Home > Ballkanologji, Mesele kombëtare > Dera hapur… hyrja nga oxhaku (!)

Dera hapur… hyrja nga oxhaku (!)

Abdi BALETA

 

DERA HAPUR… HYRJA NGA OXHAKU (!)

Abdi Baleta

Abdi Baleta

Turqia e ka zgjidhjen e saj, sepse ka alternativë veprimi. Po si të bëjnë shqiptarët e gjorë që nuk janë të bashkuar as me Europën e integruar tashmë, as ndërmjet vete?! Për më tepër, shqiptarët shënojnë rastin e parë që njëri nga dy shtetet e tyre, Republika e Shqipërisë, për dy vjet me radhë nuk merr as statusin e kandidatit dhe vetëm një mrekulli mund të bëjë që ta marrë këtë status në orvatjen e tretë këtë vit.

Debati më i panevojshëm midis shqiptarëve tani është rreth përcaktimit të pikësynimit të tyre madhor, kryesor dhe përparësor: integrimit europian apo bashkimit kombëtar. Në fakt çështja kështu shtrohet krejt gabim, sepse integrimi europian (që është prirja mbizotëruese në zhvillimet e tanishme në Europë), nuk ka përse të bjerë në kundërshtim me bashkimin kombëtar, që ka qenë prirja kryesore e synimeve të të gjitha kombeve përpara se të hyjnë në rrugën e integrimit europian.

E veçanta në rastin e shqiptarëve është se ne jemi të vonuar në përmbushjen e aspiratës së bashkimit kombëtar në një shtet kombëtar të vetëm dhe jemi të detyruar të përpiqemi për zgjidhjen e të dyja problemeve në të njëjtën kohë. Por, kjo nuk duhet kuptuar se e bën të pashmangshme alternativën që shqiptarët të sakrifikojnë njërën aspiratë për tjetrën, të mendojnë vetëm për integrim europian duke hequr dorë nga bashkimi kombëtar, ose të këmbëngulin në bashkimin kombëtar duke lënë pas dore integrimin e tyre në Europë. Kush do ta shtrojë kështu problemin për shqiptarët, bën shantazh e padrejtësi mbi ta.

Për vite me radhë shqiptarët janë përkëdhelur nga politikanë të vendeve të Europës dhe nga funksionarë të lartë të mekanizmave integruese europiane me nxitjet e llafet e bukura për perspektivën europiane të shqiptarëve. Kemi dëgjuar pa pushim frazat stereotipe “e ardhmja e Shqipërisë është vetëm në Europë”; “e ardhmja e Kososvës është vetëm në Europë”, “e ardhmja e të gjithë shqiptarëve është vetëm në Europë”; “për Shqipërinë e për shqiptarët dyert e Europës janë gjithnjë të hapura”. Por, gjithë e keqja qëndron në atë se shqiptarët e kanë të vështirë të hyjnë në Europë nëpërmjet këtyre dyerve të hapura. Madje, dhe kur kujtojnë se u janë afruar shumë këtyre “dyerve të hapura” e mund ta kalojnë lehtësisht pragun, del dikush dhe i paralajmëron se “do t’u duhet të hyjnë nga oxhaku”.

Ka disa kohë që në Tiranë është zbehur atmosfera e veprimtarive përkujtimore për 100-vjetorin e pavarësisë për shkak të grindjeve midis faktorëve politikë shqiptarë lidhur me hapat që duhen hedhur për të marrë të famshmin status të kandidatit për në Bashkimin Europian. Kampet politike (lexo grupimet e interesit mafiozo-ekonomik) kacafyten që të fajësojnë njëri-tjetrin që Shqipëria është gozhduar para “dyerve të hapura” të Europës, nuk po bëhet dot kandidate dhe nuk ka as këllqe të hidhet “për të hyrë nga oxhaku”. Për më tepër Shqipëria fshikullohet e fajësohet për këtë “pazotësi” të saj nga europianët.

Kohët e fundit presidenti i parlamentit Europian, Martin Shulc, pasi lëshoi fjalët standarde mikluese se: “Shqipëria, Maqedonia e Serbia janë në rrugë të mirë drejt anëtarësimit”, nuk ngurroi të shtonte paralajmërimin dyshues e akuzues të zakonshëm se “përgjegjësia e anëtarësimit bie mbi vendin kandidat” (gazeta “Panorama”, 11 nëntor 2012). Pra, vetë Europa i lan duart çfarëdo që të ndodhë, edhe sikur të ketë përgjegjësinë e saj që integrimi i shqiptarëve po vonohet, çka ngjet vërtetë. Komisionerja e Bashkimit Europian për Çështjet e Brendshme, Sesilia Malstrom, në një intervistë televizive në Tiranë theksoi: “Statusin e keni vetë në dorë” dhe “kushdo që të fitojë në zgjedhjet e ardhshme, duhet të punojë me të gjitha partitë për integrimin”, (“Gazeta Shqiptare”, 10 nëntor 2012), çka nënkupton se deri në qershor të vitit 2013 kur do të mbahen zgjedhjet nuk paska status kandidati për Shqipërinë.

Komisionerja Malstrom e vizitoi Tiranën për t’u tërhequr edhe një herë veshin autoriteteve pushtetore shqiptare që të marrin masa më të forta me qëllim që qytetarët shqiptarë që përdorin të drejtën të udhëtojnë pa vizë në Europë të mos kërkojnë strehim politik atje, sepse përndryshe edhe Shqipëria do të kërcënohet si Maqedonia e Serbia me rivendosjen e sistemit të vizave. Vendet europiane kanë gjetur rrugën më të lehtë për shkelësit e rregullave. Ato ndëshkojnë gjithë masën e madhe të njerëzve që duan të udhëtojnë drejt Europës, në vend që të ndërmarrin veprime më efikase, duke mos pranuar kërkesa për strehim politik, kur duket se ato janë spekuluese. Ndërkaq Greqia ka gjetur një rrugë tjetër më të shkurtër e më arrogante: herë pas here ndërmerr fushata ndëshkuese në pikat kufitare me Shqipërinë, duke kthyer mbrapsht njëherësh grupe të tëra udhëtarësh, pa u dhënë asnjë shpjegim dhe duke shkarravitur pasaportat e tyre.

Edhe më troç mesazhin europian se “portat e hapura” të Europës janë të mbyllura për ta ua transmetoi shqiptarëve ambasadori i Hollandës në Tiranë, Martin de la Biej kur në një intervistë tha: “Shqipëria nuk është gati për statusin” (“Java” 10 nëntor 2012). Në fakt ambasadori nuk zbuloi ndonjë gjë të re e të paditur. Shqipëria nuk është gati tani për statusin e kandidatit për në Bashkimin Europian, madje nuk do të jetë realisht gati për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian për shumë kohë pasi të bëhet kandidate e të fillojnë bisedimet. Por, mosmarrja e statusit të kandidatit nuk mund të ndodhë për arsyen se Shqipëria nuk i paska plotësuar të gjitha ato 12 detyrat burokratike që i ka përcaktuar mësuesja e rreptë Europë dhe që shpesh në shtypin e mediat shqiptare trajtohen si “detyrat e shtëpisë” që nxënësi i keq shqiptar nuk po i bën mirë e në kohë. Mësuesja Europë ka gjetur shqiptarët për të treguar pedantizmin e saj në “kontrollimin e detyrave të shtëpisë” dhe ndjen njëfarë kënaqësie të fajësojë vetëm shqiptarët që kanë mbetur të vetmit që nuk kanë arritur ende të depërtojnë nga vrima e bravës së “derës së hapur” për ta, as të rrëshqasin nga vrima e oxhakut drejt paradhomës së kandidatëve, ku tani kanë mbetur fare pak bujtës, Serbia e Maqedonia.

Instinktet burokratike duket nuk e lënë Europën ta mbyllë kapitullin dhe regjistrimin e kandidatëve për anëtarë të BE-së dhe ta fshijë njollën e vogël, të ngjyrosur ndryshe në rrobën e saj integruese që ka mbetur në një cep të Ballkanit, përballë Italisë, jo karshi Azisë. Burokratët e të gjitha kategorive historikisht kanë qenë njerëzit më të durueshëm në përsëritjen e formulave e të stereotipave në sjelljet e tyre. Në të njëjtën kohë ata janë të papërtueshëm e të pashpirt për ta vënë në provë durimin e njerëzve hallexhinj që kanë punë për të kryer me ta. Këto tipare tani i marrin dhe mekanizmat pushtetarë që drejtojnë fate vendesh e popujsh ose dhe fate kontinentale e planetare. Mekanizmat që merren me punët e Bashkimit Europian janë një makinë burokratike gjigande që shkërmoq e bluan shumë interesa të veçanta për t’i njëjtësuar e standardizuar dhe fut në kallëpe të parafabrikuara në Bruksel apo në Strasburg shumë veprimtari, që dikur thuhej se i përkisnin vetëm sferës së sovranitetit të kombit e të shtetit. Por, për këtë nuk ka gojë askush të ankohet, madje edhe po të jetë i pakënaqur, sepse kombet e shtetet me vullnetin e tyre “të lirë” (ose për magjepsje pas reklamave) e kanë ngritur përbindëshin e burokracisë në Bruksel dhe kanë autorizuar mekanizmat e përbashkëta europiane të heqin hallet e studimit, planifikimit, zbatimit, ndarjes së atyre punëve të rënda që dikur u mbeteshin mekanizmave të brendshme të çdo shteti t’i kryenin.

Për shumë vite me radhë është thënë me gëzim e entuziazëm se ishte gjetur mjeti magjik për t’i shpëtuar shtetet nga telashet e jashtme e të brendshme, duke u bërë pjesë e integruar e Bashkimit Europian. E vërteta është se herë pas here po dëgjohen zëra që kjo magji nuk po funksionon aq mirë sa kujtohej, si në kohën kur Europa e Bashkuar ishte e parritur ende në shtat, kur ishte “Europa e të gjashtëve”, “Europa e të dymbëdhjetëve” ose “Europa e të pesëmbëdhjetëve”, kur optimistët e mëdhenj të Europës së Bashkuar filluan “marshimin drejt Lindjes e Juglindjes” me besimin se tashmë kishte ardhur koha për ta bërë realitet jo vetëm ëndrrën që kishte francezi Zhan Mone (dhe të tjerët para tij), por dhe formulën e famshme më specifike të gjeneralit francez Sharl Dë Gol për “Europën nga Atlantiku në Urale”. Kanë filluar dyshimet për forcën çudibërëse të Europës së Bashkuar, sepse shihet që edhe duke qenë në Bashkimin Europian mund të telendisesh keq e më keq, siç po dëshmon rasti i Greqisë, kriza ekonomike në Itali, Spanjë e Portugali, pastaj kriza e euros, kryeveprës së Europës së Bashkuar, dhe kërcëllitja e dhëmbëve nga blloku franko-teuton për njëfarë hegjemonie në Europën e Bashkuar dhe paralajmërimet britanike se interesat ishullore kanë përparësi.

Por, përsëri integrimi në BE mbetet ëndërr e bukur, sidomos për ata popuj që nuk e kanë provuar ende shijen e këtij integrimi dhe në ato pak shtete të Ballkanit që kanë mbetur jashtë këtij Bashkimi. Më tutje, në Lindje të Europës, ende nuk shohin shumë ëndrra me Bashkim Europian. Ndërkaq turqve ëndrra po u del zhgjëndërr pas disa dekadash shprese dhe kanë filluar të çojnë sinjale të forta se nuk do të presin me durimin e tyre proverbial më gjatë se viti 2023 (kur mbushet 100-vjetori i krijimit të Republikës së Turqisë) dhe, po nuk u pranuan deri atëherë, do të shikojnë punën e tyre dhe ta kërkojnë fatin e vet më të mirë jashtë Europës së Bashkuar.

Turqia e ka zgjidhjen e saj, sepse ka alternativë veprimi. Po si të bëjnë shqiptarët e gjorë që nuk janë të bashkuar as me Europën e integruar tashmë, as ndërmjet vete?! Për më tepër, shqiptarët shënojnë rastin e parë që njëri nga dy shtetet e tyre, Republika e Shqipërisë, për dy vjet me radhë nuk merr as statusin e kandidatit dhe vetëm një mrekulli mund të bëjë që ta marrë këtë status në orvatjen e tretë këtë vit. Pse të ndodhë vallë kështu me ne shqiptarët, që atë që të tjerët e sigurojnë me njëfarë lehtësie e pa shumë vonesa, ne nuk e marrim dot as duke u lutur natë e ditë, e as duke u përbetuar se jemi më europianistë se vetë europianët që kanë nisur Bashkimin Europian, as duke dërguar sinjale të forta se mund të heqim dorë edhe nga aspirata jonë për bashkim kombëtar, nëse bën emër Europa të na tërheqë një ditë në gjirin e Bashkimit Europian? Europianistët e thekur shqiptarë nuk mund të çojnë në mendje se Europa po gabon në qëndrimet e saj refraktare ndaj ndjesive e përbetimeve shqiptare për dashuri e besnikëri ndaj Europës së Bashkuar. Ata vrasin mendjen se si të fajësojnë ata shqiptarë që tregojnë njëfarë skepticizmi ndaj Europës së Bashkuar, që dëmtuakan integrimin shqiptar në Europë. Disa europianistë fajësojnë edhe ndjenjat e përhapura të proamerikanizmit te shqiptarët, se gjoja janë këto që largojnë simpatitë europiane edhe vonojnë integrimin europian. Disa madje fajësojnë deri një “ringjallje të nostalgjive otomaniste” te shqiptarët që nxitka ngurrimin e Europës për të përshpejtuar integrimin e shqiptarëve në gjirin e saj. Disa të tjerë fajësojnë apo atë forcë politike shqiptare, që nuk bën sa duhet për të plotësuar kërkesat e porositë europiane, për t’u sjellë si “nxënëse e mirë dhe e zellshme në kryerjen e detyrave të shtëpisë” të vëna nga mësuesja Europë.

Shqiptarëve u tregohen nga politikanët dhe propagandistët e vet dhe të huaj shumë projekte zgjidhjesh e modele veprimi dhe rrugë të çuditshme plot lakore, për t’i larguar sa më shumë nga ideja e bashkimit kombëtar mendërisht, shpirtërisht e fizikisht, që kështu të përqendrohen vetëm tek integrimi evropian: herë u thuhet se rruga më e lehtë drejt integrimit europian është ajo e integrimit ballkanik, e herë u sugjerohet se një integrim brendashqiptar do t’i shëronte shqiptarët nga vuajtjet e bashkimit të parealizuar kombëtar dhe do t’ua bënte më të lehtë integrimin europian. Kështu në shtypin shqiptar dalin shkrime me titull “A është i mundur një Benelux ballkanik”? (“Shekulli, 21 qershor 2012), “Beneluksi ballkanik do të përshpejtonte hyrjen në BE” (“Investigimi”, 30 qershor 2012). Nuk kanë munguar edhe shkrimet utopiste për ta krijuar një “Zvicër ballkanase” në Ballkanin Perëndimor, që BE-ja do ta priste menjëherë krahëhapur në gjirin e vet. Projektuesit e këtij projekti utopik duan të përfshijnë në të Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi, pra të krijojnë një mini-Jugosllavi të dikurshme. Disa nënkuptojnë aty edhe përfshirjen e Serbisë, por nuk e shpallin ende hapur idenë e tyre. Projekte të tilla janë reklamuar në shtypin e Shqipërisë edhe në vitet 1990, sidomos pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, kur u pa qartë se Kosova do të dilte nga thundra e Serbisë. Projekte të ngjashme me emrin “Ballkania” janë qenë paraqitur edhe në Kosovë për “hir të shmangies së ndeshjes së fortë serbo-shqiptare”, e cila gjithsesi ndodhi dhe pati përfundim fatlum për shqiptarët.

Në verën e vitit 2012 në Nju-Jork u organizua një konferencë për projektin e “Fqinjërisë shqiptare në Ballkan” (është quajtur edhe “lagjja ose mëhalla shqiptare”), kjo si një alternativë për ta bërë të panevojshëm e të kapërcyer një bashkim kombëtar shqiptar të mirëfilltë. Pritej që ky projekt të shpalosej më qartë gjatë vazhdimit të kësaj konference në Tiranë në muajin korrik, por çuditërisht kjo konferencë në Tiranë kaloi pa u vënë re fare.

Të gjitha nismat e kësaj natyre nuk bëjnë gjë tjetër, veçse rivënë në qarkullim ide e projekte të stërkonsumuara për t’iu kundërvënë aspiratës e të drejtës së shqiptarëve për bashkim kombëtar, për të penguar krijimin e shtetit real kombëtar unitar shqiptar në Ballkan, që është një synim i vjetër i politikës së fqinjëve armiqësorë sllavo-grekë të shqiptarëve. Për të penguar zgjidhjen reale të çështjes kombëtare shqiptare gjatë 200 viteve të fundit, janë paraqitur lloj-lloj planesh për federata e konfederata shqiptare në Ballkan, për shtete dualiste shqiptaro-greke etj. Zgjidhjet e tilla i kanë propozuar shtetet perëndimore, pansllavizmi e Rusia Cariste, Bashkimi Sovjetik e Jugosllavia komuniste. Të tilla projekte ishin pranuar edhe nga politikanë e intelektualë shqiptarë, por edhe forca politike shqiptare, si Partia e Punës. Ato i pranojnë edhe sot plot politikanë e forca politike shqiptare, prandaj ringjallen edhe tani lehtësisht idetë e integrimeve ballkanike e europiane si kundërpeshë e kundërvlerë e bashkimit kombëtar shqiptar.

Utopizmi i disave dhe dinakëria e disa të tjerëve që çështjen shqiptare ta shuajnë nëpërmjet skemash të tilla, nuk mund të kenë të ardhme. Këto utopizma e dinakërir mund t’i shërbejnë ndonjë politike europiane që nuk duron dot të ketë në Europë një shtet me shumicën e popullsisë myslimane e me mbizotërim kombëtar shqiptar, por kjo nuk është arsye që shqiptarët të sakrifikojnë interesat e tyre kombëtare shqiptare për t’ua bërë qejfin politikave të tilla, edhe në qoftë se këto projekte ua paraqesin shqiptarëve si kusht për integrimin e tyre në Europë.

Analisti amerikan Ian Brzezinski ka paralajmëruar se “Ballkani Perëndimor është fare pranë një tjetër udhëkryqi” dhe se “marrëdhëniet Shqipëri-SHBA janë shtyllë stabiliteti në një botë përherë e më të pasigurt”. (“Gazeta Shqiptare”, 30 qershor 2012). Sekretarja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Hillari Klinton, në fjalimin e saj të shkëlqyer para Kuvendit të Shqipërisë, më 1 nëntor 2012, e përforcoi edhe më shumë rëndësinë e marrëdhënieve amerikano-shqiptare për rajonin e Ballkanit e të Europës, kur deklaroi: “SHBA-të qëndruan me ju në 100 vitet e para të pavarësisë dhe do të qëndrojnë edhe për 100 vitet e ardhshme, edhe për 100 të tjera, edhe për 100 pas tyre”.

Diplomacia e vendeve më të fuqishme europiane i di me kohë dhe i mban parasysh ato për të cilat paralajmëron Brzezinski, ndërsa në Europë e kanë të qartë se problemet që krijojnë tension në Ballkanin Perëndimor dhe jugor nuk janë zgjidhur. Kështu nuk është zgjidhur çështja e Bosnje-Hercegovinës, nuk janë zgjidhur konfliktet midis Serbisë e Kosovës, nuk janë zgjidhur konfliktet kombëtare brenda në FYROM-it, pra grindjet midis Maqedonisë e Greqisë rreth një çështje që në vetvete është qesharake, emri i një shteti. Edhe marrëdhëniet shqiptaro-greke nuk janë aspak normale dhe mund të sjellin shpërthime në çdo kohë. Në qendër të ciklonit që mund të shpërthejë sërish do të jenë shqiptarët, si komb i ndarë, i copëtuar dhe tejet i dëmtuar.

Europa i mendon mirë punët e saj kur vendos për pranimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Edhe ajo i ka dilemat e veta: t’i pranojë këto shtete me problemet e tyre të pazgjidhura dhe zgjidhjen ta marrë përsipër si problem të brendshëm të Europës së Bashkuar apo të shtyjë anëtarësimin e tyre deri në një kohë kur këto probleme, ose disa prej tyre, të jenë fashitur?! Ajo duhet të pranojë që këto probleme të shpërthejnë si konflikte brenda një Europe të Bashkuar apo t’i lërë ngjarjet të zhvillohen në mënyrë që shpërthimet e mundshme të trajtohen si konflikte ndërkombëtare, e jo si “luftë civile” në Europën e Bashkuar”?!

Diplomacia e ftohtë europiane nuk mund të besojë se amalgamat “Beneluks ballkanik”, “Zvicër ballkanase”, ku shqiptarët të vihen përsëri në pozitën e “ortakut” me sllavët mund të kenë sukses më të madh se “bashkim-vllaznimi” shqiptaro-sllav, që dështoi bashkë me federatën e ish-Jugosllavisë. Ka mjaft arsye, pra, që shqiptarët të mendojnë se vonesat në dhënien e statusit të kandidatit për Shqipërinë nuk vijnë vetëm për shkak se Shqipëria nuk po bën si duhet 12 detyrat e shtëpisë që ia ka dhënë mësuesja Europë. Prandaj Europës i duhet në radhë të parë të mendojë mirë që të përcaktojë qëndrimin ndaj çështjes kryesore, bashkimit kombëtar shqiptar në Ballkan, për ta bërë kombin shqiptar faktor real johipotetik paqeje e stabiliteti ose për ta mbajtur të ndarë si sot në udhëkryqin e Ballkanit Perëndimor.

  1. No comments yet.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.