Hyrje > Ballkanologji > Ortodoksizmi politik i diplomacisë greke

Ortodoksizmi politik i diplomacisë greke

Shaban MURATI

 

ORTODOKSIZMI POLITIK I DIPLOMACISË GREKE

Greek Orthodox Patriarch of Jerusalem Th

Një problem i ri shfaqet përpara diplomacisë shqiptare në ballafaqimet e saj të tanishme dhe të ardhshme me diplomacinë greke. Është një problem i ri, i paraqitur për herë të parë publikisht nga diplomacia zyrtare e Athinës në muajin gusht të këtij viti. Problemi është ortodoksizmi politik ose instrumentalizmi zyrtar i fesë ortodokse për zgjerimin dhe konsolidimin e influencës së Greqisë në një shtet fqinj.
Ortodoksizmi politik ose përdorimi i ortodoksisë për qëllimet e politikës së jashtme u sanksionua me qëndrimet e shpallura zyrtarisht nga diplomacia greke kundrejt Shqipërisë. Përmeti është eksperimenti i parë diplomatik dhe shtetëror i Greqisë për të sanksionuar proteksionin e Greqisë mbi ortodoksinë shqiptare. Reagimet e diplomacisë greke kundrejt Shqipërisë deri tani kanë qenë për çështje të minoritetit grek në Shqipëri, me synimin për zgjerimin territorial të tij. Por është hera e parë që dilet hapur nga diplomacia me pretendimin e proteksionit të Greqisë mbi ortodoksët e Shqipërisë. Në mënyrë të pashembullt kemi dy deklarata të njëpasnjëshme të Ministrisë së Jashtme greke për Përmetin, kemi një deklaratë të zëvendësministrit të Jashtëm grek në 25 gusht, që kërcënon se do të ketë pasoja për kursin europian të Shqipërisë, kemi thirrjen e ambasadorit shqiptar në MPJ të Greqisë, kemi një demarsh absurd diplomatik në Përmet të konsullit grek në Gjirokastër, për të mos përmendur përpjekjen për të ndërkombëtarizuar Përmetin me vënien në lëvizje të organizatave “vorio-epirote” në SHBA me peticione drejtuar presidentit Obama për Përmetin.
Ngjarja e Përmetit është një ngjarje e brendshme e Shqipërisë, nuk ka karakter fetar, por ligjor, dhe është përballje mes një grupi njerëzish, që nuk duan të zbatojnë ligjet e këtij shteti, dhe institucioneve, që përpiqen për zbatimin e këtyre ligjeve. Diplomacia greke e shfrytëzoi si pretekst për të dalë dhe për të pretenduar të drejtën e ndërhyrjes së saj, jo thjesht dhe vetëm në punët e brendshme të Shqipërisë, por në një drejtim të ri, që ajo nuk e kishte bërë hapur më parë. Ky është përdorimi i ortodoksizmit politik dhe dalja me një rivendikim fetar dhe gjeopolitik në Shqipëri.
Është me interes të nënvizohet se pretendimin për proteksionin grek mbi ortodoksët shqiptare, duke konsideruar çdo ortodoks shqiptar si grek, diplomacia greke e ka paraqitur si tezë, qëndrim dhe politikë të saj qysh në Konferencën e Paqes në Paris, për të kundërshtuar njohjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe për të rivendikuar të drejtën e kontrollit të saj mbi Shqipërinë. Në atë kohë, njerëz të shquar dhe intelektualë të mëdhenj ortodoksë si Mihal Turtulli, anëtar i delegacionit të Shqipërisë, i dhanë përgjigjet me efekte diplomatike e politike se Greqia nuk ka asnjë të drejtë mbi ortodoksët e Shqipërisë. Në një sesion të Konferencës së Paqes, në 27 shkurt 1919, Mihal Turtulli mbajti deklaratën lapidare se “Greqia i ngatërron gjërat. Ajo mendon se të krishterët, siç jam unë, janë grekë. Kjo është e pasaktë. Pretendohet se të gjithë ortodoksët janë grekë. Pse? Rusët, bullgarët, serbët, edhe pse janë ortodoksë, nuk janë grekë”.
Është hera e parë, qysh nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve në vitin 1971, që diplomacia greke del zyrtarisht me pretendimin e vjetër 100- vjeçar të proteksionit mbi ortodoksinë shqiptare. Ky zhvillim i ri duket se ka disa motive , të cilat shkojnë përtej ngjarjeve të Përmetit.
Së pari, me ndërhyrjen zyrtare në një problem shqiptar dhe në një sovranitet shqiptar, ku të dy palët që përplasen janë shqiptarë, diplomacia greke hap siparin e një veprimtarie të re të saj për ligjërimin e së drejtës si protektore e ortodoksëve të Shqipërisë. Deri tani, këtë të drejtë të protektorit e ka rivendikuar kisha greke, kurse tani del diplomacia greke.
Së dyti, duke dalë me qëndrimet dhe deklaratat e njëpasnjëshme zyrtare, diplomacia e Athinës synon që të sanksionojë një formë diplomatike dhe juridike të ndërhyrjes së saj. Është për të ardhur keq, që kryetari i Bashkisë së Përmetit pranoi të takohej me konsullin grek të Gjirokastrës për të diskutuar ngjarjet e Përmetit. Unë nuk kam informacion se kush ia ka këshilluar apo lejuar atij pranimin e demarshit diplomatik grek, sepse me Kushtetutë marrëdhëniet politike me shtetet e tjera nuk i zhvillojnë bashkitë dhe komunat, por drejtohen nga qeveria qendrore dhe Ministria e Jashtme. Me aktin e vizitës së konsullit grek për një problem të pastër brenda shqiptar, është hedhur një hap i gabuar, që mund të krijojë precedentin, që diplomacia greke të shfaqet si palë ose si arbitër në punët e brendshme të Shqipërisë.
Së treti, strategjia e diplomacisë së Athinës nuk është vetëm Përmeti, por shtrirja e së drejtës së funksionimit të ndërhyrjes greke në gjithë territorin e Shqipërisë, sepse në gjithë territorin e Shqipërisë jetojnë qytetarë të besimit ortodoks.
Së katërti, Përmeti mund të shfrytëzohet si shkas që veprimtaria diplomatike greke të shtrihet edhe në arenën ndërkombëtare për të gjetur përkrahje për proteksionin e saj mbi ortodoksinë shqiptare.
Nga vorbulla e kësaj fushate diplomatike drejt Shqipërisë është e kuptueshme se po krijohet një situatë, ose jemi në hapat e para të një situate, ku diplomacia greke mund të shkallëzohet në përpjekje për të patur zërin e saj edhe në institucionet ekzekutive dhe legjislative të shtetit shqiptar, dhe në emër të proteksionit për ortodoksinë të kërkojë statusin e një ndikimi të drejtpërdrejtë mbi funksionimin e shtetit shqiptar.
Natyrisht ka disa faktorë të brendshëm në Shqipëri, që kanë ndihmuar në krijimin e një situate të tillë të pakëndshme kombëtare dhe gjeopolitike, ku diplomacia greke del hapur me pretendimin e proteksionit të saj mbi ortodoksët shqiptarë. Faktori i parë i madh është heshtja e Kishës Ortodokse të Shqipërisë, e cila në emër të Autoqefalisë duhej të ishte e para që të dilte për të hedhur poshtë kujdestarinë e qeverisë dhe të diplomacisë greke për ortodoksinë shqiptare. Faktori i dytë i madh është dobësia e shtetit dhe e diplomacisë shqiptare, të cilët me kompleksin e tyre tradicional të inferioritetit nuk kanë ditur t’i japin përgjigjen e duhur kësaj ndërhyrje të re të diplomacisë greke në punët e brendshme të shtetit dhe të komuniteteve fetare shqiptare. Ka qenë dobësia e shtetit shqiptar, që ka sanksionuar një formë proteksioni grek mbi ortodoksinë shqiptare nëpërmjet legalizimit në protokollin zyrtar të ministrave dhe kryeministrave grekë gjatë vizitave në Tiranë të takimeve të tyre me kryepeshkopin grek të Kishës Ortodokse të Shqipërisë, në një kohë që ata nuk kanë takuar kurrë as kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe as Primatin Katolik të Shqipërisë. Qeverive shqiptare duhet t’u bënte pak përshtypje se ato nuk kanë pasur asnjëherë kërkesa për takime me kryepeshkopin e Kishës Ortodokse të Shqipërisë nga ministrat dhe qeveritarët e shteteve të tjera ortodokse si Bullgaria, Rumania, Maqedonia, Mali i Zi, Rusia, etj, gjatë vizitave të tyre në Tiranë.
Duhet theksuar se diplomacia greke e ndërmerr këtë uverturë të një politike arkaike të proteksionit mbi ortodoksinë shqiptare në prag të marrjes së detyrës nga qeveria e re e kryeministrit Edi Rama. Duket si një formë presioni e drejtpërdrejtë e diplomacisë greke mbi qeverinë e re për t’i kërkuar të ndjekë vijën servile të qeverive të mëparshme shqiptare në marrëdhëniet me Greqinë. Nuk është e rastit, që edhe përfaqësues të lobit grek në Tiranë ndërmorën në mënyrë të koordinuar sulme kundër politikës rajonale të formuluar nga Edi Rama, duke i kërkuar prioritarizimin e marrëdhënieve me Athinën.
Mesa duket në Athinë ende nuk e kanë mësuar se Shqipëria është shtet anëtar i NATO-s, dhe në Tiranë deri tani qeveria dhe diplomacia ende nuk janë ndërgjegjësuar se Shqipëria është shtet anëtar i NATO-s. Asnjë shtet i NATO-s nuk lejon proteksione të komuniteteve të veta fetare kombëtare nga shtetet e tjera. As Greqia nuk do të lejonte një proteksion fetar nga Bullgaria, nga Rumania apo nga Maqedonia. Fetë janë të ndara nga shteti, por nuk janë të ndara nga kombi, dhe ndaj ka edhe kisha kombëtare.
Ortodoksizmi politik i diplomacisë greke pritet të hapë përplasje të reja në marrëdhëniet me Greqinë. Si çdo lloj formë e keqpërdorimit të besimit fetar, që merret me politikë, ky fenomen duhet të marrë një “jo” të vendosur shtetërore qysh në fillim, për të dekurajuar dhe për të neutralizuar vazhdimin e hapave të mëtejshme të presionit dhe të proteksionit të çdollojshëm të diplomacisë greke. Diplomacia shqiptare e bëri këtë 100 vjet më parë. E ka më të lehtë ta bëjë sot.

Burimi: http://www.balkanweb.com/analiza/2689/ortodoksizmi-politik-i-diplomacise-greke-146891.html

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: