Elbasani, me shpejtësi drejt kryeqytetit…

Shefqet DELIALLISI

 

ELBASANI, ME SHPEJTËSI DREJT KRYEQYTETIT…

Shefqet Deliallisi

Shefqet Deliallisi

Shansi i parë

Mendimi që Elbasani të ishte kryeqyteti i Shqipërisë është i hershëm, madje para shpalljes së shtetit të pavarur shqiptar.
Që në vitin 1910, Edith Durham në kujtimet e saj do të shkruante: “Elbasani ëndërron për një të ardhme të ndritur. Pozita e tij në qendër të vendit do të ishte ideale për kryeqytet”.
Pak ditë para shpalljes së pavarësisë, më 8 nëntor 1912, Ismail Qemali, në intervistën dhënë gazetës kryesore vjeneze “Neue Freie Presse”, pyetjes së gazetarit se cili do të ishte kryeqyteti i Shqipërisë, do t’i përgjigjej: “Kryeqyteti i Shqipërisë mund të ishte Elbasani për shkak të pozitës së tij qendrore, por rol të madh mund të kishte edhe Vlora… Elbasani mund të ishte Uashingtoni, ndërsa Vlora, Nju-Jorku ynë”.
Por Elbasani kryeqytet ishte dhe objektiv i Aqif Pashës. Ai kish marrë një premtim nga Ismail Qemali për caktimin e Elbasanit si kryeqytet. Kjo shprehet edhe në një letër  që Esat Pasha i dërgon Aqif Pashës, në të cilën i kërkon shkëputjen nga Qeverisa e Vlorës për t’iu bashkëngjitur qeverisë së tij. Ai i shkruan: “…Ky njeri (Ismail Qemali) mundet që juve ju kabon (merr me të mirë) dhe ju premton se Elbasani do të bëhet kryeqytet. Vëlla, nuk e ka për hall hiç njeri që ta caktojë tani kryeqytetin e Shqipërisë. Atë do ta caktojë Europa dhe do ta dijë vetëm princi që do të vijë këtu”.
Në fakt, ideja e Elbasanit kryeqytet në atë kohë ishte e përhapur, madje edhe gazeta “Përlindja e Shqypnies”, organ i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, më 3 nëntor 1913 shkruante se Princ Vidi për kryeqytet të shtetit të ri do të zgjidhte Elbasanin.
Ndërkohë, Aqif Pasha vazhdon të kërkojë. Në letërkëmbimin e tij të mëtejshëm me Ismail Qemalin, më 14 nëntorit 1913 ai i kërkon transferimin e Qeverisë nga Vlora në Elbasan. Dhe Ismail Qemali do t’i përgjigjej: “Transferimi i qendrës së Qeverisë së Përkohshme në Elbasan është një interes kombëtar dhe në harmoni me mejtimet e mija personale, dhe do ta pranoja këtë transferim pa nguruar, por, këtë moment kur pritet të vijë mbreti, transferimi nuk është i përshtatshëm se do të lindnin probleme për ardhjen e tij…”.
Do të ishin Fuqitë e Mëdha dhe Princ Vidi që do të përcaktonin kryeqytetin.
Zgjedhja do të ishte Durrësi, dhe jo Elbasani.
Ja ç’shkruan për këtë fakt Charles Teleford Erikson, misionari amerikan i cili në atë kohë ndodhej në Shqipëri: “Dikush pyet përse ishte zgjedhur ky qytet (Durrësi) prej Princit për principatën e tij? E vetmja arsye e mundshme që unë hamendësoj është që ai të largohej papritmas në rast nevoje, dhe për këtë Durrësi ofronte përparësi të pakrahasueshme. Në rast se ai do të rrethohej, ai e dinte se nuk kishte flotë të gatshme që ta bllokonte atë nga deti…”.
Kështu humbi shansi i parë i Elbasanit për t’u bërë kryeqytet.

Shansi i dytë…

Vite më vonë një shans i dytë lindi.
Që në vitin 1918 u mor një nismë nga Aqif Pasha dhe Ahmet Zogu për mbajtjen në Elbasan të një kuvendi kombëtar, madje u njoftuan dhe përfaqësuesit nga trojet shqiptare. Por kjo nismë u pengua nga austro-hungarezët.
Vijmë kështu në vitin 1920, në Kongresin e Lushnjës. Dihet që organizatori kryesor i mbajtjes së Kongresit ishte Aqif Pashë Elbasani. Me të drejtë lind pyetja: pse Kongresi nuk u mbajt në Elbasan, qytet i madh, për më tepër dhe me traditë? Vite më parë (1909) në këtë qytet ishte mbajtur me sukses Kongresi Kombëtar i Elbasanit për shkollat shqipe, në të cilin u mor dhe vendimi për hapjen e Shkollës Normale. Pse duhej që Kongresi të mbahej në një qytezë të vogël si Lushnja?!
Shkak ishin mosmarrëveshjet mes të parëve të Elbasanit, Aqif Pashës dhe Shefqet Vërlacit, të cilët ishin në armiqësi të ashpër mes tyre, ndonëse kishin lidhje të afërta familjare (ishin baxhanakë). Dihet që Vërlaci ishte më influenti në Elbasan. Dihet që ishte italofil. Dihet që italianët ishin kundër mbajtjes së Kongresit, madje tentuan ta ndalonin ushtarakisht atë. Prandaj duket dhe Vërlaci nuk lejoi që Kongresi të mbahej në Elbasan. Nëse Kongresi do të ishte mbajtur në Elbasan, sigurisht që kryeqyteti i Shqipërisë do të ishte Elbasani.
Në fakt, nuk është se Kongresi i Lushnjës e zgjodhi Tiranën kryeqytet. Debati për caktimin e kryeqytetit mbeti i hapur. Pretendonin disa qytete. Elbasani ishte një prej tyre.
Ja se çfarë shkruhej në vitin 1923 në një editorial të Gazetës Elbasani: “Të shofim kush nga qytetet e Shqipërisë mund t’i përmbushi konditat për kryeqytet. Korça, një nga qytetet ma të bukur të Shqipniës me kulturë, me godina të bukra e me klimë të shëndoshë, por, në një kand të Shqipniës e fare afër kufinit si të Greqisë ashtu edhe të Jugosllaviës, nuk mund të bahet kryeqytet. Gjithashtu edhe Shkodra nuk mund të bahet kryeqytet (ndonëse) sa e madhe dhe e bukur q’asht, me godina të mdha, me klimë e kulturë të shëndosh, nga shkaku se ndodhet në kandin tjetër të Shqipniës dhe afër kufinit të Jugosllavisë, veç inondasionevet (përmbytjeve) të shpeshta që ndodhin për ç’do vitë në Shkodër… Vlona e Durrsi, si qytete në buzë të detit, numërohen qytete afër kufinit të gjithë botës e gjinden në rrezik, janë qytete të vegjël (bëhet fjalë për vitin 1923) pa godina e pa ujë e me një klimë fort të dobët e malarike. Tirana, në një vend me të vërtet të bukur, mund të zgjanohet nga të mund, por, pa ujë si për të pimë ashtu edhe për pastrim e kanalizim të tepricavet e ndytsinavet.
Elbasani nga nj’anë, me gjith që sot për sot nuk ka godinat e nevojshme për t’u vendosë zyrat e duhuna (në rast nevoje, mund të plotësohen në një mot e sipër) m’anë tjetër përmbledhë gjith virtutat e nevojshme për një kryeqytet, në pikpamje topografike, morale, shoqnore, politike, strategjike, gjuhsore, shëndetsore e arhitekturore. Elbasani piksëpari gjindet në kërthizët të Shqipnisë. Në kohën e okupasionit austriak ishte “trait d’ union” (bashkimi) i Shqipniës së Veriut e të Jugës…. Populli mbrenda në qytet asht në një shkallë kulture q’ë e meriton t’jetë banorë i kryeqytetit. Popullsia e rretheve të’ tij asht shum e squët, e urtë, e shoqnueshme e patriotike, si me qenë banorë qyteti…
Elbasani në pikpamje kulturale s’asht edhe fort larg, me krahasim të Shkodrës e të Korçës, dhe ka shpresa të mdha jo vetëm t’ja mrrië, por edhe t’ja kaloj këtyneve, mbassi sot-për-sot ka 70 e sa studenta nëpër shkollat e ndryshme t’ Austrisë e të Gjermanisë. …Elbasani në pikpamje gjuhsore asht i vetmi qytet, i cili sikundër e lidhë politikisht Shqipniën e Veriut me atë të Jugës, ashtu edhe me gjuhë lidhë këto dy pjesë, në mënyrë që dialekti i Elbasanit, asht “trait d’ union i” (bashkimi) i dialektevet të Gegnisë e të Toskënisë. Për këte arsye në kohën e Turqisë më 1909, Kongresi Arsimuër u mblodhë n’ Elbasan dhe vendosi hapjen e Shkollës Normale po këtu n’ Elbasan, e cila prej asij kohe ishte Instituti ma i nalt i Rilindjes Kombëtare. Gjithashtu po për këtë arsye, Komisioni Arsimuër në kohën e okupasionit austriak, patë pranuë dialektin e Elbasanit, si për gjuhë zyrtare të Shqipniës. Nashti së voni, edhe Ministrija e Arsimit që prej vitit 1920, po këtë dialekt ka pranuë e pëdoruë gjer më sot, si për gjuhë zyrtare të shtetit.
Në pikpamje topografike, Elbasani ka nji pozitë që të shtrihet përsipër qytetit, nëpër kodrat ose në të dy buzët e Shkuminit, që me shum arsyë të quhet kryeqytet i Gegnisë dhe i Toskënisë.
Në pikpamje shëndetsore, Elbasani asht i vetmi qytet i Shqipniës që meriton për kryeqytet. Ka ujë për të pimë me shumicë, i cili rrjedhe prej nji burimit të kulluëm si argjanti, e që kryen plotsisht nevojat e një kryeqyteti të banuëm prej ma se 100 000 frymësh. Mjafton që ky ujë, i cili buron dy orë larg qytetit, t’i epet një kompanije, e cila me një sistem modern, passi t’a depozitoj, t’a sjelli në qytet me një kanal që të sigurohet mos trazimi me ujnat e shiut e tjera, dhe ashtu mund të përndahet, në ç’do shtëpië të qytetit në nji naltësië, sa t’i duhet sejcilit.
M’ anë tjetër Shkumini, si një lum me ujna të shumta, e me rrymë, ka me i shërbyë Elbasanit si kryeqytet, tue i dhanë ndriçimin me dritë elektrike, si dhe forcë motrike për fabrika e industrina të ndryshme. Ma në fund Shkumini po t’i epet një kompanije, për t’a thelluë e për t’a përmbledhë, bahet i lundrueshëm. Kështu që Elbasani si kryeqytet mund të ketë përveç vijavet të komunikasionit toksore, por, edhe një vijë për në detë, me anën e Shkuminit.
Pra, tue u marrun  parasyshë gjith këto kondita e cilsiëna që ka Elbasani, të cilat e bajnë me të vërtet të merituëshëm për kryeqytet, kujtojmë sigurisht se jo vetëm neve, por edhe përfaqsuësit e qytetevet tjera të  Shqipniës, nuk kanë me ja mohuë të drejtën për  me qenë kryeqytet i Shqipniës”.
Kështu thuhej 90 vjet më parë në Gazetën Elbasani. Artikullshkruesi, ndonëse pak euforik, është shumë vizionar. Ide që ai shpreh para 90 vjetësh, atraktive edhe sot, si ndërtimi i qytetit të Elbasanin në të dyja anët e Shkumbinit, apo shfrytëzimi i tij për energji elektrike, siç po tentohet sot.
Megjithatë, Elbasani e humbi dhe shansin e dytë për kryeqytet.

Shansi i tretë…

Duket se tani Elbasanit i ka ardhur shansi i tretë, që ndryshe nga dy të parët, po bëhet realitet. Autostrada Elbasan-Tiranë që hapet së shpejti do bëjë të mundur që distanca mes Elbasanit dhe Tiranës të përshkohet vetëm në 18 minuta!!! Praktikisht Elbasani shkrihet me Tiranën. Bëhet bashkëkryeqytet me të. 18 minuta janë fare pak. Dhe të dyja qytetet kanë çfarë vlerash t’i shtojnë njëri-tjetrit.
Nëse do të ishte sot vizionari anonim i Gazetës Elbasani të 90 viteve më parë, ndoshta do të parashikonte: “Në të ardhmen, dy emrat e dy qyteteve mund të shkrihen. Një emër i ri, TIR-EL për kryeqytetin e Shqipërisë nuk do të ishte keq”.
Qytetarë e Elbasanit kanë të drejtë ta ëndërrojnë. Mbas realizimit të ëndrrës së vjetër: autostradës Tiranë-Elbasan, çdo ëndërr i duket e mundshme, edhe Elbasani bashkëkryeqytet. Pse jo? E treta, e vërteta.

Burimi: http://www.panorama.com.al/2013/04/30/elbasani-me-shpejtesi-drejt-kryeqytetit/

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: