Hyrje > Qytetërim islam > Të veçantat arkitekturore të xhamive të Iranit

Të veçantat arkitekturore të xhamive të Iranit

Mina RAHBARIAN-historiane

 

TË VEÇANTAT ARKITEKTURORE TË XHAMIVE TË IRANIT

(Xhamia e shkretëtirës në Isfahan)

Naghshe_Jahan_Square_Isfahan-iran

Pa dyshim, që çdo fenomen historik nuk ndodh pa pasur asnjë arsye, por kanë qenë një sërë faktorësh të cilët kanë çuar në shfaqjen e tij. Kjo na bën neve që përpara se të studiojmë një fenomen, në fillim duhet të vështrojmë faktorët të cilët çuan në zhvillimin e këtij fenomeni. Veprat arkitekturore janë një ndër këto fenomene historikë. Rrënojat dhe ndërtesat historike të çdo vendi, janë pjesë e identitetit, historisë dhe kurikulumit të një populli i cili ka jetuar në atë  periudhë kohore. Është e mundur që këto gjethe të cilat janë vyshkur dhe harruar me kalimin e kohës, të na tregojnë realitetin, jetesën dhe mentalitetin e njerëzve të cilët kanë jetuar në atë kohë.

Arkitektura në Iran, është treguese e variacioneve të shumta që kanë vërshuar përgjatë historisë në këtë vend. Pothuajse çdo periudhë kohore e rëndësishme është karakterizuar nga arkitektura e saj e veçantë, e cila sot vështrohet si një dokument krenarie e popullit iranian. Duke ditur që Irani ka qënë një shtet brenda kornizës gjeografike të territoreve islame, fenomenet e rëndësishme kanë ndikuar tek ai dhe janë ndikuar prej tij. Ashtu si të gjitha fenomenet e qytetërimit, as arkitektura nuk mund të zhvillohej vetvetiu.

Tre janë periudhat e mëdha të arkitekturës iraniane pas Islamit, të cilat i ndajmë; periudha Selxhuke (429-552 h.k) aty rreth viteve 1051-1174, e dyta është periudha Ilkhani (654-744 h.k) ose rreth viteve 1276-1366 dhe periudha e tretë ajo Safavide në vitet 1429- 1878 (907-1247 h.k). Sigurisht që ndarja në kategori e arkitekturës, si p.sh. selxhuke, mongole, timuriane dhe safavide nuk është një punë e lehtë dhe sipas pikëpamjes së artit të arkitekturës, kjo gjë është një lloj ndarje sipas dëshirës së një studiuesi apo arkitekti dhe është thjesht një titull për ndarjen e periudhave historike, pra të historisë së arkitekturës iraniane. Çdo lloj e stil arkitekturor është pasues i stilit të mëparshëm. Themelet e arkitekturës pasuese pak a shumë janë ndikuar nga ngjarje të rëndësishme të cilat i kanë falur atyre karakteristikat e veta (Godar, Veprat e Iranit, f 34-35).

Arkitektura iraniane ka marrë ndikime nga dy degë kryesore që janë: kultura lokale e Iranit para Islamit, dhe e dyta ndikimi nga jashtë kulturës lokale. Duhet thënë që rasti i parë e ka ruajtur rolin e ndikimit të tij. Kështu, krijimi i kupolave, mbi katër cepat e çdo verande apo oborri, e disa dekoracione, janë nga elementët kryesorë të përpara islamit. Po kështu dhe plani apo simetria e ndërtimit të xhamive dhe medreseve me katër veranda, është bërë në bazë të planit të hershëm i cili lidhet me periudhat Ashkani, Sasanide, dhe deri më herët në përiudhën e dinastisë Akamenide. Ndërsa në aspektin e dekorimeve, ne nuk hasim asnjë fenomen të periudhës islame, e kështu që ata i përkasin periudhës para-islame. Lidhur me këtë po japim dhe dy shembuj. Gdhendja dhe zbukurimet e ambjenteve të brendshme datojnë nga vitet 645-225 p.e.s. pra të periudhës Akameneide, ndërsa punimet në allçi i përkasin periudhës Sasanide.

Arkitektët iranianë pas përhapjes së Islamit në Iran, vazhduan traditën e hershme të arkitekturës iraniane dhe qysh në ato fillime ata ndërtuan ndërtesa me shumë llogjikë dhe të pëlqyeshme për arkitekturën islame. (Xhevadi, arkitektura iraniane f. 174-169). Me fillimin e periudhës islame, në zbukurimin dhe dekorimin e ndërtesave filloi dhe një kapitull i ri në historinë e arkitekturës. Kështu u shfaqën sërish lëndët e hershme, lëndë të cilat vinin nga kontaktet e vjetra me artin e kinez dhe atë helen. Po kështu dhe shpikja e zbulimi i teknikave të reja u fut shumë në artin e arkitekturës iraniane. (Pope, Arkitektura e Iranit, 132) Iranianët i përdorën të gjitha teknikat e reja, ngado që ato ishin, qoftë nga Azia Perëndimore, Mesopotamia, Asiria etj. Por këto teknika nuk ndikuan që dhe arti të shëndrrohej plotësisht, por ato ishin vetëm ndihmëse për të shprehuar sa më bukur artin iranian. Subjekti i këtyre veprave ishte i paqartë dhe i mistershëm, e kjo gjë i bënte ato më shumë tërheqëse. E sidoqofshin ato, tashmë janë pjesë e thesarit artistik të iranianëve (Pope, Arkitektura e Iranit, 134).

Bazat e arkitekturës islame të Iranit mund t’i ndajmë në pesë lloje: njerëzimi, shmangia nga kotësia, adhurimi, vetë-mbështetje dhe introversi.

Adhurimi në arkitekturën e të kaluarës, përkufizohej si përmbledhja e të gjitha gjërave (njerëzit) që shikonin ndërtesat. Adhurimi përfshinte stabilitetin e ndërtesës, teknologjinë e ndërtesës si dhe arredimin e brendshëm të saj. Vetë-mbështetje këtu është me kuptimin që ndërtuesit të përpiqen që të gjitha mjetet e nevojshme që duhen për ndërtimin e një vepre t’i marrin nga vendet më të afërta dhe me çmimin më të lirë. Introversi tek një ndërtesë, është me kuptimin e marrëdhënies së saj me ambjentin e jashtëm; d.m.th që ndërtesa ngrihej në atë mënyrë që të gjitha ambjentet e brendshme të saj të kenë lidhje direkte njëra me tjetrën. Për shkak të kushteve të veçanta klimatike në Iran, si thatësia, erërat e shumta, rërat lëvizëse etj., u ndërtuan ndërtesa ku ambjentet e tyre të brendshme të kishin lidhje njëra me tjetrën. (Pirnia, Arkitektura islame e Iranit, 91)

Në një vështrim të përgjithshëm mbi arkitekturën iraniane mund të thuhet se ajo ndikohet nga arti dhe letërsia e saj dhe kjo gjë i prezanton veçoritë e saj më mirë se çdo gjë tjetër. Atë gjë që në përgjithësi e kërkon artisti iranian, është bukuria e mendimit dhe e fjalës, dhe më shumë se kaq, është ndjenja e lehtësisë dhe rehatisë. (Godar, Veprat iraniane, f. 36-37)

Një nga veçoritë e arkitekturës së Iranit islam, është dhe marrëdhënia mes dekoracioneve dhe ndërtesës. Në arkitekturën e çdo periudhe, përputhja e ndërtesës me dekoracionet, çalon shpesh duke bërë që të ulet dhe vlera e ndërtesës.

Ndërsa disa nga veçoritë e arkitekturës islame të Iranit janë; përdorimi i tullave të llojeve të ndryshme në forma të ndryshme, përdorimi i gipseve, gdhendja e drurëve të  parvazëve, shkallëve, dyerve në forma shumë të bukura, përsëri veshja me dru të gdhendur i tavanit, përdorimi i metalit për dritaret, dhomat e miqve, dekorimi i dyshemeve, qeramika etj. (Pope, Arkitektura iraniane, 204)

Po kështu duhen përmendur dhe harqet e thyera në gjysëm lartësi. Duhet thënë që këto harqe janë ndërtuar në një mënyrë shumë komplekse. Ndërsa nga jashtë, ndërtesa është e zbukuruar me dekoracione të ndryshme, të cilat mbajnë mbishkrime të shumta. Në fillim për këto dekoracione përdoreshin tulla të vogla, por me hyrjen e shekullit të dhjetë, filluan të përdoreshin pllakat prej qeramike. Pllaka iraniane ka një cilësi të pakrahasueshme. Ajo është e lëmuar, i reziston kohës dhe ruan ngjyrën e saj.

Ngjyrat e tyre janë bojëqielli, e verdhë, jeshile dhe gri. Dekoracionet kanë të bëjnë kryesisht me lule dhe bimë të tjera duke u paraqitur në formën e tyre natyrale. Ndërsa zbukurimet simetrike përdoreshin shumë nëpër shkollat e tjera, ato kishin një përdorim shumë të paktë në Iran. Ndërsa në mes të verandave apo oborrit të xhamive gjendet dhe një vazo e madhe e cila është e mbushur me ujë. (Hug, Stilistika e artit të arkitekturës, 221)

Sidoqoftë, secili mbret apo sulltan, ka urdhëruar ndërtimin e veprave sipas dëshirës dhe shijes së vet. Në këtë tekst kemi për qëllim që të sjellim si shembull një prej veprave e cila ka rezistuar deri më sot, që është e periudhës Ilkhani dhe gjendet në lindje të zonës Zajande-Rud.

Rrënojat e shumta që gjenden në lindje të rajonit Zajande-Rud të cilat i përkasin kohëve shumë të hershme dhe atyre të afërta me kohën tonë, tregojnë se kjo zonë në të kaluarën ka qenë një rajon shumë i gjallë dhe i zhvilluar. Mirëpo sot ata janë larg zhvillimit, dhe shumica e fshatarëve atje merren me bujqësi. Sigurisht, që me kushtet e tanishme, ku vihet re mungesa e theksuar e ujit të lumit Zajande, është e mundur që në një kohë të shkurtër shkretëtira të fitojë terren duke i shkretuar dhe tokat e tanishme bujqësore.

 

Fshati i shkretëtirës

 

Fshati i shkretëtirës, është një fshat i cili sot gjendet në zonën jugore të Iranit dhe është i rrethuar nga shkretëtira. Xhamia e Shkretëtirës, gjendet po në këtë fshat. Kjo xhami është në krah të autostradës, rreth 19 km në jug-lindje të qytetit të Esfehanit, në bregun jugor të lumit Zajande. Si shumë ndërtesa dhe rrënoja të kësaj zone, dhe kjo ndërtesë nuk ka datë të shkruar se kur është ndërtuar. Në bazë të hulumtimeve të arkeologut dhe arkitektit Uibler, kjo xhami është ndërtuar rreth vitit 1325. (Wibler, Arkitektura islame e Iranit në periudhën Ilkhaniane, 111)

 

Xhamia e Shkretëtirës

 

Një nga xhamitë e vendosura në  lindje të lumit Zajande është dhe Xhamia e Shkretëtirës, e cila mund të ketë tërhequr vëmendjen më të madhe të autoriteteve zyrtare. Një ndër këto arsye është dhe pozicioni i saj në krah të autostradës, e cila lidh Esfehanin me lindjen. Një arsye tjetër e rëndësisë së saj, është dhe afërsia e kësaj xhamie me qytetin e Esfehanit.

Sot për sot, rrënojat e kësaj xhamie gjenden në një metër lartësi mbi sipërfaqen e tokës. Është një mur prej tullash rreth 1.5 metra i lartë dhe mbi të gjendet një rrjetë hekuri.

Xhamia e Shkretëtirës, ka kupolën dhe ambjentet e tjera të saj të zëna nën vete, dhe ka një sipërfaqe relativisht të vogël. Diametri i kupolës është 9.8 metra ndërsa oborri i saj është i gjerë 9.6 metra. Mihrabi i kësaj xhamie ka qenë i punuar me allçi, i cili është dëmtuar jashtë mase dhe sot me shumë zor mund të dallohet. (Grupi i arkeologëve gjermanë, raport arkeologjik në Iran, 300) Kjo xhami është rregjistruar me numrin 347 si vepër kombëtare e Iranit. (Mashkuti, rrënojat historike dhe vendet antike të Iranit, 36)

Organizata e trashëgimisë kulturore të Iranit, si datë ndërtimi të Xhamisë së Shkretëtirës ka caktuar shekullin 14. Xhamia e Shkretëtirës është vendosur në bregun jugor të lumit Zajande, dhe nga çdo anë ajo është e ngjashme me  xhaminë Kaxh e cila gjendet në veri të shtratit të lumit Zajande. Në disa vende të tjera thuhet se kjo xhami i përket shekullit 15. Kjo xhami ka pasur dhe ndërtesa të tjera përreth si dhe minare, gjëra të cilat janë shkatërruar plotësisht. Sot tek kjo xhami, nuk vihet re asnjë lloj shënimi, datë apo fjalë. (Honarfar, Thesaret e veprave historike të Esfehanit, 288)

Ndërsa Rafi Mehr-Abadi në librin e tij “Veprat kombëtare të Esfehanit” thekson se nën tavanin e kupolës së kësaj xhamie lexohen fjalët “Allah”, “Muhammed” dhe “Ali”, siç shkruhet dhe viti 1335.

Uibleri lidhur me mënyrën e ndërtimit të kësaj xhamie, thotë diçka interesante: “Nga vetë ndërtesa mund të kuptojmë se çfarë ka ndodhur. Në kulmin e fuqisë së Ilkhanive, u vendos që në krah të qytetit të Esfehanit dhe lumit Zajande të ngriheshin disa ndërtesa banimi. Kështu u fillua ndërtimi në tre faza. Faza e parë ishte ndërtimi i xhamisë e cila ishte qendra dhe bërthama e fshatit. Pas disa muajsh nga fillimi i punës, një ngjarje shumë e cekët u bë shkak i ndërprerjes së punimeve. Pastaj puna filloi sërish dhe u përfundua. Përveç kësaj u lanë pa shkruar datat e ndërtimit. Kjo gjë erdhi si rezultat i ngjarjeve lokale ose i gjendjes ekonomike lokale, ose thjesht nga mos interesimi i pushtetit lokal. (Wibler, Arkitektura islame e Iranit në periudhën Ilkhani, 175)

Lidhur me ndërtimin e Xhamisë së Shkretëtirës ekziston dhe një teori tjetër. M. Smith thotë se kjo xhami është prishur në vitin 1915. Ai thotë se u vendos të ndërtohet një xhami ashtu si xhamia Kaxh, e cila dhe ajo të ishte mbi shkretëtirën në një nivel rreth 1.5 metra të lartë. Puna filloi mirëpo, xhamia nuk e kaloi lartësinë prej 4-5 metrash. U parashikua që xhamia nga çdo anë të ishte e njëjtë mirëpo edhe kjo gjë nuk u arrit, përveç një pjese të vogël e cila mund të vihet re në krahun perëndimor. E tërë puna pati një ndërprerje pastaj u fillua sërish. E gjithë puna pastaj u mbarua në kohën e Safavidëve. Sërish për neve nuk bëhet e qartë nëse oborri i xhamisë është nisur që të ndërtohet në formë katrore apo rrethore. Koha e ndërprerjes së punimeve mund të vihet re nga rrënojat, si dhe veprat e tjera tregojnë për kalimin e një periudhe jo të këndshme. Ka shumë mundësi që kjo xhami të jetë ndërtuar në periudha të ndryshme kohore me një gjatësi prej 15 vjetësh dhe në mënyra të ndryshme, pra gjatë kohës kur Esfehani sundohej nga mbretër të ndryshëm.

Xhamia e Shkretëtirës përbëhet nga konaku me kupolë, korridori dy kalimesh, dhe një  portë hyrëse (Uibler, Arkitektura islame e Iranit e periudhës Ilkhani, 175). Kupola e kësaj xhamie është në një gjendje të mirë. Muret e konakut janë dëmtuar, dhe pjesa tjetër nuk ka një gjendje të mirë. Krahu perëndimor dhe lindor i këtij konaku është prishur fare. Dyshemeja e kësaj ndërtese është prej balte. Dekorimet e brendshme të saj po restaurohen nga ana e zyrës së trashëgimisë kulturore të Esfehanit. Po kështu në një pjesë tjetër të murit të saj vihen re tullat e rrëzuara njëra me tjetrën të cilat do të restaurohen kur të gjendet një buxhet për to. Në pjesën veriore të saj janë mbjellur disa pemë dhe lule. Kjo xhami ashtu si dhe xhamitë e tjera afër saj, vizitohet shpesh nga vizitorë të ndryshëm, dhe kjo gjë është një privilegj i madh për ruajtjen e mëtejshme të tyre.

Sidoqoftë, në mesin e xhamive të periudhës Ilkhani, Xhamia e Shkretëtirës është ruajtur më e shëndetshme dhe ka pasur më shumë shërbim. Duke e krahasuar gjendjen e tanishme të saj me fotografitë e marra nga Uibler, një pjesë e madhe e rrënojave të kësaj xhamie kanë humbur. Por në gjendjen e tanishme, një pjesë e madhe e vendeve të dëmtuara të saj janë restauruar. Ndoshta dëmtimi më i madh i saj ka ndodhur nga viti 1943 deri në 1963. Duke parë rregullimet e shumta që janë bërë në të, vihet re shumë mirë se ato janë bërë në një mënyrë jo të duhur dhe të pambështetur në bazat e ruatjes së veprës origjinale.

 

Përktheu nga persishtja:

Skerdi MAHMUTAJ

 

/Orientalizmi Shqiptar/

 

Referenca:

Pope. A. Arkitektura iraniane, botimi i dytë, Teheran, 1990

Purnia, Muhammad Kerim, Arkitektura islame e Iranit, botimi i tretë, Tehran, 1994.

Xhavadi, Arkitektura e Iranit, botimi i parë, Teheran 1986

Rafii, Mehr Abadi, Abol-Kasem, Veprat kombëtare të Esfehanit, botimi i parë, Tehran, Iran 1974

Siro, Maksim. Rrugët e lashta të krahinës së Esfehanit dhe rrënojat e saj, Iran 1978

Kazvini, Hamdullah Alkalub, Teheran, Bota e librit, 1984

Godar, Andre dhe të tjerët, Veprat e Iranit, botimi i tretë, Mashhad 1996

Mashkuti, Nusrullah. Rrënojat historike dhe vendet e lashta të Iranit, Teheran

Wilber, Donald Njuton, Arkitektura islamike e Iranit në periudhën Ilkhani, 1996

Honarfar, Lutfullah, thesare të veprave historike të Esfehanit, 1970

Hug Xh, etj., Stilistika e artit të arkitekturës, Teheran 1996

Grupi arkeologjik gjerman, raporte arkeologjike në Iran, 1976.

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: