Abu Mansur Ali Ibn Ahmad Asadi Tusi

ABU MANSUR ALI IBN AHMAD ASADI TUSI

asadi_tusiHakim Ebu Nasr Ali Bin Ahmed Asadi Tusi është njëri nga poetët e mëdhenj të epikës iraniane, i cili jetoi në shek. 5/11. Është lindur në qytetin Tus të Iranit. Duhet theksuar se ka lindur në fshatin e Ferdusiut, pra në Tus dhe ka vdekur në vitin 1072 në qytetin Tabriz të Iranit. Nuk kemi të dhëna për fëmijërinë e tij dhe nuk mund të flasim për këtë periudhë të tij. Devlet Shah Semarkandi në veprën e tij Tezkiretu Esh Shuara ka transmetuar një ngjarje mitike për Asadiun dhe Ferdusin. Në këtë tregim thuhet se Ferdusi ishte nxënësi i Tusiut dhe nga ai kishte kërkuar 4000 vargjet e fundit për Shahnamen. Ai pranoi dhe deri në kohën e faljes së namazit tjetër i kishte sjellë vargjet e kërkuara nga Ferdusiu. Ky tregim nuk është aspak i vërtetë, aq sa shtyu studiuesit si Hermann Ote dhe Edvard Brown të dyshojnë se ekzistojnë dy poetë me emrin Asadi, njëri Ebu Nasr Ahmed Bin Mensur Asadi dhe tjetri Ali Asadi. Por një e dhënë e tillë nuk është hasur në asnjë burim tjetër të kësaj periudhe dhe është shumë larg së vërtetës.

Disa kronologji, prejardhjen e Asadiut e lidhin me mbretërit e lashtë të Iranit por në lidhje me këtë nuk janë gjetur të dhëna në asnjë vepër të njohur. Dyshohet se Asadi i përket një fisi arab, në një kohë kur disa iranianë ishin strehuar nëpër fise arabe dhe ishin bërë të njohur me anë të mbiemrave të atij fisi.

Veprat e Asadiut përbëhen nga disa kaside dhe nga “Gershasb nomeja”. Gershasb nameja e tij është vepër me poezi epike e krijuar në gjininë e Mesnevisë. Dorëshkrime të ndryshme të saj kanë 7000-10 000 vargje dhe kanë rimën të njëjtë me rimën e Shahnamesë. Në këtë vepër përshkruhen heronjtë e mëdhenj të Sistanit, nga të cilët e ka prejardhjen edhe Rustemi. Tregimi i Gershasbit fillon me të dhënat e prejardhjeve të heronjve të këtij rajoni dhe më pas fillon përshkrimi i trimërive të tyre. Luftimi me divat dhe çudirat ekzistuese në botën e largët, tregojnë mendimin e iranianëve për botën larg tyre dhe përbëjnë pikat e rëndësishme të kësaj vepre. Referenca e Asadiut në të shkruarit e Gershasb names është Gershas nameja e shkruar në prozë nga Ebu Muejjid Belhiu, poet dhe shkrimtar i shek. 4/10 dhe vërehet se është një pjesë e Shahnamesë së Ebu Mensurit. Edhe pse Gorshasb namen e Asadit nuk mund ta krahasojmë me Shahnamenë e Ferdusit, për shkak se është një vepër që i përket epikës klasike të Iranit, ajo ka karakteristikat e veta dhe është një vepër e rëndësishme për letërsinë persiane.

Përveç poezisë, nga Asadiu ka mbetur edhe një fjalor i persishtes, i quajtur Ferhengi Fors. Rëndësia e këtij fjalori është se ai është i pari fjalor i parë i persishtes; me sa duket Asadiu duhet të jetë i pari që ka përgatitur një fjalor në gjuhën e vjetër persiane. Data e shkrimit të këtij fjalori është pas veprës Gorshasb names.

  1. No comments yet.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.