Kreu > Identiteti shqiptar, Maqedonia, Trojet shqiptare > Tërmetet e Shkupit, nga fatkeqësi natyrore në fatkeqësi kulturore

Tërmetet e Shkupit, nga fatkeqësi natyrore në fatkeqësi kulturore

Zeqirija IBRAHIMI

 

TËRMETET E SHKUPIT, NGA FATKEQËSI NATYRORE NË FATKEQËSI KULTURORE

Tërmeti i Shkupit

Në këtë përvjetor të fatkeqësisë natyrore të Shkupit mund të konstatojmë se Shkupi më nuk duket as si Scupi, as si Yskypi, as si Shkupi, por më shumë është një Skoplje e Serbisë dhe një Skopje që shtiret si antik e bizantin, ndërsa është përjashtues për të tjerët, karikaturë për profesionistët dhe shqiptarofob e islamofob

Dje u bënë 50 vite nga tërmeti katastrofal i Shkupit. Është kjo një datë që shkupjanët e kujtojnë me dhimbje, sepse në këtë ditë humbën të afërmit e tyre (mbi 1000 persona vdiqën nën rrënoja), u rrënuan objektet më të bukura të qytetit, ashtu që më 27 korrik Shkupi nuk ishte më ai qyteti që shumë udhëpërshkrues e kishin përshkruar me epitetet më të bukura, por thjesht një turrë e madhe rrënojash, një qytet i mbuluar nga pluhuri i bërë mjegull, që shihej nga të gjitha kodrat përreth. Ishte një qytet krejtësisht i shfytyruar nga ai që kishte qenë një ditë më parë.

Dhe, sot, kur po bëhet gjysmë shekulli nga ky tërmet, nga kjo fatkeqësi natyrore, është çasti kur si shkupjanë na bie hise t’i kthejmë sytë pas dhe të mundohemi ta kujtojmë qytetin tonë në sekuenca, që e plotësojmë mozaikun e tij deri në ditët tona. Është ky një moment kur mund dhe duhet të reflektojmë për identitetin e qytetit tonë, të cilin sa e kanë ndryshuar fatkeqësitë natyrore, po aq e ka dëmtuar edhe dora njerëzore. Në fakt, para kësaj, do të duhet të themi se fatkeqësitë për Shkupin nuk kanë qenë vetëm natyrore, por ka pasur këtu edhe fatkeqësi që i kanë ndihmuar natyrës ose që e kanë keqpërdorë natyrën për të krijuar fatkeqësi të reja, që kanë qenë edhe më katastrofale për Shkupin tonë. Sakaq do të përmendim se cilat janë momentet kryesore të Shkupit tonë, të cilat e kanë shfytyruar përgjithnjë atë. I pari është tërmeti i parë natyror, ai i vitit 518, kur Shkupi ishte ende Scupi dhe gjendej në veri, atje ku janë rrënojat e këtij qyteti antik – afër Bardovcës. Atëbotë Perandori Justinian (i cili sipas disa historianëve ka qenë i lindur në afërsi të Scupit), përsëri e ndërtoi dhe nën sundimin e tij Scupi lulëzoi me plot shkëlqim. Tërmeti i dytë natyror është ai i vitit 1555, kur duke qenë Yskyp, pësoi një tërmet, ndërsa pushteti osman i kohës e rindërtoi dhe kjo është pjesa e vjetër e Shkupit sot. Në vitin 1687 gjenerali austriak Pikolomini ia vuri flakën Shkupit, që ashtu t’u hakmerrej osmanëve. Në këtë djegie, që gjithsesi ishte një tërmet për identitetin e Shkupit, të cilën Pikolomini e shikonte me kënaqësi na Mali i Krojeve (Vodno), qyteti u dëmtua shumë dhe shumë gjëra nuk u rikthyen më kurrë në Shkup. Në vitin 1963 në Shkup ndodhi tërmeti i katërt, edhe ky natyror, i cili ishte katastrofë jo vetëm humanitare e urbane, por edhe kulturore e religjioze. Dhe, tërmeti i fundit i Shkupit është projekti “Shkupi 2014”, që përfundimisht e vulos identitetin e Shkupit, duke përjashtuar prej këtij qyteti gjithçka që nuk është antike, ortodokse e sllavo-serbe.

Ajo që sot duhet vënë në spikamë janë vetëm dy momente, që mbase historia e atyre që vijnë pas nesh do t’i regjistrojë diku: i pari është tërmeti natyror, të cilin autoritetet e kohës e shfrytëzuan për “t’i pastruar hesapet” me “të tjerët” në Shkup, duke krijuar kështu tragjedi të tjera, dhe i dyti është projekti “2014”, që nga nipat e autoriteteve të ’63-tës po shfrytëzohet po ashtu për t’ia dhënë shkelmin e fundit identitetit të Shkupit tonë.

Sa për të parën, do t’i referohemi një dokumenti të zbuluar këto ditë në Arkivin Shtetëror të Maqedonisë (për çka e falënderoj z. Qerim Lita dhe z. Skendër Asani), i cili e përshkruan më saktë këtë gjendje. Kështu në një Informacion të datës 24.07.1964, të Këshillit Republikan për Çështje Fetare, dërguar Komitetit Ekzekutiv të Lidhjes Komuniste të Maqedonisë, pasi bëheshin bilancet e fatkeqësisë së tërmetit propozohej që: “Duke e marrë parasysh numrin e pjesëtarëve të BFI-së në Shkup, është krejt e arsyeshme dhe krejt e pranueshme për nevojat fetare nëse do të sanoheshin vetëm disa prej tyre (3-5) nga objektet e dëmtuara (p.sh.: xhamia e Sulltan Muratit, xhamia e Isa Beut, xhamia e Mustafa Pashës dhe xhamia e Jahja Pashës). Kundruar për nga madhësia dhe vendndodhja e tyre, ato do t’i përmbushnin plotësisht nevojat. Këto janë edhe objektet më monumentale, natyrisht të gjitha monumente kulturore-historike. Duke mos u lëshuar në vlerësimin e vlerës kulturore-historike të objekteve të tjera fetare, mendojmë se tash është rasti i volitshëm që të pastrohet me një numër të madh të xhamive, të cilat janë të shumta në Shkup.” Me fjalë të tjera, për pushtetin e atëhershëm në Shkup ishte e mjaftueshme që në Shkup të jenë vetëm 5 xhami, ndërsa të tjerat mund të rrënoheshin duke e marrë si pretekst tërmetin, që ishte një fatkeqësi natyrore. Për banorët e Shkupit kjo tashmë është e njohur. U rrënua atëbotë Jelen Kapani, që ishte te Gjykata Themelore Shkup, u rrënuan disa xhami të lagjeve shqiptare, si ajo e Dyqanxhiut, që u ngrit me shumë peripeci vetëm para disa viteve, u rrënua më pas xhamia e Faik Pashës, që ishte pranë Bankës Popullore të Maqedonisë, e dhjetëra xhami të tjera (në tërmet ishin rrënuar krejtësisht ose pjesërisht 30 xhami).

Për gjithë këtë tragjedi natyrore, që për shqiptarët dhe myslimanët e Shkupit ishte edhe fatkeqësi etnike e religjioze, autoritetet e Shkupit edhe sot na detyrohen së paku me kërkimfalje: duhet t’u kërkojnë falje shqiptarëve katolikë që pas tërmetit nuk u lejuan të kenë morg afër Idadisë, duhet t’u kërkojnë falje mbi 20.000 shqiptarëve që, për shkak të tërmetit, u larguan nga Shkupi dhe nuk u lejuan të kthehen më kurrë në Shkup, duhet t’u kërkojnë falje atyre shqiptarëve myslimanë që nëpër kampet e ngritura i provokonin me mish derri dhe duhet t’u kërkojnë falje të gjithë myslimanëve të Shkupit për fatkeqësinë religjioze që ua krijuan. Është ky një detyrim për trashëgimtarët e atyre që prodhuan këso tragjedi dhe le të mbetet në nderin e tyre nëse vazhdojnë të bëhen ende të shurdhër.

Momenti i dytë që sot na bie ndër mend, për të cilit historiania e artit Donka Bojaxhieva Trajkovska në një intervistë për “Plusinfo” deklaron se është më katastrofal se tërmeti i ’63-tës është projekti “Shkupi 2014”. Pasi që prindërit e këtyre pushtetarëve e “kishin shfrytëzuar momentin” e tërmetit për të pastruar me “mbeturinat” islame në Shkup, bijtë e tyre sot janë kujdesur mirë e hollë që kjo detyrë të përfundojë me shumë sukses. Që nga stacioni i vjetër trenave, që është simbol i tërmetit natyror të ’63-tës e deri në kishën “Shën Spas” afër kalasë së Shkupit janë vendosur me rend e me mesazh jo më pak se 100 objekte (skulptura dhe ngrehina të tjera), që janë simbol i “tërmetit Shkupi 2014”, të cilat e fuqizojnë prirjen që Shkupin “ta pastrojnë” nga elementet shqiptare e myslimane. Nuk gjen këtu më asnjë xhami (Burmalia refuzohet si kripa në sy), megjithëse janë kthyer të gjitha kishat e rrënuara (si kisha e Mbretit Konstatin dhe Mbretëreshës Helena, kisha qendrore dhe kisha e Shën Mërisë), janë këtu dhjetëra statuja me simbolizim antik, bizantin e sllav, madje deri të kohës serbe të Jugosllavisë së Vjetër, por aty nuk lejohet të vihet më asgjë që e prish skenarin e “pastruesve” të identitetit të Shkupit. Ata janë shumë të kujdesshëm që askush të mos e prish projektin e prindërve të tyre në ’64-tën.

Prandaj sot, në këtë përvjetor të fatkeqësisë natyrore të Shkupit, mund të konstatojmë se Shkupi më nuk duket as si Scupi, as si Yskypi, as si Shkupi, por më shumë është një Skoplje serbe dhe një Skopje që shtiret si antike e bizantine, ndërsa është përjashtuese për të tjerët, karikaturë për profesionistët dhe shqiptarofobe e islamofobe. Natyrisht ky projekt ende nuk ka përfunduar dhe synimi i tij që është mbi kala të vihet edhe një kryq, që bashkë me kryqin e Vodnos do të përbëjnë dy varrezat e identiteteve të Shkupit tonë dikur.

Burimi: http://shenja.mk/index.php?news=3624

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: