Hyrje > Kosova > Si mund të bëhet ky vend

Si mund të bëhet ky vend

Dr. Milazim KRASNIQI

 

SI MUND TË BËHET KY VEND

Dr. Milazim Krasniqi

Dr. Milazim Krasniqi

Kosova sot është një vend bukur shumë i degraduar nga varfëria e madhe e një pjese të banorëve, të cilët po provojnë të ikin nga sytë këmbët, duke përfunduar në mjerim edhe më të madh në kampet e Hungarisë. Kosova sot është një vend i degraduar edhe nga papunësia enorme, nga mosrespektimi i ligjit, nga dëmtimi i ambientit dhe nga mungesa e shpresës për të ardhmen. Përshkrimi i këtyre niveleve të degradimit mund të bëhet gjerësisht dhe në detaje, por ai nuk e zgjidh problemin, nuk jep përgjigje në pyetjen se a ka zgjidhje për problemet e saj. Prandaj, kësaj radhe, në vend të përshkrimit, do të përpiqem të jap një version se si mund të fillojë zgjidhja e këtyre problemeve.

1. Qeveria e vendit duhet që krahas shumëfishimit të subvencioneve për tokën e punuar dhe për mbajtjen e bagëtive, të fillojë një proces të menjëhershëm të trajnimit të bujqve të rinj anekënd vendit. Këto trajnime mund të mbahen nga ekspertë vendas, por edhe nga ekspertë që do të vinin nga vende të rajonit, me përparësi nga Shqipëria e nga Maqedonia, edhe për shkak të disa përvojave të reja që po aplikohen në këto vende e edhe për arsye se nuk ka barriera gjuhësore. Ky proces trajnimi e shkollimi do të duhej të shoqërohej edhe nga një radiografi e tokave bujqësore, duke u dhënë bujqve informata për cilësinë e tokës përkatësisht për pemët, perimet ose drithërat që u përshtaten më shumë cilësive të tokës bujqësore. Me këtë përshtatje të planifikimit bujqësor në pajtim me cilësinë e tokave, do të mund të kalohej në konceptin e bujqësisë si biznes, i cili do ta rriste prodhimin dhe do të motivonte ngritjen e mirëfilltë të industrisë së përpunimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale. Ngritja e kësaj industrie do të duhej të bëhej duke u dhënë përparësi e lehtësira të shumta bashkatdhetarëve tanë që duan të investojnë e të kthejnë kapitalin e tyre në Kosovë.

2. Ngritja e shkollave të mesme bujqësore dhe forcimi i Fakultetit të Bujqësisë, duke rritur numrin e kuadrit e numrin e studentëve dhe rritjen e buxhetit të tij, do të ndihmonin në ndryshimin e shpejtë të gjendjes së mjerueshme në bujqësinë dhe në blegtorinë e vendit tonë. Të rinjtë e talentuar duhet të inkurajohen që të shkojnë në shkolla bujqësore dhe të studiojnë në Fakultetin e Bujqësisë, sepse është njëra nga degët kryesore të ekonomisë, që siguron punësim dhe zhvillim më të shpejtë të vendit.

(Qoftë dhe vetëm mbledhja e bimëve dhe frutave mjekuese, nëse do të krijohej lidhja me industrinë farmaceutike, do të ndikonte në punësim e lëre më i gjithë spektri i prodhimtarisë bujqësore e blegtorale dhe përpunimit të saj.)

3. Universitetet publike duhet të departizohen e të depolitizohen tërësisht dhe të lihen që ta ushtrojnë autonominë e vet, me çka do ta rrisnin edhe cilësinë e studimeve e edhe dinjitetin e studiuesve që punojnë në to. Universitetet me autonomi të plotë, do të orientonin hulumtimet e veta drejt problemeve akute që ka ekonomia dhe shoqëria, me çka do ta rrisnin partneritetin me kompani dhe korporata të interesuara për hulumtimin e tregut dhe problematikave me të cilat ato janë të preokupuara. Shkurt e shqip, me rritjen e dukshme të cilësisë së studimeve dhe të hulumtimeve në universitete, përmirësohen ekonomia dhe demokracia në vend.

4. Kthimi trurit mund të jetë një promotor i zhvillimit të vendit tonë. Janë me mijëra djem dhe vajza të familjeve të bashkatdhetarëve tanë në mërgata, që kanë kryer universitete anekënd Evropës dhe SHBA-ve. Ata janë shkolluar me paratë e familjeve të veta, ndërsa Kosova e ka rastin që shumë prej tyre, të atyre që duan të vijnë, t’i merr si kuadro të gatshme. Kthimi i tyre do ta ngriste cilësinë e punës dhe etikën e punës dhe do të motivonte për punë më të përgjegjshme edhe vendasit. Përzgjedhja mund të bëhet sipas nevojave imediate që ka ekonomia dhe shoqëria, me theks te ekspertët e bujqësisë, inxhinierisë, matematikës, shkencave kompjuterike. Por, kjo bëhet vetëm me vullnet dhe me projekt. Tash për tash të dyja mungojnë (Sivjet pamë se me politikat qeveritare, gjatë verës në vend u sollën me dhjetëra poetë nga diaspora. Mirë që u sollën edhe ata, por të vetëquajtur poetë ka në këtë vend për eksport.).

5. Turizmi dimëror dhe i fshatit kanë një perspektivë të shkëlqyeshme në vendin tonë. Nëse do të eliminoheshin barrierat administrative dhe korrupsioni, do të mund të rritej interesimi i investitorëve për këtë fushë. Terrenet për skijim janë të mrekullueshme në shumë zona të vendit, prandaj ato mund të bëhen atraksion i vërtetë turistik. Edhe disa nga fshatrat e vendit tonë, mund të paraqesin kuriozitet për turistë. Ndërsa zhvillimi i kësaj dege të turizmit, në mënyrë direkte do të ndikonte edhe në zhvillimin e blegtorisë e të bujqësisë. Por, në Kosovë duhet të hapen edhe shkolla të mirëfillta për kamerier e për të studiuar turizmin, sepse shërbimet që ofrohen sot për sot në hotelet dhe në restorantet e vendit tonë, janë jashtë standardeve.

Konkluzioni ynë është se fshati i ndryshuar dhe universitetet e ndryshuara, mund ta ndryshojnë edhe politikën në këtë vend. Meqë në Kosovë nuk ka as elita sindikale, as elita fetare e as ushtarake, që do të mund të kishin ndonjë ndikim në ndryshimin e gjendjes, pra, mbeten vetëm fshati dhe universitetet, që ta ushtrojnë këtë mision. Është mision i vështirë meqë si ndryshimi i fshatit ashtu edhe i universiteteve, janë në dorë të politikës. Por, ia vlen të provohet që të dilet disi nga ky rreth. Hungaria me kampet e saj të frikshme, ku më së shumti po përfundojnë të rinj nga fshati, në asnjë variant nuk është zgjidhje e asnjë problemi. Si ndryshimi pozitiv i gjendjes në shoqëri, si kërkimi i fatit më të mirë të gjithsecilit, duhet të kërkohen e të realizohen këtu, në vendin tonë, për të cilin është bërë një rezistencë sublime çlirimtare nga një popull i tërë. Nuk mund të hiqet dorë nga e ardhmja e tij, tash kur ajo e ardhme është më lehtë e realizueshme. Duhet vetëm më shumë dije e më shumë vullnet.

14 gusht 2013

Burimi: http://www.standard.al/si-mund-te-behet-ky-vend/

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: