Kreu > Arnautët > Arnaut, një emër me peshë të madhe

Arnaut, një emër me peshë të madhe

Dr. Laurant BICAJ

 

ARNAUT, NJË EMËR ME PESHË TË MADHE

Dr. Laurant Bicaj

Dr. Laurant Bicaj

“Nga 27 kombet që jetonin në Perandorinë Osmane, në krye të tyre dhe me statusin më të lartë (qëndronin mbi turqit e të tjerët) ishin shqiptarët.

Ata quheshin kombi “nexhip”, që do të thotë kombi “fisnik”. Këtë vënd e këtë status e kanë dhe e ruajnë edhe sot Shqiptarët e Turqisë…

Shqiptarët i gjen kudo në tërë poret e jetës turke, sidomos në poste drejtuese e komanduese si në aparatin shtetëror, në ushtri, në polici, në ekonomi, industri e tregti, në arsim dhe kulturë dhe ata gëzojnë respektin e mbarë popullsisë. Të përmendësh emrin shqiptar në Turqi, si dje dhe sot, është sikur të përmendësh një emër të shquar, të nderuar, me reputacionin më të mirë që mund të bëhet.

Në tërë shtresat e popullsisë, pavarësisht nga niveli shoqëror apo raca dhe në gjithë popullsinë e Republikës Turke, s’ka rëndësi përbërja etnike e saj, të thuash “arnaut” domethënë të kujtosh një emër me peshë të madhe, njerëzore që gëzon një respekt jo të zakonshëm. Nuk duam të zgjatemi në këtë pikë se do të shkonte gjatë ky shkrim.

 

Boshllëkun e mbushën çamët

 

Popullsia rume e Kajserit, e Konjës apo dhe e qyteteve e fshatrave të tjera të Anadollit Qendror me marrëveshjen e Lozanës u vu në rrugën e ikjes drejt Greqisë. Boshllëkun e tyre e mbushën çamët e Çamërisë dhe shqiptarët e Maqedonisë “greke” deri në qytetin e Mersinit në bregdetin e Mesdheut. Nga këto vise është shkrimtari, poeti e dramaturgu i njohur turk me origjinë shqiptare Nexhati Xhumali prej Follorine që vdiq tani së voni, pas viteve 2000, në Turqi.

Viset e Jozgatit kanë të ardhur më shumë çamë kurse Kajseri, Konja, Nigde dhe Haxhi Bektashi etj. kanë shqiptarë nga Kosova, më pak nga Maqedonia, po diku dhe shqiptarë të ardhur herët nga Shqipëria, kryesisht nga jugu i saj. Diku fare pranë qytetit të Haxhi Bektashit janë dy fshatra shqiptare, ku ende edhe sot flitet shqip, siç na kanë bërë të ditur dëshmitarë okularë.

 

Shqiptarë nga tërë trevat e Ballkanit

 

Së pesti, kemi Rajonin e Adanasë apo të Juglindjes me qytete të tilla si Adana, Mersin, Iskenderun etj. që shtrihet kryesisht në një nga fushat më pjellore të Turqisë, të Çukurovës nën malet Toros, vargmale që përshkojnë tej për tej Anadollin. Aty gjen shqiptarë nga tërë trevat e Ballkanit, të trojeve etnike shqiptare, po edhe çamë. Autori i këtyre rrjeshtave ka takuar në një qytet të vogël, Dortjoll, të përfshirë në qarkun Osmanije, afër Iskenderunit, çamë të Pargës dhe të zonës së Igumenicës.

Në këto anë janë dy fshatra me shqiptarë të Kosovës, të dëgjuar në tërë Turqinë si Naxhar i Madh dhe Naxhar i Vogël, ku flitet sot e gjithë ditën shqip, të dy bashkë, me disa mijëra banorë. Këto emra të vjetër të këtyre fshatrave sot janë ndërruar, po shqipja vazhdon të dëgjohet edhe në këto anë të Anadollit. Çudia e autorit ishte, kur mësoi për ekzistencën e një a dy fshatrave shqiptare pranë kufirit me Sirinë, në zonën e qytetit Antakja apo provincës Hataj, siç thuhet ndryshe, e cila dihet hyri në përbërje të Republikës Turke me referendumin e vitit 1938.

 

Shqipfolës të çartur

 

Së gjashti kemi Rajonin e Detit të Zi, apo Karadenizit (siç i thonë turqisht), kryesisht me qytetet e Samsunit, Amasjas, Sivasit, Bafrës po dhe të Sinopit e të Çankërë… Këtu ka kryesisht shqiptarë të ardhur në vitet 1877, 1878 nga qyteti dhe rajoni shqiptar i Nishit apo siç thirrej dikur Sanxhaku i Nishit, sot i mbetur nën Serbi. Janë me dhjetra mijëra, mos them qindra mijra shqiptarë që jetojnë në fshatra me masa kompakte si dhe në ndonjë qytet si Bafra, që mund të quhet pa frikë qytet shqiptar.

Janë për t’u përmendur shqiptarët e qytetit të Tokatit e të rrethinës së tij. Të gjithë ata që shisnin simite rrugëve të Stambollit me karroca ambulante ishin nga këto anë dhe kudo midis tyre ata flisnin shqip. Ata ishin shqipfolës të çartur, ndonëse disa breza kishin lindur e rritur në Turqi dhe në fshatrat e tyre flitej shqipja e patrazuar. Kur vinin në Stamboll në punën e tyre si simiteshitës atëherë fillonin të mësonin turqisht. Shqiptarë të çuditshëm, asht i pandryshueshëm i tokës arbëreshe. Të përkulem në gjunjë dhe të falem ty, o gen i tokës mëmë, që di të mbijetosh dhe i pashkolluar, siç ke mbijetuar në shekujt vrastarë e të pamëshirshëm e në kohërat “njerkë“ për Shqipërinë e kombin shqiptar!

 

Shqiptarët e Nishit, një kapitull i veçantë i mbijetesës së racës shqiptare

 

Shqiptarët e këtyre anëve jetojnë në një gjeografi që përfshin qytetin e madh bregdetar të Samsunit, kryeqendër e Vilajetit me të njëjtin emër me mbi një milion banorë, në Sivas, në Amasja e Tokat po edhe në Sinop e Çankere. I gjen ata dhe në qytetet e Bollusë e të Zonguldakut si qendër minerare e metalurgjike e vendit, në Kastamonu etj. Fusha e Samsunit, ku rritet sidomos duhani e deri poshtë në thellësi të Anadollit zbukurohet edhe me qeleshet, plisat shqiptarë.

Sado që ka kaluar gati një shekull e gjysmë nga dëbimi i tyre prej trojeve amtare, shqipja ruhet edhe në këto anë në thellësi të Turqisë. Këta shqiptarë të Nishit përbëjnë një kapitull të veçantë të mbijetesës së racës shqiptare në këto anë. Një autor i Kosovës u ka kushtuar një monografi të tërë këtyre shqiptarëve me trup si lisat e bjeshkëve të tokës arbnore dhe me pasuri shpirtërore të jashtëzakonshme, palcë e shqiptarizmit që bartën kudo që shkuan genin e shqiptarit. Ata i dhanë emrit shqiptar përmasa dhe vend të veçantë, që s’guxon ta zërë kush në Republikën e Turqisë. Nderim e respekt të pamatë këtyre burrave të kombit shqiptar dhe nënave shqiptare që janë krenare për emrin shqiptar e për nënën Shqipëri!

Nishi dhe nishjotët kosovarë nuk vdesin kurrë! Ndaj detyrë e dy shteteve shqiptare është studimi i jetës dhe veprimtarisë së këtyre shqiptarëve të “harruar”të Samsunit, nxjerrja në dritë e tyre, ruajtja e gjuhës shqipe dhe përpjekja për moszhbërjen e tyre, duke ngritur qendra kulturore shqiptare, duke hapur panaire libri, duke dërguar grupe artistike-folklorike etj. Janë me qindra fshatra që gjallojnë shqip e si shqiptarë!

 

Rajoni i shtatë i llazëve

 

Së shtati: Rajoni i popullsisë llaze. Në të përfshihet zona e lindjes së Detit të Zi e banuar nga një popullsi që quhen llazë, në qytete të tilla si Trabzon, Artvin po dhe Ordu e Giresun. Pra, rajoni i shtatë i llazëve në një kuptim të kujton apo ngjet me rivierën shqiptare të Himarë – Sarandës. Aty ke dhe detin e kaltër dhe malin dhe fushën pranë e pranë njëra tjetrës.

Kjo popullsi është shumë e afërt në tradita, zakone, konstitucionin shpirtëror me shqiptarët, aq sa dikush prej shqiptarëve apo dhe llazëve thotë se këto dy kombe janë “djem xhaxhallarësh”, “kushërinj”. Këto i kam dëgjuar në rajonin e Stambollit, të Zejtinburnusë, një nga më të mëdhenjtë, më të industrializuar dhe me më përspektivë të qytetit të stërmadh, gjysma e të cilit banohet kryesisht me shqiptarë të Maqedonisë e gjysma nga llazë të Detit të Zi.

 

Gjaku s’bëhet ujë

 

Duke dëgjuar turqishten e të dy palëve, që nuk i shpëton akcentit të gjuhëve përkatëse, të duket sikur po dëgjon turqishten e Prizrenit të Kosovës, të konservuar nga osmanishtja, turqishtja e vjetër, sidomos me theksimin e gërmës xh (c) dhe eleminimin në shqiptim të rrokjeve të fundit përshembull të formës së kohës së ardhshme:”do të vij“ – “gelexhehim – gelexhem”. Koha kërkon dhe kushtet janë krijuar, me botimet gjithnjë e më të shumta edhe në këtë gjuhë, pak të lëvruar siç është gjuha llaze – llazishtja – të bëhen nga gjuhëtarët tanë studime krahasuese e pse jo dhe gramatika e fjalorë në të dy gjuhët.

Atëherë do të dalë në shesh se sa të afërt me njëri- tjetrin janë këta dy popuj, që në Turqi i konsiderojnë si “kushërinj” dhe sa përkime e gjëra të përbashkëta e bile të njëjta ka në gjuhët e tyre, në veshjen e tyre, në traditat, zakonet, në historinë e tyre. A ka shqiptarë të vajtur në Trabzon, Artvin, Hopa e qytete të tjera më të vogla llaze? Ka, relativisht pak, si në historinë e largët e të afërt si dhe sot.

Gjithmonë janë shkrirë e bërë njësh me popullsinë vendase llaze, janë martuar aty e përthithur nga mjedisi llaz. “Kan çeker” – “tërheq gjaku”, thonë turqit e në këtë rast kjo vlen midis shqiptarëve dhe llazëve. Ngjasin në fjalët e urta, në shakatë e tyre e në se nuk ngjasin! Nuk mund t’i shpjegosh kollaj këto përngjasime kaq të mëdha.

Kërkojnë studime të posaçme që unë kam bindjen që koha do t’i sjellë, bile më shpejt se sa mund të mendohet. Llazët, gjaku ynë pellazg nuk mund të zhduket kurrë!!! Zoti e ka ruajtur deri në ditët tona! Dhuratë e papërsëritshme! “Kan çeker”, po po “kan çeker”. Gjaku s’bëhet ujë po dhe n’u bëftë s’pihet… Me llazët është marrë, sidomos me gjuhën e tyre një shkencëtar, një gjuhëtar i shquar i ish- Bashkimit Sovjetik N. Mari i cili kritikohet direkt nga Stalini, në veprën e tij “Marksizmi dhe çështjet e gjuhësisë“.

Së teti, Rajoni i fundit kurd. Ky përfshin viset e Anadollit të brendshëm lindor me kryeqender qytetin e madh të Dijarbakërit (ose Dijarbeqirit) me qytete të tjerë si Gaziantep, Marash, Urfa, Malatia, Tunxheli, Elazig, Van, Mush, Siirt etj. të banuar kryesisht nga kurdët po dhe turqit.

Rajoni kurd dhe ai llaz nga pikëpamja që po flasim d.m.th. për vendndodhjen e shqiptarëve, janë dy rajonet më pak të rëndësishëm. Këtu në këtë zonë ka shqiptarë të turqizuar të sjellë në kohën e Ataturkut që janë nga ish Vilajeti i Selanikut apo dhe Gjiriti, siç i thonë turqit ishullit të Kretës në Detin Mesdhe.

Përshembull, autori i këtyre rradhëve, i ka njohur të tillë “shqiptarë selaniklinj”, të vendosur në rrethinat e qytetit Elazig, me tradita, zakone etj. si shqiptarët e krejt Toskërisë. Vetëm ishte bjerë gjuha shqipe në brezat e rinj. Sigurisht nga pikëpamja sasiore në pjesën e Dijarbakërit, sidomos nëpër qytete, (Ataturku i vendosi këta emigrantë nëpër fshatra, u dha tokë, shtëpi, gjë të gjallë e katandi) numri i shqiptarëve është shumë më i madh se në brigjet e Detit të Zi.

 

Urë e fuqishme jo thjesht miqësie, por vëllazërie

 

Do t’i mbyllja këto rreshta duke iu drejtuar dy shqiptarëve në Turqi, njerit nga Dibra e tjetrit nga Kosova, nga Prizreni. I pari është filozof i mirënjohur në Turqi, Riza Tefik Dibrani, i cili shkruan se “kombi fisnik shqiptar i ka dhënë Perandorisë Osmane e më pas Republikës së Turqisë me dhjetra e qindra njerëz të mëdhenj që lartësuan emrin e Turqisë në Europë dhe në botë, përfshi këtu një Hoxha Tahsin, një Shemsedin Sami Frashëri e të tjerë”.

Së dyti, është shqiptari i Prizrenit e miku im, atdhetari i shquar Ibrahim Ikiz (Binaku) që dhe fëmijëve të vajzës së vet ua vuri emrat Naim e Besa. Ai më ka treguar se “nga 27 kombet që jetonin në Perandorinë Osmane, në krye të tyre dhe me statusin më të lartë (qëndronin mbi turqit e të tjerët) ishin shqiptarët. Ata quheshin kombi “nexhip”, që do të thotë kombi “fisnik”. Këtë vënd e këtë status e kanë dhe e ruajnë edhe sot Shqiptarët e Turqisë…

Autori i këtyre rradhëve, duke menduar të ardhmen, ka bindjen e patundur dhe koha ka për ta treguar e vërtetuar, edhe historia ka për ta shkruar se Shqiptarët e Turqisë janë një potencial i jashtëzakonshëm sasior (përbëjnë numrin më të madh të shqiptarëve në botë) dhe cilësor dhe si të tillë kanë një mision fisnik të trefishtë (ndonjë segment i të cilit vjen natyrshëm nga shekujt), së pari, të kontribuojnë maksimalisht për vendin ku jetojnë e punojnë, Turqinë; së dyti, të shërbejnë si urë e fuqishme jo thjesht miqësie, por vëllazërie midis Turqisë dhe Shqipërisë dhe, së treti, të shërbejnë në një mënyrë ose tjetër si një mbështetje dhe një lloj “leve Arkimedi” për zhvillimin e përparimin e Shqipërisë e të krejt kombit shqiptar, mjafton që vendi amë mos të bëjë indiferentin ndaj tyre siç e ka bërë deri më tani dhe të kujdeset për emancipimin e vazhdueshëm, sidomos shpirtëror, të tyre.

Advertisements
  1. 02/10/2014 te 21:05

    nuk eshte informacion i mjaftueshem

    • 03/10/2014 te 09:16

      Tek search mund te shkruani emrin Arnaut, dhe ju dalin shkrime te tjera ne lidhje me ta.

  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: