Kombi, demokracia dhe Evropa: duke lexuar veprën e Ukshin Hotit

Enis SULSTAROVA

KOMBI, DEMOKRACIA DHE EVROPA: DUKE LEXUAR VEPRËN E UKSHIN HOTIT

Një popull, ose e dëshiron realizimin e një qëllimi politik dhe për të është i gatshëm të sakrifikojë, ose nuk e dëshiron. Qëllimi politik i popullit shqiptar nuk mund të jetë tjetër pos bashkimit të tij në një shtet të vetëm shqiptar.

                                                                                                                                                                                                                                                          Ukshin Hoti

Enis Sulstarova

Enis Sulstarova

Hyrje

Falënderoj Lëvizjen Vetëvendosje! për ftesën që të marr pjesë në këtë tribunë për mendimin politik dhe filozofik të Ukshin Hotit. U jam mirënjohës, sepse më bëtë të rilexoj së fundmi dy libra të Hotit, Filozofia politike e çështjes shqiptare (Prishtinë, 1996) dhe Bisedë përmes hekurash (Tiranë: Toena, 2000), ky i fundit një bisedë e autorit të burgosur me shkrimtarin Ismail Kadare. Çdo rilexim ndryshon nga paraardhësit, ngaqë lexuesi jo vetëm kujton atë çfarë ka lexuar, por edhe mund të zbulojë gjëja të reja. Rileximi merr vlerë të veçantë atëherë kërkojmë që të gjejmë përgjigje për pyetjet që kemi për aktualitetin, aq më tepër kur ke të bësh me një mendimtar që e kanë munduar po ato pyetje që kemi ne, aq më tepër kur ke të bësh me një autor/aktivist që ka luftuar dhe është martirizuar për qëllimin që mbetet i parealizuar dhe që kërkojmë ta realizojmë: bashkimin politik të kombit shqiptar. Për sa kohë që kombi është i ndarë, përpjekja për bashkim është aktualitet dhe mendimi i Ukshin Hotit mbetet bashkëkohor.

Nuk është aspak rastësi që jemi mbledhur në Prishtinë për të diskutuar mbi mendimin e Ukshin Hotit. Sot, në Kosovë, republika është në rend të ditës, sikurse ishte në marsin e vitit 1981. Sot i jemi drejtuar atij, si personi që më shumë se kushdo mbrojti me argumente, pasion, elokuencë dhe me tërë qenien e tij drejtësinë e parullës “Kosova Republikë”. Të njëjtën parullë sot aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! po e shpalosin nëpër sheshe, rrugë dhe ndërtesa për t’ia kujtuar qytetarëve se qeveritarët po e heqin dorë prej saj. Po heqin dorë jo thjesht për faktin se së fundmi qeveria e kryesuar nga Hashim Thaçi ka rënë dakort me Serbinë që republika të zëvendësohet nga një fundshënim në dokumentet ndërkombëtare, por më shumë prej faktit se që nga pavarësia (edhe ajo e kushtëzuar nga Pakoja Ahtisari) qeveritë nuk po bëjnë përpjekje për ta realizuar republikën së brendshmi. Kur republika nuk është më qëllimi politik, kur ajo në politikën e brendshme të shtetit mbetet vetëm në letër, atëherë është shumë e lehtë që në dokumentet ndërkombëtare të pranosh që ajo të fshihet fare.

Si jeta, por ashtu dhe krijimtaria teorike e Ukshin Hotit janë të ndërprera dhunshëm. Gjatë jetës së tij, Hoti nuk arriti që të ketë kushtet optimale për të krijuar vepra të plota teorike. Edhe kur nuk ndodhej në burg, ai ishte i veçuar nga mjediset intelektuale dhe politike të Prishtinës. Pas vitit 1981 atij iu pamundësua punësimi i përhershëm dhe jeta e qetë familjare. Libri Filozofia politike e çështjes shqiptare është një përmbledhje e artikujve të shkruar në rrethana dhe për tema të ndryshme, letrave dhe mbrojtjes së tij në gjyq. Libri tjetër, Bisedë përmes hekurash, e përmban paradoksin qysh në titull: nuk kemi të bëjmë me një bisedë normale, ballë për ballë mes dy personash, por me një komunikim në kufijtë e të pamundurës, me pyetje që i kalohen me mundime brenda në burg për fare pak kohë, dhe me përgjigjet që Hoti arrin t’i shkruajë dhe mrekullisht t’i nxjerrë nga burgu për t’ia dërguar shkrimtarit. Vepra e fragmentarizuar nuk do të thotë se idetë janë të tilla. Përkundrazi vihet re një kthjelltësi dhe vazhdimësi në argumentet kryesore të Hotit, që buron jo vetëm nga bindja e tij e palëkundur për drejtësinë e kërkesave kombëtare të shqiptarëve, por edhe nga një rrokje e thelbit të zhvillimeve ndërkombëtare të kohës së tij, që ndikuan në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Në vitet 80-90 të shekullit të kaluar, Hoti ishte dëshmitar i shndërrimeve rrënjësore në Evropë e në botë dhe ndoshta nuk e zmadhojmë vlerësimin tonë kur themi se ai, më shumë se kushdo intelektual tjetër shqiptar i atyre viteve,kuptoi drejt kahun e zhvillimeve të mëdha politike në kontinent dhe zgjidhjen e çështjes shqiptare e konceptoi brenda tyre.

Në këtë rilexim të veprës së tij, nisur edhe nga ngjarjet e fundit në Kosovë, sugjerojmë se tri ide ide janë në themel të mendimit të tij: kombi, demokracia dhe Evropa. Për këtë arsye, kumtesën e kemi organizuar në tri pjesë kryesore, të ndjekura nga një shënim përmbyllës për aktualitetin e veprës së Ukshin Hotit. Organizimi i kumtesës nuk do të thotë aspak se secila nga idetë qëndron më vete dhe e veçuar nga të tjerat; siç do ta shohim më poshtë, ato janë të pandashme dhe mbështesin njëra-tjetrën. Mund të shprehemi se kombi, demokracia dhe Evropa formojnë një trini në mendimin e Hotit, prandaj secila nga ndarjet analitike të mëposhtme vetëm sa thekson një aspekt të saj.

Kombi

Shqiptarët janë një komb, që së pari do të thotë se ata kanë një identitet. Ky identitet na është dhënë nga historia jonë në kontinentin e Evropës dhe rrjedhojë e dallimit tonë nga popujt e tjerë përreth. Vetëdijësimi për gjuhën që flasim është themeli i dallimit të ilirëve dhe vazhdimësisë së tyre me shqiptarët. Prania e kurdohershme e gjuhës u tregonte se ata i përkitnin “një kolektiviteti të veçantë që e fliste një gjuhë, e cila shtrihej në një territor të caktuar dhe kishte interesa të veçanta nga të tjerët, por mund të kishte dhe ndonjë interes të përbashkët” (Filozofia politike e çështjes shqiptare, f. 134-135; më poshtë do t’i referohemi shkurtimisht si Filozofia). Kombi është një bashkësi njerëzore që ka vazhdimësi biologjike, në këtë aspekt Ukshin Hoti nuk druhet të thotë se shqiptarët janë etnikisht të pastër, jo prej ndonjë programi politik të përmirësimit biologjik (eugjenetika) dhe as për t’u krenuar me këtë, por për faktin e thjeshtë se në histori nuk ka pasur të tjerë që të jenë deklaruar si shqiptarë, por ka pasur shumë shqiptarë të asimiluar që janë deklaruar si pjesëtarë të kombeve të tjerë (Bisedë përmes hekurash, f. 139; më poshtë do t’i referohemi shkurtimisht si Biseda). Në mungesë të dokumenteve të shkruara, vetë mbijetesa e shqiptarëve në histori, me gjithë tkurrjen territoriale të tyre në shekujt e fundit, është një dëshmi e ruajtjes së një kolektivit dhe mosdëshire, apo vullneti për t’u shkrirë me popujt e tjerë, por për të qëndruar ai që është. Forcimi i identitetit kombëtar është pjesë e detyrueshme e modernizimit dhe e përparimit material, ai është “ecje progresive drejt së ardhmes. Një ecje që nuk mohon vlerat pozitive të së kaluarës, por i inkuadron në vetvete dhe i kuptimëson në kohë” (Filozofia, f. 195).

Ruajtja e vetes është interesi jetësor i kombit. Në një botë të shteteve kombëtare, ekzistenca e kombit ruhet përmes shtetit. Historia e ka dëshmuar se shteti kombëtar është kuadri më i mirë institucional për ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kombëtar. Nuk ka shtete për hir të vetes, por për hir të kombit: “Në qoftë se është kështu për të gjithë popujt e civilizuar të botës… dhe në qoftë se jemi popull i civilizuar… atëherë nuk mund të jetë ndryshe as për ne shqiptarët” (Filozofia, f. 143). Prej këndej, Hoti argumenton se interesi jetësor (vital) i shqiptarëve është ruajtja e shtetit të formuar shqiptar (Shqipërisë) dhe bashkimi i pjesëve të ndara të kombit dhe atdheut me Shqipërinë: “çdo politikë që do të çonte drejt realizimit të qëllimit të tillë mund të cilësohet si politikë gjithëshqiptare… Brenda suazave institucionale dhe normave ndërkombëtare juridike Shqipëria është dhe duhet të jetë bartëse e një politike të tillë” (Filozofia, 77-78).

Kombet bëjnë përpjekje për të vazhduar ekzistencën e tyre, prandaj “lufta e kombeve për pushtet (fuqi) është imanente në vetë natyrën e kombit” (Filozofia, f. 41). Vullneti për t’u bërë, apo për “t’u shtetëzuar” siç e shpreh Hoti solli krijimin e Shqipërisë si shtet. Shqipërinë nuk e krijuan fuqitë e mëdha evropiane nga hiçi, por si njohje prej tyre të vullnetit të shqiptarëve: “edhe ne duhej të ishim diç, të cilit mund t’i ndihmohej. Kjo ‘diç’ ishte lëvizja politike shqiptare” (Biseda, f. 66). Ndarja e kombit shqiptar nuk erdhi si vullnet i tij, por si pasojë e gjeopolitikës evropiane. Eshtë e vërtetë se bashkimi i kombit varet sërish nga fuqitë e mëdha, por këto të fundit “nuk merren me zgjidhjen e çështjeve të tilla pa pasur interesat e veta dhe sidomos jo pa u bërë inicimi i zgjidhjes së një çështjeje të tillë nga vetë faktori politik shqiptar” (Filozofia, f. 75). Hoti mendon se vala demokratike që përshkoi Evropën në vitet 80 dhe projekti i bashkimit të saj janë kushtet që bëjnë të mundur zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, prandaj shqiptarët duhet të lëvizin drejt këtij qëllimi.

Rihapja e çështjes kombëtare shqiptare u shënua nga kërkesa për republikë në Kosovën e vitit 1981. Ajo erdhi natyrshëm si një kërkesë për përparim dhe zhvillim të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, krahas lëvizjeve që po bënin në këtë drejtim edhe popujt e tjerë jugosllavë. Ishte e qartë në atë kohë se pozita juridike e Kosovës ishte bërë pengesë për zhvillim. Përderisa konteksti ndërkombëtar nuk e lejonte ndryshimin e kufijve të Jugosllavisë, logjike ishte kërkesa për republikën brenda federatës (Filozofia, f. 135). Republika do të ishte një hap drejt bashkimit të kombit dhe njëkohësisht do të ruante dhe nuk do të rrezikonte kufijtë e shtetit ekzistues shqiptar, sipas rregullimit ndërkombëtar të vendosur nga fuqitë e mëdha.

Nuk mjafton të njihet vetëm qëllimi politik, por edhe mjeti për realizimin e tij. Hoti shkruan:

Kur një popull arrin t’i njohë jo vetëm interesat e veta, por edhe mënyrën e realizimit të atyre interesave, vetëm atëherë mund të flitet se mund të kihet shpresë dhe mbështetje për optimizëm. Por kur një popull manipulohet me parulla të ndryshme, atëherë nuk mund të flitet as për shpresë dhe as për optimizëm (Filozofia, f. 265).

Rendi ndërkombëtar i vendosur në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore nuk e lejon ndërrimin me dhunë të kufijve shtetërorë. Padyshim që kjo normë është në interesin e shteteve, mirëpo nuk duhet harruar se shtetet janë instrumente të kombeve, jo qëllime të vetvete. Prandaj është lënë e hapur mundësia e ndryshimit të kufijve me pranimin e palëve dhe me rrugë paqësore. Ne jemi dëshmitarë se aty ku interesi kombëtar nuk përputhej me ruajtjen e kufijve shtetërorë, këta të fundit ranë dhe ndarjet brenda shtetërore u kthyen në kufij të rinj sovranë. Duke pasur parasysh kontekstin ndërkombëtar, edhe Hoti shkruan se bashkimi i kombit shqiptar duhet kryer në rrugë institucionale dhe me mjete demokratike (Filozofia, f. 191). Mjet demokratik është p.sh. referendumi, i cili parashikohet në programin e Lëvizjes Vetëvendosje! Politika gjithëshqiptare duhet sinkronizuar me atë ndërkombëtare, brenda zhvillimeve ndërkombëtare në Evropë: “Ne do të bashkohemi më Shqipërinë nëse këtë do ta mundësojnë proceset evropiane… Ndryshimi i kufijve mund të bëhet vetëm si produkt i marrëveshjes së superfuqive” (Filozofia, f. 257). Por nuk mund të ketë pritje që Evropa të bëjë Republikën e Kosovës dhe më tutje bashkimin e shqiptarëve (Filozofia, f. 136).

Hoti ishte dëshmitar i shpërbërjes me luftë të Jugosllavisë dhe nga fundi i jetës së tij edhe i luftës së Kosovës. Për të, lufta erdhi për arsyen se serbët nuk deshën që ndjekin tendencën demokratike në Evropë, por iu kundërvunë asaj për të ruajtur epërsinë e tyre në Jugosllavi dhe sidomos në raport me shqiptarët që i trajtonin si një popull të nënshtruar, ngjashëm me situatën e popujve aziatikë dhe afrikanë në epokën e kolonive evropiane. Lufta ishte e pashmangshme në ish-Jugosllavi, jo sepse kombet janë luftënxitës nga thelbi i tyre, por sepse ata do të mbronin interesat e tyre me gjithë kërcënimin e luftës. Lidhur me këtë, Hoti te Filozofia shkruan se “një popull që nuk i frikësohet luftës mund të jetë vetëm i marrë, por frika e luftës kurrnjëherë, asnjë popull, nuk e ka penguar të luftojë për idealet e veta” (f. 230), kurse në bisedën me Kadarenë i mëshon faktit se “nuk është në natyrën e njeriut dhe as të kombit të pajtohet me statusin e robit” (f. 130). Lidhur me Luftën e Kosovës, ai shënon se shqiptarët e dinin se Serbia ishte sipërore në mjetet e luftës, prandaj nuk kishte kuptim të thuhej se shqiptarët ishin luftënxitës, se ata do të zgjidhnin luftën ndaj paqes. Përkundrazi, shqiptarët luftonin sepse nuk u kishte mbetur mjet tjetër për të pasur një “ekzistencë dinjitoze kolektive dhe… zhvillim të papenguar si komb brenda trojeve të veta” (Biseda, f. 137). Prandaj, ai besonte se UÇK-ja me arritjen e qëllimit të republikës së pavarur do të dinte ta mposhte edhe luftën si të tillë.

Demokracia

Sipas Ukshin Hotit, demokracia është mjet dhe vlerë. Ai shkruan se demokracia, si formë e rregullimit shoqëror, demokracia ndihmon në njohjen dhe përsosjen e njeriut, shoqërisë dhe në fund mbarë njerëzimit në kushtet e lirisë (Filozofia, 231). Për këtë arsye, ne themi se ajo është mjet për qëllime të tjera, por edhe vlerë, ngaqë përvoja njerëzore e ka veçuar më lart midis mjeteve të tjerë. Demokracia nuk është statike, por e përshtatshme sipas nevojave dhe kushteve shoqërore. Demokracia i përket popullit dhe nuk është pronë ekskluzive e elitës: “demokracia nuk mund të jetë kundër elitës, por është kundër elitizmit” (po aty). Demokracia nuk mund t’i importohet një kombi, por ajo lind nga nevojat e tij, si kërkesë për institucionalizimin e kërkesave të tij. Për këtë arsye Hoti përdor termin e “demokracisë autentike”, jo për të treguar se në Kosovë u shpik një lloj i veçantë i demokracisë, por se lëvizja për republikë është demokratike dhe nuk përbën dallim nga proceset evropianizuese tjetërkund në Evropë. Si e tillë, demokracia në Kosovë është kontribut në “zbatimin e parimeve universale, të gjithëpranueshme të demokracisë” (Filozofia, f. 231-232).

Demokracia është autoktone në Kosovë si pasojë e përpjekjes popullor për fitimin e statusit të Republikës në vitin 1981. Demokracia është mjet për lirinë, ndërsa nga ana e saj liria është një mundësi për vetëkrijim. Përderisa kërkesa për republikë ishte në vetvete një shprehje e lirë e shqiptarëve për më shumë liri dhe mundësi zhvillimi për veten e tyre, atëherë kërkesa për Republikë ishte demokratike (Filozofia, f. 116-117). Atëbotë  disa thanë se nuk është koha për të kërkuar demokraci, por për Hotin ishte pikërisht dëshira e një brezi të ri për mos e pranuar botën e tyre ashtu siç ishte: botë e sunduar nga i huaji, autoritare dhe patriarkale. Si e tillë, kërkesa për demokraci ishte brenda frymës së kohës në Jugosllavi dhe në Evropë.

Demokracinë në Kosovë nuk e lindën të tjerët, e as nuk u lind për qejfin e tyre. Ishte e ndërlidhur me proceset demokratike të Evropës dhe me synimet e tilla të njerëzimit. Demokracia në Kosovë u vetëlind në vitin 1981, do të rritet vetë, së bashku, e barabartë dhe e ndërlidhur me të tjerat (Filozofia, f. 118).

Hoti mbeti i vetëm ndër intelektualët e Kosovës që përkrahën parrullën për republikë në vitin 1981. Në një intervistë pas dhjetë viteve ai mendon se ishte udhëheqja partiake dhe elita intelektuale ato dështuan për të udhëhequr masat, edhe pse ato ishin të bindura se kërkesa ishte e drejtë. Ato kishin mbetur në pritje të premtimeve dhe masave për demokratizim të shoqërisë nga lart, duke mos besuar në fuqinë e demokracisë si mjet i qytetarëve për ndryshim (Filozofia, f. 249). Edhe sot shumë ndër elitën politike të Kosovës, një pjesë në pushtet dhe një pjesë në opozitë, mendojnë se nuk është koha për republikën sovrane, por për atë të mbikëqyrur. Prandaj nuk e mbrojnë as së brendshmi ndaj strukturave paralele serbe dhe mosrespektimit të reciprocitetit dhe as së jashtmi, duke pranuar shuarjen e “republikës” pre dokumenteve ndërkombëtare. Sërish mbivlerësohet “lart” dhe nënvlerësohet “poshtë”, duke harruar se në demokraci pushteti buron nga poshtë. Prandaj demokracia e pritur po ia lë vendin hap pas hapi autoritarizmit. Prandaj parlamenti i Kosovës është kapur në rrethin vicioz të “korrigjimit” të vetvetes: sapo merr një vendim si përfaqësues i vullnetit të popullit dhe forcimit të republikës, menjëherë prapson vendimet e tij me porosi nga lart. E më pas vijojnë “këshillat” qetësuese nga diplomatë se përmendja e republikës është e parëndësishme, anakronike, apo lojë fëmijësh. Nga të njëjtët diplomatë perëndimorë që e kanë të sigurt republikën në vendet e tyre. Nga diplomatë që kujtojnë se republikën ahtisariane ia kanë bërë dhuratë (të pamerituar) popullit të Kosovës.

Demokracia është edhe ideologjia e madhe e rendit të ri ndërkombëtar pas Luftës së Ftohtë. Mbizotërimi i Perëndimit të kryesuar nga SHBA-ja në marrëdhëniet ndërkombëtare legjitimohet nga demokracia dhe përhapja e saj në botë. Demokracia i kapërcen kufizimet kulturore dhe fetare, prandaj Rusia, shkruan Hoti nuk mund të jetë një fuqi botërore bazuar mbi ortodoksinë apo pansllavizmin (Biseda, f. 95). Në kushte të tilla, është e vështirë që nga ana teorike të kundërshtohet zbatimi i vetëvendosjes së shqiptarëve: “Cila formë e demokracisë do të mund të quhej demokratike, po qe se një populli të tërë të madh sa shqiptarët… do t’ia mohonte të drejtën e vetëvendosjes? Në emër të çkafit do ta bënte një gjë të tillë?” (Biseda, f. 105-106). Bashkimi i shqiptarëve në një shtet të vetëm sot po kundërshtohet fuqishëm nga ideja e bashkimit të Evropës. Jo vetëm nga diplomatët e huaj, por edhe nga shumica e elitave politike dhe kulturore të shqiptarëve integrimi i shteteve ballkanikë në Bashkimin Evropian paraqitet si zëvendësim i programit të bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Hoti ka argumentuar pikërisht të kundërtën, që procesi i bashkimit politik të Evropës e bën të pashmangshëm bashkimin e shqiptarëve. Integrimi evropian është, sipas tij, plotësues dhe jo alternativë e bashkimit kombëtar.

Evropa

Shqiptarët ndodhen gjeografikisht në Evropë dhe ndarja kombit në disa shtete është rrjedhojë e gjeopolitikës evropiane. Përplasja e madhe gjeopolitike në kontinent ka qenë midis grupimit të popujve gjermanë me ata sllavë dhe shtetet detare, ndërsa Britania e Madhe anonte në çaste vendimtare për të ruajtur balancën mes fuqive. Shqipëria londineze ishte kompromisi për të ruajtur paqen evropiane më 1913 dhe vazhdimi i copëtimit të shqiptarëve pas Luftës së Dytë Botërore u përcaktua nga Lufta e Ftohtë midis Perëndimit dhe Lindjes. Kjo situatë e rëndë e shqiptarëve në Evropën e fillimshekullit, d.m.th. si kurban i gjeopolitikës, Ukshin Hoti mendon se në fund të shek. XX mund të kthehet në përparësinë e shqiptarëve. Që bashkimi i Evropës të realizohet dhe të qëndrojë në të ardhmen, duhet që gjeopolitika si e tillë të kapërcehet nga shtetet evropiane. Kapërcim i saj do të thotë që nuk ekziston më arsyeja themelore për ndarjen e shqiptarëve (Biseda, f. 71-73), sikurse nuk ekzistonte as arsyeja themelore për ndarjen e Gjermanisë (Filozofia, 89). Prandaj, çështja shqiptare kthehet në një gur prove i projektit të bashkimit të Evropës:

Lufta e popullit shqiptar për të zgjidhur problemet e veta dhe çështjen e vet është pikërisht në funksion të zgjidhjes së proceseve të Evropës dhe të avancimit të proceseve të saj pozitive, përveç faktit se është edhe masë për matjen e ecurisë së tyre. Për këtë shkak dhe nga ky aspekt, shqiptarët vetëm sa po e kryejnë pjesën e vet të detyrës gjithevropiane (Biseda, f. 154).

Jo më kot shumë intelektualë evropianë ndërhyrjen e NATO-s më 1999 e quajtën si provën e Evropës së nesërme përballë Evropës së djeshme si peng i lojës mes fuqive të mëdha. Hoti nuk do të thotë se gjeopolitika në Evropë ka përfunduar, por se ajo është në agoni, në tërheqje e sipër, dhe se vdekja e saj është parakusht për integrimin evropian (Biseda, f. 105-106). Eshtë e vërtetë se as serbët dhe as shqiptarët nuk e kanë në dorë bashkimin e Evropës, mirëpo ata mund të sillen në pajtim ose në kundërshtim me integrimin. Serbët duan që pozitën e tyre hegjemoniste përballë shqiptarëve dhe popujve të tjerë të rajonit, pozitë e fituar për shkak të gjeopolitikës, ta “kontrabandojnë” edhe brenda BE-së (Biseda, f. 63), ndërsa shqiptarët me përpjekjen e tyre kombëtare nuk duan tjetër veç barazi mes kombeve, gjë që është në pajtim me projektin e bashkimit të kombeve të kontinentit, siç konceptohet p.sh. nga Edgar Morin (Filozofia, f. 87). Barazia mes kombeve evropianë është edhe kriteri kryesor që modeli evropian të jetë tërheqës jashtë Evropës dhe të shërbejë si model në botë (Filozofia, f. 125).

Pajtimin me tendencën kryesore evropiane, lëvizja kombëtare shqiptare e ka pasur qysh në vitin 1981, sepse kërkesa për republikë “në esencë ishte kërkesë për evropeizimin e Kosovës, në qoftë se fjala “evropeizim” kuptohet drejt si tendencë për barazimin dhe nivelizimin e zhvillimit në shtetet e zhvilluara të Evropës” (Filozofia, f. 135-136). Kur është kështu, atëherë përse duket sikur përfaqësuesit e BE-së sot nuk e nxisin, por e shkurajojnë përpjekjen për bashkim të shqiptarëve? Përveç efekteve të gjeopolitikës që mbeten të fuqishme akoma, një arsye tjetër, sipas Hotit është edhe frika nga e panjohura që mund të sjellë ndryshimi i kufijve mes shteteve ku jetojnë shqiptarët. Në përgjigje të kësaj frike, që është frikë e Evropës nga vetja, shqiptarët nuk duhet të përgjigjen duke shpallur se po heqin dorë prej bashkimit, por se bashkimin po e kryejnë në pajtim me parimet e lirisë, demokracisë dhe vetëvendosjes që qëndrojnë në themel të Evropës së sotme. Këtë gjë Hoti e theksonte në kohën kur në Kosovë kishte filluar lufta e armatosur kundër pushtimit serb (Biseda, 106-107).

Mendimi i Hotit priret të shquajë universalen te përpjekja kombëtare shqiptare. Pra jo bashkim paçka asaj që po ndodh në Evropë dhe në botë, por bashkim kombëtar sipas parimeve universale mbi të cilët po kryhet integrimi evropian dhe ruajtja e paqes dhe e rendit ndërkombëtar. Ai nuk e shtyp partikularizmin e çështjes shqiptare në emër të parullave universale (internacionalizmi komunist, globalizimi, integrimi evropian etj.), por e shtron detyrën kombëtare të shqiptarëve së bashku me detyrën që ata kanë ndaj bashkimit të Evropës dhe ndaj paqes e barazisë mes popujve dhe njerëzve në mbarë botën. Nëse integrimi i Evropës do të dilte nga kursi i universales dhe do të ndiqte linja partikulariste, si p.sh. shquarjen e identitetit fetar si bazë për pranimin ose jo të kombeve evropianë, atëherë Hoti përgjigjet se kjo gjë do të fuqizonte identitetin e tij kombëtar dhe evropian: “një gjë e tillë do ta përforconte mendimin tim se do të duhej të mbetesha ashtu çfarë isha dhe se nga ajo pozitë, tani, do të duhej të luftoja edhe për identitetin tim evropian, përveç atij shqiptar, në Evropë” (Biseda, 153).

Për fundin që është fillim

Qenia e Ukshin Hotit ishte e lidhur me kombin e tij. ai ishte ndër intelektualët e paktë shqiptarë që nuk e veçoi fatin vetjak nga ai i popullit. Edhe në fundin e jetës së tij ai nuk u nda nga martirizimi që po pësonte populli i tij. Ai nuk mund të ishte i lirë kur shqiptarë të tjerë po flijonin jetën për lirinë. Shkrirja e fatit vetjak me atë të popullit dhe të idealeve e bënte Hotin që në bisedën me Kadarenë të shkruante këto fjalë lapidare: “Me vrasje nuk mund të vriten të vërtetat dhe as idealet dhe as që mund të shuhen aspiratat legjitime të një populli të tërë. Vrasja nuk e tremb njeriun e idealit dhe as popullin e vetëdijesuar për veten” (f. 164). Ai nuk mund të bënte më shumë për kombin e tij. Zbulimi se si mbaroi jeta e tij dhe gjetja e rivarrosja e eshtrave të tij nuk është nderim për të, por është nderim i shqiptarëve për veten. Kombi duke nderuar dëshmorët nderon veten, sepse dëshmorët ia falën qenien e tyre kombit.

Ne sot mund te supozojmë se si do të ishte politika në Kosovën e pasluftës në rast se ai do jetonte. Këtë nuk mund ta dimë asnjëherë, por një gjë e dijmë me siguri: ai do të përkushtohej për republikën. Rruga e tij sapo ka filluar. Kosova duhet të bëhet me domosdo republikë sovrane. Që më pas të bashkohet me Shqipërinë siç e planifikonte Ukshin Hoti. Fundi i tij është fillimi ynë.

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: