Kreu > Mesele botërore > Diktatori

Diktatori

Dr. Mustafa BAJRAMI

 

DIKTATORI

Dr. Mustafa Bajrami

Dr. Mustafa Bajrami

Përgjatë përpilimit të këtij studimi janë konsultuar fjalorë, leksikonë dhe enciklopedi të ndryshme. Ndër kryesorit janë pesë: Leksikoni i Vujaklisë, Enciklopedia e kulturës politike, Enciklopedia e Didros dhe D’Alambertit si dhe Leksikoni i terminologjisë politike të R. McBrain. Ndihmesë ka dhënë edhe “Logical Fallacies”, vepër logjike e autorit të këtij shkrimi.

Si shkas për këtë studim është udhëheqësia e tanishme e Bashkësisë Islame, ndërsa përfitues jemi të gjithë ne; shkruesi dhe lexuesit!

Diktatura (lat: dictatura) nënkupton pushtetin e pakufizuar të një njeriu ose të një grupi njerëzish që monopolizojnë pushtetin dhe nëpërmes tij realizojnë interesat dhe qëllimet e veta. Si sistem politik, i kundërt me demokracinë, rrënjët i ka në kulturën politike romake.

Sipas F. Nojman (Neumann) dhe K. Shmit (Shmit), “diktatori” romak nuk kishte kuptim negativ, por real-politik. Për dallim nga sot, pushteti i diktatorit të atëhershëm kufizohej në mandat (jo më shumë se gjashtë muaj) dhe në ingerenca (nuk kishte të drejtën e ndërrimit të kushtetutës e as amendamentimin e saj, nuk kishte të drejtën e shpalljes së luftës, nuk ndërhynte në jetën publike e as që kishte mundësinë e ngritjes së taksave).

Puna kryesore e tij ishte mbrojtja e kufijve të shtetit, ruajtja e rendit republikan si dhe shtypja e kryengritjes popullore. Diktatori i zgjedhur duhej të ishte fytyrë publike ose të vinte nga rendi i konsujve. Pas skadimit të mandatit, diktatori kthehej nga kishte ardhur; fytyrë publike ose konsull në senat. Ky lloj i pushtetit, sipas K. Shmit quhej “diktaturë e deleguar”.

Në kulturën politike greke termi “diktaturë” nuk njihej ani pse rendi politik i Greqisë ishte i afërt me atë të Romës së mëvonshme. Pambasilea i përngjiste rendit diktatorial por nuk ishte diktaturë, sepse, me gjithë pushtetin sovran që kishte, ndikimi i pushtetit të fisit dhe polisit në shoqëri ishte i madh. Në shkrimet e Aristotelit përmendet edhe aisumnetieia, “formë zgjedhore e tiranit”, e që, në fakt, ky sistem politik i përkiste popujve jo-helen. Jo-grekët për grekët ishin popuj barbarë.

Sipas Ibn Haldun, shoqëritë myslimane i udhëhiqte një , “diktaturë” e llojit të despotizmit teokratik, në të cilin, njashtu sikur ngjanë sot në demokracitë perëndimore që lideri partiak nuk mund të flet para qytetarëve kundër qytetarëve, elita politike myslimane e as opozita nuk kishin mundësinë të kundërshtonin politikat shtetërore sepse pretendohej se ligji dhe kushtetuta e shtetit bazoheshin në mësimet e Kuranit dhe në përvojën e profetit të Zotit.

Edhe sot, gati në të gjitha shoqëritë ku feja luan rol të rëndësishëm në jetën shoqërore, sidomos në shoqëritë myslimane, kritikat drejtuar institucioneve fetare klasifikohen si kritika ndaj fesë, ndaj janë të vështira sa për të dhënë efekte pozitive. Liderët fetarë, në këso situata, edhe nëse të korruptuar thellësisht kalonin më së miri.

Nëpër teori të ndryshme politike fjala diktaturë sikur edhe fjalë tjera që shprehin regjimete egra nuk kanë gjithnjë të njëjtin kuptim, andaj janë të paqarta dhe joprecize. “Është shumë e çuditshme që ne ende nuk kemi teori të mirëfilltë sistematike të diktaturës” shkruante e Nojman (Neumann).

Sipas tij, fjala diktaturë nënkupton jo vetëm tiraninë por dhe despotizmit. (Despotizmi ka të bëjë me kulturën politike orientale dhe gjysmë-orientale i cili mbështet në principin e “frikës” (Monteskje) dhe të “terrorit” (Vitfogel). Përderisa teoritë politike bashkëkohore “të prera” shpjegojnë se “diktatura” ka të bëjë me shtetet para shek. XVIII, teoritë “liberale” termin diktaturë e përdorin për të shprehur egërsinë e “praktikës jo-konstitucionale”. Tek rasti i parë diktatura shprehet tradicionalisht, tek rasti i dytë krijohen ligje politike që arsyetojnë mandatin e pakufizuar të pushtetit të udhëheqësit në mënyrë kushtetuare.

Duke hulumtuar leksikonët dhe enciklopeditë politike (në gjuhën shqipe mungojnë në masë të madhe) kemi vërejtur se me fjalën “diktaturë” nënvizohen të gjitha format e mundshme të pushtetit autokrat, duke përfshi gjitha llojet e shtypjeve politike si, despotizmi oriental, tirania greke, diktatura romake, cezarizmi në qytetet mesjetare si dhe format post-konstitucionale si, diktatura e proletariatit. (F.Gj.S. Shqipe çuditërisht dhe për shkaqe ideologjike diktaturën e proletariatit e definon si “mbrojtës i interesave të punonjësve dhe është tipi më i lartë i demokracisë!”). Me gjithë emërtimet e ndryshme që i jepen nëpër kohë si “progresive”, “autoritare”, “revolucionare”, “individuale”, “kolektive”, “kushtetuese”, “jo-kushtetuese”, “e deleguar”, “sovrane”, diktatura mbetet diktaturë.

Sipas përshkrimeve të dy enciklopedive të njohura të Didroit dhe të D’Alambertit, në rrafshin teorik, “diktatura” nënkupton variantin romak ndërsa në rrafshin empirik, për modele merren Sule, Cezari dhe Augustini. Ky i fundit, sikur edhe Neroni, kishte të drejtën e suspendimit, dënimit, e deri në vrasjen e cilit do qytetar pa asnjë procedurë gjyqësore paraprake.
Makiaveli (Machiavelli) kishte qëndrim “pozitiv” ndaj diktaturës. Diskursi i tij për konzulët tek “Sundimtari” tingëllon çuditshëm: “Bëni çka të doni por mos dëmtoni republikën”. Edhe Ruso (Rousseau) shkruante se diktatura duhet kuptuar brenda kuptimeve politike klasike që në fakt ishte suspendimi i gjitha formave të ligjit. Monteskje (Montesquieu) dhe Robespier (Maximilien de Robespierre) mendonin se diktatura paraqitet në dy format e vetme të mundshme dhe tejet të shëmtuara; despotizmi dhe diktatura totalitare.

Zhan Bodeni (Jean Bodin) përdorë termin diktaturë për të nxjerrë kuptimin e qartë të sovranitetit. Si terme të kundërta mes vete, “diktatura” dhe “sovraniteti” nënkuptojnë përvojën romake të pushtetit të kufizuar (i pari) dhe “fuqinë e pakufizuar të pushtetit” (i dyti). Është i njohur studimi i Bodenit për llojet e monarkisë dhe tiranisë. Sipas tij, “monarkia vazale” është më e keqja. Ajo ka pushtet të përjetshëm dhe mbështetet vetëm në dhunë dhe urrejtje. Monarku është sundues që udhëhiqet nga “e drejta hyjnore”, thoshte ai. Për dallim nga monarku, tirani ka fuqi dhe sundim absolut por gjithnjë sipas interesave personale dhe të familjes së vet.

Bota bashkëkohore u ballafaqua me dy lloje diktaturash; cezarizmi dhe diktatura totalitare. Karakteristika kryesore e të parit është “pushteti i personalizuar”. Për dallim nga regjimet tjera negative, këtu vendos pushtetari i cili në bazë të “teknologjisë autoritare” aplikon sistemin rudimentar-demokratik (plebishitar) të legjitimitetit.

Cezarizmi, në prapavijë mbështetet në forma protektoniste dhe paternalistike ashtu që masat politizohen deri atje sa ndjehet nevoja për formulimet më egalitariaste të cilat krijojnë iluzion tek masat se kinse janë pjesëmarrëse me rëndësi në “ngjarje të mëdha politike”. Në fakt, në prapaskenën e pushtetit fshihet vullneti për pushtet autoritar i një njeriu. E përshkojnë elementet e demagogjisë politike. Cezarianizmi kundërshton institucionalizimin e pushtetit politik. Është e njohur fjalia e Napoleonit: “Vetëm unë jam përfaqësuesi i popullit, pushteti im është karriga ime ku jam ulur para tij”.

Lloji i dytë i diktaturës moderne është totalitarizmi i shprehur nga dy modelet kryesore si fashizmi dhe stalinizmi ku rëndësi të madhe i jepej shkrimit të literaturës për interesa politike. Njihet si pushteti anti-demokratik më represiv që ka njohur njerëzimi. Dhuna policore, sigurimet sekrete, spiunimi, shantazhi dhe shpifja janë format më efikase të diktaturës totalitare. Sipas H. Arendt, ngulfatja e lirive të njeriut është pika më e zezë e saj ndërsa shkatërrimi i ndarjes horizontale dhe vertikale të shtetit qon kah principi i federalizmit fasadë ku pluralizmi simultativ zëvendëson pluralizmin politik. Diktatura ideologjike totalitare promovon ekzistimin e shtetit një partiak.

Totalitarizmi shkatërron traditën politike dhe kulturore të një vendi ndërsa format kryesore me ndihmën e të cilave kontrollon shoqërinë civile janë: a) sistemi i nomenklaturës, b) atomizmi dhe izolimi i individit, c) shkatërrimi i të gjitha formave të ndërhyrjes nëpërmes të cilave shoqëria mbrohet nga pushteti politik i pakontrolluar dhe arbitrar, d) transformimi i kulturës në propagandë.

Diktaturat moderne bëjnë përpjekje në gjetjen e ligjshmërisë për të justifikuar qëndrimet e tyre kinse me procedura demokratike si “kusht minimal” i legjitimitetit. Këto pushtete i përshkon elementi subjektivist si legjitimitet plebishitar. Është interesante për diktaturat moderne se ato manifestohen edhe në institucione jo-shtetërore. Diktatorët që udhëheqin ato nuk respektojnë as kushtetutën e as rregulloret e punës, ndërsa këshillimet ligjore që në fakt u mungojnë i përdorin si farsë idiotësie. Pavetëdijshëm cenojnë interesat e përgjithshme të shoqërisë, shtetit dhe kombit. E keqja më e madhe arrihet kur ky sistem menaxhimi “lyhet” me ngjyrë fetare dhe kështu, duke u “fshehur” veprimet e lidershipit nën mburojën e institucionit, vetes i siguron imazhe që frikojnë jo-guximtarët. Këtë formë diktatoriale për dekada e kishte përdorur sidomos komunizmi.

Psikologjia dhe shpirti i diktatorit

Në rrafshin psikologjik, “sëmundja” e diktatorizmit tek disa persona është e lindur, andaj, të tillët duhet larguar sa më shpejt nga pushteti. Zakonisht vijnë nga familje ku fëmijëria e tyre është e përcjellë me dhunë dhe probleme familjare, kështu që, në mosha më të shtyera theksohet ndjenja për dhunë dhe shtypje ndaj të tjerëve.

Sipas një studimi të bërë nga një grup psikologësh amerikan, sa më gjatë që personat e tillë rrinë në pushtet aq më shumë u rritet nevoja për diktaturë dhe aq më shumë bëhen të rrezikshëm. Ndodh shpesh të jenë viktima të lëvdatave nga familjarët, zakonisht nga bashkëshortet por edhe nga bashkëpunëtorët interesat e të cilëve lidhen ngushtë me diktatorin.

Burimi: http://zeri.info/artikulli/14949/diktatori

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: