25 vjet pas përkthimit të parë të plotë të Kur’anit në gjuhën shqipe

Liridon KADRIU

 

25 VJET PAS PËRKTHIMIT TË PARË TË PLOTË TË KUR’ANIT NË GJUHËN SHQIPE*

Liridon Kadriu

Liridon Kadriu

Përkufizimi i Kur’anit dhe fillet e përkthimit të tij në botë

Kur’ani është libër i shenjtë i muslimanëve i cili i zbriti pejgamberit Muhamed duke filluar nga viti 610 gregorian dhe zbritja e tij zgjati 23 vjet. Kur’ani përmban 114 sure që përfshijnë gjithsej 6666 ajete. Fillimi i Kur’anit nis me suren El-Fatiha dhe përfundon me suren En-Nas. Kur’ani është burimi kryesor i fesë islame dhe i dedikohet mbarë njerëzimit. Gjuha e Kur’anit është gjuhë e pastër arabe dhe sipas shumë orientalistëve objektivë, gjuha e Kur’anit është gjuhë e stilit të lartë, e qartë dhe e kuptueshme. Gjuha e Kur’anit shquhet për nga stili i saj, struktura dhe saktësia e shprehjes. Sipas shumë orientalistëve objektivë, Kur’ani i tejkalon aftësitë njerëzore dhe është i paimitueshëm.

Orientalisti i famshëm dhe autori i fjalorëve arabisht-anglisht dhe anasjelltas Dr. Sity Joungest për Kur’anin thotë se është libri më i dobishëm që ka rënë në duart e njerëzve, ndërsa orientalisti i famshëm Jorachhim Daralph thotë se Kur’ani është mbi të gjithë librat.

Karakteristikë e Kur’anit është se ai nuk përmban vetëm çështje fetare por në brendinë e tij përmban edhe shumë ajete që flasin për shumë çështje të tjera, si p.sh: 70 ajete që flasin për të drejtën familjare, 70 ajete për të drejtën civile, 30 ajete për të drejtën penale, 13 ajete për gjygjësinë dhe procedurën gjygjësore, 10 ajete për të drejtën kushtetuese, 25 ajete për marrëdhëniet ndërkombëtare, 10 ajete për ekonominë dhe financat, shumë ajete për aspektet shkencore dhe shumë ajete të tjera që flasin për shumë fusha të tjera të jetës.

Përkthimi i Kur’anit në botë fillon me Selman Farsiun me origjinë persiane, njërin prej shokëve më të afërt të Muhamedit, i cili me lejen e Muhamedit pati përkthyer suren El-Fatiha në gjuhën perse.

Sipas të dhënave të deritashme, përkthimi i parë i Kur’anit në Europë është bërë në gjuhën latine në shekullin XII në vitin 1143 përgatitur nga monarku, Robert Ketenenzis me iniciativën e Petreus Venerablis – abatit të Klunit, me urdhërin e të cilit ishte formuar një komision i posaçëm për përkthimin e veprave nga gjuha arabe në gjuhën latine. Më vonë Kur’ani është përkthyer edhe në gjuhët e tjera të Europës.

Më 1547 Kur’anin e përktheu humanisti italian Andrea Arrivabeni, ndërsa më pas edhe në gjermanisht (1623) dhe në hollandisht (1641). Studiuesi francez Sieur Du Ryer, e përktheu Kur’anin në gjuhën frënge më 1647 në Paris. Ndërsa më 1691 në Romë kemi edhe një përkthim në gjuhën latine, përcjellë me shumë shënime, të titulluar “Prodomus ad refutationem Alcorani”, që e përgatiti Ludovico Marracci. Ky përkthim ishte bërë drejtpërdrejtë me kërkesën e Papës Inoçenti XI.

Më 1734 Georg Sale përktheu Kur’anin në gjuhën angleze. Këtij përkthimi i paraprin një studim mjaft objektiv si për popullin, ashtu edhe për kulturën arabe, por mbi të gjitha ai kishte një qasje konstruktive ndaj islamit si fe. Si përkthimi, ashtu edhe studimi hasën në mirëkuptim të plotë në opinionin europian; këtë e dëshmon e dhëna se ky përkthim shërbeu si bazë për përkthimet e mëvonshme në gjuhët e tjera, si në gjermanisht (1746), frëngjisht (1770). Vetëm në Amerikë në periudhën 1833-1880 pati pesë botime. Këtë përkthim e kishte marrë për bazë edhe më 1840 Ulmani i cili e përktheu Kur’anin në gjermanisht. Më 1949/50 në Paris, Kur’anin e përktheu në gjuhën frënge orientalisti i njohur frëng, Bllachéret, i cili konsiderohet një ndër përkthimet më serioze të realizuara në Europë nga orientalistët europianë.

Kur’ani më vonë përkthehet pothuajse në të gjitha gjuhët e botës dhe përkthimi më i mirë që është bërë gjer më tani konsiderohet përkthimi në gjuhën angleze. Deri më tani në gjuhën angleze janë bërë më së shumti përkthime të Kur’anit. Kur’ani krahas Biblës vazhdon të jetë libri më i shitur në botë dhe njëkohësisht më i përkthyeri.

Historia e përkthimit të disa pjesëve të Kur’anit në gjuhën shqipe

Duhet theksuar se përfolje të disa ajeteve të Kur’anit janë bërë nga intelektuali dhe poeti i njohur shqiptar Naim bej Frashëri në librin e tij, me titull ‘Thelb’ i Kur’anit’, që është botuar në veprën e tij ‘Mësime’ në vitin 1894, në Bukuresht. Mahmud Hysa, në veprën Alamiada Shqiptare II, Shkup 2000, f. 39-79 shkruan: “Për fat të keq, botimet e mëpasshme të veprave të Naimit në Prishtinë, Shkup e Tiranë në vazhdimësi e kanë fshirë këtë pjesë nga pjesa integrale e veprave të Naim Frashërit, duke falsifikuar kështu veprën e Naimit por edhe historinë islame shqiptare dhe historinë e kulturës përgjithësisht”.

Përkthyes i disa pjesëve të Kur’anit në gjuhën shqipe më 1921 është edhe Ilo Mitko Qafëzezi i cili merr për bazë përkthimin e Kur’anit në gjuhën angleze të autorit Georg Sale.

Më vonë bëhen përkthime të pjesshme të Kur’anit Famëlartë nga Hafiz Ali Korça, nga patrioti i madh i cili i bekoi shkronjat shqipe (latine) përpara popullit duke thënë një lutje. Ca ditë më vonë, një tjetër mbledhje e madhe u bë në Gjirokastër, e kryesuar nga parësia dhe paria muslimane, e cila i shpalli botërisht se abeceja latine nuk i sillte asnjë dëm fesë. Në këtë fushë kulturore me punën e tij të palodhshme shquhet edhe Hafiz Ibrahim Dalliu, si me përkthimin e disa pjesëve të Kur’anit në gjuhën shqipe, po ashtu edhe me komentin,  të cilin e ka titulluar Ajka e Kuptimevet të Kur’ani Qerimit. Në kopertinën e tefsirit Ajka e Kuptimevet të Kur’ani Qerimit shkruan se ky botim “u lexue, u shqyrtue e u pëlqye prej Këshillit të Naltë të Sheriatit”. Me këtë dëshmohet rëndësia e veprës, të cilën e merr përsipër qendra më e lartë e cila është kujdesur për çështjet fetare islame në kuadër të Komunitetit Musliman Shqiptar. Ky tefsir është shtypur në Shtypshkronjën “Ora e Shkodrës” më 1929 dhe është i formatit 23 x 15 cm. Disa pjesë të Kur’anit në gjuhën shqipe i ka përkthyer edhe Hafiz Abdulla Zemblaku, etj.

Akademiku Feti Mehdiu fillon përkthimin e disa pjesëve të Kur’anit që nga viti 1977 dhe më vonë në vitin 1984 boton përkthimin e sures Shuara në revistën Edukata Islame, më vonë më 1983 dhe 1984 ai boton edhe disa sure të tjera në revistën Glasnik Vis në Sarajevë dhe në vitin 1984 e përfundon në tërësi përkthimin e Kur’anit dhe bëhet i pari përkthyes komplet i Kur’anit në gjuhën shqipe.

Përkthimi dhe botimi i parë komplet i Kur’anit në gjuhën shqipe

Në qershor të vitit 2010 bëhen plot 25 vjet nga përkthimi i parë komplet i Kur’anit në gjuhën shqipe. Përkthyesi i parë i Kur’anit në gjuhën shqipe është akademiku Feti Mehdiu, profesor në degën e Orientalistikës në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë. Ky përkthim sheh dritën e botimit në vitin 1985 dhe botohet nga Bashkësia Islame e Kosovës.

Përkthimi mban titullin: KUR’AN-i, Prishtinë, përkthyes Feti Mehdiu, ka 878 faqe, recensent janë: B. Aliu, I. Murati edhe T. Gashi. Parathënien e këtij botimi e ka shkuar Jetish Bajrami, në vazhdim vjen një studim i F. Rrahmanit, pason përkthimi i Kur’anit, vetëm teksti në gjuhën shqipe, faqe 29-824. Nga teksti origjinal kemi vetëm suren “Fatiha” dhe tri suret e fundit “Ihlas”, ”El-Felek”, “En-Nas”. Në vazhdim, në faqet 825-848, vijnë shënimet për të cilat përkthyesi që në fillim ka shënuar se janë nga Besim Korkuti. Pasojnë disa tekste ku duhet të bëhet sexhde, shpjegimi i disa termave specifikë në Kur’an etj., ndihmës për ta kuptuar Kur’anin etj. Në faqen 865 është fjala e përkthyesit.

Profesor Mehdiu në tekstin “Me rastin e botimit të parë” shkruan: ”Idenë për ta përkthyer Kur’anin e kam ushqyer në vete qysh prej viteve 1968-70, për të filluar punën konkretisht në vitin 1978. Në fillim duke i zgjedhur disa sure, kurse që nga viti 1980 iu përvesha punës sistematikisht dhe i shtrova vetes si detyrë që Kur’anin ta përkthejë në tërësi. Ndërkohë i botova disa sure në revistën “Edukata Islame”, dhe në revistën “Glasnik”. Në fund të qershorit arrita ta përfundoj këtë punë”. Profesor Fetiu më tutje vazhdon se ka pasur për qëllim që lexuesi shqiptar të ketë një përkthim komplet të këtij libri që ka bërë kthesë të madhe në historinë e njerëzimit. Ai shton se Kur’ani është një libër me karakter universal, me përmbajtje ekonomiko-sociale, juridike, apologjetike etj., kurse në pikëpamje ideo-artistike zë vendin e nivelit më të lartë poetik.

Karakteristkë e veçantë e këtij përkthimi të Kur’anit është se përkthyesi pothuajse askund nuk e përdorë kllapën, të fusë ndonjë fjalë në kllapa gjatë përkthimit, por mundohet që përkthimi i ajetit të bëhet ashtu siç është zbritur në origjinal në gjuhën arabe, gjë për të cilën edhe përkthyesi shprehet: ”Duke pasur parasysh përmbajtjen universale, mundësitë e mëdha për interpretime të ndryshme, këtu kam dashur të jap një përkthim sa më besnik ndaj origjinalit dhe me vetëdije aty ku nuk kam arritur të gjejë shtegdalje tjetër, jam përcaktuar për besnikëri në vend të bukurisë. Kam pasur parasysh stilin dhe shprehjen kur’anore, prandaj jam përpjekur që t’i qëndroj besnik deri në fund”, përfundon profesor Fetiu. Ai madje shpeshherë futjen në kllapa por edhe shtimin e ndonjë fjale pa vend e quan tendencioze. Përkthyesi në një intervistë dhënë revistës ”Mendimi Islam” tregon edhe për problemet që ka hasur gjatë përkthimit i cili shprehet si vijon: “Nuk ka qenë lehtë për bashkëpunëtorë në atë kohë, në vitet 1980-85 ku ka qenë kulminacioni i monizmit, ku pak veta guxonin të mendonin publikisht për çështjet e fesë. Kur flitej për Kur’anin gjithnjë flitej si libër me rëndësi shkencore e kulturore. Kjo është e saktë, por gjithashtu është e saktë se Kur’ani është edhe libër fetar dhe është shtylla mbi të cilin mbështetet feja islame.” Më pas, përkthyesi tregon për vështirësitë por edhe për ndihmesën për të cilën shprehet: ”Mua më ka munguar literatura në gjuhën shqipe. Edhe ato pak botime në gjuhën shqipe që i referoheshin Kur’anit asokohe unë nuk kam pasur mundësi që t’i kem në dorë. Sado që unë kam bërë përkthimin e Kur’anit, për ta përkthyer Kur’anin ka nevojë edhe për komentime – tefsire të Kur’anit, në mënyrë që të kapësh thelbin e asaj që thuhet në ajete të caktuara. Është dashur një punë me durim, që t’i kthehesh disa herë ajetit”.

Edhe përkundër çmimit të lartë ky përkthim u mirëprit shumë mirë nga lexuesi shqiptar dhe arriti shitje rekorde. Ai ishte libri më i shitur sipas një ankete që u zhvillua në vjeshtë të vitit 1985. Është interesant fakti se këtij përkthimi i dha rëndësi më shumë shtypi i huaj se ai shqiptar.

Profesor Fetiu në fund me rastin e botimit të parë dhe në një intervistë dhënë revistës “Mendimi islam” nuk lë pa i falënderuar edhe bashkëpunëtorët instuticionalë si: Bashkësinë Islame të Kosovës, Institutin Albanologjik, Kryesinë Supreme Islame në Sarajevë e pastaj Abdurrahman Hukiqin për nxitjen dhe për përkrahjen që përkthimin e Kur’ranit ta kryejë në momentin e duhur. Në mënyrë të veçantë falënderon shokët: Jusuf Gashin, Elez Ismailin, Mehmet Halimin dhe Hasan Emërllahun.

Përkthimi i prof. Mehdiut pati edhe botimin e dytë i cili ishte më i kompletuar se i pari për arsye se iu shtua edhe origjinali në gjuhën arabe dhe me të vërtetë e mori formën e një përkthimi profesional.

Në botimin e dytë përkthyesi përkthimin e tij e emëroi: Kur’an-i dhe hija e tij shqip, për të cilin titull autori jep shpjegime në tekstin me titull: Me rastin e botimit të dytë: ”Botimi i dytë është titulluar Kur’ani dhe hija e tij shqip, për shkak se vetëm në origjinal është Kur’an. Çdo përkthim paraqet vetëm hijen në gjuhën që përkthehet. Kjo është si hija e një peme që jep fryte të llojllojshme por vetëm hijen e saj mund ta shfrytëzojmë ngase nuk jemi në gjendje të njohim të gjitha frytet e një peme të tillë”.

Karakteristikë e këtij përkthimi është se faqosja e Kur’anit bëhet nga e majta në të djathtë  për arsye se i dedikohet lexuesit shqiptar.

Përkthimi është i drejtpërdrejtë, kllapa përdoret shumë rrallë dhe nuk posedon komentim, përveç disa shënimeve dhe në fund të përkthimit të cilat shpjegojnë disa gjëra të cilat përkthyesi ka menduar se janë të paqarta për lexuesin shqiptar, si p.sh.: shpjegimin për shkronjat “Elif”, ”Lam”, “Mim”, për të cilat përkthyesi tregon se njëzet e nëntë prej sureve fillojnë me këto shkronja të cilat i kanë shpjegimet e tyre dhe vlerat numerike.

Botimi i dytë në kopertinë ka të shënuar: ”Kur’ani dhe hija e tij shqip”, ndërsa brenda “Kuran-i me përkthim dhe sqarime shqip”, pastaj këtë përkthim përkthyesi dhe botuesi i’a dedikon dhuratë muhaxhirëve të Kosovës. Vazhdon me dy faqe ku shkruan “Parathënia me rastin e botimit të dytë” dhe “Parathënia me rastin e botimit të parë”, për të vazhduar me përkthimin e Kur’anit, i cili fillon nga sure Fatiha dhe një faqe është teksti origjinal në arabisht, kurse një faqe përkthimi në gjuhën shqipe. Teksti është shumë i qartë si në gjuhën shqipe po ashtu edhe në atë arabe, gjë e cila e bënë shumë të lehtë për lexim. Ky përkthim ka 603 faqe. Pas saj vazhdon duaja e hatmes në gjuhën arabe. Pasojnë shënime, ku duhet të bëhet sexhdeja etj. Përkthyesi tregon se janë katërmbëdhjetë ajete ku duhet të bëhet sexhdeja. Për ta sqaruar edhe më mirë përkthyesi vendin se ku duhet të bëhet sexhdeja vendos një “S” të madhe të gjuhës shqipe e cila tregon se kur të lexohet ky ajet duhet të bëhet sexhde. Vazdhon një kapitull tjetër i quajtur: “Shpjegimi i disa termave specifikë në Kur’an, pastaj Treguesi i emrave, Treguesi alfabetik i sureve dhe përfundon me Përmbajtjen.

Ky botim është bërë nga shtëpia botuese “Logos-A” në Shkup dhe I.H.H – Stamboll në vitin 1999.

Për ilustrim sa më të mirë për lexuesin shqiptar në këtë 25 vjetor të këtij përkthimi do të sjellim vetëm përkthimin e sures El-Fatiha, të cilën akademiku Feti Mehdiu e përkthen kështu:

Sureja 1.

Suretu al-Fatiha – Hyrja

Mekë – 7 ajete

1. Në emër të All-llahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirplotit!

2. Lavdërimi është për All-llahun, Zoti i botërave,

3. Të Gjithmëshirshmin, Mëshirëplotin,

4. Sunduesin e ditës së gjykimit

5. Vetëm Ty të adhurojmë, dhe vetëm nga Ti ndihmë kërkojmë,

6. Drejtona në rrugën e drejtë,

7. Në rrugën e atyre, të cilët i bekove, jo atyre që kanë merituar hidhërimin, e as të atyre që kanë humbur!

Përkthyesi Mehdiu ka botuar edhe librin në gjuhë shqipe: Përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe, Shkup 1996.

Përkthimet që vijnë pas  përkthimit të Feti Mehdiut

Përkthimi i II-të

Tri vite pas botimit të përkthimit të parë të Kur’anit nga Dr. Feti Mehdiu pason përkthimi i Hasan I. Nahit, i cili ka 612 faqe. Përkthyes: Hasan Efendi Nahi, recensent janë: A. Hoxha, N. Hajrullahu.

Parathënien e ka shkruar Sadri Prestreshi, në tetor të vitin 1986, pas së cilës vjen fjala e përkthyesit me titull: Përkthimi i Kur’anit, pason Jeta e Hazreti Muhamedit a.s., faqe VIII-XV, përmbajtja e librit, si dhe përmbajtja e temave sipas sureve, faqe XVIII-XXXI, gjë kjo që e bënë shumë të afërt me lexuesin i cili dëshiron të informohet për ndonjë çështje të caktuar.

Kemi edhe shpjegimin e disa termave arabe dhe shkurtesave si dhe shënimet për ajetet kur duhet të bëhet sexhdeja.

Fillimi nis nga e djathta në të majtë sipas origjinalit.

Sipas profesor Fetiut, kjo është një metodë e rrallë, në mos e vetme në praktikën e përkthimit të Kur’anit të Madhëruar.

Përkthimi i Nahit krahas origjinalit në të njëjtën faqe ka edhe përkthimin në gjuhën shqipe, por kjo sipas Mehdiut nuk është arritur në tërësi dhe si ilustrim thekson faqet 298, 299, 276, 498-501, etj.

Përkthimi ka disa kllapa me qëllim të sqarimit. Të gjitha suret janë të shënuara me numra por jo edhe të përkthyera. Profesor Fetiu mendon se përkthyesi i ka qëndruar besnik ndarjes së Kur’anit në xhuze, kurse ivokacionin, përveç në suren e parë, nuk e ka përkthyer. Teksti shqip është radhitur në prozë e kjo e bën të lodhshme leximin, megjithatë numrat janë të dalluar me të zezë përfundon akademik Feti Mehdiu në një artikull të botuar në revistën “Diturinë Islame”, më 1990.

Ky përkthim është shtypur në 5000 mijë ekzemplarë në shtypshkronjën “Ognjen Prica“ në Zagreb, 1988.

Përkthimi i III-të

Menjëherë pas përkthimit të Hasan Nahit në të njëjtin vit pason përkthimi i Sherif Ahmetit. Ky përkthim mban titullin: Kur’an-i, përkthim me komentim në gjuhën shqipe, i botuar në vitin 1988 nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, me recensentë: M. Gashi dhe M. Ajdini, të shtypur nga Kompleksi i Dy Haremeve, Mretit Fehd për shtypin e Kur’anit të Ndershëm, P.O.Box 3561, Medinë.

Libri hapet me përmbajtjen, pas së cilës vjen parathënia të cilën e shkroi Jetish Bajrami, faqe 7-10. Nga faqja 11-23 kemi artikullin Vështrim rreth Kur’anit të pafirmosur që është ndarë në disa nëntituj si: Përmbajtja e Kur’anit, Tubimi me gjoksa, Mrekullia e Kur’anit e të tjerë. Përkthimi i Kur’anit nis nga faqja 26-893. Në fund të faqeve pason komentimi.

Profesor Fetiu mendon se sado që është i pajisur me tekstin origjinal të Kur’anit, ky më tepër është në funksion dekorativ sesa për qëllime krahasuese. Ajetet në gjuhën shqipe fillojnë me rresht të ri, por teksti origjinal i Kur’anit përveçse që është i zvogëluar, nuk përputhet me shkrimin në shqip. Shpeshherë në dy faqe përkthim ka një faqe origjinal si në faqet 38, 356, 392, 430, etj., ose nuk ka fare tekst origjinal si në faqen 442, 456, 832, 838, etj. dhe si i tillë ky tekst origjinal mbetet jashtë qëllimit për të cilin është vënë këtu.

Më tutje profesor Mehdiu shton se edhe pse Sherif Ahmeti nuk e përmend përkthimin e Panxha Çausheviçit, sipas modelit të këtij jep komentimin, përkundër deklarimit se e bënë për lexuesin, ky më tepër i referohet dëgjuesit, sepse në asnjë vend lexuesi nuk e gjen se cili ajet i referohet komentit, krahaso faqet: 863, 563, 564, etj. Krahas këtyre t’i quajmë kuptimisht, komenteve që vijnë gati në fund të çdo faqeje, përkthyesi edhe brenda përkthimit të ajeteve ka futur shumë sqarime në kllapa. Këto sqarime shpesh janë pa funksion relevant, si në faqet: 37, 38, 79, 245, 476, 67, etj., përfundon Mehdiu.

Pas duasë së hatmes pasojnë disa shënime historike si dhe fjala e përkthyesit në faqen 901, e shkruar më 28 Prill 1987, në Prishtinë. Në fund gjendet përmbajtja në gjuhën arabe dhe në gjuhën shqipe.

Përkthimi i IV-të

Pas botimit të Sherif Ahmetit pason botimi i vitit 1990, i quajtur Kur’ani i Shenjtë, Islamabad 1990, faqe 894 me përkthyes Muhamed Zakaria Khan. Këtë përkthim e botoi “Islam Internacional Publicitions”, L.T.D., Islamabad. Në brendi të tij shkruan: Kur’ani i Shenjtë, arabisht-shqip, përkthimin dhe komentimin e bëri Muhamed Zakaria Khan, dhe u botua nën mbikqyrjen e Hazret Mirza Tahir Ahmedit, halifi i katërt i Mesihut të Premtuar dhe kryetari suprem i Lëvizjes Ahmediane në Islam. Gjithashtu figuron edhe mbishkrimi në gjuhën angleze (The Holy Quran in Albanian). Ky botim hapet me parathënien e botuesit, pas së cilës vjen fjala e përkthyesit, ku tregon se ky nuk është përkthimi i parë në gjuhën shqipe, por nuk i cek përkthimet e mëhershme. Pas parathënies pason renditja e sureve dhe pas kësaj pason përkthimi me komentim nga faqja 1-893. Teksti origjinal dhe përkthimi gjenden në të njëjtën faqe, kurse komentimi me numra nga 1-1423. Pas përkthimit me komentim pason Lutja e përfundimit të Kur’anit dhe në fund gjendet Pasqyra e lëndës. Përkthyesi ka dhënë një pasqyrë të tematikës së Kur’anit duke e radhitur sipas përmbajtjes në gjuhën shqipe si: A-agjërimi, B-bota, D-derri dhe ndalimi i mishit të tij.

Sipas Mehdiut, vëmendjen e lexuesit e tërheqin dy karakteristika të këtij botimi që sigurisht nuk përputhen me tradicionalizmin islam.

– Në fillim është mbikëqyrësi i botimit si halif i Mesihut të Premtuar, çështje që nuk do koment dhe e dyta është mënyra e komentimit aq e lirë, sa kur është fjala për Kur’anin, mund të thuhet se kalon në papërgjegjësi. Për këtë duhet ta japin fjalën me më kompetencë ata që merren me komentimin e Kur’anit. Pastaj, akademik Feti Mehdiu sjell disa komentime që sipas mendimit të të tij këso farë lloj komentimesh ndodhen për herë të parë në ndonjë koment të Kur’anit, si p.sh: ”Medjeni ishte biri i Ibrahimit”, f. 208; “Fjala xhin do të thotë sundimtar, kryetar dhe njerëz të mëdhenj, f. 223; pastaj një komentim tjetër: “Prandaj dy duart i referojnë dy superfuqitë – Amerikën dhe Bashkimin Sovjetik”, f. 890; “Fjala është për zëvendësin e profetit të shenjtë – imam Mehdiun, ardhja e të cilit është si yll i mëngjesit…”, f. 854 etj. Sipas akademik Feti Mehdiut mendime të tilla na shtyjnë të përfundojmë se këto komentime, në mos qofshin tendencioze, për naive nuk ka dyshim”.

Përkthimi i Muhamed Zakaria Khanit është shpërndarë edhe në shumë vende të botës perëndimore ku jetojnë shqiptarë se ka pasur raste kur disa individë të paarsimuar për Islamin kanë rënë pre e shumë komentimeve të këtij përkthimi, komentime të cilat janë të pa baza dhe ndjellakeqe.

Këtij përkthimi i mungon edhe redaktimi profesional gjuhësor dhe është i mbushur me disa gabime shumë të rënda të cilat mund t’i vërejnë edhe shumë njohës të vegjël të gjuhës shqipe.

Përkthimi i V-të

Shtatë vite më pas kemi edhe përkthimin e pestë të Kur’anit në gjuhën shqipe, i cili realizohet në vitin 1997 në Tiranë nga ish-folësi i Radio Tiranës, Haxhi Selim Stafa.

Ky përkthim titullohet: Përzgjedhje në komentimin e Kur’ani Kerimit, vëllimet 1-10, Tiranë 1996-1998, të cilin e botoi Komuniteti Musliman i Shqipërisë – Komiteti i Botës Islame.

Ky përkthim është quajtur Përzgjedhje në komentimin e Kur’ani Kerimit, sipas titullit të cilin e mban në origjinal, në arabisht. Ky është botimi i trembëdhjetë me titull Al-Munhatab fi tafsiri-l-Kur’ani-l-kerim, që është botuar në Kairo në vitin 1988.

Vëllimi 1 hapet me dy fjalë për lexuesin dhe komentimet që i bëhen nga përkthyesi Stafa. Përkthyesi shpreh mirënjohje për organizatën Komiteti i Botës Islame që ka përkrahur punën e tij për muslimanët e Shqipërisë. Ky libër përfshin suret: El-Fatiha dhe El-Bekareh.

Vëllimi 2 përfshinë suret “Al-Imran dhe “En-Nisa”, ku gjithashtu përfshin fjalën e përkthyesit Stafa.

Vëllimi 3 përfshin një hyrje të shkurtër, vetëm një faqe dhe ka suret: ”El-Maideh” deri në fund të sures “El-Araf”.

Vëllimi 4, hapet me fjalën e përkthyesit dhe ka suret “El-Enfal” deri në fund të sures “Jusuf”.

Vëllimi 5, gjithashtu ka fjalën e përkthyesit, dhe vazhdon me suret “Err-Rrad” deri në fund të sures “Ta-Ha”.

Vëllimi 6 përmban fjalën hyrëse dhe suret ”El-Enbija” deri në fund të sures “En-Neml”.

Vëllimi 7 fillon me suren “El-Kasas” deri në fund të sures “Sad”.

Vëllimi 8 hapet me fjalën e përkthyesit, pak më të zgjeruar se në vëllimet e mëparshme. Pasojnë suret “Ez-Zumer” deri në fund të sures “En-Nexhm”.

Vëllimi 9, përveç fjalës hyrëse si në vëllimin 8 vazhdon me suret “El-Kamer” deri në fund të sures “El-Kijameh” dhe në faqen 177, ku ka edhe pasqyrën e lëndës, një element që u mungon vëllimeve të mëparshme.

Vëllimi 10, është fjala hyrëse, ka edhe disa informacione dhe shprehje të ndryshme rreth Kur’anit, dhe pason me suret ”El-Insan” deri në fund të sures “En-Nas”. Në faqen 134-137, vjen pasthënie e përkthyesit, në faqen 138 vjen Pasqyra e Lëndës dhe në fund është emri i shtrypshkronjës “International Printing Company”.

Dr. Feti Mehdiu në revistën shkencore “Studime Orientale – 2”, në vitin 2002 në Prishtinë ka botuar një vështrim nga i cili po sjellim disa mendime. Profesor Fetiu mendon se të quajturit e Kur’anit kushtetutë e jetës së muslimanit“ nga përkthyesi Selim Stafa nuk është e re në literaturën islame shqipe, por gjithsesi është një zhvlerësim, mbase i paqëllimtë për Kur’anin. Kur’ani nuk duhet krahasuar me aktet normative juridike që përpilohen nga njerëzit dhe janë të përkufizuara në hapësirë dhe kohë të caktuar. Më tej, profesor Mehdiu tregon se përkthyesi tekstin origjinal të Kur’anit nuk ka arritur ta vendosë afër tekstit në gjuhën shqipe me korrektësinë që e meriton Kur’ani. Në suren e parë, origjinali është në faqen e parë, kurse përkthimi në faqen e dytë. Al-Bakaratu tekstin e ka në faqen 3, kurse përkthimi në faqen 6, etj. Ai më tutje shton: ”Përkthyesi ka edhe disa lëshime për të cilat mendoj se janë si pasojë e shpejtimit saqë nuk ka menduar shumë se Ehlu-l-Kitab nuk janë vetëm çifutët, por edhe të krishterët që pasojnë Unxhillin. Kështu përkthimi çifutët në vend të Pasuesit e Librit e ngushton shumë kuptimin, madje edhe fjala jetim do të thotë fëmijë pa prindër, pa njërin ose pa asnjërin prind. Prandaj nuk mund të përkthehet fëmijë që nuk e ka babain”. Profesor Fetiu tregon edhe se përkthyesi Stafa gjatësinë e zanoreve e realizon përdhunshëm me “ë” si Enbijaë në vend të Enbija, Nisaë në vend të Nisa, ose për zanoren e gjatë “i”, ai përdor “j”, e cila në gjuhën arabe trajtohet si gjysmë zanore dhe ky e shkruan amijn në vend të amin. Ai gjithashtu te emri All-llah dhe Muhammed nuk i përfill rregullat e origjinalit, d.m.th. te secili emër e humb nga një bashkëtingëllore dhe e shkruan Allah, Muhamed, në vend që ta shkruajë All-llah dhe Muhammed. Me fjalë të tjera nuk i përfill rregullat e transkriptimit të emrave me burim arab dhe vazhdon ta shkruajë Muntekhab në vend të Muntehab, Dukhan në vend të Dukan, Akhzab në vend të Ahzab etj., që tregon se nuk është përcaktuar, nuk ka zgjedhur për asnjërin transkriptim të njohur nga shkolla e orientalistëve të Europës, por as të orientalistikës shqiptare. Në fund, profesor Fetiu thotë: “Megjithatë, sot shqiptarët me këtë përkthim kanë bërë pesë përkthime të Kur’anit në gjuhën amtare, fakt ky që flet për një angazhim serioz të inteligjencës shqiptare në fushën e Islamistikës”.

Përkthimi i VI-të

Përkthimi i fundit në gjuhën shqipe është realizuar në qershor të vitit 1999.

Ky përkthim mban titullin “Shpjegimi i kuptimeve të Kur’anit të Lartë në gjuhën shqipe”, përmbledhur në një vëllim nga Dr. Muhamed Taki-ud-Din El-Hilali dhe Dr. Muhamed Muhsin Khan, përkthyer në gjuhën shqipe nga një grup përkthyesish në Darussalam, Shtëpia Botuese dhe Shpërndarëse “Darussalam”, Riad, Arabia Saudite.

Ky përkthim sipas disa informatave është bërë nga një grup studentësh nga Shqipëria që studiojnë në Medine të cilët për shkaqe të cilat i dinë vetëm ata nuk i kanë vendosur emrat e tyre, gjë e cila është e papranueshme. Ky përkthim ka dy botime, një në vitin 1999 dhe botimin e dytë në vitin 2000. Ky përkthim është botuar në dy formate: Formati i madh me kopertina të forta i cili e ka edhe tekstin në origjinal në gjuhën arabe dhe formati i vogël apo i xhepit, i cili është pa origjinalin dhe ka vetëm përkthimin në gjuhën shqipe. Në brendi ndodh e kundërta dhe shkruan: Shpjegimi i kuptimeve të Kur’anit të Lartë në gjuhën shqipe”, versioni i përmbledhur i At-Tabari, Al-Kurtubiu dhe Ibn-Kethiri me komente nga Sahih Al-Bukhari, përmbledhur në një vëllim. Pastaj jepet ky tekst: Përkthyer në gjuhën shqipe nga një grup përkthyesish pranë Darussalam. Pas kësaj vijnë emrat e Dr. Muhamed Taki-ud-Din El-Hilali, ish-profesor në Universitetin Islam në Medine dhe Dr. Muhamed Muhsin Khan, ish-drejtor i spitalit të Universitetit Islam në Medine dhe në fund jepet teksti: Shtëpia Botuese dhe Shpërndarëse Darussalam, Riad, Arabia Saudite.

Pas kësaj vjen një faqe ku shkruan: Kur’ani i Lartë, pason Përmbajta, më pas Dy fjalë nga botuesi, pastaj: Kur’ani i Lartë, një mrekulli nga Allahu. Me emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti. Kur’ani i Lartë, një mrekulli nga Allahu (dhuruar Pejgamberit Muhamed, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të). Vazhdon biografia e dy përmbledhësve dhe pas kësaj vazhdon përkthimi i Kur’anit nga faqja 11 gjer më 902. Pason Shtojcë 1, Teuhidi me emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirploti, pastaj vazhdon Shehadeti – Dëshmia e Muhamedit, pason Isai dhe Muhamedi (Paqja qoftë mbi ta) në Bibël dhe në Kur’an, pason një shpjegim tjetër me titull Profecia Biblike mbi ardhjen e Muhamedit a.s., vijon një shpjegim tjetër i titulluar: Përfundim mbi provat dhe fabrikimin e ndodhisë së kryqit, pason pastaj Shirku dhe kufri (Politeizmi dhe mohimi), pason një temë me emrin “Shirku – Politeizmi dhe format e shfaqjes së tij”. Pastaj vjen një shpjegim tjetër i quajtur “En-Nifak, Hipokrizia dhe format e ndryshme të shfaqjes së saj, Shtojcë II, Thirrja Islame (Vendosmëria për çështjen e Allahut në Kur’an), Njoftim dhe në fund është Treguesi i Sureve.

Për këtë botim në një artikull që pritet të botohet së shpejti në revistën shkencore Studime Orientale – 3, akademiku Feti Mehdiu shkruan: “Ky grup kaq i kualifikuar edhe fjalën “…inderab-bihim…” e kanë përkthyer “…me Zotin e tyre…”, në vend që ta përkthejnë “…Zoti i tyre…”, pastaj përkthyesit prej fillimit e deri në fund invokacionin Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim, 114 herë e kanë përkthyer gabimisht, dhe tash prapë për të njëqindepesëmbëdhjetën herë e në faqen 903 e kanë shkruar “Me emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti”, ata nuk e kanë lodhur trurin ta shohin se edhe “Rrahman” edhe “Rrahim” janë në rasën gjinore dhe prandaj duhet të jetë “Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit”, pra parafjala “bi” këtu nuk tregon mjetin e shoqërimit me ndonjë send, konkretisht me emrin e Allahut, por tregon se dikush kryen një veprim sipas autorizimit të dikujt. Kanë qenë aq të pakujdeshëm sa në faqen 903 katër herë e kanë shkruar gabimisht fjalën La ilahe il-Allah, që në gjuhën shqipe do të thotë “Nuk ka Zot-Allah”, Allahu i faltë dhe i udhëzoftë të mësojnë se kjo duhet shkruar La ilahe il-lall-llah – Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut.

Më gjerësisht rreth këtij përkthimi do të lexojmë në revistën Studime Orientale – 3 e cila do të botohet së shpejti.

Literatura e shfrytëzuar

1. Kur’ani origjinal, Riad, Arabia Saudite

2. Kur’ani, përkthim në gjuhë shqipe nga Dr. Feti Mehdiu, 1985, Prishtinë

3. Kur’ani, përkthim në gjuhën shqipe nga Hasan Efendi Nahi, 1987, Prishtinë

4. Kur’ani, përkthim në gjuhën shqipe nga Sherif Ahmeti, Prishtinë 1987

5. Kur’ani, përkthim në gjuhën shqipe nga Muhamed Zakaria Khan, Islamabad 1990

6. Kur’ani dhe hija e tij shqip, Dr. Feti Mehdiu, 1999

7. Kur’ani, përkthim në gjuhën shqipe nga një grup studentësh shqiptarë në Medine, 1999

8. Kurani, përkthim në gjuhën shqipe, 1-10 vëllime nga Selim Stafa, Tiranë 1996-1998

9. Të tjerët për Muhamedin a.s., Beiduzaman Said Nursi, Stamboll, pa vit botimi

10. Qytetërimi arabo-persian, Qazim Qazimi, skriptë e Fakultetit të Orientalistikës.

11. Përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe, Feti Mehdiu, Shkup 1996

12. Ismail Bardhi, Hafiz Ibrahim Dalliu dhe ekzegjeza e tij kur’anore, Shkup 1419/1998

13. Feti Mehdiu, Kur’ani kryevepër – Tekste të zgjedhura, Prishtinë 1992.

14. Mahmud Hysa (Alamiada shqiptare, I-II, Shkup 2001.

15. Gjuha arabe, Feti Mehdiu, 1989

16. Revista “Mendimi Islam“, Maj 2005-05-27

17. Revista “Dituria Islame, nr. 19, 1990

18. Revista Studime Orientale – 2, Prishtinë 2002

19. Takvimi 2001, Ramadan Shkodra, 80 vjet të përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe, (1921-2001)

20. Nexhat Ibrahimi, Përkthimi i Kur’anit (artikull në internet).

/Orientalizmi Shqiptar/


* Ky artikull është botuar në revistën “URA”, nr. 4, Pranverë-Verë, Tiranë 2010, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com, numër ekskluziv për përkthimin e parë të plotë të Kur’anit në gjuhën shqipe.

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: