Dje dhe sot

Khalil GIBRAN (Halil XHIBRAN)

 

DJE DHE SOT

Khalil Xhibran

Khalil Xhibran

Grumbulluesi i arit hyri në parkun e pallatit të tij, dhe bashkë me të edhe hallet që e mundonin. Dhe mbi kryet e tij  silleshin telashet ashtu si huta mbi kërrmën e saj, gjersa arriti tek një liqen i bukur i rrethuar nga statuja të mermerta. Ai u ul atje duke soditur ujin që derdhej nga gojët e statujave si mendime që rrjedhin lirshëm nga imagjinata e një të dashuruari, dhe kundronte fort pallatin e tij i cili ngrihej mbi një kodrinë si nishan në faqen e një virgjëreshe. Pamja e bukur i zbuloi faqet e dramës së jetës së tij të cilat ai i lexoi me lotët që i rridhnin nga sytë e mbuluar prej tyre e që e pengonin së shikuari futjet më të dobëta të njeriut në natyrë. Ai shikoi pas me një pendesë therëse, tek pamjet e viteve të herëshme të jetës së tij, thurur në yrnek prej perëndive, gjersa nuk e zotëronte dot më dhimbjen. Ai tha me zë kumbues, «Dje unë i kullosja dhentë në luginën e blertë, i gëzohesha qënies sime, i bieja fyellit dhe e mbaja kokën lart. Sot unë jam i burgosur i lakmisë. Floriri të çon në flori, pastaj në siklet dhe së fundmi në mjerim. Dje isha si bilbil, fluturoja i lirë aty-këtu nëpër fusha. Sot jam rob i pasurisë së paqëndrueshme, rregullave të shoqërisë, dhe taksave të qytetti, dhe shokëve të blerë, të kënaq njerëzit duke u pajtuar me ligjet e çuditshme dhe të serta të njeriut. Unë u linda të jem i lirë dhe të shijoj të mirat e jetës, por e shoh veten si një kafshë pune të ngarkuar aq rëndë me flori saqë po i thyhet shpina. «Ku janë fushat e gjera, përrenjtë këngëtarë, flladi i freskët, afrimiteti i natyrës? Ku është perëndia ime? I kam humbur të gjitha! Hiçgjë s’ka mbetur pos vetmisë që më trishton, floriri që më tall, robërit që më mallkojnë nga pas shpine, dhe një pallat që e kam ngritur si një varr për lumturinë time, në madhështinë e të cilit kam humbur zemrën! «Dje unë i sillesha stepave dhe kodrave bashkë me vajzën e endacakut; virtyti ishte shoqëria jonë, dashuria qejf, dhe hëna rojtarja jonë. Sot jam mes grave me bukuri të mangët që e shesin veten për flori dhe diamante. «Dje isha pa gajle, ndaja me barinjtë gjithë gëzimin e jetës; hanim, luanim, punonim, këndonim së bashku me muzikën e së vërtetës së zemrës. Sot e gjej veten mes njerëzve si një qingj i trembur mes ujqërve. Tek eci rrugëve, ata më vështrojnë me sytë e tyre urryes dhe më tregojnë me gisht me përçmim dhe zili, e teksa mvidhem përmes parkut, shikoj fytyrat e hakërryera gjithë kundër meje. «Dje isha i pasur në lumturi dhe sot jam i varfër me flori. «Dje isha një bari i  gëzuar që shihte mbi kokën e tij siç shikon një mbret i mëshirshëm me kënaqësi mbi vartësit e tij të kënaqur. Sot unë jam një skllav që qëndron përpara pasurisë sime, pasuria ime që më ka grabitur bukurinë e jetës që dikur kisha. «Më fal, Gjykatësi im! Nuk e dija se pasuria do të ma copëtonte jetën dhe do të më çonte në qelitë e vuajtjeve dhe në marrëzi. Ajo çka mendova se ishte lavdi s’është hiçmosgjë pos një ferr i përjetshëm. Ai e mblodhi veten e lodhur dhe eci ngadalë drejt pallatit, duke psherëtirë dhe përsëritur, «Këtë quajnë njerëzit pasuri? A është ky Zoti të cilit i shërbej dhe adhuroj unë? A është kjo ajo çka kërkoj nga toka? Pse s’e këmbej dot këtë për një grimcë kënaqësie? Kush më shet mua një mendim të bukur për një ton flori? Kush më jep një çast dashurie për një grusht gurësh të çmuar? Kush më jep një sy që të shoh zemrat e të tjerëve, dhe të më marrë të gjitha sëndyqet në shkëmbim?» Ndërsa ai mbërriti portat e pallatit, u kthye dhe pa drejt qytetit si Jeronimi pat shikuar Jeruzalemin. Ai i ngriti krahët në një vajtim të kobshëm dhe thirri, «O njerëz të qytetit të zhurmshëm, që jetoni në errësirë, që nguteni drejt mjerimit, që predikoni gënjeshtra, dhe flisni marrëzira…deri kur do të mbeteni të paditur? Gjer kur do t’i bindeni zhulit të jetës dhe do të vazhdoni të braktisni begatinë e saj? Pse vishni rroba të leckosura të ngushtësisë ndërsa pëlhura e mëndafshtë e bukurisë së natyrës është stolisur për ju? Llampa e diturisë po shuhet; është koha ta mbushni me vaj. Shtëpia e padijes po shkatërrohet; është koha ta rindërtoni e ta ruani atë. Hajdutët e padijes e kanë vjedhur thesarin e paqes suaj; është koha ta rimerrni!» Atë çast një burrë i varfër qëndroi para tij dhe i shtriu krahët përpara për lëmoshë. Teksa shikonte lypsarin, iu hapën buzët, sytë i ndritën me një butësi, dhe fytyra e tij çliroi mirësi. Ishte sikur e djeshmja që ai kish vajtuar tek liqeni kish ardhur ta përshëndesë. Ai e përqafoi varfanjakun me dashamirësi dhe ia mbushi duart me flori, dhe me një zë të sinqertë, me ëmbësinë e dashurisë, tha, «Eja prapë nesër dhe sill me vete bashkëvuajtësit tuaj. Të gjithë plaçkat tuaja do t’ju ripërtërihen.» Ai hyri në pallat duke thënë, «Gjithçka në jetë është e mirë; madje edhe floriri, sepse ai të jep një mësim. Paraja është si një instrument me tela; ai që nuk di t’i bjerë si duhet, do të dëgjojë vetëm muzikë të çakorduar. Paraja është si dashuria; ajo vret ngadalë dhe dhimbshëm atë që e mban, dhe e gjallëron tjetrin që e derdh mbi shokun i tij.»

 

Shqipëroi: Halit Beka (Methasani)

Durrës, 27 Tetor, 2013

Advertisements
  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Shkruani një koment

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: