Hyrje > Arnautët > Përpjekje për një klub shqiptarësh

Përpjekje për një klub shqiptarësh

Ali OLLONI

 

PËRPJEKJE PËR NJË KLUB SHQIPTARËSH*¨

Damasku

Bisedat e përzemërta me shqiptarët e Sirisë nuk do të ishin të plota pa reporterin që kërkon ngjarjet autentike, atmosferën dhe veten në to, po qe se nuk i dëgjon të gjitha “kambanat”, po qe se nuk llafoset me të gjithë ata që, nga situatat e ndryshme dhe në kushte të ndryshme, qenë të shtrënguar që në periudhat e ndryshme kohore të lënë atdheun e tyre.

Ata që e kanë studiuar mirë historinë e popullit tonë, e dinë se një pjesë e tij është e shpërndarë nëpër botë dhe se kjo pjesë kërkoi “vendin nën qiell” për shumë arsye. Në shkrimet tona të lira për shqiptarët e gjallë që jetojnë në Republikën Arabe të Sirisë, shpesh e kemi përmendur fenë si ndër arsyet kryesore që një grusht shqiptarësh u nisën në rrugën e largët para pesë-gjashtë dekadash. Kujtojmë se do t’i hynim pikërisht fesë në hak, po qe se nuk i përmendim edhe rrethanat e tjera nën të cilat shqiptarët u rrokën në jetën jashtë vendlindjes.

Një mbrëmje prilli, ia mësymë një rrugice të lagjes Divanije të Damaskut, në banesën e Shefqet Gavoçit. Në portën e shtëpisë na pret vetë Shefqeti, si të gjithë shqiptarët. E flet gjuhën, sikur të kishte shkuar sot në Damask. Për një moment, në të hyrë pushojnë zërat e fëmijëve dhe të grave. Ngjitemi shkallëve të gurta dhe futemi në një dhomë gjysmë të errët, në të cilën janë dy shtretër dhe disa fotografi nëpër mure.

Përshëndetemi me prezantime të herëpashershme e më të dendura.

Shkodrani është i bukur dhe temperament. Ndonëse i shtyrë në moshë, Shefqet Gavoçi të jep përshtypjen e njeriut vital me plot optimizëm për jetën. Furtunat e mëdha të jetës kishin lënë pak gjurmë në shëndetin e tij (apo kështu ndoshta duket secili njeri, në shikim të parë).

Kohërat kur qeni nuk e ka njohur të zonë

Shefqet Gavoçi lindi në Shkodër, më 1918. Është i katërti djalë i hoxhës që i kreu studimet në Shkodër e në Turqi, i Sulejman Gavoçit, luftëtarit të dalluar në luftërat kundër turqve që qenë zhvilluar prej Shkodrës e deri në Tuz.

Në rininë e hershme, familja e hoxhës e dërgon djalin në Egjipt. Në universitetin e Al-Az’harit ai kryen studimet në gjuhën arabe dhe merr diplomën e shkollës së lartë.

– Më 1946 erdha në Damask të Sirisë – tregon sot Shefqeti – ku e kisha edhe babanë, i cili pati ardhur këtu që nga momenti kur Italia fashiste e pushtoi Shqipërinë.

Sipas fjalëve të Shefqet Gavoçit, familja e tij kishte autoritet në Shkodër dhe në tërë vendin por, e ndjekur nga zogollistët, u detyrua që ta lëshojë Shkodrën. Kështu, në fillim shkoi në Bejrut të Libanit e pas një muaji në Damask të Sirisë.

– Në kohën kur familja ime ishte në Siri, unë isha në Egjipt. Atje bëheshin demonstrata të mëdha kundër hyrjes së Italisë në Shqipëri. Legata italiane na ftoi të gjithëve për të na dhënë disa ndihma, mirëpo unë isha i vetmi që refuzova ndihmat e tyre.

E gjatë duket (dhe është) biseda me Shefqet Gavoçin.

– Nëpër kohëra – thotë ai – nuk e ka njohur qeni të zonë. Ndaj, i biem pak më shkurt.

Marrim vesh prej tij se më 1951, në Siri ka ardhur një delegacion i shqiptarëve mërgimtarë për të shikuar kushtet e punës dhe të jetës së shqiptarëve. Me atë rast, qeveria e atëhershme siriane premtoi një vend të caktuar për të gjithë shqiptarët brenda shtetit, me një pjesë të tokës punuese dhe me një ndihmë të përkohshme prej 5000 lirave siriane.

Mirëpo, meqë kishin bërë kërkesa të tilla edhe emigrantët palestinezë, premtimet për shqiptarët nuk realizohen, dhe kështu nuk u plotësua asnjëra prej kërkesave.

Shpirtrat e shqetësuar

Në vitet pesëdhjetë, shqiptarët gjallëruan si mundën e si ditën: dikush si punëtor krahu, dikush si drejtues lokomotive, nëpunës, zanatçinj, punëtorë lulishtesh, oficerë etj.

Shqiptarët e Sirisë nuk janë tubuar vetëm kur kanë kërkuar ndihma të ndryshme nga qeveria. Apelit të tyre për të themeluar një klub, i cili daton që nga viti 1948, iu përgjigjën gati të gjithë shqiptarët. Ata dhanë sipas takatit, kush më shumë e kush më pak, dhe kështu themeluan “Klubin bamirës të shqiptarëve në Damask”.

Qëllimi kryesor i këtij klubi është hapja e një shkolle shqipe, me qëllim që të mos harrohet gjuha shqipe.

Shefqet Gavoçit i kujtohet mirë se ndër gjeneratat e para e kishte nxënës edhe Abdulatif Arnautin.

– Qeveria na e lejoi themelimin e klubit, siç ia pati lejuar dhe çerkezëve dhe armenëve, por na diktuan shpejt dhe na penguan shumë. Klubi dhe shkolla shqipe falimentuan shpejt. Asokohe isha nënkryetar i klubit.

Kuptojmë se posa janë qetësuar shpirtrat e reaksioneve të grupeve të tjera etnike që kanë jetuar në Siri kundër organizimit të shqiptarëve, të vetëdijes së tyre për gjuhën dhe zakonet, Shefqet Gavoçi ka vazhduar me të “vjetrën”, ka pritur momentet dhe sërish ka filluar punën me kurse të ndryshme të mësimit të gjuhës shqipe nga ana e të rinjve dhe të moshuarve që me arabishten flinin e zgjoheshin.

– As vetë nuk e di se kah më vinte që të fillojë punën shkolla shqipe, pavarësisht nga kushtet të cilat ekzistonin – shton ai.

Pas llafosje së gjatë me bashkëbiseduesin, ai, si të gjithë mësuesit e zellshëm, kërkon mjete konkretizimi. Ndaj, na fton të hyjmë në një lokal tjetër. Në fund të oborrit, Shefqeti e hap portën e një salle të shtruar me minderë të thjeshtë dhe me një tablo të vogël shkrimi.

Kosovarët po “harrojnë”

– Sot, në mungesë lokali, këtu, në shtëpinë time, punon shkolla shqipe, ku fëmijët e shqiptarëve dhe ata që e kanë harruar gjuhën, mësojnë gjuhën shqipe, shkrim-këndimin amtar. Ashtu, thjesht, sipas takateve tona.

Një muaj të enjteve dhe një muaj të xhumave (të premteve) në këtë shkollë vijnë 16 vijues të rinj, lexojnë pjesë gazetash, shkruajnë nga pak dhe flasin shqip.

– Po na mungojnë tekstet – shton Shefqeti. Sa herë që kanë ardhur kosovarët këtu, na kanë premtuar tekste shkollore, por ja, kur po kthehen në Kosovë po “harrojnë”.

Në minderet e lokalit mësimor është “Rilindja” dhe “Zëri”, të para një muaji. Nga një shkrim prej tyre, Shefqeti iu jep vijuesve dhe, pasi ta kenë lexuar, u kërkon sqarime, kuptimin e shkrimit. Pas orës së mësimit, iu jep gazetën me vete dhe, dorë më dorë, për disa ditë, botimet tona kalojnë gati nëpër të gjitha duart e shqiptarëve dhe atyre që duan ta ruajnë gjuhën amtare.

– Një qëllim e kemi, të mos humbasë gjuha jonë – flet shkurt Shefqet Gavoçi.

Zaten, shqiptarët e Sirisë kanë zë të mirë në tërë vendin, dallohen në punë dhe duhen prej të gjithëve. Nga pak iu kanë prishur punë grupet e tjera etnike meqë kur refuzoheshin kërkesat e tyre, në po atë “thes” hynin edhe kërkesat e shqiptarëve.

Shqiptarët e Sirisë na bindin duke thënë: çerkezët, armenët e grupet e tjera etnike bashkëpunonin me okupatorët e Sirisë, kurse shqiptarët ranë me armë në duar kundër çdo kolonialisti që ia mësyu Sirisë.

 

/Orientalizmi Shqiptar/

* Ky artikull është botuar për herë të parë në gazetën “Rilindja”, në Prishtinë, më 05.08.1978.

¨ Ky shkrim është botuar në revistën “URA”, nr. 5, botim special për Arnautët, Vjeshtë-Dimër, Tiranë 2010, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com

Kategori: Arnautët Etiketa: , , ,
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: