Hyrje > Arkitekture orientale, Hamamet, Orientalizmi shqiptar > Hamami dhe kultura e të larit në botën muslimane

Hamami dhe kultura e të larit në botën muslimane

Roald HYSA

 

HAMAMI DHE KULTURA E TË LARIT NË BOTËN MUSLIMANE

Hyrja e brendshme e një hamami turk

Hyrja e brendshme e një hamami turk

Në të gjitha qytetet muslimane e gjen edhe hamamin, si një shenjë dalluese e këtij qytetërimi. Islami i kushton një vëmendje të veçantë pastërtisë trupore sidomos në çaste të veçanta. Banjat publike hasen edhe në qytetërime të tjera më të hershme, si në lindje te kinezët po ashtu edhe në Perëndim te Romakët, e po ashtu edhe në vendet e veriut me saunat dhe banjat ruse. Hamamin ose banjën publike e gjen si një ndërtesë të veçantë dhe funksionale në të gjitha qytetet muslimane gjatë të gjitha kohëve e deri më sot. Sipas madhësisë mund të kishin edhe më shumë se dy hamame (në rast se qyteti kishte dy ose më tepër hamame, njëri përdorohej vetëm nga gratë), por hamami gjendet edhe në ndërtimet private. Përdorimi i hamameve bëhej me radhë, fillimisht përdorohej nga burrat e më pas nga gratë (fëmijët meshkuj pa mbrritur moshën madhore futeshin së bashku me gratë). Në hamam kemi edhe enёt e sapunit, tё cilat  ishin çanta prej metali, në formë ovale, poshtë me vrima si kullesë dhe sipër me një dorëz. Brenda saj kishte disa ndarje si kuti, ku vendosej sapuni, krehëri, dorezat e fërkimit, sapunimit dhe fijet. Një person që shkonte në hamam për t’u larë fillimisht pushonte pak e qetësohej në një dhomë, që njihet si dhoma e ngrohjes dhe që ngrohet vazhdimisht nga një rrymë e nxehtë ajri, e cila të lejon të marrësh frymë lirisht. Personi lëviz më pas në një dhomë më të nxehtë se e para, që njihet si dhoma e nxehtë, ku më parë e kanë spërkatur trupin me ujë të ftohtë. Pasi lahet trupi krejtësisht dhe kryhet një masazh personi lëviz për në dhomën e freskët dhe qëndron aty për një periudhë qetësimi.

Struktura arkitektonike e hamamit pra, në elementet e saj më të thjeshta, përbëhet nga një sallë pushimi apo veshjeje, në një tjetër dhomë të freskët, ku bëhen kontaktet e para dhe të fundit me ujin e freskët, në një sallë qendrore më të ngrohtë, në të cilën është e mundshme të rrish më gjatë dhe me një sallë të mbrame në fund, ku avulli nxit djersitjen dhe në të cilën duhet të veshësh pantofla për të mos djegur këmbët. Në anët e kësaj salle, në vende më pak të nxehta, frekuentuesit e hamamit përgatiteshin për larjen e kokës, masazhin etj. Arkitektura e hamamit turk është e ndikuar gjerësisht nga termat romake. Ndërsa në shtëpitë private, hamamet i gjeje brenda shtëpisë dhe komunikohej vetëm nëpërmjet dhomës së gjumit, ku flenin çiftet e martuara, të cilët merrnin gusul menjëherë pasi kishin kryer marrëdhëniet seksuale. Pra, që të mos merreshin vesh nga pjesa tjetër e familjes. Në këtë pjesë të shtëpisë, hamami përdorej vetëm për të kryer larjen dhe në ndryshim nga ditët e sotme, nuk kryhen nevojat e tjera, madje kanë qenë xhelozisht të ndara. Brenda hamamit kishte një lambik të madh, gryka e të cilit kalonte nëpërmjet një mangalli me prush që e nxehte ujin me të cilin do të laheshe. Nuk ka qytet që të mos gjeje hamamet, gjithashtu edhe në të gjitha trojet shqiptare. Shumë domethënëse është edhe historia e fillimeve të Tiranës si qytet, kur Sulejman pashë Bargjini (Mulleti), që njihet si themeluesi i saj, ndërtoi xhaminë që mbante emrin e tij, hamamin dhe furrën e bukës. Pra, tre elemente themelore për qytetërimin, xhamia si vend adhurimi që i mbledh njerëzit në një vend, hamami si simbol i pastërtisë së detyrueshme, si dhe furra e bukës që u duhet njerëzve për t’u ushqyer. Kështu që hamami në arkitektonikën qytetare islame shihet si një element themelor qytetërues. Të lahesh në hamam nuk është thjesht një procedurë pastrimi fizik, por në më të shumtën e rasteve është edhe një akt përkushtimi. Pastërtia dhe kujdesi për trupin në shoqëritë islame janë të rregulluara nga norma që i përkasin jetës së përditshme, me veprimet e saj të zakonshme të pastërtisë dhe që disiplinojnë më tutje hapësirën e pastrimit që përbëhet nga banjot. T’i drejtohesh hamamit dhe të lahesh i tëri bëhet e detyrueshme qoftë në rrethana të jashtëzakonshme, si në rastin e përgatitjes për t’u martuar, si edhe në rrethana të zakonshme pas menstruacioneve apo marrëdhënieve seksuale (marrja gusul). Hamami mund të konsiderohet edhe si një pjesë e rëndësishme e sferës së jetës shoqërore qytetare të shekujve të shkuar.
Disa ndërtesa hamamesh janë ruajtur edhe sot si objekte antike, fjala vjen në Elbasan, Krujë, Prizren, Shkup, Vushtri etj. Për nga numri i madh i hamameve në qytete të botës muslimane dallojnë Kajro, e cila ka pasur rreth 300 hamame, ndërsa për Damaskun thuhej se ka pasur 365 hamame, nga një për çdo ditë nga të cilët në vitin 1950 kishin mbetur rreth 50 copë të tilla.
Nga një vështrim i shpejtë i hedhur në librin “Shqipëria dhe Shqiptarët” të Sami Frashërit në të gjithë zërat, ku flitet për qytetet shqiptare dhe të dhënave të tyre do të vërehet, se ato e kanë pasur një hamam të paktën. Qytetet e mëdha shqiptare kanë pasur dy edhe tre hamame, ku mund të përmendim këtu Shkodrën, që ka pasur dy hamame dhe njëri ka qenë vetëm për gra.
Kultura e hamamit dhe e larjes vazhdon të jetë e gjallë në shumë vende të Ballkanit, po ashtu është e përhapur gjerësisht edhe në Perëndim, e kryesisht sot e gjen atë si pjesë e industrisë së turizmit të këtyre vendeve.
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: