Kalaja e Krujës, vatër artizanati dhe suveniresh

Entela Xheraj

 

KALAJA E KRUJËS, VATËR ARTIZANATI DHE SUVENIRESH

 

Aty mund të gjesh shumëllojshmëri produktesh, kryesisht souvenire dhe prodhime artizanale. Rruga që të çon në qytetin e vogël turistik, është e mbushur nga të dyja anët me pemë të llojeve të ndryshme, ndërsa në brendësi të qytetit rrugicat janë të shtruara me kalldrëm.

Pazari i Krujës

Pazari i Krujës

500 vjet më parë, Kalaja e Krujës u pushtua nga turqit, 500 vjet më pas, porta e saj u “pushtua” nga tregtarët vendas. Janë një numër i madh tregtarësh, të cilët vitet e fundit kanë zgjedhur portën hyrëse të kalasë për të tregtuar mallrat e tyre. Të shtyrë nga numri i madh i turistëve që vizitojnë këtë kala, krutanët e kanë parë si mënyrë fitimi tregtinë në rrugicat e saj.

Aty mund të gjesh shumëllojshmëri produktesh, kryesisht souvenire dhe prodhime artizanale. Rruga që të çon në qytetin e vogël turistik, është e mbushur nga të dyja anët me pemë të llojeve të ndryshme, ndërsa në brendësi të qytetit rrugicat janë të shtruara me kalldrëm. Në faqen e malit shtrihet madhërisht qyteti i Krujës, i cili është një ndër qytetet më të vjetër dhe më të njohur të Shqipërisë. Kalaja mijëravjeçare është shembulli më i mirë dhe dëshmitarja më e saktë që vërteton origjinën e një qyteti të lashtë e me tradita. Ndërsa suveniret karakteristike, me anë të të cilave gërshetohet shumë bukur tradita e lashtë shqiptare me atë moderne, janë të punuar me mjeshtëri nga banorët e zonës.

Aty mund të gjesh flamuj kuq e zi, qeleshe me shqiponjën dy krenare, veshje kombëtare, kostume tradicionale të krahinave të ndryshme, qilima shumëngjyrësh, mbulesa tavoline të punuara me dorë, kartolina me pamje të ndryshme të qytetit, piktura të heroit tonë kombëtar “Skënderbeu”, ikonën e Nënë Terezës, e deri edhe tek fotot e krerëve më të lartë politik të vendosur (stampuar) në gotat e ujit. Pra, me pak fjalë, gjithçka që mund t’i duhet një turisti si kujtim nga qyteti i lashtë e historik i Krujës. Tregtarët presin me padurim stinën e verës e të dimrit, pasi sipas tyre këto janë dy stinët që Kalaja e Krujës vizitohet më shumë nga turistët. Një pjesë e tyre janë të kënaqur me punën që bëjnë, ndonëse ka edhe nga ata të cilët ankohen pasi, krahasuar me disa vite më parë fitimet e tyre kanë rënë ndjeshëm.

Turistët

Numrin më të madh të vizitorëve që “pushtojnë” kalanë e Krujës, sigurisht, kësaj radhe me dëshirë, janë qytetarët e ardhur nga Kosova dhe nga shtete të huaja. Kureshtarë, njëkohësisht edhe të mirëinformuar sa i përket historisë së heroit tonë legjendarë “Skënderbeut”, ata shohin me vëmendje çdo detaj që përbën kalanë, sikur duan të vërtetojnë apo ta lidhin atë me historinë.

Ndër suveniret më të preferuara mbeten pjatat porcelani të murit ku është skalitur kalaja, ose “Skënderbeu”. Po kështu edhe suveniret e tjera si p.sh një qilim i punuar me mjeshtëri artizanale, një mbulesë tavoline me punim grepi, apo në rastet kur e ‘adhurojnë’ Shqipërinë, një flamur a një veshje jona kombëtare nuk përbën asnjë problem për ta. Megjithatë, ndonëse më të pakët në numër, në qytetin historik nuk mungojnë as vizitorët të cilët vijnë nga rrethe të tjera të Shqipërisë, enkas për t’i treguar pasardhësve të tyre, një pjesë të historisë, që u shkrua me gjak.

Opinionet

Abdullah Aliademi është një shtetas Kosovar. Ai ka ardhur në Kalanë e Krujës për të shoqëruar një grup turistësh, nga Çikago, Amerika, të cilët i ka miq prej vitesh. Ata vijnë për herë të parë në Shqipëri, e dëshira e tyre ishte të vizitonin kalanë e Krujës. “Kishin dëgjuar të flitej shumë për të, kureshtarë insistuan të vinin e ta vizitonin këtë qytet të vogël, por që mban brenda një histori të madhe. Unë i shoqërova me dëshirë të madhe. Kështu m’u dha mundësia të shihja edhe unë këtë qytet të bukur e me tradita. Janë mahnitur kur kanë parë kostumet tona popullore dhe flamujt e punuar me dorë”,- tregon Abdullahi.

Tregtarët

Xhemal Kullai është një 60 vjeçar i cili prej tre vjetësh vjen për të tregtuar mallrat e tij pranë portës kryesore të kalasë. Vite më parë, bashkëshortja e tij punonte në ndërmarrjen artizanale të qilimave në Krujë. Me prishjen e ndërmarrjes, ajo filloi ta ushtronte zanatin e saj në shtëpi. “Kështu nisi puna ime në këtë portë. Ajo i punonte, unë i shisja”, tregon Xhemali. Xhemati është kaldajist, ai ka pas punuar në spitalin e qytetit historik, por reformat e lanë atë në “rrugë të madhe”. “Kishim dy fëmijë për të ushqyer, kështu që e vetmja mënyrë për të mbijetuar ishte të punonim vetë për të siguruar bukën e gojës. Tani jemi të kënaqur, vërtet nuk fitojmë për të vënë pasuri, por jetojmë normalisht si të gjithë shqiptarët”, shprehet ai.

Lavdije Kalaja është një tjetër tregtare në kalanë e Krujës. Ajo ka një vit që është vetëpunësuar në këtë vend, kohë kjo kur u shkëput nga puna. “Kam pas punuar në një fabrikë këpucësh italiane. Merrja një pagë minimale prej 20 mijë lekësh të reja. Bëra një llogari të shkurtër e pashë se ishte shumë më mirë të vija këtu. Vërtet nuk fitoj ndonjë shumë të madhe por krahasuar me punën në fabrikë, ku isha nën urdhrat e të tjerëve, jam shumë më mirë. Edhe fitimi e kalon shumën që unë merrja në fabrikë, sidomos në periudhat kur vijnë turistë” nënvizon Lavdija.

Ylli Abazaj, është një prej tregtarëve më të vjetër në Kalanë e Krujës. Ai ka 15 vjet që tregton mallra të ndryshme artizanale në këtë zonë. Sipas tij “krahasuar me vite më parë puna ka rënë paksa. Ka ditë që nuk bëjmë asnjë lek xhiro, kjo edhe për shkak të motit të keq ose stinës në të cilën ndodhemi, por ka ditë që fitojmë deri në 3-4 mijë lëkë të reja. Klientët më të mëdhenj i kemi nga Kosova ose turistë që vijnë nga vende të huaja, por nuk mungojnë as shqiptarët të cilët vijnë nga rrethe të ndryshme për të parë kalanë e me këtë rast marrin edhe diçka kujtim nga ky qytet”, tregon Ylli Abazaj.

Historia

Kalaja e Krujës është një nga kalatë më të njohura në Shqipëri. Kjo kala me trajtë eliptike dhe me perimetër 804 m, zë një sipërfaqe prej 2.5 ha tokë dhe është ngritur në një kodër shkëmbore. Gërmimet arkeologjike të vitit1978 dëshmojnë se kodra ka qenë e banuar që në shek e III p.e.r. ndërsa kalaja është ngritur në shek. V-VI e.r. Pranë saj është zbuluar një varrezë e madhe e kulturës arbërore. Përmendet me emrin e sotëm në shek e IX bashkë me qytetin e Krujës si qendër peshkopale. Në shek XIII-XIV ishte qendra e shtetit të Arbrit. Gjatë periudhës së Skënderbeut u bë kryfortesa e qëndresës së shqiptarëve kundër pushtimit osman.

Advertisements
  1. ardiana
    01/12/2013 te 23:05

    me pelqen te jetoj ne kruje per nje kohe te shkurt 😀

  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: