Kreu > Personalitete të rëndësishëm > Jeta e atdhetarit Hasan Prishtina (1873-1933)

Jeta e atdhetarit Hasan Prishtina (1873-1933)

Erol VELIJA

 

JETA E ATDHETARIT HASAN PRISHTINA (1873-1933)

(1873-1933)

Hasan Prishtina

Hasan Prishtina

JETA

Mësimet e para (mejtepin) dhe disa klasë të progjimnazit (iptida) i mbaroi në Vushtrri, me sukses të shkëlqyeshëm. Qysh si nxënës u tregua i vrullshëm dhe i guximshëm, duke kundërshtuar disa herë hoxhën. Ai pati fat që mësues letërsie ta kishte profesorin nga Prekazi, Hafëz Arifin, nga i cili edhe u frymëzua me ide atdhedashurie. Meqë mësonte mirë dhe kishte mundësi materiale, ai do të vazhdonte shkollimin ne gjimnazin grek të Selanikut ku do ta mësoi edhe gjuhën frënge e do të njihet me veprat e iluministëve francezë, Volterit, Monteskie, Zhan Zhak Rusos, etj; dhe në Stamboll, ku u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë, përkatësisht në Fakultetin e Shkencave Politike – Juridike. Gjatë shkollimit fitoi kulturë të gjerë dhe u brumos me ide revolucionare e përparimtare evropiane, sidomos sa ishte në Selanik. Ishte ithtar i ideve të Revolucionit Francez (1789-1794). Të gjitha këto u gërshetuan harmonishëm me edukatën e tij të lartë e të thellë familjare, me shumë tipare atdhetare duke formuar kështu një personalitet liridashës. Ai njihte shumë gjuhë: anglishten, arabishten, çerkezishten, frëngjishten, greqishten, gjermanishten, italishten, serbishten e turqishten. Brenda një kohe të shkurtër zuri pozita të rëndësishme në administratën turke dhe arriti të bëhet edhe kryekonsull në shtetin e Turqisë. Në kryeqytetin otoman krijoi lidhje të ngushta me bashkatdhetarë të dalluar dhe do të lexojë shpirtërisht veprat e vëllezërve Frashëri, Pashko Vasës,Hoxhë Tahsinit, etj.

Hasan bej Prishtina ka qenë një nga personalitetet dhe figurat më të shquara të Lëvizjes sonë Kombëtare. Ky ideolog i shquar, dhe udhëheqës i palodhur i kryengritjes së përgjithshme për pavarësinë e tokave shqiptare, tërë pasurin e dha për çështjën kombëtare shqiptare. Lirisht mund të thuhet se veprimtaria e tij luftarake gjatë muajve maj-gusht 1912 e përgatiten ngritjen e Flamurit në Vlorë. Hasan Prishtina lindi në Vushtrri, por familja e tij, ishte nga treva e Drenicës, Polaci (tani Hasaprishtina). Mbiemri i vërtet i Hasan Prishtinës ka qënë Berisha, por me largimin e gjyshit të tij Haxhi Ali Berisha nga Polaci në Vushtri, mbiemrin e ndryshoi nga Berisha në Polaci. Por mbas zgjedhjes së tij deputet në Kuvendin Popullor Turk (1908-1912), ai e ndryshoj mbiemrin përseri, por kësaj here nga Polaci në Prishtina pra, edhe u njoh si Hasan bej Prishtina. Studimet politiko-juridike i kreu në Stamboll. Shovinizmi i xhonturqëve kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë, nxiti një urrejtje të deputetëve shqiptarë, antarë të Kuvendit Popullor turk, të cilët ndërrmorën një takim të fshehtë për fillimin e Kryengritjes (1909-1912) në Shqipëri. Esat Pashë Toptani morri përsipër krahinën e Shqipërisë së Mesme dhe krahinën e Mirditës, Myfti Beu, Azis Pasha dhe Syrja Beu, morrën përsipër krahinën e Toskërisë. Ismail bej Qemali u nis për në Europë, për të mbledhur të holla dhe armë për kryengritjen. Hasan bej Prishtina morri përsipër organizimin e kryengritjes në Kosovë, bashkë me Barjam Currin dhe Isa Boletinin. Kjo kryengritje do të kurorëzonte më 28 nëntor 1912 shpalljen e pavarsisë së Shqipërisë së zvogëluar. Në vitin 1913 u ngarkua me detyrën e Ministrit të Qeverisë Kombëtare të Vlorës. Hasan Prishtina ka qenë drejtor i së përditshmes ’’ZUKRE’’ (Afërdita) që ka dalë më 1911. Për arësye të gjendjes së jashtëzakonshme brenda dy vjetëve gazeta e ndërroi emrin rreth 20 herë, ku dolën 412 numra. Dhe emri i drejtorit shkruhej gabimisht si; ’’Pessembe Mebusu Hasan’’ (deputeti së enjtes). Në vitin 1914, kur vjen për të drejtuar Shqipërinë princ Vidi, Hasan Prishtina zgjidhet ministër i punëve botërore të qeverisë së Durrësit. Më 1918, Hasan Prishtina, Kadri Prishtina (Hoxhë Kadriu), Bajram Curri dhe shumë të tjerë formojnë Komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me përfaqësuesit e tyre në Romë dhe në shtetin mëmë Shqipëri, ndërsa në dhjetor të vitit 1919 Komiteti e ngarkoi si kryetar të delegacionit të tij në Konferencën e Paqës në Paris, ku kërkoi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Mori pjesë në përgaditjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjës (1920) dhe në prill 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar. Ai u shqua si luftëtar për mbrojtjen e “zonës neutrale” të Junikut nga forcat serbe dhe ato zogiste, si udhëheqës i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës kundër sundimit serb. Hasan Prishtina më 7 dhjetor 1921 u zgjodh nga Kuvendi Popullor Shqiptar kryeministër dhe ministër i jashtëm, por më 10 dhjetor 1921 ai jep dorëheqjen mbas kundërshtimeve të disa deputetëve që i kryesonte Ahmet Zogu. Kështu, për të shmangur gjakderdhjen midis shqiptarëve, Prishtina mbetet vetëm deputet i atij Kuvendi. Me vendosjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Mbretërisë Serbo – Kroate – Sllovene më 1922 Qeveria e Ahmet Zogut dhe e Xhaferr Ypit u hoqi të drejtën e deputetit në Kuvendin Popullor shqiptar, Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Hoxhë Kadriut dhe shumë udhëheqëve të tjerë nga Kosova dhe filloi ndjekja për eleminimin e tyre. Kjo ishte marrëveshja që bëri kryeministri Ahmet Zogu me ministrin e jashtëm të mbretërisë Jugosllave z.Ninçiç më 1922. Në janar të vitit 1922 qeveria e Tiranës lidhi marrëveshjen që ushtria serbe ta ndiqte Hasan Prishtinën dhe udhëheqësit e tjerë kosovarë edhe brenda territorit të shtetit shqiptar. Në fund të muajt shkurt 1923, Hasan Prishtina dhe Barjam Curri u ngritën kundër rregjimit serb në Kosovë. Kjo kryengritje u shtyp sepse qeveria e Ahmet Zogut nuk i mbështeti. Mbas kësaj 3500 shqiptarë të Kosovës u përzunë nga trojet e tyre për në Turqi.

“TRADHËTARI” HASAN PRISHTINA Më 26 shtator 1924 krahas Fan Nolit, Luigj Gurakuqit ishin dhe Hasan Prishtina, Bajram Curri, Bedri Pejani në Lidhjen e pestë të Kombeve në Gjenevë. Përfaqësuesit e Kosovës Hasan Prishtina, Bajram Curri dhe Bedri Pejani kundërshtuan për genocidin që ndiqte Beogradi ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Mbas rrëzimit të qeverisë së Nolit më dhjetor 1924 dhe ardhjen e Zogut me ndihmën e serbëve Hasan Prishtina largohet përgjithmonë nga toka e mëmëdheut, për t’u vrarë më 13 gusht 1933 në Selanik nga dorësi i Ahmet Zogut. Deri në vitin 1962 Hasan bej Prishtina ishte cilësuar tradhëtar i kombit shqiptar. Kështu mbreti Zog e vrau, atëherë qeveria e asaj kohe e Enver Hoxhës e rivrau, sepse pseudohistorianët shqiptarë shfrytëzuan deri më 1962 dokumenta jugosllave dhe ruse për të bërë historinë e Shqipërisë dhe vlerësimet e disa figurave të ndritura politike shqiptare. Shumë dekada pas vrasjes së Hasan Prishtinës, eshtrat u sollën nga Selaniku për t’u rivarosur në një copë tokë në Kukës, pranë kufirit me Kosovën.

PASURIA E HASAN PRISHTINËS NË SELANIK

Shkrimi i më poshtëm është marrë nga gazeta greke “Maqedonia e Re’’ e datës 14 gusht 1933, një ditë mbas vrasjes së Hasan Prishtinës, në Selanik, ku është shënuar se ai është pronar i ndërtesës së sotme “Shkolla e të Verbërve’’. Hasan Prishtina ka qenë shumë i pasur, por pasurinë ai e shkriu për çështjen kombëtare shqiptare. Ai pat mbledhur të holla për të çuar në shkollën normale të Elbasanit’ djemtë shqiptarë nga Kosova. Pasuri e patundëshme që i ka ngelur ende dhe që njihet botërisht është një ndërtesë shumë e madhe që ndodhet në qendër të Selanikut, anës detit në rrugën Vasilis Ollga (dikur zonë e privilegjuar). Ndërtesa është trekatëshe dhe rrethohet prej një oborri gjigant me siperfaqe rreth 1500 m katrorë, vlera e saj në tregun e shitjeve të banesave me truall arrin në shumë miljon dollarë amerikan. Thuhet se mjaft vite më parë pronën e kërkoi e mbesa e Hasan Prishtinës, por shteti grek nuk ia dha. Sot shtëpia është pronë shtetërore dhe funksionon si shkollë dhe Instuticion bamirës për personat shurdhmemecë dhe të verbër. Kjo ndërtesë për shqiptarët ka një vlerë historike. Vendosja në murin e saj të jashtëm e një pllake memoriale është gjëja më elementare për indentitetin e ndërtesës dhe kujtimin e këtij personaliteti. Është e drejtë dhe detyrë që përfaqësuesit e Kosovës të kërkojnë që kjo pronë e njeriut që nuk e ndali luftën për bashkimin e trojeve shqiptare të njihet dhe të zotërohet. Dhe fitimi i së drejtës do të ishte një shpërblim i merituar, një peng nderimi për këtë burrë të shquar shteti.

VRASJA E ATDHETARIT HASAN PRISHTINËS

U vra më 14 gusht 1933 në Selanik nga një “mik” i tiji, Ibrahim Çelo. Vrasja u krye në orën 2 mbasdite më datë 13 gusht 1933. Në rrugën Çimisqi u pa një zotëri i moshuar, i mbajtur mirë dhe me tipare simpatike, të ecte përkrah e të fjaloste me një person të veshur mirë, i gjallë, sa e tradhëtonte dhe toni i zërit. Arritën në kryqëzimin e rrugës Çimisqi-Vogaxhiku dhe po drejtoheshin për tek bakallhane “IVI” dhe në largësi dy hapa nga kinkaleria e invalidit J.Janopullo. Njeriu me pamje të zymtë nxorri rrufeshëm revolverin e markës “SMITH” dhe shtiu kundrejt bashkëbiseduesit 4 herë, i cili ishte Hasan bej Prishtina, që ra në trotuar. Kalimtarët e mbledhur nga të dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të parrëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në kraharor dhe të tretën në kokë, si e shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurtë për përfundimin e aktit të vrasjes. Fill pas krimit të tij vrasësi, që t’i ikë rrezikut prej turmës së mbledhur që u vu për ta kapur, ia dha vrapit nga rruga Vogaxhiku.

Në vitin 1977 eshtrat e tij u sollën nga Selaniku në Shqipëri.

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: