Hyrje > Diktatura komuniste > A jemi vonë për të dënuar diktaturën?

A jemi vonë për të dënuar diktaturën?

Agim BAÇI

 

A JEMI VONË PËR TË DËNUAR DIKTATURËN?

Agim Baçi

Agim Baçi

Dy ditë më parë, bashkitë dhe komunat gjermane ndërmorën hapin e heqjes të çdo titulli që kishin dhënë autoritetet lokale për Hitlerin. 65 vjet më vonë duket sikur është pa efekt apo ndonjë rëndësi. Por kush mendon kështu, gabohet. Sepse të gjithë jemi dëshmitarë të ringjalles së elementëve naziste në disa shoqëri të zhvilluara, ndërkohë që në Greqi u arrit që të krijohej edhe një grup parlamentar me pasues dhe adhurues të politikës së Hitlerit.
Pra, pavarësisht të vërtetave të deritanishme që janë thënë me dokumente, libra e filma, lidhur me atë forcë shkatërrimtare që ndërtoi Hitleri, paskësh ende pasues që tentojnë jo vetëm ta kenë personal adhurimin e tyre, por edhe ta përhapin. Atëherë, ky vendim i të zgjedhurve lokalë hodhi një hap për të goditur edhe detajet më të varfra të jetës së Hitlerit, por gjithsesi pjesë e hartës së marrëzisë.
Po ne, kur kanë kaluar 23 vite nga lënia pas e një diktature që zgjati gjysmë shekulli, a kemi folur realisht për komunizmin që u praktikua në Shqipëri? A i kemi bërë një analizë denatyrimit të njeriut të ri që krijoi partia? A kemi folur ndonjëherë hapur lidhur me efektet pasuesve të këtyre njerëzve të denatyruar dhe çfarë kemi bërë në këta 23 vjet për t’i rehabilituar nga e shkuara e tyre prej skllavi?
Me keqardhje duhet pohuar se kemi bërë politikën e strucit, duke fshehur kokën, por duke lënë gjithë trupin e zbehur dhe të sëmurë të së shkuarës që të udhëtojë, madje të jetë pjesë e rëndësishme e aktivitetit politik. Dhe pasoja është shfaqja zyrtare e diktatorit në një ceremoni zyrtare, e cila është paraprirë nga nostalgjia për të shkuarën e pandëshkuar.
Faktet janë kokëforta. Dhe, 23 vite pas ndryshimeve, ne nuk kemi një ligj real për lustracionin, ne nuk kemi hequr dekoratat e një diktatori si Enveri. Nga një rezolutë që dënonte krimet e komunizmit në vitin 2006, është konkretizuar ngritja e Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, është vendosur një datë përkujtimi, janë ngritur disa përmendore, por promotorët e së shkuarës, madje aktorët e ish-Sigurimit apo hartuesit ideologjikë të një periudhe tronditëse për jetën e shqiptarëve mbeten pjesë e vendimmarrjes, e drejtimit, duke përçuar edhe në demokraci atë frymë vrastare të dinjitetit njerëzor.
Por, a duhet të kemi frikë se kanë kaluar 23 vjet për të hapur një debat, për të pasur një ligj të qartë lidhur me të shkuarën, një ligj për memorien e atij gjysmëshekulli denatyrimi. A jemi vonë për të dënuar moralisht çdo vendim që ndërtoi atë sistem çnjerëzor?
Aspak, sepse historia ka treguar se e vërteta e ka gjithnjë kohën. Jo më kot krimet kundër njerëzimit nuk kanë afat gjykimi, mjafton të zbulohen fakte. Dhe ne së pari kemi nevojë për një ndëshkim të themeltë të atij sistemi. Kemi nevojë t’i bëjmë një lexim atij barabarizmi me jetët njerëzore, që fëmijët tanë të dinë të vërtetën për gjyshërit, prindërit, që t’i ruhen jo thjesht asaj të keqe që nuk i ka gjasat e rikthimit, por asnjë lloj të keqeje që ka ideologji të tilla, ku burgoset shpirti njerëzor dhe ku jeta prej skllavi zë vendin kryesor, tribunën nga ku jepen idetë.
Dhe ne nuk duhet të kemi frikë nga ndëshkimi. Këto 23 vite na kanë dhënë një leksion të madh, duke mos shënuar asnjë viktimë të ardhur nga të persekutuarit ndaj persekutorëve, edhe pse pjesa më e madhe e tyre e njihte personalisht denoncuesin, fabrikuesin e gjyqeve dhe akuzave çnjerëzore. Pra, ne kemi një parantezë që na jep garancinë se leximi i së djeshmes do të jetë leksion për të ditur të ruhemi në të ardhmen tonë, për të ndërtuar një të nesërme jo të gënjeshtërt.  Dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë rast të artë për të lexuar një orë e më parë dokumentet, faktet dhe dëshmitë lidhur me atë katrahurë shpirtërore. E më pas këtë t’ua themi fëmijëve në shkolla, që ata ta mësojnë të shkuarën ashtu siç ka ndodhur.

* * *

Menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, shkrimtari ynë i nderuar, Ismail Kadare, u kërkonte bashkëkombësve tanë që të mos reshtnin t’u bënin me dije mbarë botës krimet çnjerëzore të fqinjëve të tyre serbë ndaj shqiptarëve në vite, e sidomos gjatë luftës së vitit 1999. Ishte një merak i bazuar në historinë, ku mosthënia e të vërtetave me zë të lartë sillte harresën. E duket se pati disi të drejtë, pasi harresa e bashkëkombësve në përditshmëri, duke pasur ndoshta dëshirën më të mirë për t’u ndarë me të djeshmen, bëri që të ngrihej zëri i fqinjëve dhunues, duke u sjellë si i barabartë. Madje, duke sjellë edhe akuza ndaj UÇK-së, a thua se kishin qenë këta të fundit dhunuesit.
Dhe ky paradoks kthehet në dhimbje kur ata familjarë të të dhunuarve, ata të mbijetuar nga përdhunimet, shikojnë fqinjët që flasin tashmë në emër të qytetërimit, ashtu siç ndodhi mes nesh, kur ish-drejtues të Sigurimit apo ideologë të diktaturës rimorën frena të ndryshme të dikastereve apo posteve politike, kur shumë prej të persekutuarve nuk kishin shëruar plagët makabre gjatë 45 viteve. Për të mos përmendur raste banale, kur ish-të përndjekur shkonin të merrnin paratë dhe gjenin në zyra që duhet t’i prisnin ata që i kishin ndëshkuar.
Është në nderin tonë që të mos lejojmë cinizëm mbi jetët tona, e sidomos mbi ata që vuajtën. Por sidomos nuk mund dhe nuk duhet të lejojmë një jetë të gënjeshtërt edhe për fëmijët tanë. Ndaj as nuk jemi vonë e as nuk jemi të ashpër, nëse sot e nesër kërkojmë ndëshkimin e të djeshmes çnjerëzore.

 

Burimi: http://www.panorama.com.al/2013/12/23/a-jemi-vone-per-te-denuar-diktaturen/

  1. sokol mirakaj
    20/01/2014 te 20:38

    ..nuk eshte hera e pare qe shkruani per kete PROBLEM,fort i ndershem gazetar,Ju lumt,ju falenderoj,personalisht! Kam frig se do te na duhen me shume se…65…si dihet…!!!!”.. sic tregojne bathet e priftit….beharin e kemi larg!!!!..”…Ju shkruani ,nder te tjera,sduhet te bejme politike perj struci……Nuk do te ishte “fort keq”,mendoj,po te qe vertet keshtu,…pra te kene frike te dalin sheshit…jo ,jo,..hapur kercenohet,hapur rrihet gjoksi,hapur shkruhet,hapur ftotot “shetisin”nga nje gazet,nga nje TV tek tjetri,hapur manifestojne..’inxhinieret e shpirterave njerezore” (staliniste)……!!Kam frike se 65 do ta kalojme ,ku e ku…Mos te kene frike se edhe europa nuk merzitet fort,,shpejt do ti kete brenda…!!!!…eh ,sikur me te vertete te mos e donte e te mos e pranonte kete gjendje ajo,apo ata…..mendoni vertete se kaqe trima do te rrefeheshin….jo or jo kurre…!Fatkeqesisht,jane shume pake zera qe dalin publikisht ,si ju apo zonja Ballauri ,e tek tuk…!Faleminderit,perseri

  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: