Kreu > Arnautët > Puna-mamurë, dembelia-harabë

Puna-mamurë, dembelia-harabë

Ali OLLONI

 

PUNA-MAMURË, DEMBELIA-HARABË*¨

Damasku

Damasku

Të mençurit thonë se njeriu, në jetën e tij, dy herë është fëmijë, një herë në fëmijëri e së dyti në pleqëri.

Shqiptarët e Republikës Arabe të Sirisë, që i kaluan të gjashtëdhjetat, ata që në fëmijëri lozën, si të gjithë fëmijët tanë, nëpër skutat e vendlindjes, ata që fotografitë e fëmijërisë nga familjet e tyre të mëdha nuk do t’i harrojnë për jetë e mot, sot janë me të heshturit, u është lodhur krahu i punës, shohin se si po u rriten e si po edukohen fëmijët dhe mbesat e nipërit dhe, me nga një ofshamë të thellë, presin vdekjen në dhe të huaj.

Të mençurit, sigurisht nuk e kanë thënë kot se njeriu edhe në pleqëri bëhet si fëmija. Shqiptarëve pleq shpesh u teket vaji, u rrjedhin lotët sa herë që i viziton dikush nga memleketi, sa herë u kujtohen vendlindja dhe njerëzit e saj. Në ato ngushëllime shpirti mbledhin forcën dhe ia thonë këngës, asaj kënge që njeriu e sjell në retrospektiva.

Kështu ndodh me Haxhi Lulin dhe me Numan Thabitin kur i vizituam në lagjen Kadem të Damaskut.

Në vitet tridhjetë të këtij shekulli familja e Haxhi Isuf Kaliçanit në fshatin Kaliçan të Pejës, kishte 45 anëtarë. Luli ishte 24 vjeç kur bashkë me xhaxhin e tij dhe shtatë anëtarë të tjerë të familjes ia mësynë Shamit.

– Mixha jem kish marak me ardh n’Sham, se Shami kish emën t’madh për fenë islame – tregon sot Haxhi Luli.

Jo vetëm anëtarët e familjes së Haxhi Isuf Kaliçanit, por gati shumica e tyre si më 1912 ashtu edhe më 1930 së pari u nisën për në Turqi, ku thoshin se janë mysafirë (pa e treguar qëllimin e cakut të fundit), e pastaj pas disa ditësh ose muajsh, kalonin në Siri.

– Kur erdhëm s’pari ktu, gjetëm bukur shumë shqiptarë të tjerë që ma përpara kishin ardhë prej Shkodre e Kosove. Në fillim rrishim te njoni-qetri e kshtu rrishim bashkë derisa ta gjejshim naj skutë me qira.

 

Gjuha, mosha, ditët e reja

 

Prej familjes së Kaliçanëve, që më 1930 e lëshuan përgjithmonë Kosovën, sot kanë mbetur vetëm tre vetë; Haxhi Luli dhe i vëllai Binak Misini me të shoqen.

– Tash erdhën të tjerët, erdhën në jetë pjellat tona që s’po dojnë me dijtë asgjë vetëm për jetë të rehatshme.

Haxhi Lulin e Kaliçanëve e ka djegur bukur shumë malli për vendlindjen. Ai thotë se asnjëherë nuk ka qenë dhe se sot e ka edhe më të vështirë meqë shëndeti dhe hallet e të gjallëve e kanë molisur shumë.

– Rrnuem si gjarpijtë nën gurë. Sa t’na jepej shteki, fillojshim me mbaru shpija, ashtu vetëm natën, tinëz hyqymetit, me shpirt nëpër dhomë. Hyqymeti na bojke ka pak ikram, meqë mendonte se jemi turçeli.

Për disa prej shqiptarëve gjuha arabe ka qenë shumë e vështirë. Është dashur të kalojnë bile deri në dhjetë vjet derisa e kanë mësuar mirë të folurit.

– Hala nuk muj me kuvendue mirë arapçe – shton Haxhi Luli. Fëmijët e mi flasin me nënën e tyre arapçe e mandej ma “angllatisin” kadal, pak shqip e pak arapçe.

Disa prej zakoneve tona ende janë ruajtur në mesin e shqiptarëve të Sirisë. Jo të gjitha. Sipas tyre, kjo ka qenë e pamundur meqë jeta e përbashkët me arabët dhe lufta për jetë e kanë bërë të vetën.

– U kputa tuj u fol djemve për adetet tona, por badihava, nuk i marrin vesh. Unë u flas shqip e ata ja grahin qysh t’ju vjen ma kollaj. Ç’ti bësh?!

 

Në Al-Karakut dhe Al-Alhamra

 

Haxhi Luli thotë, ndër të tjera, se deri më një kohë shqiptarët e Sirisë merrnin letra nga Kosova po tash të rinjtë nuk ua vejnë veshin korrespondencave. Për këtë u ka mbetur pak hatri.

Vetëm puna – thotë ai – na ka mbajtë gjallë. Zaten, ai që punon e bën dynjanë mamurë kurse dembelia – harabë.

Numan Thabiti është nga Ferizaj. Ishte shumë i ri, pesë vjeç, kur familja e tij e lëshoi Ferizajn. I ati, mulla Sabit Numani, ishte fetar i fortë. Nga fusha e islamit pati shkruar disa vepra. Në uzinat e Damaskut punoi si prodhues kutish.

Numan Thatibi tash ka 78 vjet. Lëngon. Jeton i vetëm në një skutë të lagjes Divanije. Familja e tij në fillim u vendos në fshatin Al-Karakut të Jordanisë (afro tri vjet) e më vonë në Al-Alhamra dhe në Mesmije (po ashtu nga tri vjet).

Numani e mësoi zanatin e marangozit nga i ati. Si i ri, në luftërat kundër kolonizimit frëng i takoi të mobilizohet dhe të marrë pjesë aktive në luftë, krah për krah me partizanët sirianë.

Pas luftës u punësua në uzinën e konservave, ku punoi derisa i mbushi të gjashtëdhjetat. Më vonë punoi si mjeshtër i elektrikut të furrave me korrent.

Numani ka bërë përpjekje të mëdha gjatë jetës së vet për të mos e harruar të tjerët gjuhën shqipe. Edhe vetë ishte, të thuash, nxënësi më i vjetër i shkollave që kohë pas kohe punonin në Damask. Disa herë i tubonte të gjithë anëtarët e familjes dhe i porosiste që të mësojnë pa hile, se vetëm në atë mënyrë do të dinë se kush janë.

Kështu, fëmijët e tij dhe të gjithë ata që kishin punë të ndryshme me Numanin ishin të obliguar që të flasin vetëm gjuhën e nënës.

Në Damask flitet se Numani ishte njëri ndër themeluesit e klubeve dhe të shkollave shqipe gjatë dekadave të fundit.

Ai u shqua edhe në punë edhe në organizimin e shqiptarëve, por më i shquar ishte në mesin e ushtarakëve gjatë luftës kundër francezëve.

 

Kështu e ka dynjaja, biro!

 

Bashkëkohësve të tij u kujtohet mirë se Numan Thabiti gjatë luftës (1926) ishte në togun e heroit Ismail Hasani, bashkë me Ismail Xhemnicën, Zyber Arnautin, Abdullah Xhemnicën etj.

Ai është dëshmi e gjallë e vetëdijes së shqiptarëve që të luftojnë kundër të huajve kudo që të jenë.

Tash është plakur bukur shumë. Kanë filluar ta tradhtojnë edhe këmbët.

Ka mbetur vetëm në një dhomë të ngushtë, në dhomën e cila është përplot me libra të ndryshëm të islamit.

– Më vjen keq që nuk kam takat që t’i hy edhe një herë këtyre librave. Janë shumë të mira. Shihni sa të vjetra janë.

Djemtë e Numan Thabitit momentalisht ndodhen në Jordani. Atje punojnë dhe jetojnë. E kanë lënë babanë vetëm me motrat gjimnaziste të cilat nesër ose pasnesër, kur të shkojnë tek burrat e tyre do ta lënë plakun edhe më keq.

– Kështu e kish dynjaja, biro! – tenton të na flasë pak edhe për vetminë, por nuk e zgjat. Ofshau dhe e përfundoi bisedën.

Para xhamisë së vogël të lagjes Divanije, para xhamisë së shqiptarëve, takojmë edhe dy shqiptarë të tjerë, Murat Sllatinën dhe të birin e tij, Jakupin. Murati është nga Sllatina e Poshtme e Prishtinës. Në moshën 14-vjeçare qe i obliguar ta lëshojë vendlindjen e tij. Me shtatë-tetë vjet të kaluara në Turqi, ka 60 vjet që Murati e ka lëshuar Sllatinën. Asnjëherë nuk ishte në vendlindje.

– S’po dalin paret mo-zo-ma-keq! Larg kemi qëllu, po InshaAllah Zoti e bon mirë!

 

/Orientalizmi Shqiptar/


* Ky artikull është botuar për herë të parë në gazetën “Rilindja”, në Prishtinë, më 12.08.1978.

¨ Ky shkrim është botuar në revistën “URA”, nr. 5, botim special për Arnautët, Vjeshtë-Dimër, Tiranë 2010, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: