Ervehe Grabocka: Ju rrëfej masakrën e Panaritit nga “andartët” grekë

Raimonda MOISIU & Skënder DEMOLLI

 

ERVEHE GRABOCKA: JU RRËFEJ MASAKRËN E PARARITIT NGA “ANDARTËT” GREKË

95 vjeçarja vjen në një rrëfim të rrallë për masakrat greke

Ervehe Grabocka

Ervehe Grabocka

Ervehe Grabocka-Bacelli është një nga veteranet më të vjetra në moshë dhe gruaja më heroike që ka nxjerrë Grabocka, e cila edhe sot akoma me një fizik e kujtesë interesante e të admirueshme ruan tiparet e një gruaje fisnike, të fortë e të zonjën. Është shëmbull i gjallë i vitalitetit të një gruaje në moshën e tretë (sot ajo i ka kaluar të 95 vjetët),dhe kujtdo që i bie rasti të takohet me Ervehenë, ngelet i çuditur se si ajo shpalos dimensione të perceptimit të dukurive e ngjarjeve në kohë e pa kohë, në ecje me kohën, që ia kanë treguar të parët e saj apo përjetuar edhe vetë, me forcën e logjikës, kujtesës dhe intelektit, që e bëjnë portretin e saj të dallojë, gjë që ia rrit vlerat kësaj zonje të hekurt e të madhërishme. Sigurisht mosha bën të sajën por nga goja e Nënë Ervehesë, askush nuk dëgjon të ankohet për shëndetin dhe pleqërinë, apo çfarëdolloj ankese që zakonisht, bëjnë në përgjithësi, sidomos pleqtë, por meraku i kësaj zonje idealiste qëndron ende për lirinë shpirterore, e intelektuale të popullit të saj e më gjerë-idealit për Liri & Demokraci-që ajo luftoi. Fillimisht le të bëjmë një retrospektivë se kush është Ervehe Grabocka-Bacelli.
Ka lindur në Grabockë, fshat në thellësi të maleve të Korçës, në zonën ku ndahet Korça me Skraparin. Fshatin e saj e ndan një përrua me fshatin Backë të Skraparit. Është e bija e Bektash Grabockës (1870-1956) nga Panariti, dhe Zylfie Shtyllës (1890-1981) nga Shtylla. Dy prindërit e saj vijnë nga një familje me tradita të mëdha luftarake, patriotike, arsimdashëse që i kanë dhënë Shqipërisë burra të mëdhenj si luftëtarë për liri apo burra shteti, si Dëshmorin e Kombit, Qazim Panaritin, (1866-1918), i cili ka qenë xhaxhai i Ervehesë, Medar Shtylla, (1888-1963), daju i saj, Behar Shtylla,(1918-1994), kushëriri i parë,dhe Myftar Grabocka, (1917) vëllai i Ervehesë , është edhe halla e regjisores së shquar shqiptare, Vera Grabocka, etj, burra dhe gra të shquar që i ka njohur Shqipëria. Duhet përmendur se paraardhësi i shtatë i Ervehesë takohet me themeluesin e Korçës, Iliaz Bej Mirahorin, (Ilia Panariti) që ishte nip i Papa Petro Panaritit (1360-1440), stërgjyshi i Ervehesë. Vetë Erveheja ka qenë luftëtare në radhët partizane që me krijimin e formacioneve të para luftarake. Ajo është dalluar në luftime me armikun dhe mban dekorata të shumta që tregojnë se ka qenë një luftëtare dhe punëtore e palodhur në shërbim të kombit dhe shqiptarëve. Që në fillim të vitit 1942 Erveheja u aktivizua nga Lëvizja Nacional-Çlirimtare për të ngritur në luftë fshatrat Grabockë dhe Panarit së bashku me tre shoqe të tjera të cilat kanë qënë, Noi Polena, Antigoni Gjançi dhe Anie Vila. Këto gra bënë të mundurën, që disa vajza prej këtyre dy fshatrave të dalin partizane. Erveheja doli partizane në fillim të vitit 1944 së bashku me tre vajza të tjera nga Grabocka; Sedie Sejfulla Selenica, Përparime Brahim (Abazi) Cane dhe Vajide Jaupi. Erveheja u inkuadrua në Brg. XV S. në batalionin e parë me komandant Selman Vishocicën dhe komisar Hamdi Babanin. Pas çlirimit Erveheja ka punuar në Kryqin e kuq Shqiptar, në fillim në Voskopojë së bashku me tre shoqe, Përparime Cane, Meleqe Protopapën dhe Dadenë e Porodinës.- kështu e njihnin të gjithë korçarët. Në Voskopojë ajo u njoh me burrin e saj të ardhshëm, i cili punonte si sekretar lokaliteti. Më pas ajo punoi në Korçe derisa u martua me Ademin, një nga ish partizanët më trima i cili ka mbajtur medaljen e Trimërisë dhe ka qenë korrieri i Shtabit të Brg. IV S. Ademi vdiq papritur në moshën 65 vjeçare nga një atak kardiak dhe u varros në Lezhë në vitin 1987. Kujtesa e saj është e plotë, e saktë dhe e veshur me mëncuri, urtësi e pasion rrëmon në “arshivat e kujtesës”, tregon ngjarjet sikundër kanë ndodhur atëherë  me qetësi. E ndërpret bisedën për një çast, pi pak lëng frutash, na pyet nëse duam kafe tjetër, dhe më pas vazhdon bisedën për të na sjellë ngjarje të dhimbshme e copëza jete të vyera për historinë e kombit, vecmas në këtë bisedë ajo na rrëfen për Masakrën e Panaritit nga “andartët” grekë, sikundër e kanë përjetuar dhe qënë pjesë e asaj masakre, prindërit e Ervehe Garbocka-Bacelli.

Masakra e Panaritit – rrëfyer nga Nënë Erveheja

Në shtëpinë prindërore të Ervehesë u krye një nga masakrat më të tmerrshme të grekut në zonën e Korçës. Maskara filloi pasi komitët shqiptarë me Th. Gërmenjin në krye i ndalën andartët disa herë të hyjnë në Zonën e Vakëfeve duke i vënë përpara si lopët dhe duke vrarë shumë prej tyre. Njëra nga ato beteja ishte ajo e 15 janarit të 1914, kur komitët qenë në Panarit, qeveria shqiptare dha urdhrin e gabuar që z. Themistokli Gërmenjit, i cili qe kajmekam (nënprefekt) në Skrapar, të vejë në Kolonjë të marrë në dorëzim detyrën, se grekërit do të hiqen prej Kolonjës. Grekët i prisnin t’i çarmatosin dhe pastaj me siguri t’i vrisnin. Themistokli Gërmenji, siç e thashë ishte në Panarit në shtëpi të Dajlanit bashkë me Sali Butkën e me të tjerë trima shqiptarë. Në atë kohë ngrihen fshehurazi grekut në Kolonjë patriotët kolonjarë, Tike Prifti Spirua dhe Xeka i vëllaj i Nucit nga Trebicka dhe venë e piqen me shqiptarët në Panarit, u rrëfejnë fuqinë e grekërvet, atëhere shqiptarët përmbledhin fuqinë e tyre dhe filloi lufta e madhe e papritur në Qesarakë dhe në Selenicë të Pishës, ku vriten 30 grekër, 4 plagosen dhe 2 grekë bien rob në duart e shqiptarëve. Andartët u tërbuanë dhe sollën përforcime të shumta.
Strukturat ushtarake greke organizuan “Batalionin e Shenjtë”, i përbërë nga kriminelë lufte, dezertorë dhe të burgosur nga burgjet e Greqisë, të cilët më vonë do të njiheshin si “Andartët”. Ky batalion kreu masakra në të gjithë Jugun e Shqipërisë, duke vrarë mijëra gra dhe fëmijë për të spastruar zonën nga shqiptarët pasi më parë kishte pastruar Çamërinë dhe Gjirokastrën.
Fushata antimyslimane (kupto antishqiptare) e andartëve grekë, në fakt prapa tyre ishin kisha dhe qeveria greke, bënë edhe masakrën e Panaritit që nuk do të harrohet kurrë nga përmasat dhe egërsia me të cilën u krye.
Kjo ndodhi në atë kohë siç e quajmë ne korçarët, Greku i Parë, gjatë Luftës së Parë Botërore. Pushtimi i të ashtuquajturës Vorio Epir nga Greqia u bë në prag të Luftës së Parë Botërore, menjëherë pasi qenë caktuar kufijtë e Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha europiane. Ata hynë në jugun e Shqipërisë dhe pasi mobilizuan tërë ata shqiptarë që e quanin veten grekër, filluan pastrimin etnik duke vrarë, internuar dhe përzënë nga trojet e tyre të gjithë ata që patën guximin ta quanin veten shqiptarë. Në Jug të Shqipërisë nisën revoltat. “Batalioni i Shenjtë” ishte vënë në veprim. Ushtarakët hoqën uniformat dhe nisën masakrat dhe djegiet duke argumentuar se nuk pranonin vendimin e Evropës për lënien jashtë Greqisë të Korçës dhe Gjirokastrës. Sipas kronikave të kohës, ishin rreth 40 mijë ushtarë që kryen masakra të pashembullta në qytetet e fshatrat e Gjirokastrës, Korçës e Përmetit.
Masakra e Panaritit ka ndodhur në vitin 1914. Po e tregoj ashtu siç ma kanë treguar nëna dhe babai im pasi kjo masakër u krye në atë shtëpi qe ne e blemë, pas Masakrës së Panaritit, nga të zotët e shtëpisë që ishin orthodoks dhe që u larguan nga fshati dhe shkuan në Korçë dhe Tiranë pasi ata nuk mund t’i qëndronin dot kërkesës greke që të bashkoheshin me ata kundër vëllezërve të tyre muslimanë. Masakra mizore, sikundër tregon Myftar Grabocka, vëllai i Ervehesë, u bë nga andartët (banditët) grekë më 1914 në fshatin Panarit, si hakmarrje për ngritjen e Flamurit Kombëtar Shqiptar në shtëpinë e Dajlan Panaritit. Grekët therrën mbi 400 burra, gra, fëmijë dhe pleq. Veprim më të llahtarshëm s’mund të të dëgjojnë veshët. Por grekët me këtë akt makabër, si kanibalë, nuk donin të ndëshkonin vetëm popullsinë panaritase, që në pjesën dërmuese ishte myslimane, por të gjithë zonën. Ndaj ata me djallëzinë më të madhe, gratë, pleqtë, dhe fëmijët i therën në Grabockë, kurse burrat vendosën t’i thernin në fshatra të tjera. Së pari, tentuan t’i çonin burrat të lidhur njëri pas tjetrit në Trebickë, por aty hasën në rezistencën e mjaft patriotëve të shquar të krishterë trebickallinj, të cilët nuk pranuan të bëheshin pjesë e atij krimi të shëmtuar çnjerëzor. Atëhere grekët ju drejtuan fshatit Panarit, ku për fat të keq nuk hasën ndonjë rezistencë për arësye se edhe ata pak njerëz që ishin, qenë të moshuar. Hauret dhe shtëpitë e boshatisura të grabockallinjëve në Panarit e Grabockë u mbushën me 300 burra të lidhur njëri pas tjetrit me litar. Prej andej në të gëdhirë, i çonin në gijotinën e caktuar tek vëndi i quajtur Karakoll, në krye të Rripës së Melckës, një hon i vërtetë dhe tepër i frikshëm ku rrokulliseshin kokat e prera të djemve panaritas dhe gjaku rridhte tatëpjetë si në një thertore. Qëndrimi i atyre pak krishterëve grabockallinj në këtë rast nuk qe pajtues, përkundrazi, me aq sa mundën, ata morën në mbrojtje panaritasit që tentonin t’u shpëtonin thonjëve të bishave të tërbuara. Për t’u përmendur është rasti i Bajram Bilo Rezhdës, i cili shpëtoi nga këto masakra sespse e ndihmoi Guri Liko që e nxorri nga oxhaku pasi mashtroi rojet greke, duke e marrë në kurriz të mbështjellë me qilim dhe me enët në duart e tij gjoja për të mbushur ujë. Fatmirësisht ose fatkeqësisht ekziston lista e personave që mbështetën sjelljet vandale greke (kjo e botuar në revistën “Ylli i Mëngjezit” SHBA në vitet 1917-1918, artikulli “Nisja e Zjarrit në Toskëri” nga Sotir Dhosi Treska ku rezulton se martirët më të shumtët ishin nga Trebicka, por edhe nga Kolonja, Marjani dhe Panariti. Ata të krishterë që ndihmuan muslimanët janë: Gjik Prifti, Niçi Nikolla, Peçi Mihali, Toli Dhosi, Naum Toli, etj.

 

Burimi: http://www.tiranaobserver.al/2013/02/18/ervehe-grabocka-ju-rrefej-masakren-e-panaritit-nga-andartet-greke/

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: