Kreu > Qytetet e vjetra shqiptare > Do shkoj bari n’rronjë

Do shkoj bari n’rronjë

Alba KEPI

 

DO SHKOJ BARI N’RRONJË

Tirana e vjetër

Tirana e vjetër

Nga Sul Bargjini te Revolucioni virtual…

“Do shkoj bari n’rronjë“, është një shprehje që tironsit e përdorin shpesh. Katër fjalë mjaftojnë për të kuptuar mes tyre identitetin historik të çdo familjeje autoktone, pa të cilat kryeqyteti sot nuk ka kuptim.

Do shkoj bari n’rronjë”, mendoi në ditën 16 Muharrem të vitit 1022 (v.1614 në kalendarin e krishterë) trashëgimtari i një prej dyerve më të mëdha të Arbërisë, Sulejman Pashë Bargjini, gjatë rrugëkthimit në atdhe. Dëshira e tij i ktheu jetën rrënjës e i dhuroi filizave të barit vendndodhjen e sotme të këtij qyteti.

“Do shkoj bari n’rronjë”, skaliste vula e M.S. Seit Toptanit në dokumentin historik mes nëntë firmash kundër copëtimit të Shqipërisë e vendimeve të Kongresit të Berlinit. Vit pas viti e shekull pas shekulli, filizat krijuan selvi të larta, e hija e tyre i dha zë burrave patriotë në Sheshin e Namazgjasë, kur vendosën që gjuha shqipe të shkruhej në alfabetin kombëtar. Selvitë rritën shtatin e veshën me histori çdo degë, secila prej tyre i dha kurajon për t’u quajt shqiptarë plot 150 trimave autoktonë, në një kohë kur qeveria turke shpallte të pafe e tradhëtar çdokënd që e pranonte këtë fjalë për vete.

“Do shkoj bari n’rronjë”, thirrën me dhimbje banorët e këtij qyteti, kur në fillim të ’900 pesë shqiptarët tironas; Jusuf Elezi, Mahmud Fortuzi, Hafiz Ibrahim Dalliu, Beqir Luga e Mustafa Mara, u dënuan me 10 vjet burgim për nacionalizmën, shprehur në mendimin e tyre të lirë për të njohur gjuhën shqipe, stemën shqipe, Skënderbeun dhe Shqipërinë të ndarë nga osmallinjtë.

“Do shkoj bari n’rronjë”, ushtonin në fillim të ’900, minaret e 19 xhamive të Tironës, kur si kurrkund në çdo qytet tjetër, lutjet e faljet kryheshin nga 15 hoxhallarë shqiptarë si Beqir Luga, i burgos dy herë nga Durguti e në kohë të rebelët; Sali Fortuzi, Mehmet Maçi, Ahmet Efendi Sauku, Sali Hallulli etj., po të burgos po nga rebelët. Ideali “Do shkoj bari n’rronjë” i mblodhi shqiptarët tironas, kryesuar nga Abdi Toptani me vëllezërit Maz-har, Hamit e Refik për të krijuar në Mirditë qendrën e komitave të kësaj ane në luftë kundër osmanëve.

“Do shkoj bari n’rronjë”, qe sakrifica e tre studentëve tironas të shkollës së Drejtësisë së Selanikut, që u kthyen në Delvinë për të formuar në atë anë Komitetin Nacionalist të kryengritjeve për të çliruar qytetet.

“Do shkoj bari n’rronjë”, e pati emrin kurajo e protestës së shqiptarëve tironas Nikollë Nishku, Sheh Ahmet Pazari, Xhelal Toptani e Fuad Toptani, kur përballë komandantit serb thanë: “Shqipëria është një vend neutral e Tirona ka me shpallë vetqeverimin”.

“Do shkoj bari n’rronjë”, u bë krenaria e këtij qyteti që me zërin e Refik Toptanit në sheshin e nënprefekturës, shpalli pavarësinë kombëtare, dy ditë para pjesës tjetër të vendit e tha: “Dhantë Zoti e u puqshim kështu si sot, gojë ndër gojë, që ashtu të mundemi me e ruejtë atdheun tonë nga të shkelunit e armikut. Rroftë Shqipnia në vete, rroftë vllaznimi, rroftë flamuri ynë kombëtar!”

“Do shkoj bari n’rronjë” buçoi gjoksi i këtij qyteti, kur komunizmi i mohoi gjuhën, dialektin, traditat e artin, avllitë e hajatet ia mbushi me hije bishash, kalldrëmet ia sakatoi me gjak shqiptarie, tjegullat ia krisi me dhimbje nënash. Por, veç muret e odave nuk mundën me i prek, mbi bardhësinë e tyre historia kish shkruar “Do shkoj bari n’rronjë”!

“Do shkoj bari n’rronjë”, është arma e gjithpushtetshme e revolucionit human të një popullsie që prej katër shekujsh, e pse jo ndoshta më tepër, i ka kushtuar Tironës identitetin e një qyteti plot histori, traditë, kulturë e patriotizëm. Bari lëshoi rrënjë, rrënjët zgjeruan shtratin, shtrati lartësoi filizat e filizat mësuan të dashurojnë fjalët;

“Do shkoj bari n’rronjë”. Po mbushet plot një dekadë e fuqia e kësaj dashurie krijoi një revolucion të ri, ndoshta më të fuqishmin në historinë demokratike të një Shqipërie të lirë. Është revolucioni i vendalive të një qyteti të etur për një histori të vërtetë, të shkruar në libra, të vizitueshme në muze, të gdhendur në monumente patriotësh, të ruajtur në kala antike, të mbyllur në sepete kujtimesh.

“Do shkoj bari n’rronjë” bëhet përsëri arma e këtij revolucioni human, por tashmë virtual, kaq i madh në numër, sa duket e çuditshme që ka ende dikush që se kanë vënë re. Dhe pse suksesi i social networke-ve ia ka lehtësuar punën, revolucioni virtual i tironsve autoktonë ka mbi një dekadë që ka nisur. Në forume shqiptare, shpesh mes halleve politike e ekonomike të një vendi që s’po zë paqe, anëtarë të ndryshëm hodhën me kuriozitetet e tyre, hapat e para të këtij revolucioni. Herë një fotografi, herë një frazë në dialekt, herë një histori, mjaftoi për të krijuar grupet e para virtuale të një qyteti që kish nevojë për njerëzit e tij. “Do shkoj bari n’rronjë”, qe përgjigjja kur askush nuk na kuptoi të folmen, “zatën komunistët nuk ju lejun të na nigjoni”. Analfabet jo pak herë na quajtën, pa ditë se shumë prej nesh shkruanin brenda mureve të një Universiteti Evropian e dëshira për të folur në dialekt qe kërkesa jonë për të shkruajtur historinë e një qyteti që ulëriste: “Do shkoj bari n’rronjë”! Po me këtë shprehje, iu përgjigjëm dhe atyre “zavallëve” që nuk donin histori e me grushtin në ballë e në gjoks na tregonin qytetarinë. Forumet e faqet virtuale u mbushën me imazhe fotografish shekullore, ku qytetit tonë nuk i mungonte asgjë, as rrugë të shtruara, as pemë të mbjella, as shkollat, bibliotekat, shtëpitë botuese e shtypshkronjat, as xhamia e kisha, e as arkitektura moderne, e një qyteti evropian.

“Venaliu Tirona” prezantoi Tiranën e një shekulli më parë, krenaria e çdo shqiptari, kryeqyteti i një shteti të ri, frymëzimi patriotik që nuk pushoi së shkruari; “Do shkoj bari n’rronjë”! Figura patriotësh tironas u bënë idhujt tanë, shoqëri patriotike me idealet e tyre rifituan njohjen, shkrimtarë, poetë e artistë frymëzuan revolucionin e Tironës.

“Do shkoj bari n’rronjë”, evokoi “Ahengu tirons” me këngët e vjetra popullore tironse, pasuri kombëtare e një populli, që pa to nuk gëzohet dot. Halli, gëzimi, jeta, historia e dashuria, shprehur në nota muzike i dha formën humane këtij revolucioni virtual. Muzika përcolli e përcjell çdo ditë, relike këngësh të ndaluara, këngëtarë të harruar nga historia e politizuar e muzikës. Mijëra e mijëra janë utentët virtualë që i ndjekin, shumë prej tyre jo vendali autoktonë, por që bashkë me ne mësuan të na respektojnë historinë, njohurinë, dashurinë për qytetin tonë.

“Do shkoj bari n’rronjë”, qe pena frymëzuese e faqes “tironc kam le e tironc do vdes”, ku me bejte e poezi shkroi mbi të bardhë hallet e këtij qyteti, problemet e çdo banori vendali. Në këtë forum, me fotografi e vargje, opinionet e tironsve u bënë zemra e këtij revolucioni, e si në një sofër me miq shumë nuk harrohet kurrë pa përshëndet vendin në krye të qoshes, Tironën.

“Do shkoj bari n’rronjë”, qe mendimi i krijuesve qysh më 1998, i websitit “Sk-Tirona”. Nis fillimisht nga dashuria për skuadrën e zemrës, shumë shpejt u shndërrua në një gazetë të vërtetë lajmesh mbi qytetin, histori e diskutime që ia lehtësuan punën çdo anëtari të mëvonshëm të këtij revolucioni. Sot, me një aktivitet të ndarë në grupe pune, tifozëri e informacione, SK Tirona mbledh pranë saj në çdo fundjavë dhjetëra e qindra aktivistë, që pas shallit bardhë e blu nuk harrojnë të shkruajnë “Një skuadër, një qytet, një kryeqytet, një ekip, një histori, një dashuri: Tirona”.

Bari lëshoi rrënjë, rrënjët zgjeruan shtratin, shtrati lartësoi filizat e filizat mësuan të dashurojnë fjalët; “Do shkoj bari n’rronjë”. Embrionet më të freskëta të revolucionit virtual tirons janë “Çunat e gocat e Tironës”,një urëlidhje e të djeshmes me të sotmen.

“Do shkoj bari n’rronjë”, thërrasin njëzëri forumet “Venaliu Tirona”, “Aheng Tironas”, “tironc kam le e tironc do vdes”, “SK Tirona”, “Çunat e gocat e Tironës”, “Tirona Fanatics”, “Bejtja Tironase” etj., duke kërkuar:

“Të shkruhet historia”; “Të krijohet muzeu”; “Të nderohen patriotët, shkrimtarët, artistët tanë”; Të restaurohen shtëpitë “Monument kulture”; Të ruhen kalatë e objektet historike të qytetit tonë.

“Do shkoj bari n’rronjë”, mendoi në ditën 16 Muharrem të vitit 1022 (v.1614 në kalendarin e krishterë) trashëgimtari i një prej dyerve më të mëdha të Arbërisë, Sulejman Pashë Bargjini, gjatë rrugëkthimit në atdhe. Dëshira e tij i ktheu jetën rrënjës e i dhuroi filizave të barit vendndodhjen e sotme të këtij qyteti. Ky qytet është sot thembra e Akilit, e këtij revolucioni. Sulejman Pashë Bargjini fshehur pas një busti hijezi me një emër të panjohur sheh nga lart e thotë: Vallë ky është vendi im?

E shprehja “Do shkoj bari n’rronjë”, pa i dhënë përgjigje krijuesit të tij nuk do gjej kurrë paqe.

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: