Heroi si arketip në eposin shqiptar dhe Shah-name-në e Firdeusit

Eldon GJIKAJ

 

HEROI SI ARKETIP NË EPOSIN SHQIPTAR DHE SHAH-NAME-NË E FIRDEUSIT

Shahnameh

Sipas Joseph Campbell, një nga studiuesit më të njohur bashkëkohorë të mitologjisë së krahasuar, të gjitha rrëfimet mitologjike janë të strukturuara mbi një bagazh të përbashkët imazhesh, simbolesh dhe ngjarjesh1.

Në teorinë e arketipeve të C. Jung-ut2 formulohet teza se disa nevoja psikologjike dhe instiktive të njeriut shpërfaqen përmes simbolesh dhe imazhesh, të cilat praktikisht janë të pranishme në të gjitha qytetërimet, të shkuara dhe të sotme. Në çastin kur këto elemente lindin nga e pandërgjegjshmja, dalin në pah arketipe të ndryshme që i kanë si tipare të qëndrueshme, karakteristike, personazhet e rrëfimeve mitike: princeshat, kalorësit, magjistarët, dragonjtë etj. Po kështu shfaqen simbologji të njëjta, sekuenca ngjarjesh dhe mjedisesh. Veprimet, marrëdhëniet, aventurat ku marrin pjesë heronjtë, vendet ku ata shkojnë, kështjellat e shkëlqyera dhe shpellat e errëta, janë të pranishme në rrëfime mitike që i përkasin qytetërimeve të ndryshme, sigurisht duke ruajtur disa karakteristika vetjake në secilin syresh. Sipas Jungut psikika individuale, e përcaktuar prej tij si pandërgjegje individuale mbështetet mbi një “shtresë më të thellë e cila nuk rrjedhon nga përvoja vetjake por është e lindur”. Kjo shtresë që përbëhet nga elemente universale, është ajo që quhet pandërgjegje kolektive. Koncepti i arketipit, tregon faktin që në psikikë ekzistojnë forma të përcaktuara që me sa duket janë të pranishme gjithnjë dhe ngado”. Koncepti i arketipit si “një sintetizues i një shumësie të dhënash në imazhe të forta dhe të ngulitura, si në historinë e njerëzimit, ashtu edhe në ndërgjegjen individuale”3, bëri që mendimi shkencor në fushën e antropologjisë kulturore ta zgjerojë këndin e shqyrtimit. Për pasojë analizat e sotme kanë dalë nga trajtimet izalocioniste, thjeshtuese dhe ndonjëherë nacionaliste, duke synuar spikatjen e elementeve përbashkuese të kulturave të ndryshme, e elementeve të qëndrueshme, të cilat mundësojnë edhe shqyrtimet krahasuese.

Në antropologjinë kulturore njëra prej figurave më të rëndësishme në botën mitike është figura e heroit. Studiues të ndryshëm kanë arritur të përcaktojnë njësitë konstante mbi të cilat sendërtohet kjo figurë, duke e konceptuar atë si një simbol të fshehur që qëndron brenda secilit prej nesh. Disa nga këto njësi të qëndrueshme janë:

– Thirrja për aventurë
– Kapërcimi i provave të trimërisë
– Prania e aleatëve dhe e armiqve
– Shkuarja në shpellën e fshehtë
– Sakrifica dhe tradhtitë
– Fitorja
– Rruga e kthimit

Po ta shohim krahasimisht figurën e heroit në eposin shqiptar dhe figurën e heroit në Shah-Name-në e Firdeusit, do të vëmë re se elementet e mësipërme janë të pranishme te të dy. E interpretojmë këtë përbashkim si prani të elementeve arketipale në të dy qytetërimet, për ne një dukuri krejt normale. Në aspekt teorik heronjtë janë më së shumti personazhe ose shumë të varfër, ose mbretër ose princër. Në eposin shqiptar Muji na shfaqet si një djalë jetim dhe i varfër:

Zana të malit atje jan’ra,
ndërmje’djepave Mujin e kan’gjetë.

– I kuj djal’ je, Mujs i kan’ thanë,
gjith’ kët’ nder ne si na kie ba?
Ka nis Muja e u ka thanë:

– Bab’ as nan’ në dynja nuk kam,
jetim rrugave unë jam rritë,4

Te Shah – Name-ja, Rustemi shfaqet i kundërt me Mujin, por gjithsesi brenda tipologjisë arketipale të heroit. Ai është nip mbretërish, pra një princ i pasur, i cili rritet në pallat, me përkujdesje të plotë.

Thirrja e heroi për aventurë është e pranishme si tek eposi ynë ashtu edhe te Shah – Name-ja. Në eposin shqiptar kjo është një temë e trajtuar gjerësisht, ndaj nuk po zgjatemi me shumë, por po specifikojmë faktin që grishja për luftë heroit i vjen edhe nga nëna, siç ndodh në këngën Krajli i Selnisë grabit Kunen e Mujit5, ku është pikërisht ajo që e lajmëron Halilin për ngjarjen, duke e prekur në sedër.

Në këngën Rustemi vret elefantin e bardhë është i ati i Rustemit, Zali, që i kërkon atij të niset për të pushtuar kështjellën në malin e Sependit:

Në zemër godite Sependin skëterrë,
shfarosi çka brenda ai me laperë .

Lavdi edhe zulmë ti ende nuk ke,
besoj se fitore do të korrësh atje!

Përgjigjet Rustemi: “Jam gati, o atë,
do të di të shpaguajë të zezën krajatë”.6

Në të dy korpuset heronjtë kalojë nëpër bëma të shumta trimërie, ku kanë aleatë dhe armiq. Më të shumtën e herëve është guximi dhe forca e tyre e jashtëzakonshme që u jep fitoren në betejë, por nuk mungon edhe dredhia. Kështu për shembull Arnaut Osmani shtiret si i vdekur për të shpëtuar shokët nga burgu i Krajlit7.

Edhe Rustemi përdor dredhinë që i mëson i ati për të pushtuar kështjellën e malit të Sependit:

Ti duhet të shtihesh se je karvanxhi,
ndaj ca gamile të bësh gati tani.

Me kripë ngarkojini të gjitha devetë,
veç emri patjetër të mbetet i fshehtë;8

Në eposin shqiptar Muji përfshin të gjitha cilësitë që trajtësojnë një hero mitik: fuqia e jashtëzakonshme, trimëria, misioni për të kryer bëma, marrëdhëniet me figurat e mbinatyrshme si orët dhe zanat, fisnikëria në betejë dhe vlerësimi i kundërshtarit etj.

Po kështu sendërtohet edhe figura heroike e Rustemit: që në lindje ai ka një shtat të jashtëzakonshëm, shtat fili thotë autori, ka një trimëri të pashoqe, kujtojmë këtu këngën “Rustemi vret elefantin e bardhë”, në të cilën tregohet se Rustemi, ndonëse ende në moshë të njomë, arrin të vrasë vetëm me një goditje të topuzit shtazën gjigante. Sikundër Muji që kryen provat e forcës edhe Rustemit i duhet kë kryejë një sërë bëmash trimërie, sepse e tillë është rruga e inicimit të tij si hero, duke na sjellë ndërmend bëmat e Herkliut në mitologjinë greke, ose të Herkulit në mitologjinë romane.

Nga kjo parashtresë e shkurtër duket se, qoftë në eposin shqiptar, qoftë te Shah-Name-ja, figura e heroit konstruktohet si një figurë arketipale, me të gjitha njësitë e qëndrueshme që kërkon konstruktimi mitik i një figure të tillë. Një konstruktim kësisoj është krejtësisht i vetëshpjegueshëm për eposin shqiptar, sepse gjendet brenda një teksti që i përket lëndës mitike legjendare. Për Shah – Name-në si një tekst autorial mund të themi se sendërtimi arketipal i heroit si figurë mitike, vjen si pasojë e huazimit prej letërsisë gojore. Një procedim i tillë, pra funksionimi i letërsisë gojore si paratekst burimor për letërsinë autoriale është një procedim normal.

Në përfundim mund të themi se shqyrtimet krahasuese ofrojnë të dhëna me rëndësi dhe ndihmojnë jo vetëm për gjetjen e përbashkësive ose të veçanësive, por krijojnë një përfytyrim më të saktë dhe më të plotë për objektin që analizohet, duke e nxjerrë nga izolimi dhe duke e kundruar si pjesë të një rrjeti më të gjerë universal.

 

Referencat e artikullit:
Bibliografi

– L’eroe dai mille volti, J. Campbell, Guanda, Parma 1958.
– Gli archetipi e l’inconscio collettivo, C.G. Jung, Boringhieri, Torino 1983.
– Eipka legjendare, II, Tiranë 1983.
– Firdeusiu, Shah-Name-ja, Fondacioni kulturor “Saadi Shirazi”, Tiranë 2001.

– 1 J. Campbell, L’eroe dai mille volti, Guanda, Parma 1958.
– 2 C.G. Jung, Gli archetipi e l’inconscio collettivo, Boringhieri, Torino 1983.
– 3 Po aty.
– 4 “Fuqia e Mujit”, Eipka legjendare, II, Tiranë 1983, f.10.
– 5 Po aty, f. 21.
– 6 Firdeusiu, Shah-Name-ja, Fondacioni kulturor “Saadi Shirazi”, Tiranë 2001, f. 145.
– 7 Epika legjendare, vep. e cit., f. 284.
– 8 Shah-Name-japo aty.

Ky shkrim është botuar në revistën “Perla”, 2009, nr. 1.

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: