Duke lexuar Kur’anin në gjuhën shqipe

Dr. Engjëll SEDAJ

 

DUKE LEXUAR KUR’ANIN NË GJUHËN SHQIPE*

Dr. Engjëll Sedaj

Dr. Engjëll Sedaj

Sado që mendohet se libri i parë në gjuhën arabe është Kur’ani, dokumentet më të vjetra të kësaj gjuhe janë nga shekulli IV, kurse poemat (kasidet) e Imrul Kajsit janë të kohës paraislame. Në fakt, edhe këto poema erotike dhe të kënduara me mjeshtri, janë botuar në shekullin VIII, por përmbajtja e tyre është e kohës antike arabe ose paraislame. Mendohet se edhe disa poetë të tjerë arabë i takojnë kësaj kohe antike, mirëpo pas paraqitjes së Kur’anit, poezia arabe disi i kishte shteruar mundësitë e veta dhe nuk ishte më në gjendje që t’i ndiqte ndryshimet që po ndodhnin në atë kohë.

Para se të filloja të lexuarit dhe gjatë leximit të Kur’anit, si libër mjaft i përsosur në punë të gjuhës dhe të stilit, përveç poezisë arabe paraislame, kam pasur parasysh edhe disa momente përkitasi me poezinë lirike egjiptiane dhe të gjithë asaj kulture të lashtë, që në një mënyrë i nënshtrohet kultit të këtij libri madhështor dhe të pashembullt në historinë e letërsisë së përbotshme. Nuk dihet që një ideologji t’iu ketë nënshtruar tekstit dhe ta ketë ngritur aq lart fjalën e shkruar sa bota arabe dhe feja islame Kur’anin. Kjo është një çështje më vete dhe zgjon interesim të madh në studimin e letërsisë krahasimtare, por, para së gjithash, në krahasim me letërsinë e vjetër (paraislame) arabe dhe egjiptiane, si dhe me mitologjinë më të vjetër të popujve semitë. Në punë të vlerësimit të elementeve mitike, rëndësinë më të madhe e kanë simbolet (guri i Qabesë, hyrja e Muhammedit a.s. në qiellin e shtatë), që nuk i ndeshim te egjiptianët e vjetër. Ç’është e vërteta, ku libër nuk është krijuar në Egjipt, ku më vonë përhapet islami, por në Arabi (Saudite), ku kushtet e jetës dhe niveli kulturor në shek. VII ishte shumë i ulët. Mbase ky do të jetë shkaku kryesor që “Kur’ani e pranon institucionin e robërimit” përballë realitetit europian dhe (sidomos) mesdhetar, që atëbotë e kishte çrrënjosur këtë dukuri shoqërore. S’do mend se qasjet e këtij libri mund të jenë të shumta dhe të ndryshme, por vlerat artistiko-letrare duhen veçuar dhe kundruar nga aspekti i studimit të letërsisë botërore.

Ndikimi i Kur’anit në letërsinë arabe

Fjala arabe al-Kur’an do të thotë që është për lexim, apo vetëm recitim, dhe ka kuptim të njëjtë me fjalën greke biblion (shumës biblia), ose me fjalën latine liber, që e kemi edhe ne në përdorim (libër). Ç’është e vërteta, edhe në tekstin e këtij libri shpesh kjo vepër quhet Libër (“Kurse ne këtyre u Kemi sjellë Librin, të cilin e kemi sqaruar me mjeshtëri të madhe” – Kur’ani, 7:52), kështu që kulti i librit bëhet gati më madhështor se vet Hyji, i cili, sipas traditës atë ia kishte dhuruar njerëzve.

Kur’ani është libër i shenjtë i fesë islame, kurse gjuha dhe stili i tij, me të gjitha vlerat artistiko-letrare, kanë ushtruar ndikim të madh në gjithë letërsinë arabe pa përjashtim feje. Gjuha e Kur’anit është bërë model dhe normë e gjuhës letrare arabe në të gjitha shkallët e zhvillimit të saj deri në ditët tona. Nga tradita mendohet se këtë libër apo këto norma morale-juridike i ka shkruar Muhammedi (570-632), themeluesi i fesë islame, sipas porosisë së Zotit (Allahut), përmes engjëllit (melekut) Xhebrail, i cili edhe ia kishte diktuar. Ndërkaq, nga studiuesit kuptojmë se librin në tërësi e mblodhi halifi i parë Ebu Bekri, vjehrri i Muhammedit, kurse versioni popullor (Vulgata) daton nga halifi i tretë, Uthmani (653), i cili bëri edhe radhitjen që ka edhe sot.

Vepra është ndarë në 114 kapituj, të quajtur sure, të cilat, varësisht nga përmbajtja e tyre, kanë edhe emërtime të caktuara, si për shembull: “Fortifikata” (12), “Tregime” (28), “Besimtari” (40), etj. Nënkapitujt e këtyre sureve quhen ajete dhe zakonisht përmbyllin një mendim. Ndërkaq, suret nuk janë bazuar vetëm në rendin kronologjik, por janë mbarështruar (kryesisht) sipas gjatësisë së tyre, duke filluar nga më të shkurtrat. Përveç profetit (Muhammed), i cili në këtë libër paraqitet më meritor për zbulesat dhe porositë e Zotit – Allahut, mund të veçohen edhe personazhet e tjera, siç janë: Ademi, Musa, Davudi, Sulejmani (sidomos në suren 27), të njohur edhe nga letërsia hebraike apo Bibla, me emrat Adami, Mojsiu, Davidi, Solomoni. S’do mend se krahasimet me Dhjatën e Vjetër (Teurati) jo vetëm që janë të mundshme, por edhe janë të shumta, si në përmbajtje, ashtu edhe në formë. Në fakt, Teurati dhe Inxhili (Dhjata e Re) janë pjesë përbërëse të Kur’anit dhe të gjitha personazhet e këtyre veprave marrin pjesë në forma të caktuara dhe të modifikuara sipas traditës arabe. Këtu nuk është fjala vetëm për pranimin e botëkuptimit monoteist (Mojsiut iu kishte dëftuar Zoti që më parë, dhe i kishte thënë që është një), dhe huazimi i personazheve nga 73 librat e Biblës, por edhe struktura e gjuhës, poetika oratorike dhe urtësia orientale. Ja një shembull që mund të krahasohet me Psalmet e Davidit:

O ti i mbuluar

Ngrihu dhe qorto (thirr)!

Dhe Zotin tënd madhëroje!

Dhe rrobat e tua pastroi!

Dhe nga të këqijat largohu!

Dhe mos u kënaq as me shumë, por këshillo!

Dhe për hir të Zotit tënd duro!

(Kur’ani, sure 74, 1-7, përktheu Feti Mehdiu).

Mësimet Kur’anore

Mësimet Kur’anore, me ide të theksuara ekonomiko-sociale dhe politike për ndërtimin e sistemit shoqëror, të hartuara në prozën poetike, që janë shumë të përshtatshme për recitim, bazohen në proklamimet më të rëndësishme moralo-juridike. Këto dhe disa karakteristika të tjera të urtësisë popullore dalin edhe nga natyra e të shprehurit të gjuhës arabe, të cilat i ka mishëruar edhe teksti në gjuhën shqipe, që me përkushtim (vërtet punë e madhe) e ka shqipëruar (përkthyer) Feti Mehdiu, ani pse konsiderata e tij ndaj tekstit burimor dhe respekti mbase kanë qenë tepër të mëdha. Kjo nuk është shfaqur vetëm në paqartësinë e disa nocioneve dhe në shtjellimin, përkatësisht në ndarjen e disa ajeteve, por edhe në përdorimin e disa termave të shpeshta, siç janë: All-llah, musliman, Muhammed, hebrenj etj., të cilët në traditën tonë letrare dhe në fjalorët (drejtshkrimorë) e gjuhës shqipe i gjejmë të shkruara ndryshe (Allah, mysliman, Muhamet, hebre, sh. hebrenj). Ndoshta pyetje dhe paqartësi mund të kenë vetëm ata të cilët nuk janë në gjendje ta krahasojnë këtë libër me origjinalin, por mendimi (nga “Parathënia”) se “përkthimi në cilëndo gjuhë, pra edhe në gjuhën shqipe, është i pamundur ta përcjellë në mënyrë adekuate origjinalin” mund të jetë mjaft diskutabël, ngase problemet e përkthyeshmërisë nuk mund të jenë të natyrës ideologjike, por historiko-letrare dhe gjuhësore.

/Orientalizmi Shqiptar/


*  Ky artikull është botuar në revistën “URA”, nr. 4, Pranverë-Verë, Tiranë 2010, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com, numër ekskluziv për përkthimin e parë të plotë të Kur’anit në gjuhën shqipe.

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: