe “Liqenin” e Lamartinit. Përkthyesit, përkatësisht Ethem Pertef Pashai dhe Sadullah Pashai, përdorën një sistem rimash të tipit evropian, të ndryshëm nga rimat e puthura të distikut arab-persian.

Me vitin 1870 vijmë në prag të një periudhe letrare turke të mirëfilltë: përkthimet vazhdojnë të shtohen, por dalin në plan të dytë. Në shkrimet origjinale, pionierë të një shkolle të re letrare bëhen Shinasiu dhe Zija Pashai (1825-1880). Ibrahim Shinasiu njihet si themeluesi i gazetave të para letrare turke, në të cilat shkruante artikuj në përkrahje të përparimit e të qytetërimit. Ai është i pari përkthyes i poetëve francezë. Në një përmbledhje të litografuar, ai përfshiu (më 1859) njëqind vjersha të Rasinit, Lamartinit, Zhilberit e La Fontenit. Njëkohësisht, ai njihet si sjellësi i parë i elementeve novatore përmes krijimeve të shumta origjinale.

Në poezitë e tij, por ca më shumë në prozën e llojeve të ndryshme, Zija Pashai ve në shënjën e kritikës stilin e vjetër të lulëzuar, sidhe stilin e rëndë e burokratik të kohës së vet. Shumë pasazhe të veprave të tij mbajnë vulën e proverbave e të maksimave të gurrës popullore. Ironia e sarkazma e hollë e therrëse ndaj padrejtësive, përbëjnë tipare dallues e domethënës të prozës së shkurtër të Zija Pashait, ku, përfshihen, në radhë të parë, dy pamflete politike, ku vërsulet me art kundër padrejtësive e prapambetjes. Ai përktheu me mjeshtëri e në një gjuhë të pasur e të kuptueshme veprat e Zhan Zhak Rusoit.

Romantizmi turk, si rrymë letrare moderne, zuri fill një dhjetëvjetsh më vonë se në Evropë. Në koniukturën politike të atëkohshme, ndikim ushtruan anët shoqërore të letërsisë romantike, e cila, veçanërisht përmes veprës së V. Hygoit (vdiq më 1885), gëzonte popullaritet dhe emër të mirë në rrethet e intelektualëve turq.

Romantizmi turk, sentimental e atdhetar, ndoqi, padyshim, parimet e romantizmit frëng. Vetëkuptohet se polemika kundër klasicizmit u mishërua në revoltën ndaj letërsisë tradicionale orientale. Qysh më 1866, Namik Qemali, “poeti i atdheut”, vendos piketat e para në këtë udhë të re. Ai e fajësonte klasicizmin për tepri zbukurimesh formale, për mungesë natyrshmërie. Në të vërtetë, në praktikën letrare as vetë Namik Qemali nuk u largua nga klasicizmi.

Romantikët turq ngrinin lart idealet e lirisë e të atdheut. Përveç qëndrimeve të drejta, herë-herë “në sordinë”, ndjehej një farë krenarie e tepruar për “kombin sundues”.

Ideja romantike e poezisë që buronte nga folklori, nxiste vlerësimin pozitiv të poezisë popullore. Zija Pashai ishte për një poezi “të natyrshme” dhe “kombëtare”, kundër asaj artificiale, imituese të krijimeve persiane.

Vëmendja u përqëndrua sidomos në metrin “rrokësor” të poezisë popullore, krejt i ndryshëm nga ai sasior arabo-persian (‘aruz) dhe ra në sy se ai, jo vetëm që ishte më i përshtatshmi për turqishten, por edhe i afrohej më shumë vargëzimit francez. U bënë sprova, por të dështuara, poetike edhe me “’aruz”.

Gjatë një procesi gjysmëshekullor, gjuha osmane ishte shndrruar në një përzjerje trigjuhëshe me trung krejt të ndryshëm: turqishtja, nga familja e gjuhëve ugrofine dhe uraloalltaike; persishtja indoevropiane dhe arabishtja semite. Quhej diçka i pranueshëm huazimi i drejtpërdrejtë nga leksikët e këtyre dy gjuhëve të fundit. Elementët morfologjike e sintaksore, jo vetëm ato leksikore, në disa krijime letrare arritën deri në nëntëdhjetë për qind të fondit të fjalëve të vëna në përdorim. Nevojat shprehëse të botës moderne i patën ndërlikuar punët. Për neologjizmat u kalua në huazime të reja nga persishtja; në përtëritje dhe ndryshime të kuptimeve të para; në kthimin e fytyrës nga fjalë të tjera të huaja, sidomos italiane e frënge: të parat, me kalimin e kohës, u zëvendësuan nga të dytat. Për shembull: raporo u bë rapor, vulcano- vulcan, politico-politique (më pas kjo e fundit u bë siyaset nga arabishtja, ndërsa fjala italiane mbajti kuptimin pejorativ intrigë) etj.

Qysh në shekujt e mëparshëm pati reagime ndaj teprisë së persizmave dhe prirje drejt një gjuhe të thjeshtë e të natyrshme. Ibrahim Shinasiu vjershëronte në një “turqishte të thjeshtë” dhe “sipas gjuhës së popullit”. Doradorës u kalua shpesh e më shpesh në rivlerësimin e trashëgimisë gjuhësore të mirëfilltë turke.

Romantikët turq, në radhë të parë lëvruan gjinitë e reja letrare të novelës, romanit e dramës. Dy të parat u futën prej tyre duke zëvendësuar rrëfimin e hershëm dhe përkthimet nga frëngjishtja. Ndërkaq, dramat romantike u paraprinë e më pas e “ndanë parcelën” me komeditë, që ndoqën udhën e çelur prej Shinasiut. Përsa i përket lirikës romantike, ajo e ndjeu veten ngushtë për shkak se format tradicionale të vargëzimit, me autoritetin e madh që gëzonin, i bëheshin në çdo hap fre e pengesë.

Romanticizmi turk jetoi rreth njëzet vjet duke e shfaqur veten në një prodhimtari të gjerë. Përfaqësuesit e tij më të shquar ishin Namik Qemali (1840-1888) dhe Abdulhaki Hamid Tarkhan (1851-1937): i mbyllur brenda caqeve të shkollës romantike i pari, i shtyrë nga probleme vetjake i dyti. Të tjerë, që meritojnë të përmenden, ishin Ebuzija Tevfiku (1849-1913), autor përkthimesh e dramash origjinale dhe sidomos i një antologjie (1882), – një të tretën e së cilës e zinin krijimet e Namik Qemalit, – e cila u kthye në një manual formimi letrar dhe për afirmimin e romanticizmit në radhët e poetëve turq; Shemsedin Samiu ynë (Sami Frashëri) (1850-1904), merita e të cilit qëndron, jo vetëm në veprimtarinë e gjerë letrare (drama e romane, përkthime të sakta e të përkryera, ndër të cilat “Të mjerët” më 1880), por edhe në hartimin me kritere shkencore moderne të dy fjalorëve (Kamus-u turki e Kamus-u fransevi), të cilët janë në përdorim edhe sot e kësaj dite.

Figurë tërheqëse për dëshirën e zjarrtë të edukimit të lexuesve, ishte edhe poeti Ahmed Midhad (1844-1913), autor tepër prodhimtar në gjini nga më të ndryshmet. Ai ka qënë i pari që shkroi (rreth vitit 1870) novela të nivelit evropian – ndodhi patetike e plot të papritura. U pagëzua “baba” i romanit turk ngaqë dha ndihmesë në afirmimin e kësaj gjinie nëpërmjet veprash të shumta, që patën jehonë edhe përtej kufive të Turqisë etnike. Nga romanet me aventura, Ahmed Mithati kaloi drejt një realizmi të lidhur me skemën e romanit social moralist, për t’u ndalur në pragun e natyralizmit të tipit zolian.

Shkolla e re pati edhe kundërshtarë. Një prej tyre ishte Omer Naxhiu (1850-1893). Sidoqoftë ai nuk mbeti larg letërsisë evropiane: përktheu nga frëngjishtja dhe shkroi poezi me frymë moderne. Veçanërisht në kujtimet e fëmijërisë e në shënimet e udhëtimit, si në prozë, ashtu edhe në poezi, përdori një stil të thjeshtë e të qartë, të përshkuar tejendanë nga një emocion i vetvetishëm.

Letërsia moderne turke ze fill në një kohë me veprën e Namik Qemalit, i pari që lëvroi me sukses gjinitë e huazuara nga Evropa: dramën e romanin. Më 1873 u vu në skenë e para nga të gjashtë dramat e tij, “Vatan yakhud Silistre” (Atdheu apo Silistra), që ndërtohet mbi një akt të lartë trimërie e ndershmërie të një oficeri me prejardhje shqiptare, Islamit, gjatë rrethimit të Silistrës (1854).

Gjatë kohës që jetoi në Famagustë të Qipros, Namik Qemali shkroi një dramë me nota sentimentale, që menjëherë shkaktoi emocione dhe u imitua. “Zavali çocuk” (Vogëlushja e brengosur), – ky është titulli i saj, – merret me jetën e një vajze, e cila vdes nga ankthi që pranoi të martohej me mjë pasha, vetëm e vetëm që t’i nxirrte të afërmit e saj nga varfëria.

Po aq patetik, por me analizë psikologjike më të hollë, është romani i parë i Namik Qemalit “Intibah” (Zgjimi), me stil proliks në përshkrime dhe me tepri metaforash: një çiftim i stilit të fryrë otoman antik me atë të prozës madhore të Viktor Hygoit.

Poezia e Namik Qemalit, në një periudhë të parë i bën jehonë poezisë së epigonëve të shkollës së lashtë, pastaj lirikës atdhetare. Ajo përshkohet nga krenaria për qëllimet e larta, dashurinë për lirinë, atdheun e kombin.

Namik Qemali u mor edhe me prozën politike polemizuese. Veprat e tij, për nga përmbajtja dhe niveli artistik, dhanë ndihmesë vendimtare në ngadhnjimin e së resë mbi të vjetrën. Mendimi politiko-shoqëror i Namik Qemalit mbart forcën e zhvillimit shpirtëror turk; shkrimet e tij përbëjnë ushqimin atdhetar për një brez të tërë të shtypur nga despotizmi i sulltan Abdyl Hamitit. Namik Qemali përktheu edhe veprat e Rusoit e të Monteskjësë.

Shkrimtari i dytë i madh romantik turk është Abdylhak Hamid Tarkhan. Veprat e tij të para janë drama patetike, që pasqyrojnë plotësisht klimën e romanticizmit turk. Drama “Liria”, e shkruar më 1887 me njëmbëdhjetërrokësh, është alegori kundër tiranisë, prandaj edhe nuk e pa dot dritën e botimit. Personazhet e saj janë të gjithë terma frënge: Liberté, Despote, Nation. Në dy tragjedi me vendngjarje përkatësisht Afganistanin e Kashmirin e me protagonist Aleksandrin e Madh, Abdylhak Hamidi, duke u frymëzuar nga Kornej, merret me zbërthimin e kontrasteve dashuri-detyrë dhe dashuri-ambicje. Përmbledhja poetike “Bunlar o-dur” (Këta janë ajo), për gjuhën e thjeshtë e të figurshme e për ndjeshmërinë e lartë, me të cilën i këndoi dashurisë së pafat, e bëri të njohur.

Në Londër, Hamidi zbuloi Shekspirin, nga i cili u frymëzua në shkrimin e tragjedisë “Finten”. Në këtë vepër me larmi motivesh e me botë psikologjike komplekse të personazheve, autori ve në lojë zbrazëtinë shpirtërore të qarqeve aristokratike angleze. Hamidi është krijues edhe i disa veprave të tjera me theks të ngritur atdhetar, sidhe me temë nga jeta familjare. Në to spikatin ngrohtësia e shpirtbutësia e autorit. Gjuha e Hamidit, në shumicën e rasteve është “e mbytur” nga fjalë arabe e persiane, shkak ky që, sot në Turqi, në vazhdim të procesit të evolucionit të gjuhës, leximin e veprave të tij e bën praktikisht të pamundur për ata që nuk kanë parapërgatitjen e nevojshme.

Rexhaizade Eqremi (1847-1914) është poeti i parë turk, që u ndal në problemet e estetikës. I ndikuar nga idetë përparimtare të kohës, që po çanin udhë sidomos pas revolucionit borgjez frëng, ai e shquante të bukurën sipas cilësive themelore të shpirtit: ndjenja, fantazia, mendimi. Shprehja e bukur, në të tre rastet përftohet në një gjendje hiri e ngazëllimi në sajë të shijës, që i ndan fjalët e nxitura nga e folmja.

Vepra artistike e arrirë është, sipas Eqremit, ajo që të shtyn të mendosh, ama një e menduar tërheqëse: “si në rastin kur ndahesh nga një lule e freskët dhe e brishtë e pakëputur, ose e këputur e më pas e braktisur”. Sikurse e thotë vetë titulli i një përmbledhjeje të Eqremit, “Tefekkur” (Meditime, 1888), poezi e prozë poetike, kjo e fundit gjini e palëvruar deri atëhere, Eqremi mediton mbi aq sende të vegjël: një lule e fishkur në faqet e një libri, një bareshë, një femër që lexon në shtrat… Këto përbënin liri e risi kërkimesh, të panjohuara deri atëkohë.

Një shkollë e vërtetë dhe e mirëfilltë letrare u ngjiz, fill, nën kujdesin e Eqremit, rreth revistës “Servet-i Funun” (Trashëgimia e shkencave), e konceptuar në mënyrë origjinale me një program shkencor popullarizues. Për gjashtë vjet radhazi aty bashkëpunuan penat më të shquara, derisa më 1901 një artikull “i pakujdesshëm” i dha cenzurës shkak ta pezullonte revistën, që rifilloi të botohej pas pak muajsh, por jo si më parë.

Bashkëpuntorët e “Servet-i Funun” i lidhnin tipare të përbashkëta, në radhë të parë gjasmimi i autorëve francezë, veçanërisht i parnasianëve dhe i simbolistëve në poezi dhe i natyralistëve në prozë. Veç kësaj mbijetoi një sentimentalizëm romantik, i trashëguar prej brezit paraardhës: pesimizëm e melankoli, ca nga fryma evropiane e “fin de siecle” e ca nga atmosfera e trishtme poetike.

Elementi i përbashkët , që bie në sy më fort, është gjuha. Kulti i tepruar i bukurisë formale çoi në mospërfilljen me qëllim të gjuhës së gjallë (përveç ndonjë përjashtimi) dhe në gërmimin e etshëm të leksikut arab e persian, për të gjetur fjalë të afta për të zhvilluar përvojat e reja letrare. U sajua kësisoj një gjuhë artificiale e libreske, që pjesërisht mbeti pa vlerë dhe pjesërisht u përdor për të pasuruar gjuhën letrare moderne. Ky proces vazhdoi gati njëzet vjet duke çuar në një lartësim të vetëdijes artistike. Poetë kryesorë të kësaj shkolle ishin Tevfik Fiqreti (1867-1915) dhe Xhenab Shihabeddini (1870-1934). I pari konsiderohet themeluesi i poezisë moderne turke. Shpirt i ndjeshëm e meditues, me temperament artistik, ai përfitoi mjaft nga përvoja e brezit të poetëve francezë që pasuan brezin e romantikëve. Nxënës i Eqremit e i Naxhiut, pasues i tyre dhe i Hamid Tarkhanit, pas vitit 1894 Tevfik Fiqreti ndoqi modelet e Bodëlerit e të Prudomit. Fatkeqët, lypsit – një fëmijë i rreckosur që dridhet në shi, një pijanec i uritur, një familje peshkatarësh e fshikulluar nga varfëria – janë dhënë me gjuhë të thjeshtë, me teknikën e “poezisë së folur”, ku janë të pranishme mënyrat e komunikimit të përditshëm. Prudomin e ka imituar në disa poezi atdhetare, të shkruara me rastin e luftës turko-greke të vitit 1897. Ndërkaq kishin lindur tek Fiqreti ndjenjat e kundërshtimit ndaj regjimit despotik të sulltanit. Më parë poeti pat shprehur dëshpërim e pesimizëm me thekse të huazuar nga Bodëleri, ndërsa tani, në poezi, me tone të hidhur shpërthen mosdurimi i barrës së tiranisë. Ndjenja të tilla ai i ndante si bukën e përditshme me një rreth shokësh e miqsh, dashamirë të poezisë e të lirisë, të cilët ushqenin ëndrrën për t’i kthyer krahët atmosferës frymëmbytëse otomane e për t’u strehuar në tokat e virgjra të Zelandës së Re, “për të kaluar një jetë të pastër e të lirë, nën hijen e pishave”. E këtyre viteve, – që vazhduan deri në revolucionin e Turqve të Rinj të vitit 1908, – është poezia qytetare e Fiqretit. Vargjet klandestinë të tij, për nga vrrulli shpërthyes, u bënë “bibla” e rinisë, pikërisht ashtu si krijimet e Namik Qemalit shërbyen për brezin pasardhës. Në poezi të tjera Fiqreti e ve theksin në aspiratat njerzore, në emër të të cilave dënon traditën imperialiste otomane dhe vetë fenë islame, që predikonte luftën e shenjtë. Madje ai, në një moment pashprese ngre krye edhe kundër Allahut.

Fiqreti i këndoi me patos revolucionit të 1908-ës, por shumë shpejt pësoi zhgënjim. Satira e tij therrëse do të fshikullonte tanimë pa mëshirë karrieristët xhonturq. Të Fiqretit janë edhe fjalët: “Aq sa me armë, rinia duhet të luftojë për zgjimin e atdheut, me besimin në idealet e reja”. Përmbledhja e fundit poetike e Fiqretit bën thirrje për punë, për të përqafuar artin e vërtetë, për të përçmuar bestytnitë, për të respektuar njerëzit e thjeshtë, për t’u futur në udhën e shkencës e të progresit, për solidaritetin mbarënjerëzor.

Fiqreti e pasuroi poezinë turke me mjete të reja shprehëse. Ai ishte i pari që zgjidhi në mënyrë të kënaqshme çështjen e përshtatjes së vargëzimit turk ndaj gjuhës poetike moderne, edhe pse mbeti brenda caqeve të metrikës sasiore. Ai hoqi dorë nga masat e lashta në të cilat ndihej tepria e ritmit apo, më mirë të themi, një ritëm tepër monoton dhe i rënduar, për të zgjedhur skema të reja origjinale, me synim që t’u jepte vargjeve “rrjedhshmërinë e prozës”. Me Fiqretin poezia turke bën të vetat teknikën e stilin e poezisë evropiane dhe lirshmërinë e të shprehurit.

Xhenab Shihabeddini imitoi poetikën e dekadentëve francezë, bëri mjaft idhtarë, por edhe mori mbi vete kritika për disa shprehje, si “orë ngjyrë jasemini” (sa’at-i semenfam apo “dëborë e artë” (berf-zerrin). Pas vitit 1908 Xhenabi iu përkushtua me përparësi prozës me ese, fantazi, kujtime udhëtimi etj, që korrën sukses për stilin e pastër e për humorin e hijshëm.

Në rast se Fiqreti mund të quhet poeti i parë modern turk, e njëjta mund të thuhet për Khalid Zija Ushakllëëllin (1866-1945) si prozator. Poezi e proza letrare, novela e romane, përkthime nga frëngjishtja ( vepra të autorëve Balzak, Stendhal, Flober, Zola, Dode, Gonkur), shkrime enciklopedike, ese (“poezi në prozë”, gjini e re asikohe, e cekur, siç e pamë, nga Eqremi) – ja hapësira krijuese e Khalid Zijait. Prirja më e spikatur e tij anonte nga rrëfimi. Romanet e para të tij kanë një shije të fortë romantike. Në “Ferdi ve shyrekasi” (Ferdiu me shokë) feksin notat e para realiste, të frymëzuara nga puna për prodhimin e qilimave. “Mavi ve siyah” (E kaltra dhe e zeza) pasqyron entuziazmin e një letrari, që ëndërron lavdinë dhe, ashtu si rinia turke e asaj kohe, ishte i shtënë me mish e me shpirt pas artit dhe pas autorëve francezë.

Khalid Zijai arrin pjekurinë me romanin “Aşki memnu” (Dashuri e ndaluar), ku, falë shkathtësisë së përshkrimit, njësohet analiza psikologjike me hollësitë e sensualizmit, aq i zhvilluar në atë periudhë. Gjithsesi, paraqitjes së imtë të mjediseve e të gjendjeve shpirtërore, nuk i përgjigjet një zhbirim i vërtetë i rrethanave. Më pas, në disa novela, Khalid Zijai çlirohet nga gjuha e stërholluar dhe e panatyrshme, që pat përdorur tok me bashkëpuntorët e tjerë të “Servet-i Funun”, por nuk do të mundë të shqitet dot asnjëherë nga një lloj manierizmi e nga një sentimentalizëm romantik, duke rënë ndesh me trajtimet realiste.

Nën regjimin e Abdyl Hamitit nuk mungoi drita e një ideali, e nacionalizmit turk. I pari që u çapit në këtë drejtim ishte Mehmed Emini (1869-1944). Fama e tij si poet kombëtar e ka zanafillën në kohën e periudhës së shkurtër të luftës turko-greke të vitit 1897, kur botoi nëntë tregime të përmbledhur nën titullin “Turkçe şiirler” (Poezi në turqisht). Poeti, ndryshe nga prirjet më të përhapura të kohës, në vend të fjalëve arabe e persiane, është për të shkruar e për të folur në një gjuhë “turke”, të kuptueshme, në radhë të parë nga njerëzit e thjeshtë të të gjitha moshave e niveleve: “Poezia që ne lakmojmë, duhet të jetë e atillë, që etërit, tek shkojnë në punë në ara,vajzat që korrin, nënat që presin dru, me të na e dëgjuar zërin e zemrës, të fshijnë lotët”.

Thirrja drejtuar popullit “të çiltër” turk, gjuha e thjeshtë, spontane, e gjallëruar nga entuziazmi rinor, u shkrinë natyrshëm në poezinë atdhetare, që erdhi duke u pjekur dora-dorës. Autori fitoi shumë shpejt simpatinë e përgjithshme. Shkrimtarë të famshëm, si Hamid Takhrami dhe Eqremi, i drejtuan letra përgëzuese. Vepra e tij tërhoqi vëmendjen edhe të orientalistëve evropianë. Mehmed Emini përkrahu ngrohtësisht revolucionin qemalist, të udhëhequr nga Ataturku, dhe i kushtoi një vepër të frymëzuar.

Revolucioni i mëparshëm i kryer nga Komiteti Bashkim e Përparim, më 1908, pat shpallur bashkëjetesën e “të gjithë osmanëve, pa dallim race e feje”, duke nënvizuar kësisoj idenë e nacionalizmit turk. Megjithatë, në të vërtetë, kjo maskë nuk mundi të mbulonte qëllimet e mbrapshta të Turqve të Rinj për mbajtjen nën zgjedhë të popujve të perandorisë, mundësisht duke zgjeruar edhe më kufijtë ekzistues të saj. Në këtë kohë, në skenën e letrave turke shfaqet figura e Zija Gëk Allpit (1875-1924), që ngre në lartësinë e merituar idealin e vërtetë kombëtar. Sipas tij, kombi është “një bashkësi njerëzish të lidhur me gjuhë, fe, ndjenja morale dhe estetike”, pra “me kulturë”. Përmes kësaj të fundit, kombi ndërgjegjësohet dhe fiton “personalitet”. Gëk Allpi, pra, përpiqet me gjithë shpirt të qëmtojë e të përcaktojë lidhjet e kulturës turke në gji të vet, duke zhbiruar në traditën e në shpirtin e popullit. Përsa i përket qytetërimit apo tërësisë së dijeve filozofike, shkencore e teknike, qytetërimi mysliman, sipas Gëk Allpit, duhej dhe mund të zëvendësohej nga qytetërimi evropian, pa cënuar, madje duke forcuar entitetin e traditat kombëtare. Këto ide përgatitën terrenin për reformat e ardhshme qemaliste.

Gëk Allpi i shprehu mendimet e veta në mënyrë të qartë e bindëse, në libra e artikuj të shumtë. Gjithkund në to janë të pranishme poezia dhe gjuha e thjeshtë, që u fliste zemrës e fantazisë. Ndër veprat e tij më të dëgjuara, përmendim “KIzIl elma” (Molla e kuqe), “Alaca geyik” (Kaprolli në shënjestër), “AltIn destan” (Balada e artë), “Yeni hayat” (Jeta e re) etj. Krijimtaria e tij, që pati jehonë e u përkrah gjerësisht nga më të rinjtë, u ndikua thellësisht prej ideve nacionaliste.

Kalimi i menjëhershëm nga tirania në liri, – sidoqë edhe kjo e cunguar, – u duk si fillimi i një epoke të re, që solli me vete kërkesën për një letërsi, gjithashtu të re. Njëzet djelmosha, të zhgënjyer nga ngathtësia e mësuesve të tyre të “Servet-i Funun”, u mblodhën më 1909 në një rreth, që e quajtën “Feg’r-i ati” (Agimi i së ardhmes). Manifesti që qarkulluan me ngut, shprehte besimin e shpresën se shkolla e sapokrijuar prej tyre do të bëhej “një çadër smeraldi në shkretëtirën e shkencës e të letërsisë”. Edhe pse, nën shtysën e kohës, panë te letërsia një zëdhënës të opinionit shoqëror dhe e vunë theksin në problemet shoqërore, të rinjtë e “Feg’r-i ati”, në ballë të të cilëve ishin figura të dorës së dytë të “Servet-i Funun”, nuk u shkëputën nga një vazhdimësi e zbehtë e prirjeve të mëparshme parnasiane dhe simboliste. Për shkak të revistës së tyre “Genç kalemler” (Penat e reja), që nisi të botohej në Selanik, të gjithë shkrimtarët e rinj morën të njëjtin emër. Krahas Ahmed Hashimit, Jakup Kadriut e Fuat Këpryly, në këtë organ vazhdoi të bashkëpunonte edhe Zija Gëk Allpi, sidomos me artikuj e studime mbi rolin e gjuhës . “Genç kalemler” u bënë mbrojtës të përdorimit të gjuhës së gjallë, të heqjes dorë nga fjalët bajate, të rëndomta e joshprehëse, për një frymëzim të kapshëm e konkret, në truallin e realitetit kombëtar, larg traditave libreske e të huazuara vend e pa vend. Ky program shënoi arritje të dukshme, veçanërisht me veprën e novelistit të shquar, Ymer Sejfedinit.

Ekzaltimi i trimërisë turke, edukimi moral e qytetar i popullit, polemika politike, zenë shumë vend në krijimtarinë letrare të Ymer Sejfedinit.(1884-1920). Kryevepër e tij cilësohet novela “Bomba” (Bomba), ku trajton me vërtetësi e plot të papritura, të motivuara më pas, jetën e vështirë të komitëve. Por jo gjithmonë novelat kanë ngjyra epike kaq të forta. Madje ato i tejçon shpesh herë humori. Gati-gati përherë, subjektet i binden një skeme të paravendosur: një fakt i beftë, paradoksal e i papëlqyeshëm vjen të ndëshkojë ndonjë dobësi njerëzore. Një satirë e mprehtë është “Garib bir tecavuz” (Një teprim i çuditshëm), ku flitet për një guvernator, që ia del mbanë të çpopullojë një fshat të tërë duke lëshuar nëpër rrugët e tij kope derrash të uritur. Me ëndje lexohet edhe novela tjetër “Eleimsama” (Ylberi), e ngritur mbi një motiv popullor. Aisheja e re, duke mos duruar gjendjen poshtëruese, në të cilën e ka vënë shoqëria, vendos të kaptojë ylberin, që të bëhet djalë. Autori di të krijojë situata komike, në të cilat personazhet, në të shumtën e herëve pasanikë ose njerëz me pozitë, bëhen gazi i botës.

Ymer Sejfedini, tepër i shkathët në përvijimin e vizatimeve karikaturorë, nuk ishte i prerë për gjini të mëdha. I provoi, por pa sukses, forcat në romane e drama. Prodhimtaria e tij në novela është jashtëzakonisht e madhe dhe tematika tepër e larmishme: nga kujtimet vetjake, në motivet popullore; nga subjektet historike, në kulturën e kombeve të tjerë. Gjuha e tij është tepër “personale”: koncize, me nerv, plot gjallëri, shprehëse e pa paragjykime. Ai mundohet të lerë mënjanë çdo mënyrë të komunikuari të përdorur para tij, prandaj është cilësuar Kristofor Kolomb, zbulues i prozës moderne. Dhe, në të vërtetë, siç ka vënë në dukje kritika, me të ze fill proza moderne turke. Ymer Sejfedini u bë shpejt shumë popullor dhe veprat e tij figurojnë në ndër më tërheqëset në letërsinë moderne turke.

Fitorja e Luftës Nacionalçlirimtare Antiimperialiste e popullit turk, nën udhëheqjen e Mustafa Qemal Ataturkut, që u kurorëzua me shpalljen e Republikës (1923) e u pasua nga një sërë reformash në sferën ekonomike e shoqërore, ndër të tjera edhe në lëmin e gjuhës, duke adoptuar alfabetin latin dhe duke e pastruar leksikun nga fjalët e huaja, kryesisht arabe e persiane, hapi rrugën për pasurimin e botës shpirtërore të popullit turk, autorit të vërtetë të Revolucionit Nacionaldemokratik. Shkrimtarët e mëdhenj i përqafuan pangurrim zhvillimet e reja dhe vunë të gjitha forcat për të pasqyruar me nivel të lartë artistik shndrrimet revolucionare, në përputhje me parimin nacionalist e të respektit ndaj traditës përparimtare. Ahmed Hashimi (1885-1933) i shkollës “Fag’r-i ati”, autor i vëllimeve “Göl saatleri” (Orët e liqenit, 1921), “Piyale” (Gota, 1926), “Ay şiirleri” (Poezitë e hënës), këmbëngul në magjinë e muzikës përmes distilimit të tingujve, të ritmit, të timbrit e të larmisë ritmike. Ai përkryen dhe zgjeron përdorimin e vargut të lirë, të cilit i pat dhënë jetë Fiqreti, duke vënë në punë dymbëdhjetë metra të ndryshëm. Në një numur artikujsh e studimesh në gazeta e revista letrare, A. Hashimi, – këta i përmblodhi në vëllimet “Streha e lejlekëve” (1928) dhe “Sipas nesh” (1928), – jep elemente të jetës së re e të koncepteve të reja mbi botën, që po ngulitte në mendjet e njerëzve revolucioni qemalist.

Poeti më i madh pas shpalljes së Republikës Turke mbahet Jahja Qemal Bejatliu. Në “lentën” e tij fokusohen me mjeshtëri kujtime, përjetime të fuqishme ngjarjesh, vëzhgime të mprehta, për të himnizuar vlerat morale e shpirtërore të kombit turk dhe të mendimit të pavarur e të lirë; për të nxjerrë në dritë rëndësinë e miteve e përgjithësisht të traditave të begata, si burim e bazënisje për ecjen e pandalshme përpara të mbarë shoqërisë së re turke. Ndjenjat e tij të pastra gjejnë shprehje në ritmin e shumë baladave romantike, apo të poezive, që të kujtojnë sonetet e Heredias. Jahja Qemali u formua në shkollën e simbolistëve francezë; nga Malarmeja bëri të vetën idenë e poezisë si muzikë që shndrrohet në fjalë, por kjo muzikë për të është ritmi që vibron në poezinë e popullit, prodhim i një arti të hollë, i cili, nga ana e vet, u përpunua prej turqve dhe nuk mund të shkëputej prej trashëgimisë kulturore të tyre. Ai përdor me funksione moderne skemat e metrikës sasiore, duke u dhënë rezonanca të reja, ndërsa gjuhës konvencionale të lënë pasdore prej kohësh, i fal gjallërinë.

Ndryshe nga Hashimi, bashkimi i antikes orientale me modernen evropiane tek Jahja Qemali nuk shihet vetëm në formë, po përbën një përvojë sintetike origjinale, e cila mund të përkufizohet si neoklasicizëm përderisa frymëzimin e merr prej botës klasike osmane.

Energjia shpirtërore që shpërthen nga heronjtë, gjuha dinamike, e njomur me anekdota, elipse, përsëritje të figurshme e mjete të tjera të stilistikës gjuhësore, – fjala është për grupromanet “Kandan” (Nga gjaku, 1936), – e bëjnë autoren e tyre Halide Edip një personalitet letrar të fuqishëm. Veprat e lartpërmendura dhe shumë novela, pasqyrojnë ngjarjet e luftës popullore për liri e pavarësi kombëtare fill pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, dëshmitare vepruese e së cilës ishte edhe vetë shkrimtarja. Në romanet “Kandan”, në plan të parë del motivi historik: kriza e regjimit despotik të sulltanëve, përndjekjet e fundit, vuajtjet e të rinjve intelektualë, shpirti i heshtur kundërvënës i popullit. “Ateş gomlegi’ (Këmisha prej zjarri) mbart realitetin në një rrafsh ideal e fantastik duke ngritur në pjedestal bëmat heroike të një kombi të tërë kundër ndërhyrësve të huaj dhe veglave të tyre brenda vendit. Vitet e fundit vëmendja e autores u përqendrua në romanin satirik. Mjeshtëria teknike, intuita psikologjike, kthjelltësia e besueshmëria në paraqitjen e situatave, e bënë Halide Edipin ndër krijuesit turq më të njohur e më të përkthyer në Evropë.

Primatin e prozës turke pas Luftës së Parë Botërore, me Halide Edipin e ndan Jakup Kadri Karaosmanollu. Autor i një përmbledhjeje me novela dhe proza të tjera, ai e paraqiti veten stilist të dorës së parë, sidomos në meditimet filozofike, të dhëna me gjuhë tepër muzikale. Veprat më të njohura të Jakup Kadriut janë romanet “Nur Baba” (1922) dhe “Mustafa qejfliu” (1944), sidhe vëllimet me tregime “Bir kIş gecesi” (Një natë dimri, 1923) dhe “Çingene kavgasI” (Zënkë jevge, 1925). Të tjerë autorë të vlerësuar brenda e jashtë Turqisë janë Orhan Sejfi Orhan (1890-1972) me romanin “Çocuk adam” (Fëmija, 1941) dhe vëllimin me tregime “Dugun gecesi” (Nata e dasmës, 1957); Reshat Nuri Gyltekin (1889-1956) me romanet “Gençlik ve guzellik” (Rinia dhe bukuria,1917), “Gizli el” (Dora e fshehtë, 1920), “Yeşil gece” (Nata e gjelbër, 1928) etj; Sait Faik Abasëjanëk (1906-1954) me romanin “KayIp aranIyor” (Kërkon humbjen, 1953) dhe vëllimet me tregime “Mahkeme kapIsI” (Dera e gjyqit, 1956) e “Kuşlar” (Zogjtë, 1954) etj.; Nazim Hikmet (1902-1963) me një numër të madh vëllimesh poetike, kryesisht me temë revolucionare: Sabahattin Ali (1907-1948) me përmbledhjet me tregime “Degirmen” (Mulliri, 1935), “Yeni dunya” (Bota e re, 1943), romanet “Içindeki şeytan” (Djalli brenda nesh, 1940) e “Kurk mantolu madona” (Zonja me qyrk, 1943) dhe “Daglar ve ruzgyar” (Male dhe erë, 1934); Orhan Qemal (1914-1970) me përmbledhjet me tregime “Ekmek kavgasi” (Grindja për bukë, 1949), “Kuçukler ve buyukler” (Të vegjël e të mëdhenj, 1971), “Işsiz” (I papuni, 1966) etj; Aziz Nesin (1915-1993) me një mori veprash satirike, ndër të cilat vëllimet me tregime e skica “Geriye kalan” (I prapambeturi, 1948), “It kuyrugu” (Bishti i qenit, 1955), “Ah, biz eşekler” (Ah, ne gomerët, 1960), “YaşasIn memleket” (Rroftë mëmëdheu, 1969), “Buyuk grev” (Greva e madhe, 1978) etj; Shevqet Bullut (1936) me përmbledhjet në prozë “SarI arabalar” (Qerret e verdha, 1974), “Kefensiz oluler” (Të vdekur pa qefin, 1984); Rasim Ëzdenëren (1940) me vëllimet me ese e novela “Hastalar ve Işiklar” (Të sëmurët dhe dritat, 1967), “Denize açIlan kapI” (Dera e hapur drejt detit, 1983): Sevinç Çokum (1943) me përmbledhjet në prozë “Eyik agaçlar” (Pemët e pjerrura, 1972), “Yeniden dogmak” (Të lindem sërish, 1984) etj; Osman Çeviksoj (1951) me librat me tregime “Beyaz yuruyuş“ (Çapitja e bardhë, 1982), “Agalamak yasak” (Ndalohet e qara, 1984) etj.

Ndër krijuesit më në zë të ditëve tona, padyshim bëjnë pjesë Jashar Qemali me romanet “Direk” (Shtylla) dhe “Ince Memet (Mehmet imcaku), sidhe Tasim Saraç e Qemal Bajram, përkatësisht me ciklet poetike “Güneş cengi“ (Lufta për diellin) dhe “Erken öten horoz”(Këndezi që këndon herët).

Në veprën e prozatorëve dhe të poetëve turq të ditëve tona kanë gjetur pasqyrim dashuria, miqësia, lufta për një jetë më të mirë, forca e pashtershme e virtyteve të kombit etj, të gjitha të shprehura me gjuhë të thjeshtë e të figurshme, me patos, lakonizëm e zhdërvjelltësi. Këto cilësi janë dëshmi e faktit që zhvillimi i letrave turke ka gjetur truall dhe mbështetet fort në traditën e gjallë e të pasur shumëshekullore, siç do të pohonte diku Hysny Daallarxha, një nga poetët më të mëdhenj turq të sotëm, por edhe të të gjitha kohërave.

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: