Fondi i persizmave në shqipen e sotme dhe në zhvillimin historik të shqipes prej Mesjetës e këndej

Emil LAFE

 

FONDI I PERSIZMAVE NË SHQIPEN E SOTME DHE NË ZHVILLIMIN HISTORIK TË SHQIPES PREJ MESJETËS E KËNDEJ

zabane farsiPersishtja dhe shqipja janë gjuhë të një familjeje, të familjes indoeuropiane, ku bëjnë pjesë një numër gjuhësh nga më të rëndësishmet e më të përhapurat në botën e sotme moderne, si anglishtja, frëngjishtja, spanjishtja, gjermanishtja, rusishtja, portugalishtja e të tjera. Vetë termi familje, i huazuar nga shkencat biologjike, tregon për një burim të përbashkët të kryehershëm të këtyre dy gjuhëve. Në trungun e familjes indoeuropiane persishtja e ka vendin në degën e gjuhëve iraniane, bashkë me një varg gjuhësh të tjera që fliten në atë rajon, si në Afganistan, në Pakistan, në Taxhikistan, në Kurdistan, në Oseti e gjetkë. Këto janë ndërmjet tyre si gjuhë motra ose kushërira të para e të dyta. Shqipja jonë ka qëlluar degë e vetme në trungun indoevropian, pa motra e kushërira të afërta. Pas gjase ka pasur të tilla, s’dihet si, ku e kur ato gjuhë të afërta me shqipen janë tretur pa gjurmë. Në një lashtësi të thellë parashqipja dhe iranishtja e lashtë e përbashkët kanë qenë deri diku të afërta, sepse studiuesit i vendosin të dyja në grupin e gjuhëve lindore ose satem. Për disa zhvillime paralele dhe marrëdhënie të shqipes me iranishten në periudhën e lashtë kanë shkruar Sh. Demiraj dhe S. Mansaku.

Në kumtesën tonë do të vështrojmë marrëdhëniet ndërmjet këtyre gjuhëve në periudhën e re, kur me shtrirjen e Perandorisë Osmane në Ballkan, u shtri edhe kultura e gjuhët e popujve të Lindjes së Afërt. Fjalët që hynë me atë rast në gjuhët e Ballkanit, e në këtë mes edhe në gjuhën shqipe, quhen përgjithësisht orientalizma. Kemi fatin që këto orientalizma janë mbledhur dhe shpjeguar me kujdes nga një studiues aq i zellshëm e a i përgatitur në këtë fushë, siç ishte Tahir Dizdari. Emri i tij do të përmendet gjithnjë në studimet e në veprimtaritë shkencore të kësaj natyre.

Dihet mirëfilli se ndër orientalizmat e shqipes një pjesë e mirë janë fjalë që valët e historisë i morën nga hapësirat e Iranit dhe i sollën deri në brigjet e Adriatikut e të Jonit. Hyrja e orientalizmave në gjuhën shqipe dhe karakteri i përgjithshëm i tyre janë të lidhura ngushtë me mënyrën e organizimit të Perandorisë Osmane dhe të qeverisjes së tokave që u përfshinë në kufijtë e saj. Sunduesit këtë radhë vinin nga një kontinent tjetër dhe sillnin një tjetër kulturë e një tjetër fe. Pushteti osman nuk pati si qëllim kolonizimin e trevave të pushtuara me një popullsi të re (siç kishin bërë p.sh. dikur Romakët e më pas Sllavët), por sundimin politik të tyre dhe përhapjen e besimit të ri islam, me qëllim që t’i afronin popujt e perandorisë me pushtetin qendror, duke i kthyer në një fe të përbashkët. Siç është vënë re prej studiuesve, orientalizmat kanë rrokur më fort jetën e qyteteve, ku ishte përqendruar veprimtaria administrative, kulturore e fetare. Është e nevojshme të theksohet se kultura e qytetërimi persian, ashtu si edhe kultura e qytetërimi arab, kishin arritur një shkallë të lartë zhvillimi, kur këta popuj u ballafaquan me Turqit osmanë dhe hynë në marrëdhënie të dendura me ta. Me këtë epërsi kulturore shpjegohet edhe depërtimi i një numri të madhe fjalësh persiane e arabe në gjuhën turke. Orientalizmat filluan të depërtojnë në gjuhën shqipe që në shekullin XV. Ndoshta orientalizmi i parë i dokumentuar është fjala haraç, që del në marrëveshjen e Skënderbeut me mbretin e Napolit, Alfonsin e Aragonës në vitin 1451. Dëshmitë e dialekteve arbëreshe të Italisë e të shkrimtarëve arbëreshë dhe veprat e autorëve tanë të vjetër (Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frang Bardh, Pjetër Bogdani) na japin dorë të njohim cilat orientalizma hynë në gjuhën shqipe gjatë dy shekujve të parë të sundimit osman dhe të ndjekim dinamikën e tyre. Në këtë mes neve na interesojnë persizmat, d.m.th. ata orientalizma që kanë dalë nga persishtja dhe pastaj në kohë të ndryshme e me rrugë të ndryshme kanë arritur deri në gjuhën shqipe. Sipas studimeve historike për fjalorin e shqipes, persizmat më të vjetër janë: bori (Bogdani: kaa me raam boria; del dhe te Kuvendi i Arbënit e te J. De Rada), çarçaf (G. Meyeri e jep për arbërishten e Kalabrisë), çoban (Bardhi te opilio, pecoraio; pecorarius; pecuarius; upilio), çorape (te Arbëreshët e Italisë para vitit 1530), dervish (Bogdani : po vinte si një dervish), fil (Bogdani: fili kaqa i madh), gajtan (edhe te Arbëreshët e Kalabrisë që para vitit 1530; dëshmohet te J. De Rada, A. Santori), hambar (Bardhi te granarium, granaio), hoxhë (dëshmohet që në vitin 1614 ; Bogdani: hoxhëtë), jaran (te “Rapsoditë” e Zef Skiroit), manushaqe (te Arbëreshët e Sicilisë dhe të Kalabrisë), masur (G. Meyeri e jep edhe për arbërishten e Kalabrisë), pazar (del te Budi: venë trigjevet e pazarevet), saraj (Bogdani: kthei përsëri ndë sarajt; nji saraj të praruem), sejmen (te Bogdani me kuptimin “ushtar i thjeshtë”: u ba vojvoda i sejmenet; po me këtë kuptim e jep edhe G. Meyeri), selvi (Bogdani: druja e selviisë), terezi (Budi: me vuum … përmbii tereziit; Bogdani: dita e nata mbë terezi janë njëmendë mbë 25 ditë ndë mars), terzi-u (Bogdani: zanatin e terzivet), xhambaz (Bardhi: te scoenobates “ai që luan duke ecur” dhe te scurra, bufone), zinxhir (Bardhi: senxhir – catena), zymbyl (Bogdani: si zymbyli ndë prill). Janë pra 21 fjalë me burim nga persishtja që kanë hyrë si orientalizma në tre shekujt e parë (XV-XVII) të marrëdhënieve intensive të Shqiptarëve me kulturën, me gjuhët dhe me fenë e Perandorisë Osmane. Ky numër erdhi duke u shtuar me ritëm të shpejtë në shekujt XVIII e XIX. Tahir Dizdari ndër 4406 orientalizmat e fjalorit të tij, ka numëruar 505 fjalë të burimit persian . Por në këtë fjalor janë regjistruar një numër fjalësh që sot kanë dalë krejt jashtë përdorimit ose që kanë pasur përdorim të rrallë edhe në kohën e vet. Prandaj, për të gjykuar për persizmat e shqipes në kohën tonë, duhet marrë si bazë “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980). Nga vjelja e plotë e tij del se në të janë përfshirë rreth 270 fjalë me burim nga persishtja; po të shtojmë këtu edhe fjalët e prejardhura e të përbëra të formuara me temat e tyre (p.sh. farfuri: i farfurinjtë, farfurit, farfuritje, farfuritës; naze: nazeli,nazeqar, nazetor, nazemadh etj.), ky numër shkon në rreth 425.

Për historinë kulturore është me rëndësi përndarja e persizmave (dhe e orientalizmave në përgjithësi) në sferat e ndryshme të jetës dhe në fushat e veprimtarisë së njeriut. Orientalizmat (e në këtë mes edhe persizmat) përfshijnë anë të ndryshme të jetës shoqërore, shtetërore-administrative e shtëpiake, kulturën materiale e shpirtërore, terminologjinë fetare etj.

Vendin e parë me rreth 40 fjalë e zë fusha e kuzhinës dhe e gjellëtarisë d.m.th. emërtime gatesash, ëmbëlsirash, pijesh, lëndësh ushqimore e përdorësesh të kuzhinës. Të tilla janë: burani, jahni, meze, paçe, pilaf, qofte, rishte, samsa, trahana, turshi; paluze, pelte, reçel, revani, sheqerpare, zerde; bozë, narden, pekmez; maja, niseshte, sheqer; çini, farfuri, hanxhar, havan, kuze, qepshe, rende (që ka dhënë edhe rrjedhojat rendoj, rendim), tas, tavë; majhosh, taze. Shumica e këtyre fjalëve i përkasin leksikut aktiv, d.m.th. janë fjalë që përdoren gjerësisht, janë emërtime të vetme për sendet që shënojnë. Pra, fjalët me burim nga persishtja janë të pranishme më së shumti në fushën e kuzhinës e të gatesave. Pa dyshim kjo lidhet me shkallën e lartë që kishte arritur prej kohësh arti i kuzhinës në Iran.

Vendin e dytë (23 fjalë) e zënë emërtimet që lidhen me banesën dhe me pajisjet e saj, si avdeshanë, baxhë, çerçive, gjerdek, kafaz, qoshe, reze, bohçe, çarçaf, destemel, divan, legen, mutaf, paçavure, perde, peshqir, peshtemall, poste, postiqe, qilim. Ndryshe nga fjalët e sferës së kuzhinës, këtu një pjesë e madhe kanë përdorim të kufizuar ose po dalin nga përdorimi me modernizimin e jetës.

Emërtimet nga fusha e bimësisë (drurë frutorë e jofrutorë, perime, lule etj.) janë gjithashtu mbi 30: bajame, fëstëk, gonxhe, hurmë, idërshah, jargavan, jasemin, manushaqe, nerënxë, pambuk, panxhar, patëllxhan, razaki, sasë (krahin.), shebojë, shefteli, zerdeli, zymbyl. Shumica e tyre janë fjalë të leksikut aktiv, emërtime të vetme për drurët a bimët që shënojnë. Nga fusha e almiseve dhe përdorëseve të ndryshme kemi gjithashtu rreth 20 persizma: bel, çark, çengel, çirak (kandil), gjergjef, llullë, masur, nargjile, neshter, palldëm, perdah, pergjel, qase, qese, shishe, terezi, tezgjah, zemberek, zumpara. Edhe këto në pjesën më të madhe janë fjalë të leksikut aktiv.

Rreth 20 fjalë të tjera kanë të bëjnë me njeriun dhe me tiparet e tij fizike e morale; të tilla janë: ferishte, naze, nazik, neqez, nishan, paq, perçe, pishman, qel, qelan, qorr, sarhosh, serbes, shend, viran, xhadi, xhan, xhanan, xhymert, zor, zylyfe. Një pjesë e mirë e tyre kanë fituar ngjyrime stilistike.

Një fushë tjetër, përsëri me rreth 20 fjalë, është veshmbathja dhe lëndët që përdoren për të. Këtu hyjnë fjalë si: anteri, çember, çarap, humai, ibërshim, meshin, mitan, pambuk, papuçe, perçe, qelepoçe, qylah, qyrk, reshme, saftjan, shallvare, taç, tafta, tumane, zavë. Duke zbritur më tej sipas numrit të fjalëve, po përmendim emërtimet e mjeshtërive, si: belaxhi e beltar (nga pers. bel), çirak, çoban, dadë e dado, pazvan, pehlivan, tajë, terzi, tezgjahiste (nga pers. tezgjah), usta, xhambaz. Një pjesë e mirë e tyre kanë dalë nga përdorimi (belaxhi, beltar, pazvan) ose janë zëvendësuar (terzi me rrobaqepës). Nga fusha e tregtisë dhe e transportit kemi fjalët badihava, dyqan, paha, para, pazar, peshin, qar, reshper, sheqer, teste; araba, deng, karvan. Nga kozmetika dhe stolitë kemi fjalët gjerdan, lajle, lalë, mazi, myshk, perishane, reshme, sermajë, susme, zile. Disa prej tyre, si perishane, reshme, sermajë sot ndihen si etnografizma. Dihet se qyteti në disa vise shqiptare është quajtur me fjalën persiane sheher, aq sa për antonomazi qyteti i Dibrës quhej thjesht Sheher. Emërtime persiane kemi edhe për disa pjesë të qytetit e të ndërtimeve në të, si çarshi, çezmë, gjiriz, han, mejhane, pazar, saraj, shatërvan. Nga sfera e fesë kemi fjalët: avdes, dervish, gjynah, gjynahqar, hoxhë, kalander, kaur, namaz e nevruz. Edhe në leksikun ushtarak ka një dorë persizma: çadër e dylbi përdoren edhe sot, ndërsa hanxhar, havan, kumbara, shahi, shishane, xhephane janë historizma, që brezi i ri i mëson nga folklori ose nga letërsia. Disa emra veglash muzikore e kanë burimin te persishtja, si çapare-t, qemane, saze e zurna, po ashtu aheng. Nga pak persizma ka edhe në fusha të tilla si bujqësia: bahçe, bahçevan, bostan, hergjele, zarzavate; ndërtimi si: mahi, furde, pajandër, qemer, qereste; bota shtazore, si bilbil, çakall, fil, kumri, lejlek, panxhë.

Nga pikëpamja stilistike-ligjërimore persizmat nuk kanë ndonjë dallim nga orientalizmat e tjerë. Duhet pasur parasysh se pas vitit 1912 Shqipëria i preu lidhjet me Perandorinë Osmane dhe nisi të orientohet drejt vendeve të Perëndimit. Kjo solli si pasojë edhe diferencimin stilistik të orientalizmave, p.sh. orientalizmit farfuri (me burim nga persishtja), që ka hyrë dhe në gjuhët e tjera të Ballkanit e në rusishte, i doli si shemër fjala perëndimore porcelan, që u bë fjala zyrtare e emërtesës përkatëse në industri e në tregti. Sot rrallëkush thotë pjatë ose filxhan farfurie, por: artikuj (pjata, filxhanë) porcelani. Madje shumë mund të mos e dinë se farfuri e porcelan janë e njëjta gjë. Por orientalizmi farfuri ka mbetur në krahasimin e njohur: e ka gushën farfuri ose në frazeologjinë e bëj farfuri “e pastroj sa të shkëlqejë”.

Disa persizma kanë fituar kuptime të reja në gjuhën shqipe me mënyra të njohura të fjalëformimit semantik. Kështu p.sh. siç shpjegohet në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe”, fjala dervish, në krye një term fetar, ka marrë edhe kuptime të tjera: 1) Dordolec; 2) Lloj kërpudhe me bisht të gjatë e me kësulë të bardhë; 3) Çafkëlore (një lloj zogu); 4) Lloj misri me shumë mustaqe në kalli . Përveç këtyre, emri dervish del edhe si emërtim sinonim ose i vetëm për disa bimë, si: 1) nenë e bardhë (Amaranthus albus L.), 2) kokëmadhe kallishkurtër, kokëmadhe, buf (Phalaris brachystachys Link), 3) shavar gjethengushtë, stikë, lesh livadhi, drog, plyzhgë, boçëkanari, preshxharpni, buka e kajushave, kamish, xhidë, rrogoz, tërskë (Typha domingensis Pers.), 4) shavar gjethegjerë (Typha latifolia L.) . Një hulumtim interesant për zhvillimet kuptimore të disa persizmave në gjuhën shqipe ka botuar orientalisti Feti Mediu . Në këtë mes është e nevojshme të ndiqet jeta e këtyre persizmave përgjatë rrugës që kanë bërë derisa kanë arritur në gjuhën shqipe, sepse disa zhvillime kuptimore të tyre kanë ndodhur më parë në turqishte e disa të tjera janë të përbashkëta për gjuhët ballkanike.

Prof. Eqrem Çabej ka tërhequr prej kohësh vëmendjen se orientalizmat e shqipes kanë rëndësi të studiohen jo vetëm përbrenda shqipes, po edhe nga orientalistët për historinë e vetë gjuhëve orientale dhe për lidhjet kulturore të gjuhëve të ndryshme . Mendoj ka ardhur koha për një bashkëpunim më të drejtpërdrejtë me kolegë iranianë për studime të përbashkëta në këtë fushë. Një fushë me interes si për albanologjinë, ashtu edhe për iranologjinë, do të ishte studimi i orientalizmave të shqipes me burim nga persishtja, duke ndjekur historinë e depërtimit të tyre, përhapjen brenda shqipes dhe në gjuhët ballkanike, si dhe zhvillimet kuptimore të tyre. Fondacioni “Saadi Shirazi”, që po bën një punë kaq me vlerë për gjallërimin e studimeve orientalistike në Shqipëri, siç e dëshmon dhe kjo konferencë, le ta ketë ndër projektet e tij të ardhshme bashkëpunimin ndërmjet studiuesve shqiptarë e iranianë në fusha me interes shkencor e kulturor të përbashkët.

Referencat e Artikullit

1. Boretzky, Norbert: Der t?rkische Einfluss auf das Albanische. Teil 1 Phonologie und Morphologie der albanischen Turzismen. 1975, 279 f.; Teil 2 Wörterbuch der albanischen Turzismen. 1976, 224 f. Otto Harrasowitz,. Wiesbaden.
2. Çabej, Eqrem: 1. Hyrje në historinë e gjuhës shqipe. 2. Fonetika historike e shqipes. Universiteti Shtetëror i Tiranës. Tiranë, 1960, 129 f.
3. Çabej, Eqrem: Për një shtresëzim kronologjik të huazimeve turke të shqipes. – Studime filologjike, 1975, nr. 4, 79-85.
4. Çabej, Eqrem: Studime etimologjike në fushë të shqipes. I-VII. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Tiranë, 1975-2006.
5. Demiraj, Shaban: Rreth huazimeve prej burimit turk, arab dhe persian në gjuhën shqipe. – Univers 2001, 1, 15-30.
6. Demiraj, Shaban: Rreth huazimeve të shqipes prej burimi persian. – Perla 11/2006, 1, 29-36.
7. Dizdari, Tahir N.: Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe (rreth 4500 fjalë me prejardhje nga gjuhët turke, arabe dhe perse). Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) – Organizata Islame për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (ISESCO). Tiranë 2005, XVII + 1202 f.
8. Dizdari, Tahir: Persizmat në gjuhën shqipe. – Perla 1/1996, 1, 4-11.
9. Kastrati, Jup: Një studiues i fjalëve iranishte (persishte) në gjuhën shqipe. – Perla 1/1996, 2, 3-15.
10. Kastrati, Jup: Për historinë e marrëdhënieve gjuhësore shqiptaro-persiane. – Perla 4/1999, 1, 24-31.
11. Kostallari, Androkli: Rreth depërtimit të turqizmave në gjuhën shqipe gjatë shekujve XVII-XVIII. Gjurmime albanologjike Seria e shkencave filologjike (Prishtinë), 7/1977, f. 39-50.
12. Krajni, Anton: Hymja e turqizmave në shqipen dhe përpjekjet për zëvendësimin e tyre. – Studime filologjike, 1965, nr. 1, 143-151.
13. Lafe, Emil: Persizmat në kuadrin e orientalizmave të shqipes. – Perla 4/1999, 1, 39-46.
14. Lafe, Emil: Persizmat në gjuhën shqipe. Trajtimi i tyre në veprën e Tahir N. Dizdarit “Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe”. – Perla 12/2007, 1, 162-169.
15. Mehdiu, Feti: Ngulitja e disa persizmave dhe evoluimi i tyre semantik në gjuhën shqipe. – Perla 4/1999, 1, 47-56.
16. Meyer, Gustav: Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache. Strasburg, 1991.

/Orientalizmi shqiptar/

Ky artikull është botuar në revistën “Perla”, 2009, Nr. 1.

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: