Hyrje > Osmanologji, Studime orientale > UP-ja të hapë Katedër të Osmanistikës

UP-ja të hapë Katedër të Osmanistikës

UP-JA TË HAPË KATEDËR TË OSMANISTIKËS

Prof. Dr. Nehat Krasniqi

Prof. Dr. Nehat Krasniqi

Osmanologu i njohur, profesor dr. Nehat Krasniqi, i cili e ka përkthyer Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë, të cilën e ka zbuluar profesor dr. iur. Eqrem Zenelaj, ka thënë se mësimi i osmanistikës në universitet është shumë i rëndësishëm për nxjerrjen në pah të historisë së shqiptarëve në kohën e Perandorisë Osmane.

 

Ai në këtë intervistë për “Epokën e re” ka kërkuar nga zyrtarët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” të angazhohen për themelimin e Katedrës së Osmanistikës. “Është shumë i nevojshëm themelimi i Katedrës së Osmanistikës, e cila do të ishte krah i djathtë për Institutin Albanologjik”, ka deklaruar Krasniqi. Në këtë kontekst, osmanologu Krasniqi ka vlerësuar se, në kuadër të Institutit Albanologjik, do të ishte mirë të ekzistojë një sektor i veçantë, në të cilin do të angazhoheshin shkencëtarë-osmanologë. “Osmanistika ka rëndësi kardinale për studimet albanologjike. Albanologjia nuk mund të merret me mend pa osmanistikën si krahun e saj të djathtë”, ka thënë Krasniqi.

Osmanologu Krasniqi ka folur edhe për punën që bën në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës në kuadër të Departamentit të Koleksioneve të Veçanta. Ai ka thënë se që një kohë të gjatë merret me koleksionimin, hulumtimin, përpunimin dhe studimin e dorëshkrimeve orientale. Në këtë departament Krasniqi ka bërë me dije se ekzistojnë mbi 728 vëllime dorëshkrimesh në gjuhët orientale, të cilat kanë të bëjnë me historiografinë dhe kulturën shqiptare gjatë kohës së Perandorisë Osmane. “Dorëshkrimi më i vjetër, i cili është i koleksionuar në këto dorëshkrime, është i vitit 1348. Ky dorëshkrim ka qenë pronë e Medresesë së Madhe të Gjakovës. I njëjti dorëshkrim ka arritur atje falë Murat Beut”, është shprehur osmanologu Krasniqi.

 

“Epoka e re”: Z. Krasniqi, me çfarë po merreni kohët e fundit?

 

Krasniqi: Puna ime në sektorin e dorëshkrimeve, respektivisht në Departamentin e Koleksioneve të Veçanta pranë Bibliotekës Kombëtare, ka të bëjë me hulumtimin, përpunimin dhe studimin e dorëshkrimeve orientale, osmanishte, arabisht dhe persisht, përfshirë këtu edhe dorëshkrimet në gjuhën shqipe me alfabet arab, një pjesë e vogël e të cilëve janë koleksionuar në këtë sektor. Krahas kësaj pune, qysh nga viti 1996 jam ligjërues i angazhuar në Fakultetin Filozofik, konkretisht në Degën e Historisë, për lëndën Gjuhë osmane. Në dy-tre vjetët e fundit jam ligjërues i angazhuar në Universitetin e Prizrenit. Atje ligjëroi dy lëndë, të cilat ndërlidhen me antropologjinë kulturore. Këto janë punët e mia të përditshme, por natyrisht interesimet e mia shtrihen edhe në rrafshin e punës kërkimore shkencore, rezultatet e së cilës kam filluar t’i publikoj që nga viti 1991. Jam i angazhuar edhe në disa projekte shkencore. Aktualisht jam i angazhuar në një projekt të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës lidhur me hartimin një fjalori enciklopedik të Kosovës. Konkretisht në redaksinë e periudhës osmane dhe të kulturës orientale. Po ashtu, jam i angazhuar edhe në një projekt të Ministrisë se Arsimit të Kuvajtit, për hartimin e një enciklopedie botërore, në të cilën Kosova do të ketë një hapësirë. Në këtë enciklopedi Kosova do të ketë një hapësirë të mirë prezantuese.

 

“Epoka e re”: Kur flisni për dorëshkrime, sa janë të vjetra ato, ku janë marrë dhe cila është rëndësia e tyre?

 

Krasniqi: Deri tani në këtë departament, si rezultat i punës sonë kërkimore në terren, kemi arritur të mbledhim dhe të koleksionojmë 728 vëllime dorëshkrimesh. Dhe meqenëse një dorëshkrim mund të ketë brenda kopertinave më shumë se një vepër, atëherë numri i veprave që përmban ky koleksion i dorëshkrimeve shkon mbi 1 300. Rëndësia e këtyre dorëshkrimeve është jashtëzakonisht e madhe. As që mund të merret me mend rekonstruimi i historisë së kulturës shqiptare të periudhës pesëshekullore osmane pa këto burime shumë relevante. Në këto dorëshkrime ka vepra letrare të autorëve tonë. Po ashtu, ka komente të autorëve tanë për vepra letrare të klasikëve persianë, arabë, turq etj. Nga aspekti përmbajtjesor koleksioni ynë i dorëshkrimeve ka një tipologji të larmishme fushash dhe disiplinash shkencore. Ka vepra të karakterit letrar, gjuhësor, historik, teologjik, mjekësor, pedagogjik etj. Për ne më të rëndësishmet janë veprat e autorëve tanë shqiptarë, pa dallim nga viset nga të cilët ata vijnë. Ne u japim rëndësi dorëshkrimeve që kanë përmbajtje me interes për albanologji dhe ballkanologji. Pastaj i vlerësojmë dorëshkrimet që janë kopjuar në institucionet edukative arsimore të vendit tonë dhe nga njerëzit tanë. Gjithashtu, kanë rëndësi për ne veprat dorëshkrimore që na japin informacione për institucionet edukative arsimore, ku janë shkruar apo kopjuar ato, për bibliotekat në të cilat janë koleksionuar dhe janë ruajtur, si dhe për pronarët e tyre të dikurshëm. Natyrisht një kronikë historike që përmban informacione për vendin dhe për popullin tonë, apo një përmbledhje poetike e ndonjë autori shqiptar, qoftë edhe në gjuhët orientale, është shumë më e vlefshme për ne si institucion sesa një dorëshkrim me përmbajtje nga ndonjë disiplinë fetare.

 

“Epoka e re”: Mund të na thoni emrat e disa dorëshkrimeve dhe nga cila datë datojnë?

 

Krasniqi: Dorëshkrimi më i vjetër, i cili është i koleksionuar në këtë sektor, është i vitit 1348. Ky dorëshkrim ka qenë pronë e Medresesë së Madhe të Gjakovës. I njëjti dorëshkrim ka arritur atje falë themeluesit të kësaj medreseje, Murat Beut, pinjoll i familjes Kryeziu. Ndërsa në bibliotekë ky dorëshkrim ka ardhur si dhuratë nga familja e Hasan efendi Nahit. Po ashtu, kemi autografin e Vehbijes të shkruar nga dora e Tahir Efendi Gjakovës. Janë ruajtur kopje të ndryshme të asaj vepre në koleksione dhe biblioteka të ndryshme, madje edhe në Stamboll dhe Vjenë, por autografi i saj është ruajtur në Gjakovë dhe ne sot e kemi në koleksionin tonë. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre veprave janë të karakterit letrar, janë divane të ndryshme të autorëve tanë. Këtu do ta veçoja divanin e Sheh Sylejman Axhiz babës përfunduar në vitin 1718, vepër kjo, e cila, përpos vlerave letrare, ka edhe të dhëna historike me interes të veçantë. Në përgjithësi këto koleksione paraqesin një thesar shumë të çmuar. Interesimi për këtë koleksion dhe këto dorëshkrime tek ne, për fat të keq, është i vonuar. Përderisa në bibliotekat kombëtare të vendeve evropiane qysh në shekullin e XIX janë botuar katalogët e dorëshkrimeve orientale nga bibliotekat e Vjenës më 1865-1867, e Londrës më 1888, e Berlinit më 1889, më vonë e Parisit më 1913 etj., interesimi i institucioneve shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë për koleksionimin dhe katalogimin e këtyre dorëshkrimeve është më i vonuari në Ballkan. Sot në bibliotekat dhe arkivat tona publike si në BKUK, Arkivin e Kosovës, Bibliotekën Kombëtare të Tiranës dhe Arkivin Qendror të Tiranës numri i dorëshkrimeve orientale arrin deri në 2 000 vëllime.

Sipas rezultateve që kanë dalë nga një projekt i mbështetur nga Zyra e SHBA-së për regjistrimin e përgjithshëm të dorëshkrimeve orientale në Kosovë (gjatë viteve 2002-2004), del se në numri i dorëshkrimeve që është në pronësi private në Kosovë arrin rreth 3 000 vëllime. Ky është një thesar kolosal që do interesim institucional. Shumë dorëshkrime janë marrë e grabitur ose janë shitur nga Kosova në vende të tjera në të kaluarën. Sot bibliotekat e huaja mburren me to. Në këtë kontekst vlen të theksohet biblioteka e familjes Imami nga Peja, e cila ka pasur mbi 100 dorëshkrime të cilat ruhen në Bibliotekën Universitare të Beogradit. Ato dorëshkrime kanë vlerë të jashtëzakonshme për historinë e Sanxhakut të Dukagjinit dhe më gjerë. Shumë dorëshkrime gjenden nëpër familje, për të cilat shumëkush nuk e di rëndësinë e tyre që kanë për shkencën. Prandaj, të gjithë duhet të angazhohemi që këto dorëshkrime të koleksionohen në institucionet tona shtetërore, në radhë të parë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

 

“Epoka e re”: Në këtë kontekst, çfarë janë mundësitë e hulumtimit profesional shkencor të kësaj trashëgimie dhe sa është i rëndësishëm themelimi i një katedre përkatëse nga ana e Universitetit “Hasan Prishtina”?

 

Krasniqi: Mundësitë për hulumtimin e këtij thesari trashëgimor, sidomos të asaj që ka mbetur e shkruar nga periudha osmane, qoftë si dorëshkrime apo dokumente, janë shumë modeste tek ne, për faktin se nuk kemi bërë aq sa duhet për krijimin sistematik të kuadrove për osmanistikë. Krijimi i kuadrove të specializuar për osmanistikë është imediat për albanologjinë, sepse historia jonë dhe historia e kulturës sonë as që mund të merret me mend të shkruhet pa hulumtimin e dokumenteve osmane, të cilat sot janë të koleksionuara jo vetëm në Turqi, por edhe në vende të ndryshme të Evropës. Është shumë e nevojshme themelimi i Katedrës së Osmanistikës, e cila do të ishte krah i djathtë për albanologjinë, Institutin Albanologjik. Po aq e rëndësishme është që kuadrot që do të dalin nga studimet të kenë mundësi ta japin kontributin e tyre në institucionet kërkimore-shkencore, siç është Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë etj.

 

“Epoka e re”: Ka pasur një nisëm të themelohet një sektor i osmanistikës në Institutin Albanologjik. Mendoni se është i nevojshëm themelimi i tij?

 

Krasniqi: Para sa kohe drejtori i Institutit Albanologjik ka bërë kërkesë në MASHT për hapjen e sektorit të osmanistikës në këtë institut. Ajo kërkesë është pranuar mirë nga zyrtarët e kësaj ministrie dhe është dërguar në Ministrinë e Financave për formalitetet buxhetore lidhur me pranimin e tre hulumtuesve shkencorë me përgatitje përkatëse në Institutin Albanologjik. Këta hulumtues do ta përbënin bërthamën e parë të sektorit të osmanistikës në kuadër të këtij instituti. Një veprim i tillë do të ishte me shumë interes për albanologjinë. Osmanistika ka rëndësi kardinale për studimet albanologjike në përgjithësi. Albanologjia nuk mund të merret me mend pa osmanistikën si krahun e saj të djathtë.

 

“Epoka e re”: Doni të thoni se osmanishtja si studim të jetë edhe në Institutin Albanologjik?

 

Krasniqi: Osmanishtja si gjuhë duhet të mësohet në universitet, kurse osmanologët, si kërkimtarë shkencorë, veprimtarinë e tyre duhet ta ushtrojnë në institucione shkencore qoftë në Institutin Albanologjik apo atë të Historisë. Të gjitha vendet që kanë qenë pjesë e Perandorisë Osmane i kushtojnë një rëndësi të madhe kësaj periudhe, duke hulumtuar dhe studiuar dokumentet historike, letrare, gjuhën, antropologjinë kulturore etj. Prandaj popujt e tjerë kanë vëllime të tëra historike nga periudha osmane, ndërkaq në historiografinë tonë kjo periudhë kalohet fluturimthi me 30-40 faqe. Shpresoj se kjo nismë e Institutit Albanologjik të hasë në mirëkuptim nga institucionet përkatëse, sepse një anashkalim dhe neglizhim i kësaj nisme, dëmin më të madh mund t’ua shkaktojë studimeve albanologjike.

 

“Epoka e re”: Cila është porosia juaj për institucionet e shtetit karshi këtyre dokumenteve dhe shumë të tjerave që presin të dalin në dritë?

 

Krasniqi: Është shumë me rëndësi që shoqëria jonë ta bëjë një revalorizim të gjithë trashëgimisë sonë kulturore. Ne kemi kaluar në periudha të ndryshme, kemi qenë të okupuar dhe kemi qenë nën trysninë e një ideologjie komuniste, e cila trashëgiminë kulturore e ka shikuar me preferenca ideologjike. Kështu që, deri pas çlirimit të Kosovës, fati dhe rrethanat kanë qenë të vështira, megjithatë kemi arritur të bëjmë diçka, pra kemi arritur të shpëtojmë një pjesë të dorëshkrimeve, të cilat kanë qenë në shtëpi private e gjetiu. Sot nuk kam të drejtë morale t’u drejtohem pronarëve privatë të koleksioneve që t’ua dorëzojnë institucioneve shtetërore, por shteti duhet të gjejë mjete që këtë trashëgimi ta marrin në pronësi institucionet përkatëse, në radhë të parë Biblioteka Kombëtare e Kosovës.

 

Osmanologu Krasniqi vlerëson punën e profesor Zenelajt

 

“Epoka e re”: Z. Krasniqi, ju jeni përkthyesi i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, të cilën e ka zbuluar profesor Eqrem Zenelaj. Saktësinë e përkthimit tuaj e kanë vërtetuar edhe tetë osmanologë gjermanë si dhe profesori turk Hakan Karagez nga Universiteti “Sylejman Demirel” nga Antalia. Sipas jush, cila është rëndësia e këtij dokumenti në aspektin kombëtar dhe ndërkombëtar?

 

Krasniqi: Profesor Zenelaj ka bërë një punë të madhe në hulumtimin e dokumenteve jo vetëm në arkivin e Vjenës, por në një varg arkivash ku janë të koleksionuara dokumente të cilat bëjnë fjalë për historinë tonë. Profesor Zenelaj ka pasur fat që e ka gjetur këtë dokument, të cilin disa historianë kanë përmendur në një mënyrë, por konkretisht nuk kanë pasur në dorë asgjë. Kjo është hera e parë që pas 100 vjetësh është zbuluar ky dokument. Unë kam pasur kënaqësinë të bashkëpunoj me profesor Eqrem Zenelajn dhe ta përkthej këtë dokument. Dokumenti të cilin e ka zbuluar profesor Zenelaj është një dokument zyrtar, pra është i shkruar në gjuhën zyrtare të vendit. Duhet ta keni parasysh se në atë kohë gjuhë zyrtare ka qenë osmanishtja. Kjo nuk duhet ta befasojë askënd, sepse të gjitha shkresat diplomatike në Perandorinë Osmane janë shkruar në gjuhën osmane. Ruajta e Deklaratës së Pavarësisë në Vjenë është sinjifikative, pra ka një domethënie. Në arkivat e botës ka shumë dokumente të cilat presin studiuesit t’ia heqin velin e harresës dhe t’ia prezantojnë publikut.

 

Një biografi e shkurtër e osmanologut Nehat Krasniqi

 

Profesor Nehat Krasniqi ka lindur më 20 korrik të vitit 1956 në fshatin Brezne të Opojës. Në vendlindje ka përfunduar shkollimin fillor. Shkollën e mesme e ka kryer në Prishtinë. Është diplomuar në Degën e Orientalistikës pranë Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Po në këtë fakultet ka mbrojtur edhe disertacionin e doktoratës. Pas përfundimit të studimeve Nehat Krasniqi ka punuar tre vjet (1980-83) si bibliotekar në Bibliotekën Memoriale të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Më vonë, Krasniqi është kthyer për të punuar në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, atëherë Biblioteka Popullore dhe Universitare. Aty fillimisht ka punuar në Sektorin e Bibliografisë, kurse që nga themelimi i Departamentit të Koleksioneve të Veçanta, në tetor të vitit 1984, ka punuar dhe vazhdon të punojë në Koleksionin e Dorëshkrimeve dhe librave të rrallë në gjuhët orientale. Për një kohë të gjatë ka punuar si shef i këtij departamenti. Po ashtu, Krasniqi ka punuar afër një mandat edhe si zëvendësdrejtor i kësaj biblioteke. Në vitin 1987 Nehat Krasniqi ka specializuar për gjuhë dhe paleografi osmane në Fakultetin e Edukimit në Stamboll. Është ndër specialistët e rrallë ndër ne, për gjuhë dhe paleografi osmane. Është pjesëmarrës aktiv në më shumë se 20 konferenca, tryeza shkencore, kongrese e simpoziume shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka botuar mbi 40 punime shkencore në revista shkencore në vend dhe jashtë vendit. Në vitin 2011 Instituti Albanologjik ka botuar veprën e tij me titull Kontribute Albanologjike (Studime dhe dokumente historike e letrare të periudhës osmane), e cila është vlerësuar lart nga mendimi kritik shkencor.

 

(Lirim GECI)

 

Burimi: http://www.epokaere.com/index.aspx?SID=13&PMID=4&LID=2&ACatID=3&AID=31936&Ctype=1

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: