Hyrje > Arnautët > Poeti i hekurudhave

Poeti i hekurudhave

Ali OLLONI

 

POETI I HEKURUDHAVE*¨

hekurudhë

Që nga koha kur një grup kosovarësh dhe shqiptarësh të viseve të ndryshme të Jugosllavisë, të Shqipërisë etj., filluan të gjallërojnë në Republikën Arabe të Sirisë hekurudhat arabe thuajse i prisnin vetëm muhaxhirët, ata që i kishin lënë “memleketet” e tyre dhe ishin vendosur në vende të tjera.

Se sa e rëndë ishte jeta në vend të huaj, ata na treguan vetë, sipas mundit dhe punës së rëndë që kanë bërë, vetëm e vetëm për të ekzistuar, për t’iu përshtatur rrethit të ri, në vend të largët.

Për familjen e Abdurrahman Dobërllukës, ku e gjetëm edhe Haxhi Ahmed Prishtinën, mblodhëm shumë shënime. Zaten, ata dinë shumë gjëra, sepse prej shqiptarëve që sot jetojnë në Republikën Arabe të Sirisë janë gati më të moshuarit (i kanë kaluar të tetëdhjetat).

Abdurrahman Dobërllukës në jetë i erdhën dhjetë fëmijë. Dhe, secili e vazhdoi jetën sipas takatit, sipas mundësive të shkollimit dhe të punësimit. Për një kohë të gjatë ata jetuan në qendrën Dera e tash janë në Damask.

Njëri prej djemve të Abdurrahmanit është edhe Barakat Latif Arnauti (në fillim të këtij fejtoni kemi thënë se shumica e shqiptarëve që jetojnë në Siri, mbiemrin Arnauti e kanë marrë me qëllim të veçimit nga grupet e tjera etnike të kësaj republike arabe).

Barakat Latif Arnauti u lind më 1935, në një familje me shumë anëtarë. Pas shkollës fillore, ai kreu edhe tri klasa të gjimnazit. Më vonë u inkuadrua në hekurudha, meqë aty i punonte edhe babai. Sipas fjalëve të tij mes dëshirave dhe mundësive mund të ndërtohej një aeroport. Kështu, dëshirat e mëdha për studime iu fundosën shpejt meqë, sipas nevojave familjare, iu desh të punonte dhe të fitonte kafshatën e gojës.

Për Barakat Latif Arnautin të tjerët thonë se ai ishte një nxënës i zgjuar, se kishte prirje të ndryshme, bile edhe për letërsi.

 

Njeriu i vogël dhe lufta për jetë

 

Kur filloi punë si drejtues lokomotive, Barakati u interesua edhe për gjuhët e huaja. Kështu ndër të tjera ai filloi të mësojë mirë edhe gjermanishten.

Duke dashur që t’i plotësojnë dëshirat e të riut të prirur dhe të një punonjësi të vyer, drejtoria e hekurudhave siriane e dërgoi Barakatin në Gjermani, ku qëndron plot tetëmbëdhjetë muaj me qëllim të specializimit për punë dhe mësimin e gjuhës.

Pastaj, kohë pas kohe, ai shkon nga 6 muaj edhe në Austri dhe në Hungari.

Çdo dalje e tij nga Siria, e mësonte edhe më shumë, e frymëzonte poetin e ri dhe e pajiste me njohuri të reja. Kështu, kur u kthye nga udhëtimi i fundit, më 1974, filloi të shkruajë poezi.

Poezia e Barakat Latif Arnautit është frymëzuar nga puna në prodhim, kryesisht nga puna e hekurudhave, me të cilët e kaloi një pjesë të mirë të rinisë dhe të rritës.

Disa nga poezitë e Barakatit u pritën mirë në mjedisin e punëtorëve të Damaskut, kurse disa të tjera u botuan edhe në gazetat “El Bass” (Rilindja) dhe “Teshrin” (Tetori).

– Më ka bërë përshtypje njeriu i vogël dhe lufta e tij për jetë – na tha Barakati, kur e vizituam në një banesë të vogël të lagjes Divanije, ku jeton i vetëm. Dekori më i bukur i dhomës së hekurudhorit janë veglat e punës: feneri, pipi dhe çekani i binarëve – tha ai.

Barakati nuk di të flasë shqip. Disa fjalë i ka mësuar prej prindërve, por që përditë e më shumë po harrohen, mu sepse shqiptarët po e kalojnë jetën me arabët dhe shumë pak e flasin gjuhën shqipe.

Ai na tha: “Mirë se erdhët”, kur e vizituam, por më tutje nuk mundi të na thotë asnjë fjalë.

Jeton i vetëm. Punon dhe shkruan. Ai e di shumë pak se kur lind e kur perëndon dielli. Ai thotë se kështu ndodh me të gjithë hekurudhorët. Kur kthehet nga puna, e kap lapsin dhe fillin të radhisë vargje të reja në të cilat është udhëtari që merr rrugë me tren dhe gjithë bota e tij.

“Poeti i hekurudhave” siç i thonë në Damask, Barakat Latif Arnauti, është i sinqertë, i drejtpërdrejtë. Një mik i tij na tha se kështu janë edhe të gjithë punonjësit sirianë. Zaten, punonjësit e duan më së shumti sepse, nëpër vargjet e tij, ata janë këmbëkryq, ashtu siç janë në jetën e përditshme.

Kur filloi t’i botojë poezitë, lindi edhe interesimi i botuesve që ato, një ditë, të dalin edhe si përmbledhje e posaçme. Kështu, pas disa ditësh, në Republikën Arabe të Sirisë, vargut të poetëve do t’u shtohet edhe një emër, emri i Barakat Latif Arnautit me përmbledhjen e cila është përgatitur më parë e në të cilën janë vetëm 23 poezi.

Në dhomën e vogël, ku jeton Barakat Latif Arnauti, ishim me mikun tonë të vjetër Abdulatif Arnautin. Që të dy ata janë fëmijët e dobërllukasve të Vuçitërnës (Vushtrisë).

Barakati, me dëshirën tonë, filloi të recitojë një poezi (në arabisht) e Abdulatifi na e përkthen ngadalë e me kujdes.

 

BARAKAT LATIF ARNAUTI

 

SHOKUT UDHËTAR

 

Ai nuk kishte nevojë të shkojë

i dehur nga kripa e len hijen

si penjtë e merimangës

kraharori i uzinës është dashur

të flasë me këmbët e tij

Le të ecin vetë tatëpjetës së hirit

e le të fshijnë pluhurin nga balli

koha nuk e fal ngushëllimin

e as fryma nuk falet në gjenezën e tokës

Nëse shkon

brengat e djersës së nënsqetullës

nuk do tiren

mëngjesi nuk gabon

Po flas me trupin tënd

për të ngarkuar qymyr

e për ta marrë me vete

për darkën time të fundit

– – –

U shet duart dhe mundin

tregtarëve të gjakut

që me dritën tënde

tregojnë dhe u japin

pështymën gushave të thata

e të lënë të thërrasësh

me zërin e dhelprës

Duart e tua janë shufra hekuri

që lëvizin kohën

janë qiell që pikojnë kallinj

ose drugëza të pranverës

Dheu vrapon pas trenave

të të kapin

dhe kthen zërin e veglave

që i bien kraharorit të mëngjesit

– – –

Prej këtu, shok i dashur,

lind historia

prej ujit të barit

lëvizin rrotat

Prej shtrëngimit të luleve

shpërndahet aroma e mirë

prej vargut të kamxhikëve

mbin revolucioni.

(Kjo poezi u botua edhe në gjermanisht)

 

/Orientalizmi Shqiptar/

 


* Ky artikull është botuar për herë të parë në gazetën “Rilindja”, në Prishtinë, më 22.07.1978.

¨ Ky shkrim është botuar në revistën “URA”, nr. 5, botim special për Arnautët, Vjeshtë-Dimër, Tiranë 2010, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: