Hyrje > Aktivite kombëtare, Vilajetet shqiptare > Ittihâd-ı Arnavut apo Bashkimi Shqiptar

Ittihâd-ı Arnavut apo Bashkimi Shqiptar

Kushtrim SHEHU

 

ITTIHAD-I ARNAVUT APO BASHKIMI SHQIPTAR

Lidhja e Prizrenit

Lidhja e Prizrenit

Pikërisht në shek. XIX. pjesëtarë të komunitetit shqiptar njëherit figura elitare të shoqërisë osmane ndjenë nevojën dhe u vetobliguan për një riorganizim shoqëror shqiptar.

Në momentet kur ekzistenca shqiptare që nga rënia e Perandorisë Osmane gjendet në situatën më të favorshme historike për një konsolidim shoqëror, burim frymëzues i këtij konsolidimi ka mundësi të jetë mendësia politike shqiptare e periudhave më të hershme. Aktualiteti politik shqiptar i tanishëm qartazi është i fragmentarizuar. Shqipëria synon integrim të pavarur në instancat euroatlantike, ndërsa Kosova si shtet i ri detyrimisht mundohet të ndjekë një kurs të njëjtë. Në anën tjetër, shqiptarët jashtë këtyre dy shteteve integrimin euroatlantik e shohin po ashtu si pjesë të kornizave synuese të shteteve në të cilat jetojnë. Shoqëria shqiptare në të pesë shtetet që ndodhen në Europën Juglindore është në mungesë komunikimi dhe koordinimi. Politikat e tyre bëhen të ndara. Synimet janë të ndryshme dhe, në mungesë të një vullneti dhe mundësie për faktorizim shqiptar, ndjekja e një politike të tillë i bën hyzmet dobësimit të shqiptarëve si tërësi. E kaluara e një shoqërie domosdoshmërisht duhet të shërbejë për ravijëzimin e së ardhmes. Mes së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes, ekzistuese dhe e përjetuar është vetëm relacioni e shkuar – e tashme. E ardhmja është hapësirë veprimi vetëm e këtyre dy të fundit.

 

Procesi i kombëtarizimit

 

Shoqëria shqiptare në të dy shekujt e kaluar së bashku me modernizimin filloi edhe procesin e kombëtarizimit, gjegjësisht shqiptarizimin e saj. Në këtë periudhë kohore shoqëria shqiptare përjetoi vetëdijesimin e qenies së vet. Një qenësim shqiptar ishte nevojë imediate për të qenë e përgatitur përballë ndryshimeve që i solli kjo periudhë. Në kohën kur zuri vend ideja e shqiptarizmit, si edhe në të kaluarën, shqiptarët ishin komunitet etnik i Perandorisë Osmane, komunitet i integruar dhe i njohur me veçoritë e tyre dalluese, pikërisht me identitet të tyre. Shekulli XIX solli ngritje të vetëdijes shqiptare me natyrë politike, e nevojshme për rendin e ri politik botëror. Si pjesë e integruar e shoqërisë osmane, komuniteti shqiptar shfaqi afinitet veçues, gjë për të cilën flasin edhe sot trashëgimia dhe vlerat historike. Nga vlerat materiale e deri tek ato shpirtërore që gjallërojnë edhe sot mund të vërehet ky fakt. “Kalldrëmi shqiptar” në shoqërinë e sotme turke nuk është gjë tjetër, pos shprehje për një mbulesë rrugore të fortë e të qëndrueshme, e ngjashme kjo me karakterin shqiptar. “Inati i shqiptarit” po ashtu shfaq kokëfortësinë për të arritur qëllimet të cilat i synon njeriu dhe nuk pranon kurrfarë konsensusi. Po ashtu shumë personalitete me origjinë shqiptare në secilin pozitë shërbyese shtetërore osmane merrnin epitetin “arnavut”, gjegjësisht shqiptari. Janë të njohur Arnavut Koxha Sinan Pasha, Dukagjinzade Jahja Beu, Arnavut Abdi Pasha e shumë figura tjera madhore të shoqërisë osmane. Një gjë e tillë flet për një mishërim vlerash mes komuniteteve të ndryshme përbrenda një sistemi politik ekzistent në të kaluarën dhe, njëkohësisht, sikurse është edhe dëshmi për një të kaluar të ndritshme të shqiptarëve brenda një konglemarati etnitetesh, përkatësish dhe identitetesh.

 

Nevoja për riorganizim

 

Fillesa e lëkundjeve shoqërore me karakter politik dhe ekonomik që ngjanë në shtetin osman, sollën nevojën e riorganizimit të shqiptarëve. Pikërisht në shek. XIX. pjesëtarë të komunitetit shqiptar, njëherazi figura elitare të shoqërisë osmane, ndjenë nevojën dhe u vetobliguan për një riorganizim shoqëror shqiptar. Të njoftuar me konditat e reja që zhvilloheshin dhe pozitën politike të organizimit shtetëror të cilit i përkisnin, këta u angazhuan për ngritjen e vetëdijesimit kombëtar shqiptar, që i bie politizim dhe njohje me rendin e ri ndërkombëtar për shoqërinë shqiptare. Kjo përpjekje është e hershme, por zë fill si përpjekje e masës së gjerë shoqërore me organizimin e konferencës kombëtare “Ittihâd-ı Arnavut” shqipërisht “Bashkimi Shqiptar”. Kjo është pika vendimtare dhe boshti i jetës shoqërore shqiptare gjer në ditët e sotme. Mendimi politik për komunitetin shqiptar, që solli kjo lëvizje, mbeti për tërë shek. XX ideja themelore e jetës politike shqiptare, ndonëse në kohë të caktuara e ideologjizuar dhe e zbehur me mendimet politike të kohës. Fushëveprimi i kësaj lëvizjeje në vija të trasha mundet të krahasohet kushtimisht me pozitën e shoqërisë shqiptare sot. Paralelet e ngjashmërisë mund të tërhiqen në faktorizimin e qenies shqiptare përballë sistemeve politike të mëdha, siç ishte Perandoria Osmane dhe sot Bashkimi Europian. Nëse atëbotë mungonte një vullnet ndërkombëtar për të skicuar një qenie politike shqiptare, tashmë përjetuam dhe gëzuam një përkrahje për të konsoliduar qenien shqiptare në Ballkan. Ajo që duket se mungon sot është një mendësi e cila shikon probalitetin e konsolidimit të mëtejshëm të qenies shqiptare. Në kohën kur Bashkimi Shqiptar në Prizren u mblodh për të shënuar pikëveprimet e përbashkëta si shoqëri kishte hetuar ndryshimet shoqërore që ngjanin në jetën politike botërore. Mu për këtë qëllim qenësimin shqiptar e pa të udhës si të vetmin mjet për mobilizim shoqëror, themel të përmirësimit dhe mirëqenies shoqërore. Në kohën tonë qenia shqiptare ekziston dhe frymon falë mendësisë së atëhershme të hedhur në Prizren. Sot një mendësi për avancimin e qenies shqiptare, ndonëse ekzistente, nuk ka duart e hedhura për t’u kanalizuar dhe për t’u bërë veprimtari e njerëzve që mund ta jetësojnë atë. E mira është se e kaluara mund të jetë shembulli i një avancimi të mëtejshëm në të ardhmen. Ky shkrim mban atë përpjekje modeste për të lexuar me sytë dhe nevojën e sotme, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, gjegjësisht Bashkimin Shqiptar.

 

Lidhja e Prizrenit, faktet

 

Studime, analiza dhe vështrime mbi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit janë bërë mjaft. Tabloja dhe aktiviteti i kësaj lidhjeje janë familjare për opinionin shqiptar. Gjëja që mund të themi se ngeli e pasqaruar është koha dhe mentaliteti i instancave shoqërore dhe politike mbi të cilën u zhvillua aktiviteti i Lidhjes Shqiptare. Thënë shkurtimisht, mungon njohja e realitetit të thellë historik në të cilën u zhvillua kjo lëvizje. Shoqëria shqiptare atëbotë shfaqte komunitetin e integruar në strukturat shoqërore osmane. Në një relacion të tillë integrues inteligjenca e atëhershme shqiptare përbrenda kornizave të së mundshmes filloi procesin e shqiptarizmës, ngritjes së vetëdijes tashmë politike të shqiptarëve, njëkohësisht duke mos dashur të rrezikojë pozitën e komunitetit shqiptar me qendrën osmane. Mirëpo, rrjedha e ngjarjeve historike e bëri të disfavorshme gjendjen politike për të dyja palët. Krahas distancimit, filloi edhe disociacioni i komunitetit shqiptar me qendrën osmane. Në këtë rrugëtim komuniteti shqiptar do të ndjekë ndaras fatin e vet. Pa dashur të ndalemi në diskursin nacionalist që nisi me “Bashkimin Shqiptar” dhe që historiografia shqiptare e quan “Periudha e Rilindjes Kombëtare”, vitet 1878-1912, mbesin si koha e mbarësimit ose ngjizjes së politikës shqiptare. Lidhja Shqiptare e Prizrenit gjer më 1912 ngeli boshti kryesor i mendësisë politike shqiptare. Meqenëse nuk duhet lexuar vetëm si përpjekje për pavarësi. Lidhja Shqiptare e Prizrenit më tepër është përpjekje për qenësimin shqiptar. Përpjekja që bëri për qenësimin shqiptar solli pavarësimin e Shqipërisë. Ky është leksioni më i madh që mund të nxjerrim nga Lidhja Shqiptare. Kundërshtitë që pati Lidhja Shqiptare nga qendra osmane, si dhe hasmëritë e shteteve fqinje hijezuan suksesin e pritshëm të saj, megjithatë natyrshëm nuk arritën të ndalin ecurinë e mendësisë së re politike shqiptare.

Pikëpamjet mbi arsimin, unitetin dhe ruajtjen e gjeografisë shqiptare, si dhe kërkesat për pushtet më të madh lokal në kuadër të shtetit osman, ishin shqyrtime serioze dhe tejet moderne. Mosleximi i drejtë i tyre solli fatalitetin shoqëror si për qendrën osmane, ashtu edhe për komunitetin shqiptar. Mendësia e inteligjencës shqiptare arriti të sendërtohet përmes ruajtjes së një  sistemi politik prezent dhe ngritjes e avancimit të komunikimit shqiptar. Në mënyrën më të suksesshme arritën që barrierën e pamundësisë së shkëputjes nga një sistem vlerash të përbashkëta të krijojnë identitetin kombëtar me nacionalizëm jopërjashtues ndaj tjetrit, joagresiv dhe jokërcënues për shoqëritë e tjera. Për sa kohë përpjekjet e Lidhjes Shqiptare të ishin lexuar drejt, aq më tepër do të ishin mundësitë e zgjatjes së Pax Ottomana-s në Ballkan. Një gjë e tillë, ndonëse në dukje hipotetike, ka mbështetjen e saj historike.

 

Leximi i të kaluarës

 

Duke lënë anash supozimet dhe duke shikuar aktualitetin, vërehet se elitat politike shqiptare nuk kanë kapur momentumin e ruajtjes dhe avancimit të qenies shqiptare. Një koordinim më i thellë dhe i gjerë mes elitave politike të kudondodhshme shqiptare ka nevojën të jetë më i ngutshëm dhe më aktiv. Në këtë kontekst leximi i të kaluarës do të shërbente si hap për të mos pasur frikë në rrugën e shoqërisë shqiptare drejt së ardhmes. Përvoja e shoqërisë shqiptare në kuadër të Perandorisë Osmane duhet të jetë mbase edhe bazë e përpjekjeve të sotme të integrimit europian. Sikurse në të kaluarën, kur inteligjenca shqiptare bëri preokupim të vetes mirëqenien e njeriut të saj edhe sot preokupim kryesor krahas integrimit, zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies qytetare, synim duhet të jenë pozita e qenies shqiptare dhe vlerat e saj. Ky preokupim patjetër do t’i shërbejë mobilizimit shoqëror shqiptar dhe ngritjes së vlerave demokratike për ta bërë shoqërinë tonë më të përgjegjshme në rrjedhat e reja ndërkombëtare. Po ashtu një preokupim i tillë mbërthen në vete vlerat humane në të cilat Bashkimi Europian mbështet tërë filozofinë e tij politike. Bashkimi shqiptar jashtë karakterit të përfolur territorial për të cilin kanë drojë komshinjtë tanë dhe qendrat e vendosjes ndërkombëtare, bashkimi në jetën shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve, ngelet opsion i vetëm për avancimin e shoqërisë shqiptare në Bashkimin Europian. Shoqëria shqiptare historikisht ka shfaqur afinitet integrues përbrenda sistemeve ku vlerat janë të shumëllojshme dhe të gjithanshme. Bashkëjetesën me kultura të ndryshme shqiptarët e kanë bërë gjithherë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka qenë edhe moment forcimi i këtij afiniteti dallues dhe karakterizues të shoqërisë shqiptare.

 

Burimi: http://shenja.mk/index.php/kulture/histori/5539-ittihad-i-arnavut-apo-bashkimi-shqiptar.html

 

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: