Kreu > Iranologji > Kontributi i Kirit të Madh në formimin e “Të drejtës së popujve”

Kontributi i Kirit të Madh në formimin e “Të drejtës së popujve”

Elona BANO

 

KONTRIBUTI I KIRIT TË MADH NË FORMIMIN E “TË DREJTËS SË POPUJVE”

Elona Bano

Elona Bano

Duke qenë se jetojmë në një epokë “Humaniste” ku më shumë sesa kur flitet për të drejtat e njeriut dhe për liritë e tij, duket se shumë njerëz mendojnë se ligjet, barazia, të drejtat dhe liritë janë “stisur” vetëm me qëllim për të pajtuar dhe për të shtypur përçarjet si dhe reagimin e atyre që kanë lindur në një pozicion të nënshtruar1. Por gjithmonë kanë ekzistuar njerëz të pavarur, të urtë dhe të devotshëm që janë të aftë të çrrënjosin nga mendjet e ngushta çdo lloj doktrine të rremë.

Kanë kaluar 60 vjet nga krijimi i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, mbi 4000 vjet nga ligjet e Hamurabit, si i pari akt konkret i lashtësisë që flet për shtetin dhe të drejtën në përgjithësi, e në gjithë këtë rrugë të gjatë duket se është dashur shumë mund, luftë dhe gjak në mënyre që njeriu të marrë atë që dhe vetë natyra ia ka dhënë: të drejtën natyrore – ius naturae.

Shpeshherë është dukur që udhëheqës të ndryshëm për të përligjur pushtetin e tyre të marrë me forcë dhe me të padrejtë, u kanë dhënë fiktivisht shtetasve të tyre disa nga liritë që po ata i kontrollonin. Nëse deri pas Luftës së Dytë Botërore, zakonisht ka qenë një lëvizje nga maja e piramidës (udhëheqësit) drejt bazës (popullit) për akordimin e të drejtave, sot është për t’u përgëzuar fakti që lëvizjet për të drejtat e njeriut njerëzimi i kërkon vetë duke ndërruar sensin e vendimmarrjes.

Të drejtat e njeriut sot nuk mund të konsiderohen si një ideal abstrakt, por duhet të kuptohen si një shpresë e lindur nga historia konkrete e vuajtjeve dhe nga lufta aktuale për çlirim e njerëzve, popujve dhe shteteve. Nëse shtetet socialiste vendosnin në plan të parë të drejtat shoqërore të njeriut përballë kapitalizmit dhe luftës së klasave, popujt e “Botës së tretë” pretendojnë dhe mbrojnë me fanatizëm të drejtën e vetëvendosjes ekonomike, shoqërore dhe politike2.

Meqenëse vetë shoqëria njerëzore është nën një zhvillim spiral për të kuptuar të sotmen, nuancat dhe nevojat e saj bazë duhet të kuptojmë më parë të shkuarën dhe rrjedhimisht vetveten.

Vetë lashtësia është dhe çelësi i gjithçkaje. Në momentet kur në errësirën e kohërave bëheshin beteja dhe përleshje nga me të ndryshmet, ku nuk respektoheshin as të drejtat më themeltare si : e drejta për jetën (Kësaj të drejte i njihej vlera vetëm nga normat zakonore si, për shembull, në raste të vrasjes së Lajmëtarit dhe pse ai gëzonte imunitet, atëherë ku veprimi nënkuptonte shpalljen e luftës), e drejta për t’u arsimuar dhe e drejta e popujve për vetëvendosje (dy të drejta këto të mbajtura “fshehur” prej mbretërve, carëve ose padishahëve pasi interpretoheshin si “atentat|” ndaj pushtetit të udhëheqësit që ishte dhe i dërguari i zotave dhe i Zotit) përshfaqet një figurë e ndritur si ajo e Kirit të Madh. Kur rituali për pushtimin e një vendi diktonte që një shtet vasal duhet të hiqte dorë nga traditat, zakonet dhe identiteti e tij kombëtar në favor të pushtuesve, Kiri i Madh iu lejoi popujve të pushtuara nga Babilonia të riktheheshin në tokat që ju përkisnin, së bashku me perënditë e tyre. Shembull konkret është rasti i popullit hebre që prej 70 vjetësh ishte i burgosur në Babiloni. Kur Kiri i Madh mori pushtetin i lejoi popullit hebre të kthehej në Palestinë së bashku me elementet e shenjta të tempullit të tyre dhe financoi edhe rindërtimin e Tempullit në Jerusalem, duke lëshuar një dekret sipas të cilit i jepte tagër liderëve hebrenj të zotëronin materialet e nevojshme për ndërtimin e këtij Tempulli.

Cilindri i Kirit

Cilindri i Kirit

Pra një udhëheqës i cili respekton dhe garanton të drejtën për përzgjedhjen e besimit fetar, pavarësisht se nuk i përkiste atij besimi, për me tepër hyri në mënyrë paqësore në Babiloni duke moslejuar ushtarët e tij të terrorizojnë vendasit, dhe për me tepër mendon për ardhmërinë e të gjithë shtetasve të tij. Ai akordoi dhe lirinë e skllevërve, prandaj meriton të merret shembull dhe sot e kësaj dite, kur paçka se ndërgjegjësimi i njerëzimit është më i madh, paradoksalisht shkelen të drejtat më thelbësore. Juridikisht mund ta konsiderojmë se Kiri i Madh është një nga themeluesit e së drejtës së popujve për vetëvendosje, duke deklaruar shprehimisht, në manifestin e tij prej balte, që daton në 539 BC, se “Çdo popull/Komb duhet të vendosë vetë për fatin e tij në dëshiron apo jo udhëheqjen time”.

Vlen shumë të kemi parasysh edhe sot e kësaj dite këtë parim themeltar të së Drejtës Ndërkombëtare, kur edhe pse duket se janë vendosur tashmë kufijtë, që shpeshherë duhet nënvizuar pa të drejtë, një e drejtë natyrore si ajo e vetëvendosjes së kombeve/popujve, prevalon mbi ëdo të drejtë, tjetërsi dhe mbi të gjitha mbi çdo padrejtësi tjetër, kemi parasysh këtu rastin e Kosovës kur pothuajse pas një shekulli iu dha mundësia e shenjtë këtij kombi që edhe pse me të drejtën e ZOTIT, nuk i lejohej të ushtronte, në territorin e tij autokton, gjuhën, fenë dhe vetadministrimin e tij3.

Gjithsesi Kiri i Madh përveçse një udhëheqës me një aftësi ushtarake të konsiderueshme ishte mbi të gjitha një lider tolerant dhe i mirëkuptueshëm, gjë kjo pak e kuptuar në zymtësinë e asaj kohe ku vetëm në baze të luftërave mund të zgjidhej çdo konflikt dhe mosmarrëveshje. Kiri i Madh ishte shumë tolerant ndaj feve dhe traditave të popullsive lokale të pushtuara prej tij: mund ta konsiderojmë me plot gojën si një nga “baballarët e tolerancës fetare”, e drejtë kjo themeltare e njohur sot dhe e parashikuar në Konventën Europiane për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut ku shprehimisht thuhet: Çdokush ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të fesë. Çdokush mund të praktikojë besimin fetar publikisht ose privatisht, dhe ta ndryshojë atë nëse dëshiron.4” 

Ndërkohe që nëse do t’i referohemi sistemit kombëtar të së drejtës duhet të kemi parasysh normat e ligjit themeltar, Kushtetutës5 :

  1. Në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare
  2. Shteti njeh barazinë e bashkësive fetare.
  3. Shteti dhe bashkësitë fetare respektojnë në mënyrë të ndërsjelltë pavarësinë e njëri-tjetrit dhe bashkëpunojnë në të mirë të secilit dhe të të gjithëve.
  4.  Marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe bashkësive fetare rregullohen mbi bazën e marrëveshjeve të lidhura ndërmjet përfaqësuesve të tyre dhe Këshillit të Ministrave. Këto marrëveshje ratifikohen në Kuvend.

Po ashtu në nenin 24 të Kushtetutës parashikohet që:

  1. Liria e ndërgjegjes dhe e fesë është e garantuar.
  2.  Secili është i lirë të zgjedhë ose të ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe t’i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve.
  3. Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet të marrë pjesë në një bashkësi fetare ose në praktikat e saj, si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij.

Liria e besimit, është e drejtë e njeriut që lirisht dhe publikisht, veçmas ose në bashkësi me të tjerët ta shprehë fenë. Kushtetuta garanton edhe barazi të bashkësive fetare dhe grupeve religjioze dhe shteteve të proklamuara laike (distancimi i bashkësive dhe i grupeve fetare nga shteti).

Për më tepër Kiri i Madh, në dallim të udhëheqësve të tjerë të asaj kohe, shumë pak përdori dhunën dhe brutalitetin sidomos ndaj popullsisë së pushtuar, për më tepër ai ndaloi trajtimin çnjerëzor ndaj popullsisë së pushtuar. Ndërkohë në legjislacionin kontemporan “Ndalimi i përdorimit të trajtimeve të çnjerëzishme” është i kodifikuar qoftë në Konventën Europiane të Drejtave të Njeriut, në nenin 5 të Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut, qoftë dhe në Kushtetutën shqiptare, neni 25 duke qenë se dhe kjo është në përputhje me “aequisin comunitar”.

Por le të kthehemi në kohën e Kirit të Madh e ta studiojmë atë me mendësinë e asaj kohe. Ne do të vëmë re, për shembull, se babilonasit ose asirianet me cilësinë e pushtuesve masakronin, vrisnin dhe ushtronin agresion në qindra mijëra njerëz duke arritur deri në largimin e tyre nga frika se mos këto kombe ose popuj do të rebeloheshin. Këto fakte gjatë fushatave të luftës, sot do të konsideroheshin të paktën si krime kundër njerëzimit, krime të luftës e deri në gjenocid.

Kur Babilonasit pushtuan Izraelin në vitin 586 para Krishtit ata dërguan një pjesë tejet të madhe të popullsisë vendase drejt Babilonisë. U deshën të kalonin vetëm disa vjet që të vinte Kiri i Madh në pushtet që shthuri Perandorinë Babilonase e më pas do të lejonte hebrenjtë e larguar të riktheheshin në tokat e tyre. Madje ka shumë mendime dhe teza sipas të cilave nëse nuk do të kishte ekzistuar Kiri i Madh, me kontributin e tij mbrojtës ndaj “Të drejtës së popujve”, mbase populli hebre do të ishte zhdukur si etni e veçantë që në shekullin e V para Krishtit.

Nuk përjashtohet fakti se ky qëndrim i Kirit të Madh ndaj hebrenjve, më shumë sesa një tolerancë humane personale të ketë në bazë një motivim politik: gjithsesi është i pakontestueshëm fakti se për kohën Kiri i Madh ishte një “Humanist i madh”, një engjëll mbrojtës i të drejtave dhe lirive të popullit të vet dhe popujve nën sundimin e tij. Madje sipas historianit të famshëm, Erodotit, dhe vetë grekët që e konsideronin Perandorinë Persiane si një nga kërcënuesit kryesorë të pavarësisë, nuk ngurronin të shfaqnin adhurimin dhe konsideratën më të lartë ndaj këtij humanisti Perandor me emrin Kiri i Madh.

Në vazhdimësi të mbrojtjes së tezës sonë, sipas së cilës Kiri i Madh me anë të Manifestit të tij “Cilindrit” arriti të konsiderohet një nga pararendësit e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, ai jo vetëm që në momentin e pushtimit të Babilonisë i dha të drejtën çdo babilonasi të zgjedhë fenë dhe besimin e tij, por liroi skllevërit që ishin kapur gjatë luftës, si dhe skllevërit që mbanin vetë babilonasit dhe për herë të parë foli për barazi mes njerëzve dhe sidomos mes racave, duke i deklaruar të gjithë të barabartë përpara perëndive.

Nëse do të vazhdonim të vinim pasqyra paralelizmi mes Cilindrit të Kirit dhe Deklaratës Ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut, të vitit 1948, në epokën moderne, atëherë duhet nënvizuar fakti që si pararendës i gjithë këtyre nocioneve dhe parimeve humaniste, Kiri i Madh, i liroi të gjithë skllevërit e luftës dhe ata ekonomikë, ndërkohë që vetë neni 4 i Konventës Ndërkombëtare për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut parashikon se: “asnjë individ nuk mund të mbahet në skllavëri, skllavëria dhe trajtimi apo mbajtja e skllevërve është kategorikisht e ndaluar”.

Më pas ky qëndrim i Kirit të Madh do të klasifikohej si mbështetje, dhënë nga ky Mbret, teorisë për të drejtën natyrore, ius naturae.

Rrënjët e teorisë të së drejtës natyrore i gjejmë në mendimet filozofike të stoikëve dhe sofistëve.

Për sofistët, njerëzit sipas natyrës janë të barabartë, ndërsa robëria është gjendje jonatyrore. Sipas stoikëve, njerëzit sipas natyrës janë të pajisur me mençuri(logos) dhe ata proporcionalisht duhet të marrin pjesë në jetën publike, me ata lidhet edhe mendimi romak. Për Ciceronin e drejta natyrore është mendje e drejtë ( recta racio) në pajtim me natyrën.

Teoria për të drejtën natyrore, e shekullit XVII dhe XVIII, do të përfaqësohej nga Xhon Loku dhe Tomas Xhefersoni. Për të dy, njerëzit sipas natyrës janë të lirë dhe të barabartë dhe zotërojnë të drejta të patjetërsueshme dhe të paprekshme, të cilat pushteti shtetëror vetëm mund t’i mbrojë, por jo t’i kufizojë dhe anulojë. Teoria për të drejtën natyrore i lidh të drejtat dhe liritë me drejtësinë si vlerë.

Teoria për të drejtën pozitive ku të drejtat dhe liritë i sheh si prodhim të pushtetit sovran shtetëror. Ato janë kreacion i pushtetit shtetëror. Ai mund t’i kufizojë ose t’i anulojë, duke qenë të determinuara dhe udhëhequra nga rezoni shtetëror. Domethënë të drejtat dhe liritë nuk janë veti njerëzore natyrore, por kategori e rregullimit shtetëror. Njeriu nuk është qytetar, por prodan. Të drejtat dhe liritë nuk janë në funksion të drejtësisë dhe të së vërtetës, por në funksion të pushtetit shtetëror.

Duke qenë problematikë e gjithë kohërave fakti sa të drejta dhe detyrime ka secili prej nesh, duhet t’i japim rëndësinë e duhur Cilindrit të Kirit si një nga Deklaratat e Para që mbrojnë të drejtat e Njeriut. Pas Kodit të Hamurabit, të publikuar në disa shtylla në Irak rreth viteve 2000 para erës sonë, vlen të përmendet viti 539 para erës sonë, që daton me Manifestin në atë cilindër balte të 40 rreshtave të vullnetit të Kirit. Aty shprehet qartë dëshira e Mbretit të Madh, Kirit, i cili donte të vendoste hapat e parë të “shtetit të së drejtës” duke shkatërruar të keqen dhe dhunën dhe duke mënjanuar dhunën a shtypjen e me të dobëtëve prej më të fuqishmëve, po ashtu jo në radhë të fundit Kiri i Madh donte të ngrinte shtetin e tij duke promovuar të mirën e njerëzve.

Të jesh formues i “së drejtës së popujve” nuk është e mjaftueshme për t’u dhënë lirinë skllevërve, që t’i konsiderosh të barabartë të gjithë shtetasit e tu ose t,i lësh të lirë të zgjedhin besimin e tyre fetar, kjo është tejet e rëndësishme, dhe për herë të parë në aktet antike, takohet te Cilindri i Kirit, është “liria për të lëvizur në territorin e Perandorisë së tij në mënyrë të lirshme”duke qenë kështu kundra largimit. E drejta për lëvizjen e lirë përveçse duket se është e parashikuar që në kohët më të lashta është e përmendur edhe shprehimisht në aktet kontemporane ligjore që nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e deri te Kushtetuta shqiptare6:

  1. Kushdo ka të drejtë të zgjedhë vendbanimin si dhe të lëvizë lirisht në çdo pjesë të territorit të shtetit.
  2.  Askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë shtetit.

Gjithsesi në një moment si ky, në të cilin ndodhet vendi ynë Shqipëria, ku më së fundmi rrugët e Europës u rihapen duke rikthyer normalitetin mes popujve më të lashtë të këtij kontinenti plak, ne duhet të respektojmë me shumë kujdes ketë të drejtë që në të njëjtën kohë na përkon me një detyrim dhe siç është “e Drejta për Lëvizjen e Lirë”. Pra të gjithë besoj e njohim parimin thelbësor të drejtësisë sipas të cilit ” E drejta ime shtrihet derisa nuk cenohet e drejta jote”. Ajo që dua të them me këtë është fakti se dhe kjo e drejtë e lëvizjes siç çdo e drejtë ose liri tjetër duhet ushtruar brenda kornizës së të ligjshmes dhe morales, pasi mjafton fakti që dikush të zgjerojë pak aplikimin e së drejtës së vet dhe të prishë gjithë ekuilibrat shoqërore: kemi parasysh lëvizjen urbane shqiptare të pakriter, ndërtimin pa leje të shtëpive etj.

Kiri i Madh ka zëne në historinë botërore vendin e një mbreti çlirimtar duke u bërë garant i së drejtës së popujve e duke mbrojtur sidomos popujt e nënshtruar. Rasti i Kirit të Madh jo vetëm se është shumë i veçante për kohën nga i cili ai na vjen deri në ditët e sotme, por mbetet një rast shumë interesant për t’u studiuar dhe për të bërë kërkime shkencore të mëtejshme. I duhet dhënë një rëndësi e veçantë faktit se në kundërshtim me kohën, Kiri i Madh kërkonte që të kishte në territorin që ai zotëronte qetësi dhe rend. Kështu pra në momentet e para të pushtimit të Babilonisë ai përsëriti: ” Çdo popull / Komb duhet të vendosë vetë për fatin e tij, e dëshiron apo jo udhëheqjen time”.

Këtë të vërtetë që e ka mbrojtur Kiri i Madh që 2500 vjet përpara e njeh dhe traktati ndërkombëtar i OKB-së, i adoptuar në 1966 dhe që hyri në fuqi në 23 mars 1976 sipas të cilit:

  • Të gjithë popujt kanë të drejtën e vetëvendosjes. Në përputhje me këtë të drejtë popujt vendosin në mënyrë të lirë sistemin e tyre politik dhe sigurojnë zhvillimin e tyre kulturor, social dhe ekonomik.

Këtë mbrojti dhe Kiri i madh i cili jo vetëm që hyri në mënyre paqësore në Babiloni por dhe mbrojti ardhmërinë dhe mirëqenien e vendasve.

  • Në bazë të pritshmërisë dhe dëshirave legjitime, çdo popull në bazë të bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar dhe respektimit të detyrimeve që rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare – disponon lirshëm pasuritë e tij natyrore dhe resursat e tij energjetike. Një popull nuk mund të privohet kurrë nga burimet dhe mjetet e tij të jetesës.

Duket sikur dhe Kiri i madh në çdo reagim ose veprim të tijin të kishte një vizion të ngjashëm me këtë që prezantohet pas 2500 vjetësh nëpër traktatet ndërkombëtare siç është ai i vitit 1966.

  • Shtetet palë të këtij traktati përfshirë këtu dhe ato që përgjigjen për territoret nën protektoratin e shteteve të tjera, do të lehtësojnë dhe do të ndihmojnë në aplikimin e të drejtës së vetëvendosjes së popujve dhe do të respektojnë këtë të drejtë në përputhje me rregullat dhe normat e përfshira në Kartën e Kombeve të bashkuara.

Një tjetër akt ndërkombëtar, që vjen sot në mbrojtjen e së drejtës së popujve për vetëvendosje është Deklarata e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së mbi parimet e së drejtës Ndërkombëtare, me referim te marrëdhëniet miqësore dhe të kooperimit që duhet të kenë shtetet dhe popujt sidomos nga pikëvështrimi i statutit të tyre të brendshëm ose i jashtëm. Në aktin final te Helsinkit në 1975 deklarohet po ashtu haptazi se : popujt kanë lirinë e plotë të vendosin ashtu siç dëshirojnë dhe kur dëshirojnë statutin e tyre të brendshme dhe te jashtëm, pa asnjë përzierje ose influencë nga jashtë, në të njëjtën kohë kanë të drejtën e tyre legjitime që të kenë një zhvillim ekonomik, politik, social dhe kulturor”.

Nga7 gjithë renditja e këtyre akteve normative, qoftë kombëtare, qoftë traktate ndërkombëtare vihet re qartë sesa e rëndësishme është e drejta e popujve në përgjithësi, e bazuar gjithnjë në të drejtat e individit. Por sa më shumë argumente kontemporane të sjellim pro rëndësisë së të drejtës së popujve aq më shumë kuptojmë rëndësinë e Kirit të Madh i cili parapriu dhe parakuptoi që në vitet 530 para Krishtit faktin se të gjithë njerëzit përveçse janë të barabartë dhe duhet të jetojnë në paqe, por ata formojnë një shoqëri të tërë e cila normalisht do të kërkojë që t’i bindet dhe konkretisht do t’i bindet vetëm vullnetit të pjesëmarrësve të saj, pra vetë shtetasve të saj, pra vetë popullit të saj. Çdo gjë e cila do të diktohet nga vetë vullneti i popullit do të mund që t’i mbijetojë kohërave; mesa duket Kiri i Madh e kishte kuptuar këtë gjë, kësisoj ai vetë e pranoi këtë të drejtë të pamohueshme, duke u pajtuar me të vërtetën dhe duke iu dhënë dorë të lirë popujve dhe kombeve të pushtuara prej tij, në emër të së drejtës së tyre të shenjtë për t’u vetëkontrolluar dhe administruar.

Interesant është fakti se herë pas here në momente të veçanta të historisë, mendjet e ndritura elitare kanë pranuar për hir të së vërtetës dhe fakte të cilat jo gjithmonë iu kanë shkuar për shtat. Kam këtu parasysh dhe “Veprat e zgjedhura” të Leninit, i cili si formues i ish -Bashkimit Sovjetik gjithsesi shprehej që : duhet njohur e drejta e gjithë popujve për ndarje të lirë nga Rusia dhe për formimin e një shteti të pavarur. Mohimi i kësaj të drejte dhe mosmarrja e masave për vendosjen e saj në praktikë është e barabartë me politikat aneksusese dhe sunduese. Vetëm njohja e së drejtës së kombeve që të mund të ndahen do të sigurojë solidaritetin e plotë të të gjithëve dhe kontribuon në afrimin demokratik mes kombeve”.

Po ashtu i veçantë është fakti se duket se Kiri i Madh ishte një “diplomat” i mirëfilltë, duke mos i munguar forca dhe taktika ushtarake ai e dinte shumë mirë që do të mund ta mbante nën zotërim Babiloninë dhe Midian duke përdorur forcën, por si çdo udhëheqës dhe lider i zoti e kuptoi që është më e qëndrueshme një qetësi në kohë paqeje sesa frika në kohë lufte, dhe ndaj duke shfrytëzuar dhe qytetërimin e popullsive të pushtuara ai përzgjodhi të përshfaqej më tepër si një çlirimtar sesa si një pushtues. Kështu Kiri i Madh arriti që të mbetej në mendje të bashkëkohësve të tij jo vetëm si një luftëtar i zoti, i cili arriti që në Perandorine e tij të fuste tri shtetet më të fuqishme të kohës, por të mbetej në të njëjtën kohë dhe një “Baba” ose “çlirimtar”, opinion ky i mbështetur nga memoria e babilonasve, grekëve ose dhe i vetë indianëve.

Në plotësim të kësaj ideje vijnë kronikat babilonase të cilat citonin se ” në periudhën e hidhur (të ftohtë) 25 nëntor 539 – 25 mars 538 para erës sonë) zotët e vendeve të Akadit të cilët Nabinid i çoi në Babiloni, u rikthyen në vendlindjet dhe sanktuaret e tyre. Me këto veprime Kiri i Madh simbolizonte rikthimin te paqja dhe te rendi i përgjithshëm i qetësisë.
Në Manifestin e tij Kiri i Madh shprehej: “Nga Ashura, dhe Suz, Agade Eshnuni, Zambana, Meturnu deri tek kufijtë e vendit Kuti, qytetet nga ana tjetër e lumit Tigër, banesat që ishin ndërtuar që në lashtësi prej zotëve/perëndive apo qenieve që jetonin aty, unë i riktheva në vendet e tyre duke i ribërë banesat e përjetshme (varrezat). Unë i mblodha të gjithë njerëzit e larguar dhe i riktheva në banesat e tyre. Dhe zotët Shumer dhe Akad i solla në Babiloni dhe i vendosa në vendet e shenjta që të prehen në paqe”.

Data 29 tetor përkon me Ditën Ndërkombëtare të Kirit të Madh pasi në 529 para Krishtit, ai bëri publike një nga të parat deklarata për të drejtat e njeriut, që mban emrin Cilindri i Kirit. Në këtë ditë trupat persiane hynë në Babiloni pa pasur asnjë rezistencë nga ana e popullsisë. Mbas ushtrisë arrin në Babiloni dhe Kiri “mbreti i Sumerit dhe Akkadit, mbreti i katër cepave të botës”. Si gjest simbolik teksti i deklaratës është vendosur në një cilindër argjile që për shumë kohë ka qenë pjesë e murit të Babilonisë, si një themel që mbante traditën dhe zakonet e vjetra lokale. Edhe tani që kanë kaluar 2500 vjet banuesit dëgjjnë kronikat historike sipas të cilave : “Afirmoj sot se të gjithë jemi të lirë që të zgjedhim fenë. Njerëzit janë të lire të jetojnë nën çdo besim fetar që ata duan dhe të punojnë për sa kohë nuk shkelin të drejtat e tjetrit”.

Kiri i Madh duke qenë i udhëhequr nga tri kolona bazë : mendimet e mira, faktet/ veprimet e mira dhe fjalët e mira, si dhe duke i pasur ato si një “modus Vivendi” e shihte botën jo të ndarë në të pushtetshëm dhe të përulur, por si një komunitet të madh të pafund ku të gjithë janë të barabartë.

 

Referencat e artikullit
– 1 Hugo Grotius – Deti i Lirë dhe Prolegomena Mbi të Drejtën e Luftës dhe Paqes; Ed. Dita 2000, Tiranë.
– 2 Chirita Radu – “Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut”-Komente; Edicioni i dytë në rumanisht (Conventia europeana a drepturilor omului. Comentarii si explicatii) Chirita Radu; Editura “C.H.Beck”; Bcuresht 2008, f. 125.
– 3 Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
– 4 Konventa Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Konventa Europiane Për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
– 5 http://legislatie.resurse-pentru-democratie.org/legi_drepturi.php
– http://www.santiebeati.it/dettaglio/92587

 

/Orientalizmi Shqiptar/

 

Burimi: Revista “PERLA”, shkencore-kulturore, tremujore, 2010, Nr. 2-4.

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: