Hyrje > Arnautët, Shqiptarët në Orient > Arnautët: Sami Frashëri e Hakan Shykyri

Arnautët: Sami Frashëri e Hakan Shykyri

Ditar KABASHI

 

ARNAUTËT: SAMI FRASHËRI E HAKAN SHYKYRI

Ditar Kabashi

Ditar Kabashi

Për disa ditë m’u duk vetja në një vorbull verbues. Fjalë të kota, përkthime deformuese dhe euforizëm në reagime e komente gjithandej.

Arnavut

Pse e përdora termin arnaut në titull? Një version mbi etimologjinë e kësaj fjale është se termi “arnavut” vjen nga arabishtja: ARUN EN NEUD, që do të thotë “trim, i cili nuk di të kthehet mbrapa”. Osmanllinjtë në luftë me persët, batalionet e skalionit të parë i zgjidhnin jeniçerë trima, që edhe pse shihnin vdekjen, mësynin përpara. Shqiptarët zinin rradhët e para dhe për këtë arsye shqiptarëve u vendosën emërtimin “arnavut” dhe Shqipërisë Arnavutlluk (“Historia e shtetit, shoqërisë dhe qytetërimit osman”). Pra, fjala “arnaut” nuk është diçka ofenduese siç mund ta kishte ditur gabimisht ndokush.

Kërkesa e Berishës

Sali Berisha kërkoi “riatdhesimin” e Samiut në Shqipëri. Kjo mund të entuziazmonte një pjesë të qytetarëve që i përcjellin lajmet e kanaleve kombëtare me besnikëri sikur në kohën e “xhaxhit” (kuptohet, ata që kishin televizor atëbotë).

Se pse e bëri këtë kërkesë Berisha mund të ketë arsye të ndryshme. Sipas njërës, mos ratifikimi i “tre ligjeve” që pasoi refuzimin e statusit kandidat të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian për të tretin vit radhazi, bën që kryeministri të shpërqendrojë vëmendjen e masës në çështje të ngritura artificialisht nga ai. Kjo tendencë mund të vlejë edhe për shkak të problemit me energji elektrike, varfërisë së popullit, që më së miri e dëshmoi torta e 100 vjetorit, mos krijimi i lehtësirave doganore me Kosovën e tij të dashur, premtimi e pastaj shkarja nga dhënia e pasaportave për shqiptarët jashtë Republikës së Shqipërisë etj.

Tjetra mund të jetë e vërteta që po afrohen zgjedhjet dhe PD-ja potencialisht rrezikohet nga Aleanca Kuq e Zi që realisht mund ta dëmtojë më shumë këtë parti që është e djathtë se sa PS-në e majtë. Kur kësaj i shtohet edhe formimi i partisë së Topit, ndarja e votave përbrenda të djathtës do të jetë mjaft konkurruese. Prandaj me kthimin e eshtrave të një personaliteti të madh siç është Samiu, i pari i PD-së do të dilte si nacionalist i vërtetë që bën vepra, e jo si të tjerët “që mund të kenë vetëm fjalë”. Përkundër këtyre, nuk duhet mohuar mundësia që ai këtë e bën sepse përnjëmend ka sinqeritet për këtë çështje.

Reagimi i Davutogllut

Sidoqoftë, dëshira e tij u refuzua nga Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Ahmet Davutogllu. Ai tha se kërkesa për t’i marrë eshtrat e Sami Frashërit është njësoj si të kërkohen eshtrat e Mehmet Akif Ersojit (gjithashtu shqiptar, autor i himnit të Turqisë). “Duhet parë nivelin mbietnik të kulturës. Nuk vijmë nga një kulturë që tëhuajëson dikë për shkak të origjinës së tij. Prandaj Samiu është thesar edhe i joni” – ishin ndër fjalët e kryediplomatit të Turqisë. Davutogllu bëri të ditur se shteti i tij do të përkujdeset gjithmonë për eshtrat e Samiut, e këtë e ka edhe borxh, për shkak të kontributit të këtij të fundit në turkologji dhe ngritje intelektuale përgjithësisht.

Mesazhin e Davutogllut e kuptova kështu: personalitete si Samiu nuk duhen bërë pjesë e politikave ditore e as të edicioneve të lajmeve të mbrëmjes.

A paraqet precedent kthimi i eshtrave të Zogut në rastin e Samiut?

Dikush tha se kthimi i Sami Frashërit, i Fan Nolit, Luigj Gurakuqit e disa të tjerëve duhet bërë patjetër në vazhdën e kthimit të eshtrave të Mbretit Zog. Kjo tendencë është e paqëndrueshme sepse Zogu braktisi vendin pa dëshirën e tij dhe nuk mundi të kthehej më kurrë po pa dëshirën e tij. Noli braktisi vendin pa vullnet, për shkak të Zogut, Luigji poashtu etj. Pra, të tjerëve iu është mohuar të jetuarit dhe vepruarit në vendin tyre. Ndërsa Samiu nuk ka qenë nën presion të pushtetit e as në kërcënim. Ka vazhduar jetën akademike, atëbotë në qendrën e kulturës dhe perandorisë-Stamboll. Ai nuk ishte i shtrënguar të mos jetonte në fshatin Frashër por me vetë dëshirë zgjodhi Stambollin, e nuk e di nëse ka lënë ndonjë testament që do të kërkonte kthimin e eshtrave të tij në vendlindje. Prandaj kthimi i Zogut, e as kthimi potencial i disa të tjerëve nuk mund të paraqesë precedent për rastin e Samiut.

Po të tjerët që prehen në Turqi?

Për më tepër ajo që më intereson është fakti se pse Qeveria e Shqipërisë nuk i kërkon eshtrat e 33 sadrazemëve (kryeministrave), 2 Shejhul-Islamëve, 8 gjeneralëve të marinës dhe 5 defderdarëve (ministra financash), si dhe një numër të konsiderueshëm guvernatorësh dhe ushtarakësh me origjinë shqiptare në administratën osmane. Të gjithë këta me siguri se kanë qenë njerëz shumë të mëdhenj, të cilëve fatkeqësisht nuk ua dimë ndoshta as emrat. Të lartcekurit kanë udhëhequr një perandori gjigante prej afro 20 milion km². A nuk do të duhej të ishim krenarë për ta?

Fjalimi i Hakan Shykyrit

Se qeveritarët aktualë të Turqisë kombin nuk e shohin bashkësi të vetëm një etnie e vërejmë edhe në deklaratat e deputetit nga radhës e partisë në pushtet, Hakan Shykyr, ish futbollist i njohur, i cili në një debat lidhur me definimin e shtetësisë në procesin e hartimit të kushtetutës së re, theksoi se ai dhe partia e mbështesin definicionin që “secili banor që jeton në Turqi është shtetas i Republikës së Turqisë” në vend të definicionit aktual kushtetues që daton nga viti 1982 pas grushtshtetit antidemokratik sipas të cilit “secili shtetas i Republikës së Turqisë është turk”. Pra vërejmë këtu tendencën e partisë së Erdoganit që të mos ndihet i diskriminuar askush nga definimi i shtetësisë, duke mos cënuar identitetin e askujt. Për më tepër Shykyri u shpreh se në fakt ai ishte shqiptar por ishte lindur e rritur në Turqi dhe se kishte kontribuar për Turqinë. Mediat që shquhen për oponencë ndaj qeverisë, e kumtuan lajmin në kontekstin se Hakani po e refuzon dhe se ndihet inferior nga “të qenët turk”. Konotacionin e tyre e kundërshtoi ashpër në një fjalim kryeministri Erdogan, duke i dalë në mbrojtje deklaratës së deputetit të tij. “Hakani është nacionalist i vërtetë sepse duke qenë shqiptar ai shënoi më së shumti gola për përfaqësuesen e Turqisë. Ai barti fanellën me flamurin tonë me mburrje gjatë tërë karrierës, prandaj duhet parë si shembull e jo si tradhëtar”-u shpreh gjatë fjalimit.

Qasja e Erdoganit ndaj nacionalizmit

“Ne jemi kundër çfarëdolloj nacionalizmi në baza etnike. Çfarëdo nacionalizmi të tillë unë do ta nëpërkëmb” tha përplot vetëbesim para ca ditësh Tajjip Erdogani. Sipas tij, nacionalizmi ka të bëjë me kontributin e njeriut për popullin dhe shtetin dhe për mbarë njerëzimin në përgjithësi.

Kur erdhi në pushtet e gjeti vendin të zhytur në borxh në FMN. Vlera që duhej kthyer ishte hiç më pak se 23.5 miliard dollarë. Sot është 400 milion dhe në muajin maj të këtij viti do të shlyhet edhe kësti i fundit. Turqia, nga një shtet kredi marrës mund të shndërrohet në kredi dhënës për FMN-në nëse bisedimet për dhënien e 5 miliardëve rezultojnë me sukses. Rezervat në Bankën Qendrore ishin 27.5 miliard dollarë ndërsa sot janë 125 miliard dollarë. Janë ndërtuar me mijëra shkolla, spitale dhe qendra tjera institucionale të cilat u shoqëruan me reforma marramendëse për një kohë aq të shkurtër në ekonomi, drejtësi, siguri, arsim, ambient etj. Për Erdoganin, këto fakte duhet të shihen si dëshmi e nacionalizmit.

Kryeministri i Turqisë nuk e sheh nacionalizmin si mundësi e parullave, ndasive, mbjelljes së urrejtjes. Përkundrazi për të botëkuptimi nacionalist ka të bëjë me shërbim ndaj popullit, forcim të shtetit, forcim të vëllazërisë, dhe ndërtim i një të ardhmeje të mirë për brezat që do të vijnë. Përkujdesja ndaj trashëgimisë së të parëve, mbrojtja e të drejtës, rendit dhe paqes kudo në botë janë relevante për konceptin mbi nacionalizmin në sytë e tij. Prandaj, ai i përmend investimet e Turqisë jashtë territorit, sidomos në sferën e trashëgimisë kulturore si në Bosnjë, Kosovë, Mongoli e shumë vende të tjera.

“Pyetini ata që thirren si nacionalistë: sa fidanë i kanë mbjellë dhe ku janë ata?”-pati thënë ai.

Përgjithësisht, Erdogani dhe suita e tij, nacionalizmin nuk po e shohin si mundësi ndarjeje në mes etnive a racave të ndryshme, por si mundësi për të shprehur atdhedashurinë me punë të mëdha.

Mbase kjo qasje e tij gjen bazë në konceptin muhamedan: Nuk ka përparësi, arabi ndaj joarabit, i bardhi ndaj të ziut e as mashkulli ndaj femrës…” I brumosur në këtë frymë, Erdogani nuk mund të pajtohet me ideologjitë e dala së voni, si nacionalizmi, fashizmi, shovinizmi apo komunizmi, që tradicionalisht kanë shërbyer në praktikë për antagonizma ndërmjet popujsh.

Kjo qasje duket se po e nxjerr këtë temë nga interpretimet teorike e dogmatike të historianëve, sociologëve, politikologëve e juristëve, drejt jetës reale e praktike, ku pushteti e populli do të jenë më afër dhe njerëzit e etnive të ndryshme që jetojnë në të njëjtin shtet të bashkohen në vlera të përbashkëta e të respektohen në veçoritë dalluese.

Përfundim

Popujt duhet të ushqehen. Kur shteti, si organizatë që duhet të mundësojë mirëqenie për qytetarët e vet, nuk arrin që të kryejë këtë detyrë si duhet, atëherë pushtetarët “ushqejnë” ndryshe, me fjalime nacionaliste e idealiste për të mbajtur në baraspeshë nevojat e qytetarëve.

Diskursi në jetën politike varion sa andej e këndej por e qenësishme është të mos dëmtohen interesat e qytetarëve. Nacionalizmi, qysh nga koha e iluministëve, kur mori formë të strukturuar, është interpretuar e përdorur në shumë mënyra. Ne na mbetet të gjejmë modelin më të mirë, për ta shprehur dhe për ta jetuar atë.

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: