Kreu > Arnautët > Intervistë ekskluzive me bashkatdhetarin tonë në Kajro, Amer Bektashi

Intervistë ekskluzive me bashkatdhetarin tonë në Kajro, Amer Bektashi

INTERVISTË EKSKLUZIVE ME BASHKATDHETARIN TONË NË KAJRO, AMER BEKTASHI*

Amer Bektashi

Amer Bektashi

 Amer Bektashi, Kajro-Egjipt, 2010

 

Pyetje: I nderuar Amer, fillimisht dëshirojmë të na tregoni pak për prejardhjen tuaj, si dhe kur keni ardhur në Egjipt, dhe si ka vazhduar jeta e familjes suaj këtu në këtë vend arab ndryshe nga Shqipëria?

Përgjigje: Unë quhem Amer Bektashi, dhe kam lindur në Kajro të Egjiptit. Gjyshi im quhej Isa Çoçoli, i lindur në Konicë dhe ka ardhur në Egjipt pas luftës ballkanike, rreth viteve 1916-1917. Arsyeja e vetme e cila e detyroi të udhëtojë në Egjipt ishte arsyeja ekonomike e familjes si dhe që të punojë për të blerë sërish tokat që ua kishin marrë grekët në Konicë. Ai fillimisht është marrë me tregti me një bashkëpunëtor egjiptian. Gjyshi im eksportonte fasule me anije për në Egjipt, si dhe importonte pambuk për në Shqipëri. Gjyshi im kishte edhe 3 vëllezër të tjerë. Pas këtij hapi ai mori edhe vëllezërit e tij dhe në të njëjtën kohë hapi një fabrikë për punimin e xhamit dhe të pasqyrave.

Pasi punoi për një kohë të gjatë me fabrikën e xhamit, e la këtë punë dhe filloi të merrej me prodhimin e gazozave, një pije shumë moderne për atë kohë siç është coca-cola sot. Në këtë kohë, mbret në Egjipt ishte sulltan Hysen Kamili, dhe pas tij erdhi sulltan Fuadi. Pasi Egjipti fitoi pavarësinë nga Perandoria Osmane, erdhi Fuadi, dhe në këtë kohë transferohet nga Aleksandria në Kajro dhe njëkohësisht ndërron punën e tij, duke vazhduar të merret me përpunimin e grurit.

Ai si dhe vëllezërit e tij u martuan me gra shqiptare nga Shqipëria të cilat dhe ato erdhën në Egjipt. Mendja e tij mendonte vetëm për Shqipërinë, duke menduar për tokat në Konicë të cilat ua kishin marrë grekët. Ata mendonin që sa më shpejtë të kthehen në Shqipëri sërish por arsyet nuk e lejonin një gjë të tillë. Ne si familje sipas shtetit komunist ishim rrezik për shtetin sepse xhaxhai i nënës sime ka luftuar kundër partizanëve kështu që e kishim të ndaluar që të ktheheshim atje. Shumë nga të afërmit e mi në atë kohë i kishin futur në burg.

Nuk arrij ta kuptoj se ç’rrezik do të kishte shteti komunist nga ne, kur familja ime kishte mundësi të merrte nënshtetësinë egjiptiane por ata mendonin që të ktheheshin në Shqipëri sa më shpejt. Në këtë kohë ka qenë në pushtet mbreti Fuad, dhe pas tij mbreti Faruk. Në këtë kohë shqiptarët botojnë dy revista, një gazetë si dhe hapin dy klube, një në Kajro dhe një në Aleksandri. Këto ishin vende takimi për shqiptarët këtu.

Gjyshi im ka vdekur në vitin 1970, kurse gjyshja ka vdekur në vitin 1994. Babai im ka lindur në Egjipt dhe ka pasur nënshtetësi egjiptiane, kurse nëna ime ka pasur nënshtetësi shqiptare dhe pasi u martua me babain tim mori nënshtetësi egjiptiane, por babai shkoi në ambasadë dhe mori një nënshkrim për mua dhe për nënën time që ne jemi shqiptarë dhe kjo ishte me dekret të presidentit Sali Berisha.

 

Pyetje: Si i keni hallet e familjes suaj tani?

Përgjigje: Ne këtu ka dashur Zoti që t’i kemi mirë hallet, unë jetoj bashkë me familjen këtu në Kajro, nuk kemi pasur probleme me egjiptianët, kemi marrëdhënie të mira me ta, kështu është jeta këtu.

 

Pyetje: Me çfarë merreni në jetën tuaj?

Përgjigje: Unë merrem me një aktivitet tregtar, si dhe kam disa dyqane të miat këtu. Fillimet e aktivitetit si familje kanë nisur shumë herët, por unë personalisht në vitin 1990, pasi u ktheva nga Amerika kam punuar si agjent në një firmë italiane. Po në atë vit kam hapur dyqanin tim personal në qendër të Kajros dhe kështu që nga ai moment unë vazhdova ta zgjeroj edhe më shumë aktivitetin tim.

 

Pyetje: Keni vështirësi në zhvillimin e aktivitetit tuaj?

Përgjigje: Vështirësitë në Egjipt janë të shumta. Dihet që këtu ka vështirësi për vendasit, domethënë egjiptianët, e mandej ç’mund të themi për të huajt?! Më kupton?

 

Pyetje: E keni vizituar ndonjëherë Shqipërinë?

Përgjigje: Në vitin 1991 ka ardhur ambasadori i asaj kohe dhe më thotë: I nderuar Amir, ne si ambasadë do t’ju japim viza ju dhe familjes suaj por unë nuk isha i sigurtë në fjalët e tij dhe mendoja se mos më gënjen saqë i thashë nëse po bëni shaka, sepse nuk m’u besonte që kishte ardhur momenti për të vizituar Shqipërinë.

Gjyshja ime gjithmonë fliste për Shqipërinë, tregonte për anën letrare të saj, natyrën e saj, njerëzit mikpritës etj. Në këtë kohë shqiptarët kishin të drejtë të dilnin nga Shqiperia dhe qëlloi që disa prej tyre erdhën në Egjipt. Unë u takova me ta dhe ju thashë që do të vizitoj Shqipërinë. Ata më thanë që s’ke çfarë bën atje, jeni mirë këtu, por mua më vlonte gjaku për Shqipërinë edhe pse s’kisha lindur atje.

Për mua Shqipëria ishte një vend i paharruar dhe më merrte malli shumë për të, dhe deshti Zoti që ne e vizituam Shqipërinë. Në aeroport na pritën shumë njerëz, me një ngrohtësi shpirtërore të paharruar, edhe pse gjendja në Shqipëri ishte paksa me probleme por për mua u dukte sikur s’kishte asnjë gjë sa që në momentin që vendosa këmbën në Shqipëri ndjeva një kënaqësi shpirtërore sikur kisha lindur dhe jetoja në atë vend.

Në këtë kohë, kur isha për vizitë në Shqipëri, deshti Zoti që të fejohem, një fejesë me të gjitha adetet që kishte fejesa në Shqipëri, ashtu siç i kanë pasur të parët, me shumë adete dhe zakone me shkuesi etj.

Unë kam qëndruar 8 ditë atje. Ka qenë një moment që nuk mund ta harroj, që është shumë i vështirë për ta shpjeguar me fjalë. Këtë gjë nuk mund ta shpjegoj me fjalë më shumë se kaq: një vend i paharruar. Unë pasi u ktheva nga Shqipëria u martova këtu në Egjipt por dëshira ime ishte që të bëja dasëm edhe në Shqipëri por mundësitë nuk na e mundësuan këtë gjë. Sërish e vizitova Shqipërinë në fund të vitit 1992, në vitin 1994 e gjithashtu në vitin 1995 dhe s’kam qenë më që nga ajo kohë sepse pas kësaj kohe ndodhën probleme atje në vitet 1996-1997, si dhe njëkohësisht mua këndej m’u shtuan punët, aktivitetet e kështu që s’më erdhi mundësia për të shkuar sërish deri tani.

Por kjo s’do të thotë që të harrojmë farefisin tonë, të afërmit tanë, sepse ne si familje jemi shumë të kujdesur në lidhje me të afërmit tanë, kështu që unë jam shumë i interesuar për hallet e tyre, kush martohet, kush lind, kush vdes si dhe unë lexoj shumë për historinë e Shqipërisë.

 

Pyetje: Na flisni pak rreth studimeve tuaja, ku i keni mbaruar dhe për çfarë keni studiuar?

Përgjigje: Unë kam shkuar në vitin 1979 dhe kam vazhduar studimet atje. Në kohën kur kam shkuar atje isha në moshën 14 vjeçare. Kam kryer gjimnazin atje, e pastaj kam vazhduar edhe fakultetin ekonomik, pastaj jam kthyer në Egjipt në vitin 1990, në moshën 25 vjeç.

 

Pyetje: Në lidhje me gjuhën shqipe, ku e keni mësuar, sepse nuk keni lindur dhe nuk jetoni në Shqipëri dhe kjo është diçka e rrallë?

Përgjigje: Sa për gjuhën shqipe unë e kam mësuar nga gjyshja sepse ajo gjithmonë ka folur shqip, e kam mësuar me të dëgjuar dhe kam dëshirë të mësoj edhe më shumë por nuk e di mirë. Që kur ka vdekur gjyshja, unë kam qenë 29 vjeç dhe këto kanë qenë çastet kur kam dëgjuar shumë shqip, kurse tani që gjyshja ka ndërruar jetë në shtëpi flasim copa-copa, pak shqip, pak arabisht, pak anglisht, sepse nusja ime e di shumë mirë gjuhën arabe dhe unë s’e di mirë gjuhën shqipe kështu që jemi të detyruar të flasim kështu.

 

Pyetje: Amir, na flisni pak rreth shqiptarëve të cilët kanë bërë epokë këtu në Egjipt me mbretërinë e tyre?

Përgjigje: Në vitin 1798 në Egjipt vijnë francezët dhe e pushtojnë atë. Ky ishte fillimi i historisë madhështore të Muhamed Ali Pashës. Pasi Egjipti ra në duart e Francës, Sulltani Istanbul i dytë mori vendim që të sulmohet Franca për t’a marrë sërish Egjiptin. Në ushtrinë e Perandorisë Osmane kishte shumë kombësi e ndër ta ishin edhe 5000 ushtarë me në krye Muhamed Ali Pashën.

Detyra kryesore që i kishte dhënë në këtë kohë Perandoria Osmane Muhamed Ali Pashës me divizionin e tij të cilin e drejtonte ishte luftimi me ushtrinë franceze. Muhamed Ali Pasha e ka sulmuar dy ose tre herë, s’më kujtohet me saktësi, ushtrinë franceze e cila kishte në gjirin e saj 30000 ushtarë. Lufta ka ndodhur në veri-lindje të Egjiptit, afër Palestinës. Në të vërtetë, ishte shumë e vështirë që të luftohej në atë kohë me ushtrinë franceze sepse ata ishin të shumtë në numër dhe mjetet luftarake i kishin më moderne se ato të perandorisë osmane.

Franca qëndroi në Egjipt 3 vjet dhe ka bërë një propagandë indo-europiane e cila, si të themi, nuk ishte në favor të egjiptianëve, por realiteti ishte krejt ndryshe. Franca dëshironte rrënimin e kulturës, moralit, fesë këtu në Egjipt. Në kohën kur Franca ishte në Egjipt, këtu në Kajro ndodhën dy revolucione kundër francezëve nga ana e popullit të Egjiptit pasi e kuptuan qëllimin e Francës. Kur Egjipti u kthye sërish nën halifatin osman, si vali i Egjiptit nga ana e sulltanit u caktua Hurshid Pasha por populli i Egjiptit nuk e pranoi këtë vendim. Pasi Muhamed Ali Pasha luftoi me francezët, ai nuk u kthye sërish në Stamboll por qëndroi në Egjipt. Muhamed Ali Pasha në këtë kohë nuk qëndroi thjesht si një oficer i cili kujdesej për grupin e ushtarëve të cilët i kishte nën kontroll por vazhdoi kontakte me popullin e Egjiptit. Ai ishte i dashur për ta si dhe kujdesej për ta, dhe kjo bëri që populli ta kundërshtonte vendimin e sulltanit.

Ata donin që në vend të Hurshid Pashës të vijë Muhamed Ali Pasha. Por kush ishte ky person në sytë e sulltanit; një oficer i thjeshtë apo një njeri i cili me mendimet dhe punën e tij mundi të çonte përpara Egjiptin si nga ana kulturore, ushtarake, ekonimike etj., e madje jo vetëm Egjiptin por mund të ndikonte në vendime pozitive në lidhje me Perandorinë Osmane në përgjithësi.

Pasi sulltanit i shkoi lajmi për situatën në Egjipt ai mori një mendim nga personat të cilët ishin poshtë tij (vezirët). Ata i thanë që është më mirë që të pranojmë propozimin e popullit të Egjiptit, sepse ne ashtu siç e dorëzuam atë tek francezët herën e parë, po ashtu mund ta dorëzojmë sërish sepse ushtria osmane po dobësohej çdo ditë e më shumë.

Pasi sulltani i dëgjoi këto fjalë pyeti për jetën dhe familjen e Muhamed Ali Pashës. Atij i thanë që ai ka qenë personi i cili ka luftuar kundër francezëve në Egjipt si dhe babai i tij ka punuar tek sulltani në Kavallë. Pasi i dëgjoi këto fjalë, ai e pa që Muhamed Ali Pasha kishte kontribuar për Perandorinë Osmane e kështu që sulltani pranoi që të jetë ai valiu i Egjiptit.

Kjo daton që nga viti 1805, dhe kjo bëri që populli i Egjiptit e priti me gëzim këtë lajm. Muhamed Ali Pasha, një njeri i zgjuar me një vizjon për të ardhmen bëri reforma të mëdha në Egjipt. Ai arriti që të vendosë bazat e një mbretërie të re në Egjipt. Historia tregon që nga koha e tij kanë ngelur shumë gjëra historike. Ky lulëzim i Egjiptit në periudhën e tij ishte nga viti 1805 deri në vitin 1840.

Në këtë kohë Kajro u bë si djali i madh për Stambollin. Kajro filloi të lulëzojë, ndodhën reforma të mëdha ushtarake dhe ekonomike.

Muhamed Ali Pasha nuk ishte si valinjtë e tjerë që ishin përpara tij në Egjipt, të cilët nuk mendonin se si ta forcojnë perandorinë dhe vendet që kishte nën kontroll. Ai e ndjeu që Perandoria Osmane shumë shpejtë do të përfundojë, ashtu siç vuri re që vendet europiane do të forcohen.

Në çastet kur Perandoria Osmane ndodhej në Kretë si dhe në Murih, në veri të Greqisë Muhamed Ali Pasha dërgoi ushtarë në ndihmë të Perandorisë Osmane me në krye djalin e tij Ibrahim Pasha. Pasi shkuan në Greqi, panë që përballë tyre ishin flotat e Francës dhe Anglisë kështu që ata vendosën që të kthehen në Egjipt sepse s’mund t’i përballonin kundërshtarët. Muhamed Ali Pasha kërkoi që vendet arabe të drejtohen nga Kajro kurse Kairo të drejtohej nga Stambolli por këtë s’e pranoi sulltani.

Të gjitha që ndodhën në këtë kohë bënë që të prishen marrëdhëniet mes sulltanit dhe Muhamed Ali Pashës. Djali i tij Ibrahimi dëshironte që të merrte Stambollin nën kontroll si dhe të rrëzonte sulltanin por babai i tij i përgjigjet që të mos veprojë ashtu siç mendon sepse sulltani është prijësi i besimtarëve dhe është turp për ju që të luftohet sulltani.

Atëherë kur pushteti i Muhammed Ali Pashës po shtohej dita-ditës ndodhi ajo që e mendoi ashtu siç thamë më lart [mendoi që do të forcohen vendet e Europës]. Vendet e Europës, Franca, Anglia, Austria etj., u bashkuan bashkë dhe i thanë Muhamed Ali Pashës që ju s’keni të drejtë të kërkoni gjë tjetër më shumë se pjesën që keni, Egjiptin, dhe për të do të paguani xhizen [taksën] për ne, dhe Egjipti e pranoi një gjë të tillë sepse nuk kishte se ç’të bënte.

Kjo ishte thyerja e madhe që ndodhi ndaj pushtetit të Muhamed Ali Pashës në vitin 1840 në konferencën e cila u mbajt në Londër e cila u quajt “Konferenca e Londrës”. Në këtë kohë Egjipti nuk ishte si më parë një mbretëri, por tani i ngjante një mbretërie, por s’ishte ashtu në të vërtetë, ishte thjesht zyrtarisht poshtë sulltanit. Në këtë kohë kur Muhamed Ali Pasha ishte ende gjallë e merr pushtetin djali i tij Ibrahimi për një periudhë, një njeri me vizion të gjerë, me një zgjuarsi të rrallë dhe me një guxim dhe përgatitje ushtarake të habitshme. Në këndvështrimin tim Ibrahim Pasha ka qenë një njeri i pashoq, madje të them edhe diçka, se ai është më i lartë se Napoleoni. Ai ka bërë 17 beteja dhe s’ka humbur asnjë prej tyre, në qoftë se nuk do të ishte Muhamed Ali Pasha, babai i tij dhe të ishte ai vetëm do të shkruheshin me qindra libra për të.

Ibrahim Pasha ndërroi jetë, kurse babai i tij Muhamed Ali Pasha jetoi ende dhe e mori sërish pushtetin për afërsisht 1-2 vjet, dhe pas tij erdhën Sherif Pasha, ndërsa pas tij Seid Pasha por nuk vinte tjetër i ngjashëm me Ibrahim Pashën. Tek opera në Kajro gjendet busti i tij.

Në lidhje me arritjet në kohën e Muhamed Ali Pashës është mbajtur një konferencë me rastin e 200 vjetorit të fillimit të sundimit të Muhamed Ali Pashës dhe unë isha njëri ndër personat të cilët do të flisnin në lidhje me këtë çështje. Tema ime ishte: “Çfarë do të ndodhte në botë nëse do të zbatoheshin mendimet që kishte në mendje Muhamed Ali Pasha”; do të përparonte bota dhe s’do të binte Perandoria Osmane, edhe sikur të binte Stambolli s’do të binte ashtu siç ra ose mund të transferohej qendra nga Stambolli në Kajro.

Sundimi i shqiptarëve vazhdoi deri sa erdhi radha kur Faruk Pasha ishte rreth të 18-tave. Ai e dorëzoi pushtetin në vitin 1952 por vazhdoi edhe një vit drejtimi zyrtar nga shqiptarët. Pas tij erdhi djali i tij i cili qëndroi vetëm një vit. Kështu mbaroi dinastia shqiptare këtu në Egjipt, dhe bashkë me përfundimin e dinastisë u mbyllen edhe klubet që i kishin për takime shqiptarët, si dhe gazeta dhe 2 revistat që i kishin më parë.

 

Pyetje: Na thoni diçka për gjendjen e shqiptarëve të vjetër (Arnautët) në Egjipt, a gëzojne ata të njëjtat të drejta me arabët e Egjiptit?

Përgjigje: Në këto momente, reputacioni që kishin më parë nuk është më, respekti ndaj shqiptarëve nuk është ashtu siç ishte. Kjo ndodhi nga ana e qeverisë së Egjiptit që erdhi pas tyre e kështu vazhdoi… Por respekti dhe fama e shqiptarëve vazhdon ende tek populli egjiptian, këtë s’duhet ta harrojmë.

Shumë nga shqiptarët kanë emigruar në vendet europiane si dhe në Amerikë e Kanada.

 

Pyetje: Çfarë mund të thoni mbi gjendjen e shqiptarëve (Arnautëve) pas rënies së mbretit të fundit egjiptian me origjinë shqiptare?

Përgjigje: Këtu në Egjipt ka shumë shqiptarë, por ata të cilët kanë ardhur kohë më parë shumica e tyre nuk jetojnë më dhe ata të cilët janë ende gjallë, nuk e di nëse ka ndonjë që e di gjuhën shqipe, dhe nëse nuk e di gjuhën e një populli si do t’i marrësh vesh lajmet rreth tyre, historinë, jetën e tyre, e kështu me radhë.

Shumica e shqiptarëve janë martuar me egjiptiane dhe kanë harruar gjithçka. Ata vetëm dinë në përgjithësi emrin e vendit se nga janë [Durrës, Manastir etj.].

Shumica e personave të pasur këtu kan qenë nga Shqipëria ose me prejardhje shqiptare por nuk jam i bindur se që të gjithë ata që thonë se jemi shqiptarë janë në të vërtetë, por e thonë këtë për të treguar që paraardhësit e mi kanë qenë mbretër e kështu me radhë.

Prej shqiptarëve këtu ka prej tyre që janë të pasur por në përgjithësi janë mesatarë siç është populli në përgjithësi këtu.

 

Pyetje: Meqë revista jonë është një revistë kulturore-shkencore, na thoni ju lutem a ka ndonjë shqiptar këtu që merret me letërsi dhe me kulturë në përgjithësi?

Përgjigje: Ka shumë shqiptarë që kanë shkruar dhe janë marrë me kulturë por shumë prej tyre nuk jetojnë më, kurse atyre që jetojnë tani, siç e thashë më parë, nuk u besoj të gjithëve me fjalët që thonë. Por është fakt që ka shumë shqiptarë që punojnë nëpër ministri, në parlament, në ekonomi, në ushtri etj.

Një ndër shqiptarët e mëdhenj që ka dhënë kontribut të çmuar për shqiptarët këtu ka qenë Shejh Teufik Islami, një nga dijetarët e Universitetit të Ez’herit. Një nga poetët e mëdhenj të Egjiptit ishte edhe një shqiptar i quajtur Haki si dhe Kerim Haxhiu nga Lushnja, i cili ka ardhur për studime këtu para viteve 1945 dhe s’është kthyer më në Shqipëri. Njëri ndër shqiptarët e rinj është edhe Prof. Dr. Beqir Ismaili, përfaqësuesi i Kosovës në vendet arabe.

 

Pyetje: Sa i interesuar është shteti shqiptar për çështjen e diasporës shqiptare në Egjipt?

Përgjigje: Shteti shqiptar po mundohet dhe po interesohet për shqiptarët në përgjithësi të cilët jetojnë jashtë trojeve shqiptare. Shpresojmë që të bëhet diçka më shumë në këtë çështje në bashkëpunim me ta.

 

Pyetje: Të gjithë shqiptarët të cilët jetojnë jashtë trojeve të tyre kanë dëshirë që të kthehen dhe të investojnë në atdheun e tyre. A ekziston dhe tek ju e njëjta dëshirë?

Përgjigje: Unë gjithmonë e kam menduar një gjë të tillë. Pa dyshim, dëshira ime është që të kthehem në Shqipëri dhe të investoj atje sepse aty janë vëllezërit tanë dhe ne duam që të kontribuojmë, në mënyrë që të përmirësohet gjendja e bashkatdhetarëve tanë.

 

I nderuar Amir, ju falënderojmë për gatishmërinë tuaj për të bërë këtë intervistë. Shpresojmë që në të ardhmen të kemi sërish biseda të tilla të cilat janë si mallëngjyese ashtu edhe frutdhënëse.

– Të lutem, pata kënaqësinë që biseduam sepse po bisedojmë për një çështje e cila ka të bëjë me ne dhe me vëllezërit tanë, kështu që unë ju falënderoj për nismën tuaj. Është diçka shumë interesante dhe e dobishme, faleminderit edhe një herë. Një urim të veçantë ia dërgojmë të gjithë shqiptareve kudo që ndodhen.

 

© /Orientalizmi Shqiptar/

 

Intervistoi: Indrit LITA

Student në Universitetin e Al-Ez’herit

Kajro-Egjipt, 2010


* Ky shkrim është botuar në revistën “URA”, nr. 5, botim special për Arnautët, Vjeshtë-Dimër, Tiranë 2010, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com.

Advertisements
  1. Ana
    03/01/2016 te 05:06

    Habitem dhe gezohem per ruajten e origjines shqiptare nga Z. Amer Bektash.
    Momentalisht interesohem te shkoj ne Egjipt. Mund te me informoni se si mund te filloj jetesen dhe te siguroj nje pune atje?

  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: