Kreu > Arnautët > Gjyshi dhe nipi

Gjyshi dhe nipi

Ali OLLONI

 

GJYSHI DHE NIPI*¨

Husen Dobërlluka (Arnauti) dhe nipi i tij Mahir Arnauti, fotografuar më 1964

Husen Dobërlluka (Arnauti) dhe nipi i tij Mahir Arnauti, fotografuar më 1964

E mira nuk harrohet. Mund të hidhet edhe në det e, pastaj, del lehtë në sipërfaqe. Kështu disi, populli ynë flet për të mirën, kur ti zërë në gojë të gjitha virtytet e njeriut.

Ka kohë që poeti ynë i mirënjohur Besim Bokshi e ka shkruar poemën “Gjyshi dhe nipi”. Asokohe poemën e mësonim përmendsh, si uverturë të qenësisë sonë në kohëra.

Por, nuk e di pse vargjet e poemës m’u kujtuan edhe në prillin e sivjetshëm, sapo kaloja nëpër ngushticat e lagjes Divanije të Damaskut të Sirisë.

Mendohem dhe më bien ndërmend pyetjet e malësorëve tanë kur të vijnë për ngushëllime, në momentet kur vdes dikush: “a ka vdek gjysmë, apo i tëri?”

Me këtë, e dimë mirë, malësorët duan të pyesin se a ka lënë kënd i vdekuri dhe a ka lënë dikë të hajrit, ndonjë pjellë që në kohërat e pastajme do t’ia madhnojë emrin.

Legjendat u përcollën gojë më gojë, u dëgjuan prej të gjithë veshëve. Poezitë, ndërkaq u lexuan me kureshtje, u bënë pronë e secilit dhe u futën nëpër antologji.

Por legjendat dhe poezitë po i lëmë anash.

Se këtu në Divanije të Damaskut, të bëhet se ato janë pranë e pranë, sikur gjallërojnë legjendën dhe poezinë, bashkë.

Të zeza ishin ditët kur bashkë me një grusht shqiptarësh kosovarë, nga Dobërlluka e Vuçitërnës (Vushtrisë) u largua edhe një familje: Husen Dobërlluka me vëllezërit Abdurrahmanin, Sulejmanin dhe Islamin.

Ditët qenë të zeza, por jeta dhe vepra e tyre – e bardhë.

Qe e tillë, sepse ata krijuan pjellë të mbarë, njerëz që iu kanë lakmi të gjithë arabët me të cilët gjallërojnë, ditën edhe të bien fli kur i thirri atdheu i tyre i dytë, ditën të punojnë mbarë e mirë dhe të krijojnë një jetë pa brenga, një jetë më të mirë.

Shkollarë dhe martirë

Në fillim të gjitha këto nuk i dinte Husen Dobërlluka, vëllai më i madh i Dobërllukasve. Kishte katër fëmijë (Abdulatifin, Abdulkadrin, Hatixhen dhe Aishen). Nuk i dinte as i vëllai i dytë Abdurrahmani, për të cilin shkruam në këtë fejton, njeriu që edhe pse e krijoi familjen me dhjetë fëmijë (Barakatin, Nexhaten etj.) asnjëherë nuk iu nda punës – ka 59 vjet stazh pune dhe ende punon; as i vëllai i tretë Sulejmani e as më i vogli, Islami i ri, i cili, më 1925, në moshën 23 vjeçare, ra në luftën që popujt sirianë vazhdonin kundër francezëve.

Vëllezërit Dobërlluka luftuan shumë me jetën; në skamje i rritën 16 fëmijë, e njërin vëlla ia dhanë revolucionit sirian.

Mirëpo, sipas urtisë së popullit tonë, njeriu nuk vdes, kur pas vetes lë pjellë të mbarë, lë krijesa me të cilat dëshiron të mburret secili njeri.

Husen Dobërlluka vdiq i qetë, ndonëse me mall të madh për vendlindjen. Ai në ditët e fundit të jetës ishte shumë i qetë, meqë shqiptarët e Sirisë dhe arabët e asaj Republike Arabe flisnin mirë për fëmijët e tij të zgjuar, për fëmijët që i filluan punët e mbara, për Abdulatifin, për Abdulkadrin, për Hatixhen dhe për Aishen.

Thonë se ai ishte shumë i lumtur kur i vinin pasardhësit në jetë, sepse, sipas tij, nuk do t’i zhduket emri për jetë e mot. Dhe, ashtu ndodhi. Prandaj nuk është e rastit se emri i tij po dominon në këtë vazhdim të fejtonit.

Abdulatifi mbushi moshën për martesë dhe e martoi. Në Siri filloi të lindë gjenerata e re e Dobërllukasve. Mahiri, djali i madh i Abdulatifit, ishte dashuria më e madhe për gjyshin – Husenin.

Dy skaje

Gjyshi dhe nipi “plaken” nëpër rrugët e Divanijes. Ose ecnin dy-tri kohëra në një hapësirë të gjerë, në dhe të huaj, si trashëgim i një loje të vjetër, nga Dobërlluka e Vuçitërnës, një lojë e cila përpara e ka një jetë krejt tjetër – jetën arabe, me të gjitha të bardhat dhe të zezat e saja.

Gjyshi dhe nipi, dy skaje të një litari.

Gjyshi dhe nipi, njëri fshatar i lodhur i Dobërllukës, tjetri miturak i lumtur i Damaskut.

Gjyshi dhe nipi, njëri shqiptar i mundur, tjetri fëmijë i familjes së përzier.

Gjyshi dhe nipi, njëri 12-shen e 31-shin në kokë e supe, tjetri me lodrat e dekadave të fundit.

Gjyshi dhe nipi, njëri me besim në Muhamedin dhe Islamin, tjetri me përpjekje për shporrjen e sionizmit dhe paqen mes popujve.

Gjyshi dhe nipi: njëri me çallmë rreth plisi, tjetri me libër në duar.

Gjyshi dhe nipi, si të gjithë gjyshërit dhe nipërit e tjerë, si “Gjyshi dhe nipi” i Besim Bokshit.

Në Damask na folën shumë për gjyshin dhe nipin, për Dobërllukasit, por fotografia e vitit 1964 nga Divanija, ilustron më së miri kohërat në të cilat gjallëruan ata.

Mahiri i ri, ndoshta me dëshirë, nuk do që sot t’i kujtohen ato kohëra, kur vetë, si i mitur, nuk mund t’i zbërthente të gjitha rrudhat në ballin e plakut, të gjitha ato ofshama që i dëgjonte netëve të gjata në të cilat plakun nuk e zinte gjumi.

Nuk i kuptonte dhe ndoshta kjo ishte mirë për të.

Sot, Mahiri është rritur, është bërë (si thuhet) burrë. Është 16 vjeç dhe po mëson mirë në “medrese”. Është nxënës gjimnazi. Ndër nxënësit më të dalluar.

Djalë publicisti, nipçe mundimtari

Mahiri po vazhdon rrugën e të atit, Abdulatifit, dallohet në të gjitha punët, mëson edhe gjuhët e huaja, është i përzemërt dhe mikpritës, i vyer dhe bujar, por ai po e vazhdon edhe atë të gjyshit të tij, Husenit, i butë, i mençur, njeri që për mysafirin e ka gjithmonë portën e hapur.

Mahiri e di mirë historinë e familjes së tij, e di mirë prejardhjen, por ja që fati bëri që ai të lindë në një familje të përzier arabo-shqiptare, të mos dijë mirë gjuhën e të parëve, por të mbajë mend të kaluarën e babait dhe gjyshit të tij.

Ai krenohet që është bir i Dobërllukasve, djalë i publicistit e nip i mundimtarit. Krenohet me historinë e bujshme të paraardhësve, por, dorën në zemër, krenohet edhe me jetën e stuhishme të arabëve në dekadat e fundit të këtij shekulli.

– Jam djalë shqiptari dhe arabeje. Kjo më bën të lumtur. Të merremi vesh: të moshuarit hoqën të zitë e ullirit, por edhe pleqtë e mëmës nuk kaluan më lehtë. Xhaxhai kishte rënë në luftën me francezët, duke luftuar krah për krah me arabët. Kjo më bën të lumtur – na tha ai.

Kohërat ndërrojnë. Ne tjetërsohemi. Në kohëra e lëmë nga një gjurmë, aso që nuk hetohet ose aso që nuk mund të fshihet kurrë.

Husen Dobërlluka e pat mall vendlindjen e tij, Dobërllukën e Vuçitërnës. Me atë mall vdiq i biri i tij, Abdulatifi, i cili disa herë u kthye në vendlindjen e të parëve, të cilën e përshëndeti ngrohtë me poezinë “Kroi i fshatit tim”, kurse i nipi i Husenit, Mahiri, tani po vjen për herë të parë në Kosovë (në Seminarin e Kulturës Shqiptare për të Huaj) dhe për herë të parë po ndeshet me njerëzit e së kaluarës, me ata njerëz për të cilët i ka folur babai, për njerëzit me të cilët e ka kaluar fëmijërinë gjyshi i tij, me fushat e malet që e qarkojnë Dobërllukën, me ujët ku e shuanin etjen paraardhësit e tij.

Nuk mund të dimë, është e logjikshme, se çfarë do t’i ziejë në kokë djaloshit. Do të hallakatet pak, sigurisht. Nuk do ta ketë të lehtë. Por, ja se jeta e tij ia ka imponuar edhe “hallakatjet” që po i pasojnë në këtë moshë.

Gjyshi gjithmonë e porosit nipin. Kësaj radhe, ndoshta, nipi i bën të fala gjyshit.

 

/Orientalizmi Shqiptar/

 


* Ky artikull është botuar për herë të parë në gazetën “Rilindja”, në Prishtinë, më 26.08.1978.

¨ Ky shkrim është botuar në revistën “URA”, nr. 5, botim special për Arnautët, Vjeshtë-Dimër, Tiranë 2010, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: