Kreu > Histori > Ali Pasha nën optikën e Britanisë së Madhe

Ali Pasha nën optikën e Britanisë së Madhe

Dorian KOÇI

 

ALI PASHA NËN OPTIKËN E BRITANISË SË MADHE

(Refleksione rreth librit “Ali Pasha dhe Shqipëria në arkivat britanike”)

Dorian Koçi

Dorian Koçi

Historia e afërt dhe e largët e Shqipërisë është e mbushur me ngjarje dhe personazhe të cilët kërkojnë ende dritë dhe dokumenta për tu zbardhur. Për një kohë të gjatë, ashtu si në të gjithë historinë e rajonit edhe për historinë e Shqipërisë janë mbrujtur mite, paragjykime apo dhe struktura të vecanta të historisë së shkruar, fillimisht nga historianët e huaj që janë marrë me shkrimin e historisë shqiptare dhe më vonë nga shkollat historike të vendeve të Ballkanit pas formimit të shteteve të tyre kombëtare dhe së fundi nga vetë historianët shqiptarë të cilët ku të kufizuar nga ideologjia dhe herë në mënyrë të pavullnetshme për ti shërbyer etnocentrizmit apo tani së fundmi në përfshirjen e dekonstruktimit të historisë kanë influencuar në ndërtimin e miteve tona kombëtare apo dhe në mohimin e vlerave të vërteta historike për ngjarje dhe personazhe që kanë shenjuar historinë tonë kombëtare. Si mund të shikohet lehtë , periudha e formimit të kombeve në Ballkan, si dhe përfshirja e Fuqive të Mëdha në këtë proces mund të rezultojë si periudha ku historia jonë e afërt ka pësuar ndërhyrjet më të mëdha kirurgjikale , gjithmonë në shërbim të ndërtimit të hierarkisë së vlerave në Ballkan por dhe të përparësisë politike në emër të gjeo strategjisë dhe gjeo politikës duke  krijuar disa  keqkuptime të mëdha. Sipas kësaj historiografie , shqiptarët në një Ballkan që vlonte dhe po krijoheshin kombet  ishin të fundit ose ata që ishin më pak të ndërgjegjshmit në këtë proces që po konstruktohej dhe po e gjente veten në krijimn e shteteve kombëtarë. Ky përcaktim është kthyer tashmë një klishe që e has në çdo libër për Shqipërinë dhe shqiptarët aq sa edhe kur tentohen të serviren fakte historikë , ata shikohen me dyshim. Sigurisht që kjo dukuri mund të ndodhë për burime dhe fakte historikë të cituar keq, por kur vjen fjala p.sh si në librin më të ri të Profesor Irakli Koçollarit “Ali Pasha dhe Shqipëria në arkivat Britanike”, dhe me syrin e thjeshtë të një apasionanti të historisë, dhe jo më një profesionisti, arrin të kuptosh se pas leximit të këtij libri shumë detaje të historisë sonë në fillimet e nacionalizmit duhen rishikuar. Për ta kuptuar më mirë vlerën e librit të Profesor Koçollarit është e rëndësishme të kuptohet epoka dhe perceptimet e gabuara kulturore dhe historike që janë krijuar të paktën në këta 150 vjetët e fundit për Shqipërinë dhe shqiptarët. Periudha e fundit të shekullit të XVII dhe fillimit të shekullit të XIX, periudhë që fillon me interesimin e Fuqive të Mëdha për rajonin çka korrospondon përveç pranisë diplomatike dhe ushtarake të Francës, Rusisë dhe Anglisë në këto territore edhe me një bum udhëtarësh të huaj kryesisht anglezë dhe francezë. Në fillim të shekullit të XIX udhëtimi tradicional i “Grand Tour-it pësoi një ndryshim themelor. Një mori udhëtarësh dhe studiuesish, herë si qytetarë të thjeshtë, herë si eksploratorë e herë si të dërguar të qeverive të tyre do përshkonin territorin e Epirit dhe Greqisë për të njohur nga afër territoret ku kishte lindur kultura e lashtë që i kish magjepsur duke nxitur një proces të gjerë kulturor që u materilizua me prodhimin e një literature të pasur udhëtimesh që ringjalli nga pluhuri i harresës Ballkanin. Në të njëjtën kohë , kjo periudhë korrospondoi me fillimin e një ere të re që pat nisur në Evropë pas shpërthimit të Revolucuinit Francez, era e nacionalizmit gjë që u konkretizua në fillimet e përpjekjeve të popujve të Ballkanit për të formuar shtetet e tyre kombëtare.
I përmendim të dyja këto procese, literaturën e udhëtimit evropiane për Ballkanin dhe fillimin e shkrimit të historisë nga shkollat ballkanike të etnive që u kthyen në kombe ,sepse janë dy momente të rëndësishëme historike që kanë lënë gjurmë në sendërtimin e historisë së Ballkanit. Të parët nëpërmjet mesazheve orientaliste e  portretizuan Ali pashën si despot oriental, gjakpirës e të pabesë, cinik e epshor duke e parë si një shtypës dhe një zotërues të territoreve që ata do të dëshironin të shikonin të projektuar “Heladhën” e teksteve të tyre shkollore , ndërsa të dytët e cilësua si gjaksor e të pamërshishëm për ti dhënë jetë miteve të tyre kombëtarë. Një pyetje mund të ngrihet lehtë gjatë studimit të figurës së Ali Pashës, pyetje të cilat prof. Koçollari ngre vazhdimisht në librin që ne kemi sot në duar se përse ka  kaq negativitet për një figurë të tillë historike? A përfaqësonte vërtetë Ali Pasha demonin ballkanik që nuk ndalet para asnjë gjëje për pushtet apo ishte një despot i ilimunuar që udhëhiqte vendin e vet? A kishte ndërgjegje kombëtare brenda mendjes të këtij njeriu që drejtonte territore të rëndësishme apo ishte thjesht një burrë shteti otoman që dëshironte ti shërbente sa më mirë përandorisë? A dëshironte një shtet të tij të pavarur apo thjesht rebelimi i tij ishte një diversion I zakonshëm për të ruajtur pushtetin që po humbte?
Nëse pyetjet i vendosim midis këtyre dy ekstremeve si mund të shikohet lehtë biem në kurthin e Orientalizmit që Edward Said ka trajtuar aq mirë në veprën e tij madhore, ndaj merita e këtij libri por në veçanti e Prof. Kocollarit është që ai në përfundimet e tij, i shpëton kësaj kuturisje socilogjike dhe niset nga dokumetacioni dhe faktet historike që në këtë libër na vijnë të shumta dhe gjithë tharm për të parë me kujdes fillimin e një epoke para rilindase  në pashallëkun e Janinës. Disa nga pjesët më të rëndësishme të këtij libri janë marëdhëniet e Ali Pashës me Britaninë e Madhe , një nga fuqitë më të mëdha të kohës që për herë të parë trajtohen në historiografinë shqiptare në një rrafsh krahasues edhe me mendimin e vet Ali Pashës që na vjen përmes raporteve të ndryshme të konsujve anglezë por sidomos nga “Relacioni Historik” që botohet për herë të parë dhe ashtu si thotë dhe autori sipas të gjithave gjasave do të jetë i shkruar i diktuar nga vet pashai. Në këtë ralacion zbulojmë jo vetëm një verifikim të gjithë dokumentacionit anglez për Ali Pashën por është dëshmia e parë autentike e ligjërimit politik të Ali pashë Tepelenës.  Po kështu një interes ë veçantë ka enigma Leake, këtij studiuesi shumë të aftë por edhe një zbuluesi të mirrëfilltë për të kuptuar jo vetëm fatin e tij personal, por fatin e të gjithave premtimeve angleze që në fund nuk u mbajtën ndaj Ali Pashës.Historiani anglez Xhon Begëlli në konkluzionet e studimit të tij “Ali Pasha dhe Britania e Madhe” shkruan se në vitin 1822, Britania e Madhe ishte gati të mbështeste pavarësinë e tij(indipedencën e Ali Pashës), pasi Perandoria Osmane ndodhej në procesin e shpërbërjes; por kur një Sulltan më i fortë, Mahmuti i II, kishte parandaluar prishjen e (Turqisë), ishte në interesin e Anglisë të ruante integritetin e Turqisë kundër mësymjeve, ekspansionit të Rusisë. Ky përfundim i saktë i historianit anglez mbështetet gjerësisht prej dokumentacionit të pasur në këtë libër. Një sërë ngjarjesh të tjera shqiptare të ndriçuara pak nga historiografia franceze si ngjarjet e Beratit nëpërmjet dokumentave të publikuar në libër ndriçohen për të zbuluar implikimet politike të ngjarjeve që janë treguar si melodrama sentimentale për marëdheniet mes krushqish-Ali pasha-Ibrahim Pasha Vlora në veprat e Pukëvilit dhe Ibrahim Manzurit prej nga buruar dhe një pjesë e madhe e letërsisë orientaliste për Ali Pashën. Pjesa më e rëndësishme në relacionin e diktuar nga Ali Pasha janë pjesët që i referohen këtij konspiracioni ku ai rreziqet që i kanosen Pashallëkut të Janinës i referohet si rreziqe ndaj “Shqipërisë” duke treguar qartë vetëdijen e territorit që në historiografi është një nga elementët e rëndësishëm të proto nacionalizmit.
Historiografia jonë pasurohet me botimin e kësaj vepre , jo vetëm për shkakun se një vepër e re botohet por sepse pas këtij libri dhe botimi të këtij dokumentacioni do të duhet që elementë të rëndësishëm të fillesave të krijimit të kombit tonë të rishikohen dhe figura të tilla si Ali Pasha të rifitojnë dimensioned e munguara.
Suplementi “Rilindësi”, f. 20, 5.05.2013
Advertisements
Kategori: Histori Etiketa:
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: