Kreu > Mesele kombëtare > E vërteta e floririt

E vërteta e floririt

Elton HATIBI

 

E VËRTETA E FLORIRIT

Elton Hatibi

Elton Hatibi

Është e mirënjohur për publikun e gjerë shprehja ”djalë flori”, shprehje që i dedikohet ndonjë njeriu të mirë, të shkathët dhe altruist, i cili lehtëson hallin e dikujt, angazhohet pa ndonjë përfitim vetjak në ndihmë ndaj tjetrit. Me pak fjalë, profili i “djalit flori” rrotullohet rreth përparsisë që ai i jep drejtësisë, ndjeshmërisë ndaj të dobëtit në shoqëri dhe prakticitetit në veprim. Për më tepër “djem” të tillë janë objekt i përmendjeve në shoqëri. Njësoj si në legjenda, bëmat e tyre pësojnë, sipas rastit, fryrje ose inflacion, por kjo pa i prekur në thelb cilësitë e karakterit të tyre identitar.

Mund të merremi më gjatë për të konturuar këtë profil shoqëror që kuotohet metaforikisht lart, baraz me metalin e çmuar, por do të ndalemi në fenomenin e një personazhi, të cilit megjithëse metalin e çmuar kundërshtarët e tij  ia atashojnë në epitet, ky epitet vjen gjithsesi nga një kontekst negativ. E kam fjalën për epitetin “Ilir floriri” që ngre kokë në rrethe të gjera publike, sa herë ka turbulenca politike në vend, dhe gjitha kjo në lidhje me akuzat për vjedhjen e floririt rezervë shtetërore në tunelet e Kërrabës, në kohën kur kryeministër ishte pikërisht Ilir Meta. Mbase Kryetari i Parlamentit për mbështetësit e tij të shumtë që shtohen në zyrat e shtetit në progresion asimetrik është një “djalë flori”, përshtypje e ngurtësuar folklorikisht në vargjet, “kush i zgjidh hallet e mia/ Ilir Meta, LSI-a”, por zhdukja e arkave me monedha të arta dhe bizhuteri, për kundërshtarët e tij të ndërkëmbyeshëm mbetet një ngjarje e pazgjidhur, misteri i të cilës pagëzon dhe personazhin tonë me epitetin e artë.

Ngjarja tjetër që tek kundërshtarët forcon epitetin e lartpërmendur ndaj “djalit tonë prej floriri”, është ajo që u përdor si sebep në konfliktin në të cilin u vranë katër qytetarë shqiptarë. Por filmimi i politikanit të lartë, që sipas interpretimit opozitar të kohës dëshmonte me zë dhe figurë korrupsionin në nivele të larta shtetërore, u rrëzua nga gjykata si provë e manipuluar, pra e montuar pikërisht në zë dhe figurë. Shfaqsimi nga gjykata e shndërroi politikanin tonë sërisht nga “Ilir floriri” në një “djalë flori” potencial që zbret në bazë për të zgjidhur “hallet e djemve nga Skrapari”. Pikërisht nga ky shfaqsim që i ktheu popullit “djalin flori”, lindi dhe dhe parrulla popullore që oshëtiu gjithë luginës së Osumit deri pranë Gjykatës së Lartë në Tirane: “Ilir Meta e vërteta”. Me pak fjalë, sipas kësaj ekoje liturgjike, Ilir Meta mishëron “të vërtetën” në të gjitha dimensionet që rrok ky atribut, e vërtetë që për pak u eklipsua nga loja e pandershme e politikës, e cila tentoi të njollosë një nga të rrallët “djem flori” që gjendet në gjirin e popullit. Kjo e “vërtetë” që triumfoi ndaj gënjeshtrës djallë zore, e deklamuar kështu, për mbështetësit e tij ka edhe efekte prapavepruese; ajo fshin çdo paudhësi të përfolur dhe akuzë të mëparshme, sidomos atë që lidhet me periudhën e tij të artë.

E ardhur fort si jehonë prej vendlindjes së liderit, vendlindje në të cilin ndodhet një nga vend pelegrinazhet më të njohura, Mali i Tomorrit me tyrben e saj të Abas Aliut, “Ilir Meta e vërteta” merr një ngjyresë të veçantë, gati mistike. Politikani i lartë i cili është parë me raste në vizitat pelegrinore pranë teqesë në fjalë, me këtë të “vërtetë” të padefinuar mirë, mishëron dashje padashje në sytë e njerzisë atributet e një patroni politik të bektashinjve, të shumtë si besimtarë dhe si mbështetës të tij në këtë krahinë. Vetvetiu, me këta bashkëpatriotë të shumtë vërdallë krijohet një simbiozë e pastrukturuar mes politikes dhe fetares, ku për shkak të lirshmërise heterodokse në perceptimet fetare dhe shtratit social ku mbizotëron informaliteti, bereqeti dhe mirësia që pritet nga shenjtët tradicionalë, gërshetohet lehtësisht me privilegjet që burojnë nga militantizmi në forcën politike klanore. Natyra gati sektare e kësaj force politike, pas ekstazës së fundit politike rrezikon t’i shndërrojë qendrat e saja në vende pelegrinazhi, ku besimtarët pas sakrificave zgjedhore, duke evokuar emrin e “viçit të artë”, do të vijnë e luten për fat më të mirë, e të rregullojnë kështu hallet e tyre ditore.

Ashtu siç është strukturuar politika në Shqipëri, duket se Ilir Meta ka gjetur “Eldoradon” në mesin tonë sa shpesh quhet nga opinionbërësit “king maker”, rol ky që i jep luksin te akumulojë pushtet pas pushteti, gjithmonë në funksion të ushtrimit të misionit fisnik të “djalit flori”. Kjo dëshmohet qartë nga fryrja disa fish e numrave përfaqësues në Parlament. Në ndryshim nga legjislatura e kaluar, ku kishte vetëm katër “mandate të florinjta”, në këtë të riun i ka pesfishuar ato, dhe rrjedhimisht ka pesfishuar edhe karatët e tyre. Ndërsa për opozitën e shkuar,  kreu i LSI-së ishte “Ilir floriri”, ndërkohë që për ortakët e tij të pushtetit ishte “Ilir Meta e vërteta”, në realitetin e ri të ndërrimit të pushtetit kjo situatë është përmbysur: për opozitën e re mbetet “Ilir floriri”, ndërsa për pushtetin e ri ai është “i vërteti”. Në të gjitha rastet, edhe pse duhet dhe urrehet prej të dy krahëve të politikës, “Iliri”, i florinjtë ose i vërtetë qoftë, marshon dukshëm i patrazuar, duke gllabëruar gjithnjë e më tepër copa pushteti, për t’u shndërruar de fakto në një regjent të mbretërve, të cilët ngadalë humbasin ngastra nga zotërimet e tyre.

Së fundmi ky “djalë flori i vërtetë”, i cili ka mbajtur një mori postesh të larta në hierarkinë e shtetit doli dhe na tha me sinqeritet një të “vërtetë të madhe”; atë të shkakut përse nuk u mor prej Shqipërisë statusi i vendit kandidat për në BE. Sipas tij, fajin për këtë dështim e ka antarsimi i vendit në Organizatën e Vendeve Islamike, antarsim që e kemi peshqesh nga firma e njërit prej bashkëortakëve të tij politikë. Me të njëjtën lehtësi sa akuzon të tjerët për këtë “mëkat” izolacionist, tërthorazi vetakuzohet për moszhbërjen e kësaj aleance gjithë këto kohë që qëndron në pushtet. E vërteta është se, si të gjithë politikanët shqiptar, Lindjes Islamike ai i do më shumë “florinjtë” se të “vërtetën”; kështu shpjegohet fakti se sa kishte në dorë diplomacinë e vendit, i shtoi në ato anë përfaqsitë diplomatike që të lehtësonin prurjen e kapitalit dhe të kredive të tyre, ndërkohë pozita e Shqipërisë në forumet e Organizatës është gozhduar prej kohësh në një përfaqsim formal dhe pa ndikim në forumet e saj.

Realiteti i mirënjohur i islamofobisë në Europë është alibia më e kollajtë ndaj këtij dështimi në politikën e jashtme të vendit, një dështimi kaq të madh kur e kemi të qartë së sa energji propagandistike është investuar në këtë drejtim. Si një aset kombëtar, Islami, gjithnjë për tu fajsuar, është thirrur në ndihmë për të mbuluar problematikat alarmuese që ka vendi. Siparin e teatralitetit e hapi pikërisht ky politikan që nga kolegët e tij përshkruhet tek ndërkombëtarët në dy regjistra, duke u lënë kështu shteg të gjerë interpretimeve se cili është produkti i vërtetë i veprimtarisë së tij politike. Megjiththëse doli i pari për të na mësuar haberin ekzotik, nuk është e qartë nëse këtë e bën nga pozita e “djalit flori” që është, në ndihmë të ortakut të tij që i mëshoi më me stil kësaj teze, apo në cilësinë e “liderit të vërtetë” që rrok në eter diçka që ne të zakonshmit nuk e dallojmë dot në gjuhën ndërkombtarishte të Merkelit. Këto hamendsime që na trazojnë do të duhet t’i mësojmë në vijim, përderisa do na duhen edhe nja gjashte muaj që të mësojmë si do të na lindë femija. Pra kemi gjashtë muaj kohë për të çantarsuar Shqipërinë nga flirtimet jashtkontinentale për t’i hapur udhë integrimit të shumëpritur, ose të mësojmë ndërkohë  që arsyja e dështimit të tashëm është diçka që pret arkeologët për t’u zbuluar.

 

Burimi: http://www.e-zani.com/2013/12/26/e-verteta-e-floririt/

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: