Festimi i përvjetorit të 5-të të pavarësisë së Kosovës në Kajro

Dr. Hatixhe AHMEDI

 

FESTIMI I PËRVJETORIT TË 5-të TË PAVARËSISË SË KOSOVËS NË KAJRO

1

Kajro, një nga metropolet botërore, një vend që rrallë mund të gjesh shpirt njësoj sinë të, për mua qysh moti ishte bërë djepi dhe nëna e çdo gjëje. Ky ishte vendi në të cilin prej kohësh do të zgjohesha çdo ditë duke soditur diellin me majat e piramidave të Faraonit, dhe do të vazhdoja rrugën për të ndjekur mësimet e mia në studimet e larta universitare. Këto kujtime do t’i merrja me vete edhe pas përfundimit të studimeve, do t’i hapja jo më në formë të gjallë, por vetëm në ëndrrat e mia do t’i shpalosja çdo natë.

Sa herë që largohesha nga Kajro, e mbyllja ditarin e kujtimeve të mia me lujten time të përhershme: “Ah sikur Zoti të më mundësonte ta vizitoja gjithmonë Kajron!” Kështu ishte lutja ime, por që do të vija në Kajro dhe do të përjetoja dy gëzime, kjo nuk më kishte shkuar në mendje. Të vizitoja Kajron, të ulesha në banka për të dëgjuar mësime ashtu sidikur dhe të festoja “Përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës”! Këto janë vetëm mrekulli që di t’i realizojë vetëm Zoti. Madje me këto lloj mrekullish njeriu jeton, mbushet me dashuri dhe shpirt që e bëjnë të fortë dhe të palëkundur sa të jetë gjallë.

Me ftesë tëLibrotekës Kombëtare dhe Arkivave të Egjiptit mora pjesë në kursin dyjavor të dorëshkrimeve orientale, i cili u organizua në Librotekën Kombëtare dhe Arkivat e Egjiptit në Kajro.

Ndërsa gjëja e dytë që gjithmonë më kishte lidhur me Kajron dhe egjiptianët është Mehmet Ali Pasha nga Kavalla e Çamërisë, i cili për një shekull kishte qenë mbret dhe lider i këtij vendi, andaj edhe identifikimi ynë si shqiptarë këtu në Egjipt kurrë nuk kishte hasur vështirësi.

Sërish në hotelin e njohur të themeluar nga mbreti shqiptar Mehmet Ali Pasha, që quhet “Marriut” dhe që gjendet në zemër të Kajros, në lagjen ku edhe kanë nisur fillet e qytetit që më vonë në të gjithë botën do të njihet si “Nëna e të gjithë botës”, që është lagjia “Zemalik”, një lagje e zhurmshme dhe dinamike, me plot hotele dhe vetura që ecin shpejt si gjarpërinj për të arritur në pikësynimin e cakut të tyre. Shumë afër prejaty, sa zbret poshtë është lagjia e famshme “Tahrir”, ku e tërë Kajro përjetoi revolucionin e të ashtuquajturës “Pranveraarabe”, dhe vendi ku ky shtetthemeloi kushtetutën e re.

Ndoshta Muhamed (Mehmet) Ali pasha e kishte uruar dhe ndërtuar shumë këtë vend, prandaj dhe u mundësua që atytë valëvitej dy herë flamuri shqiptar i Kosovës. Ky ishte hoteli që për herë të dytë po mbante stemën dhe flamurin e Kosovës, dhe kjo ishte një pamje mahnitëse.

Kësaj radhe në Kajro vërejta një ndryshim të madh, populli kishte filluar të mësonte për Kosovën, për këtë shtet që edhe pse ndoshta jo shumë i madh nga sipërfaqja në krahasim me Egjiptin, por shumë i afërt në kulturë, adete dhe zakone. Ndoshta këtë afërsi e kishte mundësuar vizita e shpeshtë e delegacioneve nga Kosova dhe nga Egjipti, sidomos vizita e fundit e kryeministrit Hashim Thaçi, me ftesë tëpresidentit Muhamed Mursi,  dhe kjo paraqitje e tyre me kryeministrin dhe ministrin e jashtëm Enver Hoxha, në media dhe në shtyp e kishte afruar shumë njohjen mes dy shteteve. Në gazetat e përditshme dhe në revistat e Egjiptit shkruhej dhe thuhej se ky delegacion u prit si një delegacion i cili kishte ndarë fatin e njëjtë me popullin dhe qeverinë e cila po administronte tani Egjiptin, prandaj presidenti dhe qeveritarët këtë delegacion e pritën si revolucionarë, ndërsa kryeministrin e Kosovës si hero.

2

Gjatë hyrjespër në hotel kisha harruar rrugën e cila përbëhej nga shumë labirinte, por këtë e zbërtheva shumë lehtë sepse në hyrje të sallës po qëndronte një djalë i ri me plis të bardhë në kokë dhe i stolisur me flamurin e Kosovës në qafë.Kjo pamje më rrënqethi shumë dhe e përshëndeta në gjuhën shqipe, edhe ai më përshënteti gjithashtu në gjuhën e ëmbël shqipe. Hoteli i ndërtuar nga një shqiptar, ishte stolisur me elemente shqipe dhe i mbushur mearabë, dashamirëstë shqiptarëve dhe nga diaspora shqiptaretë cilët i kishte ftuar Prof. Dr. Beqir Ismaili.

Në këtë ceremoni Prof. Dr. Beqir Ismaili qëndronte në hyrje të derës, ku priste mysafirët, ndërsa në krah të tij qëndronin dy të rinj të veshur me veshje kombëtare të cilët të ftuarit i prisnin me sheqerka dhe ju ofronin emblema me flamurin e Kosovës.

Prof. Dr. Beqir Ismaili kishte ftuar një numër të madh të politikanëve që për momentin janë qeveritarë kryesorë në qeverinë e Egjiptit, ku në mesin e tyre ishte edhe Ahmet Fehmi,kryetari i Dhomës së Lartë dhe të Ulët të Egjiptit. Gjithashtu në mesin e të ftuarve morën pjesë edhe mbi pesëdhjetë ambasadorë nga ambasadat e huaja në Kajro, në mesin e tyre dhe ambasadorja e ShBA-së, Gjermanisë, Turqisë dhe Shqipërisë, si dhe ambasadorë të shumtë nga shumë shtete të ciët ende nuk e kanë pranuar Kosovën. Ishin ftuar gjithashtu dhe një numër i madh i shkencëtarëve të formuar dhe kontribues në Kajro, të cilët me artikuj të ndryshëm kanë kontribuar për gjendjen e Kosovës në Egjipt, si dhe një numër i madh i personaliteteve nga shumë institucioneve me ndikim në Egjipt.

Kjo ceremoni ishte organizuar nga ana e promotorit të përgjithshëm Prof. Dr. Beqir Ismaili, të cilin e përqafonin ngrohtësisht dhe i uronin që falë angazhimit dhe demonstrimit të palodhshëm për më se tridhjetë vite për Kosovën, sot erdhi një lajm se kjo njohje ishte shumë e afërt. Pas pritjes së të ftuarve, ceremoninë e hapi Prof. Ismaili ku i përshëndeti të ftuarit, duke i uruar edhe ata që kishin ardhur të ndanin këtë gëzim së bashku me popullin shqiptar të Kosovës.

Më pas ai tha: “Ne sot morëm një lajm shumë të gëzuar, lajm i cili na erdhi në ditën më të gëzuar të jetës sonë. Shpresojmë se njohja e Kosovës nga Egjipti do të ndodhë së shpejti dhe sërish do të tubohemi e të festojmë njohjen nga Egjipti, njohje që e presim me shumë kurreshtje nga populli me të cilin nga lidh kultura dhe shpirti i njëjtë. Jam shumë i lumtur që shtetin tim arrita ta paraqes si shtet të formuar dhe të lulëzuar në mesin tuaj, por edhe më i gëzuar do të jem kur do të formoj dhe do të organizoj në të ardhmen marrëdhënie diplomatike dhe shtetërore në formën e lirë dhe demokratike, që do të lidhin në lidhje të gërshetuar dy popujt me kulturë dhe civilizim të lashtë. Ai gjithashtu i përshëndeti të pranishmit në emër të qeverisë së Kosovës dhe në përcjelljen e përshëndetjeve dhe respektit të ministrit të jashtëm z. Enver Hoxhaj ju bëri me dije se Kosova dhe populli i saj çdo ditë e më shumë po shkojnë drejt zhvillimit dhe përparimit progresiv, dhe ky shtet përditë po pasurohet me njohje të reja nga shtete të ndryshme të botës.”

Pas fjalimit të tij,profesor Beqiri, ia dha fjalën kryetarit të Dhomës së Lartë dhe të Ulët të Egjiptit Ahmed Fehmi, me ç’rast ai tha: “Të nderuar pjesëmarrës, ju përshëndes juve dhe popullit të Kosovës i uroj pesëvjetorin e pavarësisë. Këtij populli i uroj zhvillim dhe përparim të mëtejshëm, sepse populli i Kosovës ka përjetuar presion dhe mizori nga pushtuesi, prandaj edhe dha dëshmorë dhe sakrifikoi shumë derisa e fitoi lirinë dhe pavarësinë.Së shpejti,edhe Egjipti do të jetë në radhën e shteteve që e njohin Kosovën si shtet. Siç tha dhe Prof. Beqir Ismaili,ky shtet gjatë këtyre pesë viteve ka bërë një zhvillim dhe përparim të fortë, është bërë një shtet i pavarur dhe i plotfuqishëm. Ky popull i respekton të drejtat e njeriut dhe popujve, është një popull i cili respekton të drejtat e njeriut,si dhe është i respektuar nga popujt e tjerë. Pra Kosova do të jetë një shtet që vepron me drejtësi dhe i përmbahet të vërtetës.”Këto ishin fjalët përmbyllëse të Ahmed Fehmit, kryetarit të Dhomës së Lartë dhe të Ulët të Egjiptit.

Edhe gjatë intervistimit të këtyre personaliteteve mora përgjigje të mira dhe premtuese. Kryeparlamentari Ahmed Fehmi mbajti një takim me gazetarët me ku ai iu përgjigj pyetjeve që iu parashtruan nga gazetarët, dhe tha se ky lajm na gëzoi pamasë të gjithëve, prandaj kjo njohje nuk do të zgjasë shumë, dhe shkëmbimi i delegacioneve mes nesh në këtë proces ka avancuar dhe ka afruar shumë. Kjo është bërë falë angazhimit të ministrisë së jashtme të Kosovës në krye me ministrin Enver Hoxhaj dhe Prof. Dr. Beqir Ismailit, përfaqësues i Kosovës në Egjipt. Kjo njohje do të ndodhë shumë shpejt, sepse Kosova e meriton këtë njohje. Unë kam qenë në Kosovë para tre muajsh dhe fitova bindjen se Kosova e meriton njohjen e saj nga Egjipti.

Deklaratë të tillë mora edhe nga Abdurrahman Jusuf Kardavi, poet dhe revolucionar i shquar në Kajro, i cili tha se ne jemi një popull që na lidh kultura e hershme, madje që nga koha e Mehmet Ali Pashës, dhe këtë lidhje e kam kuptuar që në vitet e para të studimeve të mia, meqë kam studiuar letërsinë, e kjo nuk arrin pa mësuar historinë e qeverisjes së Egjiptit nga shqiptari Mehmet Ali Pasha, i cili e ndriti shtetin e Egjiptit.

Gjithashtu edhe ambasadorja e Amerikës në Egjipt dha deklaratën e saj ku ajo u shpreh shumë e kënaqur nga ky organizim dhe nga lajmi i ndihmës/presidentes se Kosova do të njihet shumë shpejt nga Egjipti, dhe ky lajm na kënaqi edhe neve që jemi miq të ngushtë të Kosovës.

Ndërsa gjatë intervistimit të ambasadorit të Turqisë Husen Avni, ai më dha një përgjigje që nuk do ta harroj asnjëherë gjatë tërë jetës sime, ku më tha: “Sot morëm një lajm shumë të gëzuar, por porosia ime për shqiptarët e Kosovës është që të mos nxitohen shumë e të punojnë me ngulm në këtë aspekt, sepse po ta lakosh shumë bririn do të thyhet i tëri, prandaj popullin tim vëlla dhe mik të Kosovës e porosis që të durojë edhe pak në mënyrë që të korrë shumë shpejt frytet e këtij durimi të gjatë.”

Muhamed Ebu Ala Madi,kryetari i partisë El-Wasat më tha: “Sa herë që ka ardhurministri i jashtëm z. Enver Hoxhaj, unë jam takuar me të dhe e falënderoj atë për ardhjene tij në Egjipt, dhe si parti e njohur me emrin “El-Wasat”, gjithnjë e kemi përkrahur çështjen e Kosovës dhe në momentin që jemi futur në qeveri, ministri ynë Muhamed Mahsub i angazhuar për “Kuvendin e çështjeve parlamentare”, që ditën e parë kur hapi zyrën e tij, në takimin e parë zyrtar të tij ai takoi Prof. Dr. Beqir Ismailin, përfaqësuesin e Kosovës në Egjipt. Para disa ditëve jam takuar me presidentin Dr. Muhammed Mursi i cili më tha: “Në njohjen e Kosovës nuk ka më ndalim, ne jemi në rrugën e njohjes e cila do të realizohet shumë shpejt.”

Nëkëtë natë gjithashtu ishin të ftuar dhe dy miq shumë të hershëm të Kosovës, Prof. Dr. Muhammed Ebu Lejla dhe Abdullah Ashal, të cilët na thanë se ne ishim nga të parët që Prof. Dr. Beqir Ismaili na caktoi të vinim në Kosovë dhe të ishim nga negociatorët fillestarë të kësaj njohjeje. Prof. Dr. Muhammed Ebu Lejla tha: “Edhe pse ne me zemër ju njohëm, kërkojmë falje se ndoshta kjo njohje zyrtare u zgjat, por do të vijë shumë shpejt, dhe nuk do të zgjasë shumë, sepse ne kemi kontribuar prandaj që padyshim një ditë do t’i korrim frytet së bashku”.Ndërsa Abdullah Eshal, drejtori i përgjithshëm i organizatës për të drejtat e njeriut tha: “Kosova është një vendi bukur, ajo në gjirin e saj mban një popull me kulturë dhe racë të bukur, dhe këtë e kam cekur edhe në artikullin tim të shkruar për Kosovën, dhe shpresoj se së shpejti kjo njohje do të jetë dhe zyrtarisht.”

Hamdi Kandil, një publicist i shquar në median televizive dhe një nga figurat më të rëndësishme të organizatorëve të “Revolucionit të Pranverës Arabe”, një ish i burgosur politik dhe person me shumë famë dhe ndikim në Egjipt dhe në botën arabe, tha: “Më e rëndësishmja tani është se nga ana e Egjiptit kanë filluar lëvizjet diplomatike me shkëmbimin e delegacioneve, dhe së fundmi dërgimi i ndihmës/presidentes Dr. Pakinam El-Sharkavi në Kosovë për të marrë pjesë në gëzimin e madh dhe në përcjelljen e saj të një lajmi sihariqdhënës, u bëpër arsye që populli i Kosovës të përjetonte në një ceremoni dy gëzime, dhe praniadhe mbajtja e fjalimit nga ana e kryetarit të Dhomës së Lartë dhe të Ulët të Egjiptit Dr. Ahmed Fehmi, janë argumente që Egjipti shumë shpejt do ta njohë Republikën e Kosovës. Në fund,ai tha se kjo njohje po vjen shumë me vonesë nga Egjipti, kur dihet se ka pasur mundësi ose është dashur të jetë shumë më herët!”

Në mesin e kësaj ceremonie nuk mungonin as artistët më të shquar të Egjiptit, dhe kësaj radhe mora opinionin e artistit dhe moderatorit të shquar të cilin mezi arrita ta ndaloj nga kërkesat e shumta të admiruesve të tij që shfaqnin dëshirënpër t’u fotografuar me të.Ai më tha: “E uroj Republikën e Kosovës, dhe uroj mikun dhe shokun tim të dashur përfaqësues të Kosovës, Prof. Dr. Beqir Ismailin të cilët arritën të festojnë pesëvjetorin e një shteti demokratik i cili gjithnjë e më shumë po shkon drejt zhvillimit dhe ngritjes.”

Poashtu, një nga biznesmenët më të mëdhenj dhe me ndikim në Egjipt, inxhinieri Talat Abdunnebij, na tha: “E ndiej veten shumë krenar që i bashkëngjitem mikut dhe vëllait tim Prof. Dr. Beqir Ismailit,dhe që jam i pranishëm në një tubim me motive të cilat kam qenë përkrahës gjatë gjithë jetës sime, si dhe na gëzoi dhe lajmi të cilën e dha ndihmës/presidentja e Egjiptit pak më herët, lajm që është dashur të ndodhë më herët, por fatkeqësisht këtë përgjegjësi nuk e mbajmë ne populli i Egjiptit por ish-qeveria e cila na mbajti peng edhe neve për më se pesëdhjetë vite.”

Në fund, e pyetëm Prof. Dr. Beqir Ismailin, se cila ishte përshtypja dhe opinioni i tij për këtë organizim, dhe ai na tha: “Kjo është një ditë shumë me rëndësi, dhe Egjipti krahas me Kosovën po feston pavarësinë e Kosovës, dhendihmës/presidentja gjithashtu ka shkuar në Kosovë për të festuar së bashku me popullin shqiptar, ndërsa së bashku me ne janë përfaqësuesit e ministrit të jashtëm të Egjiptit, ndërsa presidenti Muhammed Mursi më mori në telefon dhe më kërkoi falje për mospasjenmundësi për të marrë pjesë në këtë ceremoni madhështore, me ndikim historik. Ky është një sinjal shumë i fortë se Egjipti së shpejti do ta njohë Kosovën.”

Në këtë manifestim si gjithmonë nuk mungonte as diaspora shqiptare, të cilët së bashku me ne i mundonte shumë përgjigja se kur do të ndodhë njohja finale e Kosovës nga Egjipti?! Këtë pritje finale dhe kuriozitet të tyre diaspora shqiptare së bashku me studentët shqiptarë në Egjipt u munduan ta shmangnin nga kujtesa e tyre duke hedhur valle nga tingujt burimorë të muzikës shqipe, e cila për herë të dytë po ushtonte në ambientet e këtij hoteli.

U larguam nga hoteli duke marrë me vete flamurin e Kosovës, por duke e lënë atë të gjallë në zemrat dhe mendjet e të gjithë arabëve, shqiptarëve dhe të ftuarve dhe pjesëtarëve të popujve të tjerë.

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: