Kreu > Albanologji, Islamologji, Studime islame > Pse u vonuan shqiptarët në përkthimin e Kur’anit?!

Pse u vonuan shqiptarët në përkthimin e Kur’anit?!

Mexhid YVEJSI

 

PSE U VONUAN SHQIPTARËT NË PËRKTHIMIN E KUR’ANIT?!*

Mexhid Yvejsi

Mexhid Yvejsi

Kur’ani është Shpallja, Zbulesa, e Fundit Hyjnore, është burim i pashtershëm i forcës shpirtërore. Kur’ani është kurorë e të gjithë Librave Hyjnorë, është Libri më i lexuar, është Libri më i nderuar.

Kur’ani është Libër përkujtues, është Libër udhëzues, është Libër shërues. Kur’ani është Dritë nga Drita e cila është përmbi çdo Dritë.

Kur’ani është Libër shpjegues, është Libër sqarues. Libër i mirësive, Libër i begative. Kur’ani është Libër mëshirues, është Libër bekues.

Kur’ani është Libër plotë dituri, është Libër plotë urtësi. Dituria dhe urtësia e Kur’anit s’ka të sosur, sepse Kur’ani është libër i përsosur…

Kur’ani, meqë është Shpallje, Zbulesë, Hyjnore, meqë është forca më e madhe shpirtërore, meqë përmban të gjitha këto cilësi, atëherë shtrohet pyetja: Pse u vonuan shqiptarët në përkthimin e Tij?

Arsyet janë të shumta, por arsyet e shumta nuk janë të gjitha të arsyeshme. Besimtarët janë të urdhëruar të flasin, të shkruajnë, të vërtetën, edhe nëse e dëmtojnë vetveten.

Ky komb nuk mësohet e nuk kulturohet nëpërmjet lavdit, por nëpërmjet kritikës, thoshte Faik Konica. Ne, shqiptarët, ndonëse një nga popujt më të hershëm të Europës, jemi nga kombet më të vonshëm. Komb i përgjumur, komb i vonuar, komb vonë i zgjuar.

Ne, shqiptarët, shpesh mburremi, krenohemi, që jemi popull europian. Por, europianët, ndonëse të krishterë, i filluan përpjekjet për përkthimin e Kur’anit mjaft herët. Përkthimi i parë u bë në gjuhën latine, me urdhër të Abatit Pjetër, i cili shërbente në kishën e Klugni-t. Ky përkthim shënohet në vitin 1143, por mbeti i fshehur, për nevojat e brendshme kishtare, për 400 vjet të plota, deri kur në vitin 1543, u publikua nga Theodor Bibliander. Nga ky përkthim, më vonë, dolën edhe përkthime të tjera në gjuhën italiane, gjermane, hollandeze, frënge, ruse (1716) etj.

Përkthimin e parë në anglisht e bëri Alexander Ross-i, i cili e ka marrë për bazë versionin frëng të orientalistit Andri de Rie (Andre Du Ryer, 1649-1688). Kurse përkthimi i njohur në anglisht i Sale-it, por që përmban shumë gabime, e pa dritën e botimit më 1734.

Ku mbetën shqiptarët? Pse u vonuan shqiptarët? Shqiptarët u vonuan jo vetëm në përkthimin e Kur’anit, por edhe më shumë u vonuan në përkthimin e Biblës! Bibla u përkthye në gjuhën shqipe në vitin 1993, nga protestantët, kurse me 1994 nga katolikët, nga Don Simon Filipaj.

Pse u vonuan shqiptarët në përkthimin e Kur’anit?

Shqiptarët u vonuan për shumë arsye, por arsyet e shumta nuk janë shumë të arsyeshme!

Nëse doni të kuvendoni me mua, thoshte Volter-i, atëherë, përkufizoni termat tuaja. Unë, në këtë shkrim këtu, do të përkufizoj termat e mia, për ju…!

Lidhja e Prizrenit (1878-1881) ishte organizata e parë politike-ushtarake që vepronte e luftonte në emër të kombit shqiptar. Prej këtu, pra, fillon vetëdija kombëtare, fillon nacionalizmi shqiptar.

Nacionalizmi shqiptar e konsideronte kombin shqiptar si një bashkësi njerëzore që ka të përbashkët prejardhjen, lidhjen e gjakut, kulturën dhe gjuhën shqipe.

Gjuha shqipe konsiderohej themeli i kulturës kombëtare, por gjuha shqipe e shkruar ende s’kishte një alfabet të përbashkët. Alfabeti i përbashkët i gjuhës shqipe, me shumë përpjekje, me shumë mundime, në bazë të shkronjave latine, u vendos në Kongresin e Manastirit, në muajin nëntor, të vitit 1908.

Po, në muajin nëntor, por të vitit 1912, u  bë Shqipëria. U bë Shqipëria, por pa Kosovë, pa Çamëri, të cilat mbetën nën Serbi, nën Greqi. U bë Shqipëria ashtu si u bë, por nuk u bënë shqiptarët.

Shqiptarët filluan të vetëdijesohen me Kongresin e Lushnjës, më 1920. Këtu iu vu themeli Shqipërisë, por që iu lëkundë shumë herë më vonë.

Më 24 shkurt deri më 12 mars 1923, në Tiranë, i zhvilloi punimet Kongresi i Parë Musliman Shqiptar, ku pas diskutimeve të shumta, delegatët miratuan krijimin e Komunitetit Musliman të Shqipërisë.

Me krijimin e Komunitetit Musliman Shqiptar, që është një ngjarje e shënuar në historinë e kombit e të shtetit shqiptar, u shtuan detyrat, u shtuan përgjegjësitë.

Një nga detyrat ishte botimi i një reviste, botimi i librave fetarë dhe përkthimi i Kur’anit në gjuhën shqipe.

Në muajin tetor 1923 doli numri i parë i revistës “Zani i Naltë”, e përmuajshme fetare, që merrej edhe me filozofi, moral, literaturë kombëtare, sociologji, si organ i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, me drejtor Ismail Maçi, që shtypej në shtypshkronjën “Mbrothësia” të Kristo Luarasit në Tiranë, kurse më vonë shtypej në Shkodër, në shtypshkronjën “Ora e Shkodrës”, të vëllezërve Djepaxhia.

Revista “Zani i Naltë” vazhdoi të botohej deri në muajin prill, 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Italia, por nga kjo kohë, kjo revistë pothuajse u zëvendësua me emrin “Kultura Islame”. Vazhduan të botohen broshura e libra fetarë nga dijetarët e kohës, si Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Hafiz Abdullah Zemblaku, Hafiz Ali Kraja, etj., sikur që vazhduan përpjekjet në përkthimin e Kur’anit të Madhnueshëm, por që, mjerisht, nuk u kurorëzuan me sukses. Këtu vlenë të përmenden me nderim përpjekjet e Hafiz Ibrahim Dalliut, Hafiz Ali Korçës e të tjerëve në Shqipëri.

Në Shqipëri, mbas vitit 1945, kur komunistët erdhën në fuqi, jo vetëm që u pengua veprimtaria fetare, por edhe u ndalua me ligj, në muajin shkurt, 1967, kur u shpallë shteti i parë, i vetëm ateist në botë dhe Nana Shqipni ra me krye n’hi.

Për shkak të përpjekjeve për të mbajtur gjallë veprimtarinë fetare-kombëtare, përpjekjet për përkthimin e Kur’anit vazhduan në mërgim. Këtu vlen të përmendet Imam Vehbi Ismaili  me prejardhje nga Shkodra, por me shërbim në Detroit, të shtetit Miçigan, Sh.B.A., Imam Beqir Maloki nga Gjakova, por me shërbim në Romë të Italisë, si edhe Mehdi Frashëri, që sipas dëshmive të bijve të tij Vehbiut dhe Ragibit, e kishte përkthyer Kur’anin, por nuk arriti t’a botonte.

Kosova, që nga muaji tetor i vitit 1912, u pushtua nga Serbia. Serbia për shqiptarët fjalën shqipe të shkruar e kishte ndaluar. Me përjashtim të viteve 1916-1918, kur hyri Austria, gjatë Luftës së Parë Botërore. Fjala e shkruar shqipe, ishte e burgosur, e ndaluar deri në muajin prill, të vitit 1941, kur u shkatërrua Mbretëria Jugosllave, nga Gjermania e Italia.

Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, 9 maj 1945, Kosova sërish mbeti nën Serbi, por shkollat shqipe, që ishin lejuar në kohën e fashizmit e nazizmit, komunistët nuk kishin arsye t’i mbyllnin, pra vazhduan, por ndonëse të pamjaftueshme; ato me kalim kohe, me përpjekje të atdhetarëve, hoxhallarëve, arsimdashësve të popullit, erdhën duke u shtuar, duke u zhvilluar, duke përparuar.

Në vitin 1951-1952, në Prishtinë u hapë dhe filloi punën Medreseja “Alauddin”. Nga Medreseja “Alauddin” e  Prishtinës doli një medresant, nga brezi i parë, me trup i vogël, por i madh me vepra, Dr. Feti Mehdiu, përkthyes i parë i Kur’anit të Shenjtë, në gjuhën shqipe.

Gjuha shqipe është një nga rreth 3000 gjuhët e folura sot në botë. Bota sot ka mbi gjashtë miliardë banorë. Gjuhëtarët thonë se askush nga këta nuk e di se kush i ka zbuluar gjuhët e folura. Kështu thonë gjuhëtarët, por e kanë gabim! Atë që s’e dinë gjuhëtarët – e dinë besimtarët! Gjuha është tepër e rëndësishme për t’ua lënë vetëm gjuhëtarëve, thoshte Heidegger-i.

Gjuha është shenja më e veçantë e një kombi, është pasuria më e madhe e një kombi, është pasqyra më e qartë e një kombi. Kombi, sot, për secilin që i përket, duhet të ketë vetëm një rrugë, ajo që të shpie te besimi në Zotin.

Një komb, cilido qoftë, pa besim në Krijuesin, nuk përmban e nuk mishëron asnjë vlerë. Vlera e shqiptarëve si popull është shtuar kur u islamizuan. Kur u islamizuan, atëherë shpëtuan. Shpëtuan sepse nuk u asimiluan. Nuk u asimiluan, por mbetën të pushtuar, mbetën të copëtuar, mbetën të përgjumur, të paorganizuar, prandaj edhe në përkthimin e Librave të Shenjtë, si Bibla e Kur’ani, mbetën të vonuar.

Është e lehtë të mallkohet pushtuesi, cilido qoftë ai, por i kujt është faji historik: i kombit që pushton, apo i kombit që rri i pushtuar? Është e vërtetë se ishin kohë të vështira, të rënda, por ankimi nuk i bën më të lehta. Sot, ne, s’kemi kohë për ankim. Duhet të pranojmë se shqiptarët u vonuan. Por, pse u vonuan shqiptarët? Shqiptarët u vonuan për arsyet që i treguam, por  arsyet  e shumta duket se janë pak të arsyeshme! U vonuan shqiptarët, u vonuan, sepse ne, shqiptarëve, të gjithë e thonë, kurrë nuk na bëhet vonë! Zoti na udhëzoftë, na ndihmoftë dhe na shpëtoftë! Amin!

 

/Orientalizmi Shqiptar/

 


* Ky artikull është botuar në revistën “URA”, nr. 4, Pranverë-Verë, Tiranë 2010, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com, numër ekskluziv për përkthimin e parë të plotë të Kur’anit në gjuhën shqipe.

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: