Hyrje > Identiteti islam shqiptar, Identiteti shqiptar > Roli i Islamit në ruajtjen e identitetit kombëtar

Roli i Islamit në ruajtjen e identitetit kombëtar

Abdullah KLINAKU

 

ROLI I ISLAMIT NË RUAJTJEN E IDENTITETIT KOMBËTAR

Abdullah Klinaku

Abdullah Klinaku

Islami ndër Shqiptarë ka traditë disashekullore, e cila është zhvilluar pa ndërprerje që nga shekulli XV e deri në ditët tona, duke ushtruar një ndikim esencial në mbijetesën dhe në formësimin e identitetit fetar, kulturor dhe kombëtar. Duke pasur parasysh faktet historike, pushtimet e njëpasnjëshme mbi trojet shqiptare, qëllimin e lig të fqinjëve të ardhur, për asimilimin e elementeve të identitetit tonë kombëtar, na vunë para sfidash të mëdha duke rrezikuar ekzistimin tonë. Roli i Islamit në ruajtjen e identitetit kombëtar, pa përjashtuar edhe faktorët e tjerë, është i një rëndësie të veçantë dhe i argumentuar me të dhëna shkencore të ndërtuara mbi burime të sakta historike dhe arkeologjike. Ilirët-Shqiptarët para ardhjes së Perandorisë Osmane, gjegjësisht para pranimit të Islamit, ishin të krishterë – katolikë ose ortodoksë.

Emancipimi kulturor dhe fetar

Në burimet e shkruara nga autorë të huaj antikë, të cilët kishin pasur kontakte me Shqiptarët, të shumtën dominon një vlerësim negativ për karakterin dhe për organizimin e tyre. Sado që në këto vlerësime kishte keqdashje të autorëve, nuk mund të përjashtohet plotësisht objektiviteti i tyre, meqë organizimi dhe rrezatimi kulturor i Ilirëve-Albanëve/Shqiptarëve në ato periudha historike ka qenë shumë inferior në raport me romakët në fillim dhe me fqinjët grekë e sllavë, më vonë. Nuk duhet injoruar as fakti se qytetet antike me rrezatim kulturor të ndjeshëm, si Butrinti, Apollonia, Durrësi, në fakt ishin koloni helene e romake dhe në to nuk ka gjurmë të shkruara në gjuhën ilire-shqipe dhe as aktivitete kulturore të dokumentuara me prejardhje ilire. Kjo është në përgjithësi gjendja e Ilirëve dhe rreziku permanent për asimilimin dhe zhdukjen e Ilirëve/Shqiptarëve. Gjallërimi dhe ngritja e vetëdijes kombëtare dhe fetare gjatë Perandorisë Osmane ishin që ruajti dhe fuqizuan identitetin tonë kombëtar në dallim nga periudha paraislame. Shqiptarët gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, me përqafimin e besimit në Një Zot, dëshmuan një vlerë të posaçme njerëzore dhe një emancipimi të lartë fetar. Duke besuar Zotin dhe duke zënë vend tek ta Shpallja Hyjnore, po zinin fill edhe emancipim kulturor e intelektual, përparimi dhe zhvillimi i jetës familjare e sociale si dhe formësimi kombëtar dhe fetar. Obligimet fetare dhe zbatimi i tyre edukonin këtë popull për durimin, përgjegjësinë dhe përkushtimin për vendin. Ngritja e vetëdijes për edukimin familjar, ngritja e respektit për prindërit, edukimi i fëmijëve, ngritja dhe emancipimi i femrës, rregullimi i marrëdhënieve bashkëshortore, familjare e farefisnore, – krijonin kushte për emancipimin e mirëfilltë kombëtar e fetar. Duhet të ceket në këtë pikë se çështja e ngecjes së implementimit të plotë të edukimit familjar, sipas dispozitave islame, ka qenë edhe indoktrinimi i malësorëve me të drejtën zakonore-kanunin. Ndikimi i Islamit, edhe në edukimin social dhe në ngritjen e kapaciteteve të formuara, ishte i jashtëzakonshëm. Prova të identitetit të tillë do të jepeshin më vonë, pas disa shekujsh të jetës nën sundimin osman, kur ndodhi një transformim real i jetës sociale, kulturore, fetare dhe kombëtare të Shqiptarëve. Këta shembuj do të vijnë pasi të kishin kaluar gati pesë shekuj të sundimit osman, periudhë kur Shqiptarët njohën një rikonsolidim të brendshëm demografik dhe kulturor, pas shpërbërjes së gjatë nën sundimet romake, bizantine e serbe.

Afirmimi i identitetit shqiptar dhe islam i shqiptarëve

Janë themeluesit e Lidhjes së Prizrenit identifikim i një profili të ri të individit shqiptar, që kërkon realizimin e vet dhe të fateve të kolektivitetit, me anën e një angazhimi të disiplinuar dhe të menduar mirë në sfondin e komplikuar të zhvillimeve politike, diplomatike e ushtarake të kohës. Pa një profilizim të tillë, ishte e paimagjinueshme të krijohej një lëvizje indipendentiste që synonte ruajtjen dhe afirmimin e identitetit shqiptar dhe islam të shqiptarëve, në rrethimin armiqësor ballkanik, në moskuptimet tragjike të qeveritarëve osmanë dhe të gjeopolitikave antishqiptare dhe antiislame të shekullit XIX dhe të shekullit XX në Europë. Kur analizohen me kujdes biografitë dhe bëmat e personaliteteve të kësaj lëvizjeje, është e qartë se ato dëshmojnë për një emancipim të individit shqiptar në Islam, ku kishte përfituar vlera të larta organizative nga përvoja shtetërore, politike dhe fetare në Perandorinë Osmane. Falë këtij transformimi dhe kësaj vetëdijeje vepruese islame, u kultivua toleranca e brendshme shqiptare. Kjo tolerancë e brendshme mundësoi integrimin e Shqiptarëve, të cilët, edhe pse u përkisnin feve të ndryshme, realizuan një projekt unik politik dhe nacional. Ky projekt rezultoi me identifikimin e kërkesave politike dhe nacionale në vitin 1878, dhe me krijimin e shtetit shqiptar në 1912. Nga faktet historike është krejt e qartë se barrën kryesore të këtij projekti kombformues e shtetformues, përfshirë edhe pasojat në formën e gjenocidit serb në viset veriore pas Kongresit të Berlinit, dhe ndëshkimin e pushtetit turk, që erdhi si reaksion i detyrueshëm, për shkak të imponimit të diktatit të Fuqive të Mëdha të kohës, ka bartur mbi vete popullsia shqiptare myslimane dhe elita intelektuale e politike e dalë prej saj. Noel Malkolmi dallon tri grupime ose kahe politike në periudhën historike para Lidhjes së Prizrenit, që kryesisht janë të pranueshme:

– Grupimi i parë, sipas tij, ishte përpjekja e malësorëve për t’i mbrojtur ose edhe për t’i zgjeruar të drejtat e tyre tradicionale të vetëqeverisjes, përballë programit të reformave osmane; në këto reforma dëshirohej të imponohej elementi vendës, si për myslimanët, ashtu edhe për kristianët, si për malësorët, ashtu edhe për rrafshin. Këtë shtresë Kristin fon Kol (Christine von Kohl) e quan “shtresa e analfabetëve, e çifligarëve të mesëm”;
– Grupimi i dytë synonte krijimin e një principate autonome katolike shqiptare, të cilën e përkrahu edhe monsinjor Prenk Bibë Doda. Ai nuk do të zgjidhte mjete për ta sendërtuar këtë ide, madje për këtë qëllim do të bashkëpunonte edhe me Malin e Zi. Këtë ide e ndihmoi edhe Austro-Hungaria, po edhe arbëreshët, si politikisht, ashtu edhe me armë.

Islami ndërpreu asimilimin e Shqiptarëve

Mirëpo, për shkak të synimeve egoiste katolike, kjo ide dështoi. Këtë shtresë Fon Kol e quan “shtresa e prijësve fisnorë dhe sunduesve feudalë, të cilët herë janë në hasmëri ndërmjet veti, e herë në hasmëri me organet lokale”;
– Grupimi i tretë, i cili kryesisht jetonte në mërgim, që njihej si grupi i Stambollit, ku shquheshin vëllezërit Frashëri, ishte më aktivi në mesin e tyre. Këtë shtresë Fon Kol e quan “shtresa e intelektualëve të arsimuar në Evropë apo në Turqi, që gëzonin nam dhe autoritet në Stamboll apo në Botën arabe”. Sipas shumicës së studiuesve shqiptarë, grupimi i tretë konsiderohet flamurtar i patriotizmës shqiptare dhe ishte më i zëshmi dhe më aktivi. Ky grup do të bartte barrën kryesore në përgatitjen dhe organizimin e tubimit të njohur në Prizren më 1878. Po ashtu ajo thotë: “Lidhja e Prizrenit kishte një karakter të fortë mysliman, udhëhiqej nga myftilerët, ulematë dhe kakinjtë”.2 Madje edhe vendi ku u mbajt Lidhja e Prizrenit, tregon një simbolikë tjetër të rolit të Islamit në ruajtjen e identetit tonë kombëtar. Shumë burime historike pohojnë me prova e fakte se Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit është mbajtur në xhaminë “Gazi Mehmed Pasha”, e njohur në popull si Bajraklia.3
Me këto ngjarje finalizohej formimi i kombit shqiptar dhe i shtetit shqiptar duke e ruajtur këtë popull nga asimilimi dhe duke e dalluar atë edhe me kombin edhe me fenë dhe me simbolikat e që të dyjave.

 

Botuar në revistën “Dituria Islame”, nr. 246, Janar 2011, Prishtinë.

 

———————————————————————–

Burimet:

(1) Roli i Islamit në trojet shqiptare, Dr. Milazim Krasniqi.

(2) “Kosova një histori e shkurtër” Noel Malcolm.

(3) Dimensioni islam dhe kombëtar i Lidhjes së Prizrenit më 1878 Bartl, Peter, Myslimanët shqiptarë në lëvizjen për pavarësi kombëtare (1878-1912), Dituria, 2006, Tiranë. Clayer, Nathalie, Në fillimet e nacionalizmit shqiptar-Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë, Përpjekja, Tiranë, 2009. Grup autorësh, Shtresimet e identitetit kulturor shqiptar, Zëri Ynë, Prishtinë, 2003. Hasani, Ismail, Vetëdija fetare dhe kombëtare tek shqiptarët, UP, Prishtinë, 2001. Krasniqi, Milazim, E vërteta e Islamit ndër shqiptarë, Zëri Ynë, Prishtinë, 2006.

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: