Hyrje > Orientalistët shqiptarë, Orientalizmi shqiptar > Veçori gjuhësore-dialektore në gjuhën e autorëve shqiptarë të Kosovës që kanë shkruar me alfabetin arabo-osman

Veçori gjuhësore-dialektore në gjuhën e autorëve shqiptarë të Kosovës që kanë shkruar me alfabetin arabo-osman

Hasan KELMENDI (Instituti Albanologjik – Prishtinë)

 

VEÇORI GJUHËSORE-DIALEKTORE NË GJUHËN E AUTORËVE SHQIPTARË TË KOSOVËS QË KANË SHKRUAR ME ALFABETIN ARABO-OSMAN

frakullaHYRJE

Për dialektologjinë e gjuhës shqipe dhe veçmas për dialektologjinë historike të saj, të një rëndësie të madhe janë pa dyshim shkrimet e vjetra që shënojnë faza të hershme përdorimi të gjuhës shqipe; në këtë aspekt krahas rëndësisë së madhe që kanë veprat e shkrimtarëve të vjetër shqiptarë të Veriut (si veprat e Buzukut, Budit, Bardhit, Bogdanit dhe Kazazit), janë të rëndësishme gjithashtu edhe shkrimet ose veprat e disa autorëve shqiptarë të Kosovës që shkruan me alfabet arabo-osman, sidomos për studimin diakronik të të folmeve shqipe të gegërishtes verilindore, ku bëjnë pjesë të folmet shqipe të Kosovës. Është fjala për disa autorë dhe disa vepra të tyre, për të cilat më parë e deri më sot nuk dihej ose dihej fare pak. Ato janë kryesisht dorëshkrime me një vlerë të padyshimtë historiko-letrare; është ky një prodhim letrar që dëshmon se gjuha dhe letërsia shqipe në Kosovë, megjithatë lëvroheshin, ndonëse në kushte të vështira, të paktën që  nga gjysma e dytë e shek. XVIII e deri në kohën e Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj. Hulumtimi shkencor lidhur me këtë problematikë ndër ne ka filluar në vitet pesëdhjetë të shek. XX. Mirëpo, derisa për disa vepra si për VEHBIJEN e T. E. Boshnjakut, DIVANIN e Sh. Maliqit dhe për ndonjë tjetër u shkruan disa punime, madje dhe monografi; për një numër të madh veprash e autorësh, pothuajse deri më  sot nuk u shkrua fare. Me këtë problematikë ndër ne në  Kosovë u morën: M. Krasniqi, H. Kaleshi, I. Ajeti, G. Elezoviqi, J. Rexhepagiqi, H. Agani, A. Zajmi, Sh. Mehmeti, V. Shita, F. Mehdiu etj. Në kohë të fundit në sajë të punës së palodhur të M. Pirrakut, dolën në dritë  dhe iu bënë të njohura publikut shkencor edhe disa shkrime të tjera të transliteruara me alfabetin e gjuhës së  sotme shqipe, dhe këto i botoi në studimin monografik, me titull: Gjurmë të veprimtarisë letrare shqipe me alfabet arab në Kosovë117. Në këtë studim autori analizon anë të ndryshme historiko-letrare që janë të ndërlidhura me veprimtarinë e autorëve (shkrimtarëve), siç janë: Dervish Hasani (Krusha e Vogël) shek. XVIII; Mulla Beqiri (Drenicë) mesi i shek. XVIII; Mulla Dervishi (Pejë) pjesa e dytë e shek. XVIII; T. E. Boshnjaku (Gjakovë) fillimi i shek. XIX dhe Dervish Salihu (Hasi i Thatë) pjesa e dytë e shek. XIX. Këta autorë analizohen në pjesën e parë të studimit; ndërsa, në pjesën e dytë të studimit në fjalë trajtohet veprimtaria e autorëve: Azem Efendi Olluri, Hasan Hoti, Shejh Emini i Sadive (1798-1918), Shejh Januz-Sabriu (1848-1809), Tahir Efendi Lluka dhe Tahir Efendi Popova, Shejh Hyseni i Halvetive (1873-1926), Hilmi Abdyl Maliq Efendija (1865-1928) etj. Siç shihet, kemi të bëjmë me një numër jo të vogël autorësh dhe tekstesh që për herë të parë u bënë objekt i një shqyrtimi të gjerë shkencor; por, megjithatë për ne me rëndësi janë veçmas disa veçori gjuhësore, që duket se janë mjaft me interes për dialektologjinë e të folmeve shqipe të Kosovës. Qëllimi ynë në këtë kumtesë, pra, është që në bazë të teksteve të transliteruara me alfabetin e gjuhës së sotme shqipe nga ana e M. Pirrakut, të nxjerrim në dritë disa veçori gjuhësore dialektore të teksteve në fjalë, duke u ndalur vetëm në ato fonetike dhe morfologjike.

I. VEÇORI FONETIKE

I. – 1. Zanoret

Si në të folmet e tjera të gegërishtes, dhe të  gegërishtes verilindore në veçanti; në gjuhën e autorëve shqiptarë të Kosovës qe shkruar me alfabet arabo-osman, ndeshim 7 zanore (ndërsa zanorja ë është reduktuar pothuajse në tërësi, dhe rënia e saj ka shkaktuar gjatësinë e zanores paraprijëse, ose ka shkaktuar, siç do të shohim më poshtë, edhe ndërrimin e zanores në fjalë me zanoret e tjera (e ose i).

Në gjuhën e autorëve tanë, vërejmë si edhe në  të gjitha të folmet e gegërishtes, gjatësinë dhe hundorësinë e zanoreve, veçori këto kryesore të dialektit të gegërishtes që e dallojnë atë nga toskërishtja118. Në këtë mënyrë te këta autorë, përkatësisht në tekstet e tyre, përsa i takon sistemit zanor, në pozicion të patheksuar ndeshim 7 zanore: a, e, i, o, u, y dhe ë (këtë të fundit vetëm në ndonjë rast) dhe në anën tjetër në 6 fonema të gjata në pozicione të theksuara: a:, e:, o:, u:, y:, që formojnë opozicion fonologjik me zanoret e shkurtra; si dhe një radhë prej 6 fonemash që formojnë opozicione fonologjike me zanoret hundore. Kështu sistemi i zanoreve në gjuhën e autorëve tanë, që shkruan me alfabet arabo-osman përbëhet nga:

zanore gojore: a, e, i, o, u, y, e

zanore të gjata: a:, e:, ï:, o:, u:, y:

zanore hundore: ã, ẽ, ĩ, [õ], ũ, ỹ

I.- 1. – A. Gjatësia e zanoreve. – Përveç asaj që u tha më sipër, duhet shtuar edhe se kundërvënia e zanoreve sipas tiparit të gjatësisë përbën një nga veçoritë karakteristike të gegërishtes, e për pasojë edhe të gegërishtes verilindore, dhe po kjo mund të thuhet edhe për gjuhën e autorëve, përkatësisht të teksteve të tyre në shqiptim. Duke mbetur gjithnjë në vazhdën e këtij shqyrtimi, d.m.th. duke shqyrtuar gjatësinë e zanoreve, nuk do të kalojmë pa i vënë re edhe këto fakte:

a) Zanoret e gjata ndeshen në fjalë që reflektojnë  gjatësi origjinare, si mĩ:, thĩ:, de:t, ku:t etj.

b) Është i njohur fakti se zanorja që gjendet në  rrokje fundore të hapur, të theksuar, është e gjatë: shpí:, kojshí:, kusí:, dhé: etj. Dhe po këtë e vërejmë  te autorët, si Dervish Salihu: … Perení:, maná:, rixhá:, dynjá:, mevlá:, sefá: (Dituria, f. 121); Shejh Emini i Sadive: tezerá:, arashialá:, Kerbelá: (GJA – IX, f. 207); Shej Jonuzi – Sabriu: fukará:, ezelí:, dajmá:, grefá: (Po aty, f. 217); Rexhep Voka: vëllá:, …na pá:, Shkriprí:, perendí:, bir e bí: (Po aty, f. 224) etj.

c) Gjithashtu ndeshet dendur edhe gjatësia e zanoreve, që është  shkaktuar nga monoftongimi i diftongjeve apo i togjeve të zanoreve: ue, ie, ye, në u:, i: dhey:, të cilat përfshijnë shumë kategori gramatikore. Zanorja është e gjatë në të tilla raste, qoftë në pozicion fundor, qoftë në mes të mes të fjalës: dy:r, lu:jn, (i) shkru:m, ka vnú:, t’shkru:n, kujtu:m etj. (Të kihet parasysh poezia e Dervish Salihut: Eni vllazen ta bâjm ni dert). Shembuj nga kjo poezi do të sjellim më poshtë, atëherë kur do të ndalemi në shqyrtimin e diftongjeve apo togjeve të zanoreve.

Zanorja a. – Kjo zanore kur është nazale, siç do të vërehet edhe më poshtë, jo rrallë e ndeshim të tjetërsuar në o. Dhe ky fakt përkon pa dyshim me gjendjen aktuale të të folmeve shqipe të gegërishtes verilindore, përkatësisht me të folmet shqipe të Kosovës. Ky tipar i vokalizmit vërehet në disa të folme të Kosovës, sidomos në disa të folme të qytetit si në atë të Vuçitërnës (Vushtrrisë), të Gjakovës etj. dhe në disa të të folme të tjera ku përzierja e popullsisë shqiptare me popullsitë serbo-malazeze, turke e muslimane-boshnjake, ishte e dendur. Në këtë mënyrë, duke u nisur pikërisht nga një situatë e tillë gjuhësore, linguistja A. V. Desnickaja me të drejtë konstaton se rëndësi esenciale e të folmes shqipe të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit ka dukuria që është e lidhur me shqiptimin e përgjithshëm të artikulimit të zanoreve që është të tërhequrit dukshëm prapa dhe që qëndron në të forcuarit përkatës të elementit të velarizimit gjatë shqiptimit të një vargu të zanoreve. Sipas linguistes që e cituam më sipër, me këtë veçori është e lidhur edhe përshtypja e përgjithshme që krijohet në të folmet dialektore të verilindjes.

Në lëmin e vokalizmit, sipas K. Taliavinit121, kjo gjendje e përditshme e shqiptimit shprehet më tepër në të tërhequrit prapa të zanores a të gjatë (a), që ndiqet nga një labializim. Në radhë të parë, kjo i takon zanores së nazalizuar që gjithashtu gjendet në afërsi direkte me konsonantin nazal. Prandaj, lidhur ne do të japim më poshtë, disa nga shembujt që kemi mundur t’i nxjerrim nga tekstet, si p.sh.: Ai mi çeli katër dyrt: // osht e dyta tarikat…// Tarikat e kam gjet, / osht esrari Muhamet…// (D. Hasani, Ah unë i mjeri kesh tu fjetë…, Dituria, f. 91); … mijell ia boni; me lon; s’ju bo; allah-allah me thon (Shejh Jonuzi, GJA – IX, f. 214); … dallg po bon, /mend po t’lon, / s’un po gjon; gjithë bojm dua… // (Sh. Mala, GJA – IX, f. 230) etj.

Zanorja ë. – Siç dëshmohet nga ana e studiuesve K. Taljavini, E. Çabeji, A. Dodi, I. Ajeti, L. Mulaku etj., reduktimi i plotë i kësaj foneme në gegërishte ka marrë hov këta 3-4 shekujt e fundit. Në shkrimet e autorëve të vjetër të Veriut zanorja ë përdorej edhe në pozicion të theksuar deri kah fundi i shek. XVIII.

Në shkrimet e autorëve shqiptarë të Kosovës me alfabet arabo-osman, gjithashtu ë-ja e theksuar as që mund të bëhet fjalë. Mirëpo, siç do të shohim më poshtë, kjo zanore (zanorja ë) është ruajtur ndonjëherë te autorët tanë në pozicion të patheksuar.

Ë-ja te autorët që shkruan me alfabet arabo-osman, me sa kemi mundur të konstatojmë, ka rënë:

në rrokje paratheksore: … kçyri voret, / hej i ngrat // ti alim bonu ksi dore… // etj.

ka rënë në rrokje fundore (pastheksore) ka kaluar në e p.sh. tek emrat e gjinisë femërore në trajtën e shquar dhe të pashquar: dreken (… se fal dreken për ni tfurk sân); bimes (… i ra bryma bimes heret …); udhen (… Kur e hup udhen ai qi prin … etj.) etj.

Zanorja ë ka rënë në sistemin foljor si në kohën e tashme veta e parë numër shumës, dhe këtë e vërejmë në shembujt:

… Ani me bohur do t’na timojn

Me uj tvokt do t’na pastrojn

Ani me sapun do t’na shkumojn

Me pamuk syt na qorojn

Ani me qefin do t’na pshtjellojn

Me tri dizga na shtrengojn

Ani kater vet do t’na trazojn

Shum xhemat permas shkojn

(Hafiz I. Shemsi, Ani kur t’vjen shpirti

me na dal, Gjur. alb. IX, f. 219).

Mirëpo, mund të duket ndoshta e pabesueshme që në  këtë kohë, një autor si Shejh Junuzi-Sabriu (1848-1909) të ketë shënuar zanoren ë, ashtu siç e gjejmë te shkrimtarët e vjetër shqiptarë. Duke folur për këtë autor, studiuesi dhe mbledhësi i pasionuar i teksteve me alfabet arabo-osman, M. Pirraku, shkruan: “… nuk hoq dorë nga ë-ja për gjuhën shqipe. E cilësoi me një gjysmë esreje – vizë me një kënd prej 300 të vënë nën bashkëtingëllore pas së cilës do të vinte ë-ja. Duket se këtë gjysmë esreje e përdori edhe në vend të apostrofit midis dy bashkëtingëlloreve në fillim të fjalës. Kjo zanore sot ka mundësi të mos lexohet pa e prishur vlerën e tekstit të transliteruar”. Megjithëkëtë, Shejh Jonuzi përdori një ë edhe atëherë kur ajo nuk mund të përligjet etimologjikisht dhe as nga ortografia (drejtshkrimi), p. sh.:

… Çou ti përej gafleti,

Çare lyp ti për vetveti

ose:

nëgjeti çare na mos ta lypim

eja lypim prej vetveti…

ose më poshtë:

Se këjo deka ni sherbet osht,

nuk o çare pa u kërkue.

(Gjur. alb. – IX, f. 211)

I-1.B. Nazalizimi i zanoreve. – Një ndër veçoritë kryesore të gegërishtes dhe të të folmeve të saj është pa dyshim nazalizmi ose hundorësia e zanoreve. Dhe pokështu, meqë gjuha e autorëve tanë s’është tjetër përveçse gegërishtja (geg. verilindore) me të gjitha tiparet e saj, edhe në këtë pikë gjuha e autorëve në shqyrtim nuk largohet nga tiparet e këtij dialekti (të dialek. të geg.) kryesor apo kryedialekti të shqipes, kundruall dialektit apo kryedialektit të toskërishtes.

Kur jemi te ky tipar i gegërishtes, d.m.th. nazalizimi i zanoreve (toskërishtja këtë fenomen gjuhësor nuk e njeh), atëherë  duhet të vihet në pah se autorët, përkatësisht shkrimtarët si Dervish Hasani, Mulla Beqiri, Mulla Dervishi, Tahir E. Boshnjaku, Dervish Salihu, Shejh Jonuzi, Tahir E. Popova, Tahir E. Lluka, Shejh Hyseni i Halvetive, Hilmi Abdyl Maliq Efendija, Shejh Maliqi etj.; edhe pse zanoret hundore nuk i shënuan grafikisht si zanore nazale, ato duket se shqiptoheshin si të tilla në kohën kur shkruan autorët në fjalë, dhe si të tilla (zanoret me timbër hundor) shqiptohen edhe sot. Duke folur për gjuhën e VEHBISË  të Tahir E. Boshnjakut, I. Ajeti kishte konstatuar zanoren nazale ã, sa herë kjo fonemë ndodhej para një bashkëtingëlloreje nazale (hundore). Ndërsa sa i përket Shejh Maliqit nga Rahoveci, siç thotë prapë I. Ajeti, ai për shënimin ã-së nazale (hundore) kishte shtënë në punë edhe një grafemë të veçantë. “Lidhur me këtë pikë mund të thuhet që çdo a gojore shprehej me një grafemë që nuk linte kurrëfarë dyshimi për riprodhimin e saj…”.

Një çështje tjetër, siç është labializimi i a>o (ose ao) e kemi shqyrtuar më sipër; mirëpo nuk është e tepërt këtu të theksojmë se në gjuhën e shkrimtarëve që shkruan me alfabet arabo-osman të Kosovës, përveç a-së së labializuar ose gjysëm të labializuar, hasim edhe në një a thjesht nazale, sa herë ajo ndodhet para bashkëtingëlloreve m, n, j<nj. P. sh.:

… Ej i besun bãne emrin,

Mos ia zin shejtãnit vẽnin,

… Çka ja bãn ni pun veti,

Mos ja bãn kerkuj ngjeti,

Kshtu ka thãn Muhameti.

I.-1.-C. DIFTONGJE OSE TOGJE ZANORESH

Në këtë punim do të trajtojmë këto diftongje ose grupe zanoresh: ue, ie (je) dhe ye.

Nga diftongjet që i vumë re më sipër, vetëm diftongu ié (je) në tekstet e transliteruara me alfabetin e sotëm të gjuhës shqipe e ruan mirë natyrën e vet të diftongut. Për këtë na dëshmojnë shembujt: Zoti na i hiek keta bela, / Niher turku drit me pa…// (Sh. Maliqi, DIVANI…). Ndërsa togjet e zanoreve ue dhe ye i ndeshim me ndonjë përjashtim të monoftonguara gati te të gjithë autorët shqiptarë që shkruan me alfabet arabo-osman. Kjo dukuri nuk duhet të jetë aq e vonë, meqë këto diftongje apo togje zanoresh, të monoftonguara ose të reduktuara në elementin e parë të tyre, i ndeshim që në VEHBINË (1835) e Tahir E. Boshnjakut dhe në DIVANIN e Shejh Maliqit; kështu duke folur lidhur me këtë dukuri, I. Ajeti shkruan: “Gjuha e DIVANIT, e krahasuar me gjendjen e sotme të të folmeve të Kosovës, me disa tipare del mjaft arkaike, por në punën e diftongjeve, ligjërimi i këtyre, mund të themi me plot gojë, nuk ngërthen në vete kurrfarë veçorish të shënueshme që nuk do të ishin njëkohësisht veti dialektore e të folmeve të tjera të truallit gjuhësor të Kosovës. Shkurt, diftongjet dhe bashkëlidhjet zanore të gjuhës së DIVANIT i gjejmë të mbledhura në monoftongje”.

Në këtë mënyrë, përveç pak shembujve, shembujt e tjerë që solli Ajeti në studimin për gjuhën e Divanit të Shejh Maliqit, i dalin të monoftonguara në  elementin e parë të tyre dhe duke u tjetërsuar në  zanore të thjeshta.

Edhe pse diftongjet ue, ye janë ruajtur në ndonjë të folme, prapëseprapë mund të thuhet pa mëdyshje se procesi i monoftongimit të tyre në të folmet shqipe të Kosovës, të paktën që nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, është një proces mbizotërues ndaj procesit të ruajtjes, d.m.th. ndaj gjendjes së vjetër. Këtë fakt do ta përligjim me shembujt e sjellë më poshtë.

ue>u

O forcu zenbra nuk po ndin

nasihati qi asht për din…

(M. Beqiri, Shka asht kshtu qi

je habit, Dituria, f. 95.

Ç’kanë qerpikt qi po t’lujnë,

Si kalemi huruft kur i shkrunë.

Huna jote mi ket alem,

E sret arshi ka vnu kalem…

Tridhet e dy huruft jan t’shkrum,

Me sevda ti qi naj ki urri…

(D. Salihu, Eni vllazen ta bajm ni dert,

Dituria, f. 117)

Amon vllazen mos bani fjalë,

Qysh kujtum nuk do me dalë.

(Po aty, f. 117).

ye>y

Ai mi çel katër dyr

njonda osht a(h) sheriat…

(D. Hasani, Ah, un i mjeri

kesh tu fjet, Dituria, f. 99).

Përkundër monoftongimit të diftongjeve në elementin e parë të tyre, e cila gjë u theksua dhe u dëshmua më lart, vërejmë ndonjëherë edhe ruajtjen e tyre, si p. sh.:

Mall evladin e kish dhan

me pshtue ti, hej i ngrat…

(M. Beqiri, Shka osht kishtu

qi je habit, Dituria, f. 95).

… nuk o çare pa e kërkue,

Padishah e fukara,

pëlak e ri hem thëmi e gërue…

(Sh. Jonuzi, Çou i nëgrati ti përtej

gafleti, GJ – IX, f. 211).

II.-1.-Ç. BASHKËTINGËLLORET

Bashkëtingëlloret q, gj, ç, xh. – Okluzivet q, gj krahas ruajtjes, në pjesën më të madhe të teksteve të autorëve shqiptarë të Kosovës që shkruan me alfabet arabo-osman i ndeshim të tjetërsuara në okluzive prepalatale (paragjuhore) në ç, xh. Është kjo një veçori e përgjithshme e gegërishtes verilindore, e cila si e tillë u shfaq dikund në gjysmën e dytë të shek. XIX. Për këtë na dëshmon, VEHBIJA e T. E. BOSHNJAKUT, në të cilën këto bashkëtingëllore ruheshin mirë, dhe po kështu këto i ndeshim t’i ketë shënuar edhe V. Karaxhiqi në disa këngë popullore që i mblodhi nga një informues, që ishte nga Gjurakovci afër Pejës. Këto bashkëtingëllore q, gj) të patjetërsuara në afrikatet përkatëse (ç, xh) i ndeshim edhe në DIVANIN e Shejh Maliqit. Edhe për këtë veçori gjuhësore, gjithnjë për të arsyetuar atë që theksuam më parë, do të sjellim shembuj që i nxorëm nga tekstet e autorëve si Mulla Beqiri, Dervish Salihu, Shejh Maliqi etj.

Shka osht kishtu qi je habit

………………………………………

Kujto dynjaja se jet gjithmon

kqyri voret ti hej i ngrat.

(M. Beqiri, Shka osht kishtu

qi je habit, Dituria, f. 95).

Ç’kan qerpikt qi po t’lujn

…………………………………..

Gjithkush harfin s’un ta nxirrë

Amon vllazen mos bani fjalë

Qysh kujtum nuk do me dalë:

Qysh nasip kur jemi marrë,

Jemi t’dekun s’jemi t’gjallë.

(D. Salihu, Eni vllazen ta

bâjm ni dert, Dituria, f. 117).

… Aslin e vet pe don

Gjith kah drita po flitron

Qiri keshet po kujton…

(Shejh Maliqi, Halli i flutres, GJA – IX, f. 230).

I.-1.-D. GRUPET E BASHKËTINGËLLOREVE

Grupet e bashkëtingëlloreve nd dhe mb si të tilla u ruajtën gjerësisht të patjetërsuara në n dhe në m; mirëpo, vërejmë gjithashtu dhe kalimin në elementin e parë të tyre. Ky proces, d.m.th. procesi i tjetërsimit të grupeve të bashkëtingëlloreve në fjalë, në bashkëtingëllore të thjeshta, siç mund të vërehet me shembuj nga gjuha e autorëve tanë nuk është aq i hershëm: fillon si duket me të madhe në të folmet shqipe të Kosovës, dikund aty nga gjysma e dytë e shek. XIX, për të ardhur deri në ditët tona. Por, kjo është një çështje më e gjerë dhe më e thellë, që del jashtë caqeve të kësaj kumtese; e që me këtë rast, do ta vështrojmë, siç theksuam, së pari ruajtjen e grupeve të bashkëtingëlloreve në fjalë, që paraqitet kësisoj, p. sh. te Mulla Beqiri: … po ndin; nuk o’send; e kqyr vendin etj. (Dituria, f. 95). Dervish Efendiu: … n’qeter kurrkund edhe ma rond; lutfiu tond (Dituria, f. 99). Dervish Salihu: … me dyqind e nandhet e katër (Dituria, f. 114). Shejh Junuzi: … gjithsa send etj. (GJA – IX, f. 215).

Ndërsa ndryshimin, tjetërsimin e këtyre grupeve të bashkëtingëlloreve e kemi vënë re edhe te ndonjë autor, që në  të njëjtën kohë i kishte ruajtur mirë grupet e bashkëtingëlloreve në fjalë në pjesën më të madhe të përdorimit të gjuhës në veprat e tij, siç është, bie fjala, Dervish Salihu a ndonjë tjetër. Sidoqoftë, procesi i ndryshimit të grupeve të bashkëtingëlloreve nd, mb në të folmet shqipe të kësaj ane, siç kemi theksuar edhe më sipër, kishte filluar më herët, dhe se tashmë si duket ishte bërë një proces i pandalshëm. Kjo gjë vërehet edhe në gjuhën e autorëve tanë, si p. sh. kalimi i nd-së në n, dhe i mb-së në m: … hyqymetet e Perenisë; bâft perenija; po knohet n’Kura’n; kërkuj s’i met; me hyp n’kumëll (D. Salihu, Dituria, f. 119); … a po knon; pa ja da (Sh. Maliqi, GJ – IX, f. 229-231).

Kur jemi te shqyrtimi i grupeve të bashkëtingëlloreve, duhet vënë në dukje patjetër edhe një fakt: grupet e vjetra kl, gl, nuk i ndeshim si të tilla në gjuhën e autorëve që shkruan me alfabet arabo-osman; ato duket moti kishin kaluar në elementin e parë të tyre, d.m.th. në k dhe g. Është me interes të theksohet po kështu se në poezinë e Sh. Jonuzit haset edhe grupi i vjetër nt, në trajtat e numrit shumës dhent(ë), qent(ë), që tash për tash nuk mund të themi se kjo veçori gjuhësore është e vendlindjes së tij (ai ishte nga Suhodolli i Mitrovicës), apo është një trajtë që ai e ndërtoi nën ndikimin e literaturës shqipe të kohës, që nuk ishte e panjohur për këtë autor, apo mos është ky një ndryshim që e sollën kopjuesit e poezive të këtij autori?

II. VEÇORI MORFOLOGJIKE

II.-1. EMRI

II.-1.-A. Trajta e pashquar e emrit. – Trajtën e pashquar shumë emra me origjinë turko-arabe, që hasen në gjuhën e autorëve tanë, formojnë këtë trajtë me një a të theksuar, e që në disa të folme shqipe të Kosovës, këtë e kanë tjetërsuar në e të theksuar. P. sh. kështu hasim: maná, rixhá, mevlá, fukará, dynjá etj. (D. Salihu, Dituria, f. 121). Këta emra, siç mund të vërehet, kur të shquhen para nyjës – mbaresës –in marrin një –j- antihiatizuese, dhe ky fakt është i përgjithshëm në të gjitha ato të folme të Kosovës ku dukuria në fjalë është e pranishme.

II.-1.-B. Trajta e shquar e emrave.- Trajtën e shquar me një –j- para nyjës –a, e marrin të gjithë ata emra me origjinë turko-arabe, që mbarojnë me i të theksuar si perenija, turqnija, shejtnija, evlija, Hilmija (Sh. Maliqi, GJA – IX, f. 231). Emrat e gjinisë mashkullore që në trajtën e pashquar mbarojnë me bashkëtingëlloret k, g, në trajtën e shquar, siç i ndeshim në gjuhën e teksteve të autorëve tanë, janë shquar me nyjën –i dhe jo me –u, si p. sh.: haki, hallki, mynafiki etj. Këtë nyjë si të tillë e ndeshim edhe gjatë lakimit të tyre nëpër rasat përkatëse. Por, edhe në këtë pikë mund të vërehet ndonjë përjashtim siç është, bie fjala te Shejh Maliqi: … Kjo te haku pa ja da… (GJA – IX, f. 121).

Emrat me origjinë turko-arabe, që trajtën e pashquar e mbarojnë me bashkëtingëlloren –n, në trajtën e shquar të rasës kallëzore marrin nyjë – mbaresën –in: insanin, dermanin, imanin, shejtanin (D. Efendiu, Dituria, f. 99); zamanin, dushmanin, Hasanin (D. Salihu, Dituria, f. 116).

Përsa u takon rasave gjinore, dhanore dhe rrjedhore, nuk vërehet ndonjë ndryshim nga përdorimi i sotëm i tyre në të  folmet shqipe të këtyre anëve. Në këtë mes, vetëm një ndryshim, që e kemi cekur edhe më sipër (në  I-1.-Ç) është ai që vërehet në poezinë  e Shejh Jonuzit, në të cilën poezi ndeshet forma e rasës rrjedhore të shquar me – vet (… përej dhenvet), e që  më shumë ka gjasa të jetë një ndryshim, një përmirësim që e kanë bërë kopjuesit e kësaj poezie, se sa të jetë trajtë e vetë autorit.

II.-2. NYJAT

Për disa nga nyjat, sidomos ato të prapmet, të cilat tash kanë zënë të quhen mbaresa, u fol më sipër gjatë shqyrtimit të trajtave të emrit. Ndërsa për nyjat e përparme mund të themi se ato i ndeshim në gjuhën e teksteve që autorët i shkruan me alfabet arabo-osman, dhe këtë  si a) nyja të gjinores: ashik i hakit, hyqumetit e Perenisë  (D. Salihu); b) si pjesë e mbiemrit: i ngrat (M. Beqiri); i vogel, i lig (D. Efendiu); c) si pjesë të një numërori rrjeshtor: e dyta (D. Hasani) etj.

II.-3. PËREMRI

II.-3.-A. Përemri vetor. – Ky përemër përdoret pa ndonjë dallim nga përdorimi i tij në të folmet e sotme shqipe; kështu përemrat unë, ti, ai (njëjës) dhe ne (na), ju dhe ata (ato) në shumës, ndeshen si të tilla në tekstet e autorëve apo shkrimtarëve tanë, dhe këtë po e ilustrojmë me shembujt: ai qi ka gjet; mos na le neve… (D. Hasani); ti alim bonu kso dore…; ti shko kujtou; po kujton ti hej i ngrat (M. Beqiri); u dogja un me dert; Zoti për ne nuk â miftaç (D. Salihu) etj.

II.-4. FOLJA

II.-4.-1. Kohët e foljes të mënyrës dëftore. – Derisa koha e tashme në të tri vetat e numrit njëjës dhe shumës nuk shënon ndonjë veçori dalluese nga ato të të folmeve shqipe të Kosovës; kësisoj koha e kryer e disa foljeve që tregojnë lëvizje, te autorët tanë është formuar disa herë me formën jam + pjesore (si jam përpjek…; jam taptis – D. Efendiu), është një veçori dialektore e truallit gjuhësor të shqipes dhe e të folmeve shqipe të Kosovës në veçanti.

Koha e ardhme. – Nga vështrimi më i hollësishëm i mënyrës dëftore, që është mënyra kryesore (ka 8 kohë) e foljes në gjuhën shqipe; në gjuhën e teksteve të autorëve tanë, që u zunë në gojë sa e sa herë këtu; vërehet se koha e ardhme del me formën, siç është quajtur nga Sh. Demiraj, perifrastike, dhe e cila është formuar me ndihmën e foljes kam + pjesorja si p. sh.: … kame dal ni Zylfikar (D. Salihu); por në të njëjtën kohë hasim edhe formën tjetër të kohës së ardhme do + pjesorja e foljes, si p.sh.: Qysh kujtum nuk do me dal (D. Salihu, Dituria, f. 117).

II.-4.-2. MËNYRA HABITORE. – Kur është fjala për përdorimin e mënyrave të tjera të foljeve nga ana e shkrimtarëve tanë, gjuhën e të cilëve e kemi bërë objekt hulumtimi në këtë punim, do theksuar se vetën e tretë të kësaj mënyre (të mënyrës habitore) e kemi ndeshur me trajtën, që mbaron me mbaresën –nke(në vend të –ke), e cila haset pikërisht në poezinë e Shejhut rahovecas, Sh. Maliqit, dhe kjo veçori tregon gjithashtu se autori pasqyron në këtë mënyrë gjuhën e vendlindjes dhe të vendqëndrimit të tij, pra, të Rahovecit me rrethinë.

II.-4.-3. MËNYRA URDHËRORE. – Karakteristikë për format e kësaj mënyre në kohën e saj të tashme, siç na del nga një tekst (poezi) i Mulla Beqirit, dhe të ndonjë autori tjetër, është përdorimi i formës së kësaj kohe në vetën e dytë njëjës ndonjëherë pa trajtën e shskurtër të përemrit vetor të vetës së tretë e, si merr (për merre), kujto (për kujtoje), kqyr (për kqyre) etj.

II.-4.-4. MËNYRAT E PASHTJELLUARA TË FOLJES

PJESORJA. – Format e pashtjelluara të pjesores te foljet që mbarojnë me bashkëtingëllore dalin pa mbaresë, qoftë kur janë përdorur si pjesë përbërëse e mbiemrave, qoftë kur ato janë përdorur si pjesë e formave të kohës së kryer; ose kur kanë shërbyer për të formuar format e mënyrës paskajore. P. sh.: … tu fjet; jom përpjek; m’le me fjet; e kom gjet (D. Hasani); me i brit; qysh ta marr (M. Beqiri) etj.

PËRCJELLORJA. – Format e pashtjelluara të përcjellores, që gramatika tradicionale, e mbajti për një nga mënyrat e veçanta të foljes në gjuhën shqipe, ndeshet me formën tue + pjesorja e foljes, që si e tillë është e mbarë gegërishte (në vend të kësaj, siç dihet toskërishtja e ka formën duke + pjesorja e foljes = duke punuar). Kjo formë ndeshet edhe në tekstin e poezisë së Dervish Hasanit: … un i mjeri kesh tu fjet (Dituria, f. 99); si dhe në një tekst tjetër të poezisë së Sh. Maliqit: Perdet tu u hjek, Me ashik tu u pjek… (GJA – IX, f. 235).

PASKAJORJA. – Tipi më i shpeshtë i kësaj forme të pashtjelluar të foljes në dialektin e gegërishtes është pa dyshim forma foljore me + pjesorja e foljes, që haset dendur në gjuhën e shkrimtarëve që shkruan me alfabet arabo-osman; kështu në këtë mënyrë kemi ndeshur në shembujt si vijojnë: me i brit; me mar (M. Beqiri); me dek, me niçar (D. Efendiu); me ba karar; do m’u da; me lyp rrush (D. Salihu); me mar ibret; me pështu përej qenve; me i bo hizmet; me fol ajet (Sh. Junuzi) etj.

Një formë tjetër të paskajores, që haset edhe sot e gjithë ditën në të folmet shqipe të  Kosovës, është forma për+me+pjesorja e foljes, e të cilin tip të paskajores e kemi ndeshur në një shembull të  vetëm në poezinë e Mulla Beqirit: … per me mar (Shih: Dituria, f. 95).

Burimi: Revista “Studime Orientale”, Prishtinë.

/Orientalizmi Shqiptar/

 

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: