Kreu > Filozofi, Gjeopolitikë, Globalizmi > Jo gjithçka për muret

Jo gjithçka për muret

Ermal XHELO

 

JO GJITHÇKA PËR MURET

Ermal Xhelo

Ermal Xhelo

Muret, të vëzhguara apo të studiuara prej historisë politike të çfarëdolloj fryme, ideologjie a demagogjie, simbolizojnë ca më tepër se përveçim e izolim; një lloj sistemi mbrojtjeje dhe sigurie për njerëzit që zgjodhën apo thjesht patën fatin të jetojnë brenda tyre. Duket se këtë lloj komonsensi në shumicën e kulturave që njohim, njerëzit e trashëguan të pandryshuar prej mijra vjetësh. Muret, me pantonimën e ngurtë, pavarësisht lëndës më të cilën ndërtohen, për fat të keq nuk flasin e ndërkohë kanë shumë për të thënë. Çezari, për shembull, u konsiderua gjeni pasi ndërtoi përreth qytezës së fortifikuar gale të Alesias (sot Dijon) dy mure rrethues, të parin për të ndalur sulmet e dëshpëruara të galëve të rrethuar, dhe tjetrin për të mbrojtur shpinën në rast goditjeje prej të tjerësh galë që mund të sulmonin befasisht në ndihmë të Verçinxhetores, (liderit që udhëhoqi ushtrinë më të sukseshme të fiseve gale në luftë kundër Romës). Së fundmi janë pikërisht këto dy mure të Çezarit të cilat mund të na rrëfejnë se si praktikisht kishin rrethuar edhe vet ushtrinë e tij, që gjithsesi vuajti po aq sa galët, po ashtu të rrethuar e dënuar me etje dhe uri konstante në brendësi të qytezës fortesë.

 

Gjenialitet apo tirani?

 

Janë këto mure që ndoshta mund të rrëfejnë shumë më tepër se ç’rrëfen muri kinez apo çdo mur tjetër, paçka se i papërfillshëm e ndonjëherë inegzistent fizikisht, sidomos nëse i referohemi faktit se tirania rezulton gjeniale aty ku njerëzit i nënshtrohen pa kushte, e ndonjëherë edhe të lumtur brenda muresh të dyfishta. Them të dyfishta sepse muret në kulmin e thjeshtësisë shfaqen të dy anshëm, me dy faqe, të brendshmen e të jashtmen; në brendësi të tyre njerëzit mund të ndihen të sigurt e po kaq të burgosur, kurse jashtë tyre, të njëjtit njerëz do të ndiheshin të përjashtuar e po kaq të lirë. Eshtë pikërisht kjo dy anshmëri me veti kaq të thjeshta, e cila të kujton murin e Berlinit të rrëzuar mijëvjeçarin që sapo shkoi. Lajmet përcollën një lloj turpi pothuajse të padukshëm e të papërfillshëm në raport me entuziazmin europian i cili tek e fundit nuk i pengoi aspak amerikanët të përfitojnë, qoftë edhe prej copës më të vogël të guriçkave që mbetën prej rrënojave duke i shitur më pas si suvenire. E ndërsa panegjirikë festonin të skuqur deri në veshë sa prej gëzimit, aq dhe prej birrës të pa çensuruar më për arsye kostoje, të tjerë paguanin ende llogarinë e pashpirt të trysnisë që depresionoi për një gjysëm shekulli në brendësinë e vet membrana e betontë. Pavarësisht se në brendësi të kësaj membrane, kufijtë ndaheshin vetëm me shenja konvencionale e patrulla ushtarësh të armatosur me kallashnikovë e sy vigjilentë, të kalitur e mbrujtur me besnikërinë e devocionin proletar të atij kualiteti që kishte si kriter kualifikues shenjimin e dhjetëpikëshit në qitjen me rastin e përfundimit të periudhës parapërgatitore ushtarake, ose si edhe vazhdon të quhet, karantinës. Ndërkohë, pas shembjes së murit, edhe pse mungonin muret fizikë, ushtarët vigjilentë, rreptësia proletare, pavarësisht liberalizimit deri në brigjet e detit të errët të abuzimit me pasaportat e udhëtimit, njerëzit vazhduan të vuajnë sindromën e burgut, madje edhe pasi qarkulloi kënga e famshme “The wind of change”. S’ka dyshim se ne shqiptarët jemi shembulli më ilustrues i këtij fakti, duke patur parasysh se u deshën rreth tridhjetë vjet që më së fundi të shpresojmë realisht një lloj lirie dhe mospërjashtimi të kushtëzuar prej muresh që në fakt nuk ekzistojnë fizikisht, dhe lista nuk përfundon vetëm me këtë segment kohor siç do ta quante kushdo që përpiqet t’i shikojë eventet historike me sy “pozitiv”. Muret ndonjëherë edhe të padukshëm vazhdojnë të jenë membrana të tjerash zona të trysnuara, ndonjëherë madje mistike nëse do t’i referoheshim murit kinez me moshën e tij që gjithashtu i takon dymijëvjeçarit të shkuar, por jo! Muri kinez gjithashtu i takon historisë me të gjitha huqet e veta komonsensuale; gurët e tij gjithashtu shërbejnë për përfitim turistik , e përveç pak demagogjie kineze që tek e fundit nuk i shqetëson aspak për momentin ndërtuesit e mureve modernë, do të mund të quhej i papërfillshëm. Pikërisht për këto arsye, ai nuk do të ishte asfare i ngjashëm në çfarëdolloj pikpamje me murin e bazës amerikane të Katarit, diku në brigjet perëndimore të Gjirit Persik, nën diellin përvëlues, përbri autostradës që nxin si vurragë kamzhiku mbi shpinën e verdhë të shkretëtirës, të shfaqen kërcënueshëm telat me gjemba prej tre palësh që rrethojnë njëra tjetrën e njëkohësisht ndajnë teknikisht rrugën prej murit rrethues të bazës. Ky i fundit, rreth gjashtë metra i lartë, tenton të të përpijë lodhjen dhe habinë, pasi ke manovruar në hapësirën prej dy kilometrash të rrugës si korridor në formë s-je përmes telave me gjemba, gjendesh beftas përballë një gardhi kamerash që monitorojnë, e një Zot e di se me çfarë lloj teknologjie, përdoren njëkohësisht për sy mitralozësh të telekomanduar prej sallës operative përkatëse, nga ku vetëm një klik të kthen në pupla. Muret e drejta e të larta nëse do t’i shihnim prej së largu, prej aq larg sa, të paktën zjarri i një arme nuk nxeh dot, do të vërenim një ngjashmëri të theksuar mes mureve të bazës dhe kufijve të krejt Lindjes së Mesme; ato janë të drejta si vizorja e përkujdesur e një topografi të mirëpaguar. Këto lloj kufijsh ekzistojnë vetëm në harta konceptuale që i mësojnë fëmijët nëpër shkolla, e kurrfarë muri nuk ekziston aty, të paktën fizikisht, të paktën nëse nuk do të konsideronim Fondin Amerikan për Përforcimin e Sigurisë të Kufirit Jordanez me Sirinë. Teknikisht aty s’ka përveç se shkretëtirë dhe një rradhë kamerash që gjithsesi janë teknologji më e re dhe e avancuar se ajo e bazës amerikane në Katar. Ndërkaq, kufijtë e drejtë mbi shpinën e Gadishullit Arabik nuk llogaritën kullota, fise njerëzish autoktonë, fshatra e ndoshta edhe qytete që u shpërbënë prej këtyre muresh të padukshëm që tentojnë vazhdimisht të realizojnë tek e fundit atë çfarë tenton një mur me dyfaqësinë e vet, apo ndoshta ca më tepër, nëse i realizuar virtualisht pa beton e guriçka betoni për tu shitur si suvenirë, pa skorpjonsat e famshëm dhe këdo që fishkëllen pa pikën e ironisë nëpër buzë hitin e tyre “The wind of change”. (Era e ndryshimeve është një koncept që pa dashjen e tij vazhdon të gënjejë njerëz të cilët për fatin e tyre të keq lindin në brendësi të mureve më modernë që janë ndërtuar ndonjëherë). Këto kufij të përforcuar me smartkams, salla operative, njësi ushtarake të specializuara e stërvitura prej amerikanëve si dhe satelitët që rrotullohen mbi glob si tespije spiuni të cilit herë i duhet të shtiret si fshatar i pa punë në treg e herë si dora e drejtësisë në pazar, nëse do të kishim pak guxim human t’i vërenim si një tablo e vetme, nuk do të dallonin shumë prej kampeve të përqendrimit, këtë rradhë në përmasa pak më të ekzagjeruara se muret e Çezarit, murit kinez apo atij të Berlinit.
Gjithsesi ata që nuk jetojnë në Kinë apo Berlin, as edhe aty ku fiset gale therreshin me romakët e qytetëruar, ata që jetojnë në veri të Gadishullit Arabik, aty ku shkretëtira është njëlloj mikpritëse për të gjitha ngjyrat dhe origjinat njerëzore, ata që jetojnë aty ku jo më tepër se një shekull më parë në të njëjtën rrugicë bashkëjetohej natyrisht; pa dallim feje, pa konflikte të armatosur, bomba vetvrasëse, terrorrizëm apo lloj lloj terminologjish të trashëguara së bashku me muret prej mijëvjecarit të kaluar, ata që jetojnë aty ku perëndimi i diellit këndon për sytë e fëmijëve melodi shprese se ndoshta mëngjesi do të zbardhë sërish i qeshur mbi një shkretëtirë pa mure të rinj, tela me gjemba e komonsense europiane të panjohura, (të paktën aq sa është i njohur hiti i skorpjonsave), apo rrugë po aq të panjohura që të shpien të vizitosh lloj lloj muresh kineze pasi të kanë shëtitur njëherë nëpër doganat ku ju duhet të paguajnë qera në tokën e stërgjyshërve, në tokën e tyre, pikërisht këta njerëz mund të ilustrojnë më së miri “përparimin mbarëbotëror”e lumturinë dhe ngazëllimin e shqiptarëve me rastin e hyrjes stinore në bashkimin e fiseve të qytetëruar euroatlantikë. Tashmë nuk kemi pse ndihemi më barbarë si banorët e Gadishullit Arabik. E ndërkohë që ka kush perkujdeset, i paisur me krejt arsenalin e teknologjisë të mijëvjecarit të ri, ashtu që të mos dalin prej rezervateve barbarët e prapambetur e të pa qytetëruar, nuk na mbetet, përvecse të gëzojmë e të shijojmë pasaportat biometrike, stinët e udhëtimit, stinët e ndalim qarkullimit, mandej të lutemi që kombi jonë i begatuar, të prosperojë me të gjitha kualitet e një kafshe të edukuar brenda kopshtit të ri skllavologjik romak.
Së fundmi; ju mbetet murëndërtuesve të kujdesen për shfaqjen kaq të sigurt të asaj të shtënës sporadike me armë diku në kontinentin e zi apo kudo tjetër ku të tilla të shtëna filmohen zakonisht prej një dore që dridhet prej emocjonit që të pushton atyre lloj mesnatave ku gazetaret në pritje të lajmit ekskluziv për të cilin edhe janë dërguar posaçërisht diku në ato kryeqytetet e botës rurale, do të transmetojnë pak më vonë raportet e dëshpëruar rreth kazualiteteve. E ska dyshim se mijërat e tyre kan për tiu atribuar mosmbërritjes në vendin fqinjë, aty ku ndoshta kishin edhe fshatin e lindjes. E sigurisht kjo sdo të ndodhi për herë të parë. S’ka dyshim se sensacionet meritojnë vëmendjen e gjithë botës, përndryshe nuk ka si shpjegohet anija me civilët shqiptarë e mbytur në Otranto prej forcave ushtarake të partnerit kryesor në rrugën e gjatë të shqiptarëve drejt civilizimit. Le të mos harrojmë sërish se muret mundet fare lehtë të ndërtohen së fundmi edhe mbi dete dhe oqeane, e kështu si e nisëm mjerë njerëzit nëse do të mendojnë se mund të ndërtojnë mure edhe në qiell.

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: