Kreu > Ballkanologji > Cila veshje duhet të skandalizojë vërtet Greqinë

Cila veshje duhet të skandalizojë vërtet Greqinë

Ruben AVXHIU

 

CILA VESHJE DUHET TË SKANDALIZOJË VËRTET GREQINË

 

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Sa hipokrit është reagimi i medias greke kundër një futbollisti shqiptar që në faqen e tij në Facebook kishte dalë me një fanellë “të UÇK-së”.
Trajtimi i Ergys Kaces sikur të kishte dalë me shenjat e ndonjë grupi terrorist është tipike e medias greke që siç thotë një fjalë e urtë a klishe në gjuhën shqipe: sheh qimen në syrine tjetrit po jo traun në syrin e vet.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka qenë asnjëherë terroriste. Ndërkohë që anëtarë të saj mund të kenë bërë krime ose abuzime, UÇK-ja vetë ka qenë një model i vetëpërmbajtjes dhe i dallimit të qartë mes armikut luftarak dhe civilëve të pafajshëm. Sikur të gjitha forcat kryengritëse e rebele në botë të ishin si ajo.
Por ironia më e madhe është se Greqia vetë ka qenë aleate me UÇK-në. Si pjesë e NATO-s Greqia mori pjesë në luftën kundër Jugosllavisë dhe çlirimtarët shqiptarë koordinuan veprimet e tyre me NATO-n. Millosheviçi kapitulloi në kohë, pa qenë nevoja e trupavë këmbësore, por harmonizimi NATO-UÇK kishte për të qenë shumë më i gjerë.
Në Greqi, mbase nuk dinë të mbledhin taksa e të tregojnë të vërtetën e financave të shtetit, po për të rishkruar historinë dinë ta bëjnë mirë. Grekët duan të kujtojnë se meqë bënë një numër demonstratash anakroniste e cinike në favor të fashistit Millosheviç, vendi i tyre nuk ishte palë në sulmin e NATO-s dhe aleate me UÇK-në.
Media greke duhet kujtuar për këtë punë. Territori i Greqisë ishte kyç për luftën. Vetë Greqia mund ta kishte ndaluar luftën duke vendosur veton kundër saj. Siç e vendosi veton kundër anëtarësimit në NATO të Maqedonisë, mund ta kishte vendosur edhe kundër luftës me Jugosllavinë dhe kundër ndihmës ndaj UÇK-së.
Çfarë bëri Ergys Kace për UÇK-në? Ai ishte një vogëlush kur UÇK-ja ekzistonte. Nëse media greke janë kaq të shqetësuar kundër UÇK-së le të merren me shtetin e tyre që i shërbeu UÇK-së, le të merren me diplomacinë greke që e vërtit sipas interesave të momentit. Fanella e Kaces është një punë private në llogarinë e tij në Facebook. Ata që përgjojnë fotografitë e djemve të rinj në rrjetet sociale dhe pastaj zbulojnë ndjenja patriotike duhet të nxirren në gazetë për të tjera arsye e jo për denoncime publike.
UÇK u shpërnda menjëherë pas luftës. Si asnjë organizatë tjetër kryengritëse që është bashkëfituese e luftës, ajo pranoi të çarmatosej brenda pak javësh, duke lënë armët në duar të KFOR-it, pjesë e të cilit ishin dhe janë ushtarët grekë. Ushtria nuk ezkiston më. Ajo që ekziston është paranoja ultranacionaliste greke që kur shfaqet kundër fëmijëve shqiptarë në shkolla greke, nuk është çudi që nxjerr kokën edhe kundër sportistëve.
Shqetësimi i bujshëm për simbolet e një ushtrie që nuk ekziston më prej 13 vitesh fsheh sentimentet anti-shqiptare e ksenofobike tradicionale të shoqërisë greke. Media dhe diplomatët e Greqisë ankohen shumë në Perëndim për neonazistët që u janë rishfaqur në politikë. Ata madje fajësojnë për ta shtrëngicat financiare që u janë veshur nga Perëndimi, nacionalizmin e fqinjëve etj. Mirëpo, e vërteta është se Greqia nuk është i vetmi vend me vështirësi të tilla. Neonazizmi në këtë vend ka dalë se ka gjetur përkrahje të natyrshme nga shoqëria greke.
Agimi i Artë nuk ka qenë ndonjëherë në pushtet në Greqi në gjysëmshekullin e fundit. Megjithatë, qeveri pas qeverie në Athinë vazhdojnë të mos njohin pakicat kombëtare në vend. Sipas Greqisë zyrtare, në vend nuk ka as shqiptarë, as maqedonas, as turq etj. Ka vetëm ortodoksë dhe myslimanë (turqve u lejohet të thonë fenë por jo kombësinë). Athina refuzon të dënojë krimet e aleatëve të nazistëve kundër popullsisë çame në fund të Luftës së Dytë Botërore, refuzon të heqë ligjin e luftës me Shqipërinë, refuzon të lejojë Maqedoninë që të hyjë në BE e NATO për arsye nacionaliste, etj. Çfarë do të bënte më shumë Agimi i Artë po të vinte në pushtet?
Agimi i Artë nuk doli nga asgjëja. Ai doli nga një shoqëri në të cilën emigranti nuk gjen dot punë nëse nuk pranon që ta thërrasin me një emër grek. Një shoqëri ku nuk bën dot “prokopi” nëse nuk pagëzohesh si ortodoks. Një shoqëri ku shumë shqiptarë flasin gjuhën e tyre me zë të ulët, e kur munden hiqen si grekë. Agimi i Artë po artikulon në mënyrë politike, atë që ka qenë normë në shoqërinë greke, por që nuk është pranuar asnjëherë publikisht nga figurat e vendit.
Media greke mund të vazhdojë të merret me fanellën kuqezi të një djali që ka vetëm një ëndërr, të luajë me top në fushën e blertë. Po ndërsa kalemxhinjtë e gazetave zbulojnë rrezikun e madh të 20-vjeçarit Kace, qindra mijëra grekë, duke filluar që nga shkollat fillore, po shijojnë veshjen e bluzave të zeza, po praktikojnë nderimin me dorën e shtrirë lart dhe po mësohen me shijen e dhunës kundër tjetrit.
Mes atyre bluzave të turpshme të luftës që po vjen, sa hipokrite është stuhia ndaj kësaj fanelle të pafajshme të luftës që ka ikur.

Burimi: http://illyriapress.com/cila-veshje-duhet-te-skandalizoje-vertet-greqine/

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: