Kreu > Arnautët > Si jetojnë e mendojnë femrat shqiptare në Siri

Si jetojnë e mendojnë femrat shqiptare në Siri

Ali OLLONI

 

SI JETOJNË E MENDOJNË FEMRAT SHQIPTARE NË SIRI*¨

Damasku

Damasku

Femrat, në secilën kohë dhe vend, e kanë kultivuar traditën më të ndershme, traditën me të cilën janë nderuar edhe nga natyra: përtëritjen e botës.

Me vajza e djem ato vazhduan gjallërimin e kombit. Secilës kohë ato i dhanë vulën e merituar me pjellat e tyre.

– Po të mos i kishim këto pak femra me vete – thotë një plak në Damask – shqiptarët në Republikën Arabe të Sirisë do të ishin harruar që moti.

Disa nga motrat tona që jetojnë sot në Siri kanë lindur dhe janë rritur këtu. Kur familjet e tyre u nisën në udhën e madhe, ato nuk ishin shumë të mëdha në moshë, meqë shumica prej tyre vajtën në moshë të re.

Disa popuj të qytetëruar pohojnë se për të kuptuar se në çfarë shkalle të kulturës ka arritur një popull, atëherë më parë duhet t’u shikojmë varret e të parëve dhe nevojtoret.

Pavarësisht se në çfarë kushtesh jetoi populli shqiptar, në periudhat e ndryshme kohore, femrat e tij dhanë kontribut që nuk ka të krahasuar.

Në lagjet Kadem dhe Divanije të Damaskut ato ta hapin të parat portën e shtëpisë dhe të urojnë mirëseardhjen. Pak malësorçe, si në viset tona.

Që janë të vyeshme, kjo diktohet lehtë. Merita më e madhe u takon, pos kujdesit të përhershëm për familjen dhe punëve rreth saj, edhe për edukimin e brezave që sapo vijnë, për të folmen e parë në gjuhën e mëmës, për zakonet tona, për sjelljet çfarë mund t’i bëjmë ne, për rritjen e tyre të shëndoshë dhe synimet e drejta në jetë.

Sa herë folëm për gjuhën shqipe, që shqiptarët e Sirisë e kanë ruajtur, aq herë dëgjuam shumë fjalë falënderimi për femrat, për gjyshet, mëmat e motrat.

Mirjamja, Hedija dhe Nexhatja

Dëshiruam të bisedojmë me disa prej këtyre femrave. Një mbrëmje na ftuan në një banesë të rehatshme, në rrugën El-Kusur të Damaskut.

Aty janë: Mirjam Arnauti (komandante e stjuardesave të aeroportit të Damaskut), e bija e një shkodrani dhe e një turkeje, punon që prej 21 vitesh; Hedije Arnauti, mbesa e Sulejman Zariqit (shtëpiake), e martuar me një arab dhe Nexhat Arnauti, e bija e Abdurrahman Dobërllukës, rrobaqepëse.

Të qeshura duken, por në harenë e tyre herë-herë fshihet diçka që bashkëbiseduesit mund t’i ngatërrohet ose me vitet e tyre, ose me shkallën e shkollimit, ose me mënyrën e jetës, ose…

Ato mendojnë se femra është personi më i rëndësishëm në familje, enigma më e pazgjidhur, shkolla e parë për brezat e rinj, fuqia e mendimtarëve, sekreti i jetës dhe se është e vështirë të kuptohet mendimi i saj.

Biseda me këto femra është e gjatë, si me të gjitha femrat e tjera që gjallërojnë sot në Siri. I “ngucim” posaçërisht për femrat shqiptare.

– Në Siri femra shqiptare nuk kishte kurrfarë të drejtash. Liritë e saj ishin të kufizuara – na thonë ato.

Për rolin e nënës në familje kanë mendime të ndryshme. Hedija thotë se është kënaqësi të kontribuosh në familje, Mirjami shton se nuk është asgjë e vështirë kur partnerët e planifikojnë punën si në familje ashtu edhe në shoqëri, kurse Nexhati e plotëson me mendimin se femra, kur të martohet, duhet të mbesë vetëm në shtëpi.

Sipas tyre, sot më tepër se kurrë, femrat në Siri mund të jenë të kënaqura me pozitën e tyre në familje dhe në shoqëri, ndonëse ende ka mbetur për t’u punuar në këtë drejtim.

E drejtë e çdo qytetari të Republikës Arabe të Sirisë është që të krijojë familje.

Me kushtetutë është paraparë që mashkulli mund të martohet disa herë dhe të ketë disa gra, përnjëherë.

Hapa të guximshëm

Thonë se numri i atyre që kanë nga tri-katër gra e nga 20-30 fëmijë nuk është i vogël. Se si mund të jetojnë është çështje tjetër: më të favorizuarit janë tregtarët dhe punonjësit e administratës.

Femrat janë të dëgjueshme, sepse ashtu e do rregulli fetar e familjar. Në shumicën e familjeve bisedat zhvillohen në odën e burrave, pa prezencën e femrave. Ato punojnë në dhomat e tjera dhe i mbajnë fëmijët afër.

Duhani është rreptësisht i ndaluar për femra. Zaten, edhe meshkujt e pinë rrallë, sepse – sipas Kur’anit – Allahu është kundër çdo gjëje që sjell dëm.

Shqiptaret e Sirisë kanë shumë fjalë të mira për burrat dhe vëllezërit e tyre. Thonë se ata u ndihmojnë në shumë punë të familjes, sidomos rreth rritjes dhe edukimit të fëmijëve.

Hapa më të guximshëm në emancipimin e femrës janë bërë sidomos vitet e fundit. Nëpër medrese (shkolla) tash i ndjekin mësimet të dy gjinitë, në të shumtën me klasa të ndara. Shumica prej të rejave shqiptare kanë kryer shkollat fillore dhe ato të mesme. Tri veta kanë kryer edhe fakultetin.

Femrat shqiptare të Sirisë janë të përfshira në një organizatë që kujdeset për të gjitha. Kështu, lajmi për ndonjë aksion të tyre merr dheun si rrufeja. Ato tubohen shpesh, llafosin për çështje me interes nga jeta dhe puna e tyre. Në krye të organizatës janë Mirjamja, Hedija dhe Nexhatja.

Ato pohojnë se edhe femrat shqiptare të Sirisë po ecin krah për krah me meshkujt drejt ditëve të reja.

Krahasuar me femrat e grupeve të tjera etnike që jetojnë në Siri, femrat shqiptare qëndrojnë gati në vendin e parë për çështje të moralit. Prandaj shumë prej arabëve (sirianë, palestinezë, egjiptianë etj.) me dëshirë ua mësyjnë shtëpive ku banojnë shqiptarët për të kërkuar ndonjë vajzë për martesë.

 

/Orientalizmi Shqiptar/

 


* Ky artikull është botuar për herë të parë në gazetën “Rilindja”, në Prishtinë, më 19.08.1978.

¨ Ky shkrim është botuar në revistën “URA”, nr. 5, botim special për Arnautët, Vjeshtë-Dimër, Tiranë 2010, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com

Advertisements
Kategori: Arnautët Etiketa: , , ,
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: